Agolli: Asnjë diktaturë nuk shpik dot armë për ta vrarë letërsinë
“Shqip”
Ç‘mendon për letërsinë e shkruar gjatë komunizmit dhe çfarë ndodhi me letërsinë e tij pas viteve ‘90
Përtej një libri gjithnjë fle një histori. Ashtu si përtej çdo fjale të thënë dhe padashur ne zgjojmë brenda vetes mendime që prej kohësh i kemi lënë diku. Mund të jetë një histori që kemi dëshirë ta kujtojmë mbrëmjeve me veten, por mund të jetë dhe e kundërta, që të përlotemi teksa e kujtojmë atë. Po përse duhet t‘i nxirrte nga sirtarët e kujtimeve “Zhurmat…” e së shkuarës një shkrimtar si Dritëro Agolli dhe të tregonte një pjesë të letërsisë së tij të shkruar gati gjysmëshekulli më parë. Mos ndoshta “zhurmat…” nuk i përkisnin vetëm të djeshmes, por ato kishin qenë pranë tij gjithnjë. “Kur mendoj për të djeshmen them me vete: e djeshmja nuk nxiton, por ngacmon të sotmen”, shkruan Agolli në parathënien e ribotimit të një prej librave më të njohur të krijimtarisë së tij “Zhurmat e erërave të dikurshme”, teksa kërkon të shpjegojë se përse vendosi t‘i sillte sërish të plota në shtyp këto tregime. Ashtu si një kritik i letërsisë beson është më mirë të mos kërkosh arsyet përse vendosim të bëjmë diçka, pasi në një mënyrë a një tjetër ajo ka qenë e destinuar për të ndodhur. Ashtu si “Zhurmat…” një vepër e botuar fillimisht në vitin 1964 dhe e kritikuar e më pas ndaluar nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës, pavarësisht kohës së gjatë që iu desh të qëndronte e mënjanuar, tashmë është në çdo librari.
Duart e tij dridhen lehtë teksa merr në duar librin “Zhurmat e erërave të dikurshme”. I them se tregimi që mban këtë titull më ka pëlqyer kur e kam lexuar kohë më parë.
Por ndërsa këtë paradite shkurti ai mund të tregojë çdo histori që mbart ky libër, gati 50 vjet më parë, çiftit Agolli, atëherë të sapomartuar, do t‘u duhej të kapërcenin me heshtje gjithë atë “zhurmë” që solli “Zhurma”.
Shkrimtari e ka ende në mendje atë mesditë, kur Sadija, gruaja që ka ndenjur gjithnjë pranë tij, atëherë vetëm 23 vjeçe, hapi derën e shtëpisë, duke hedhur librat mbi tavolinë e duke i thënë: “Më thanë në drejtorinë e shkollës që të të kritikoj ty për atë librin…”.
Ja ç‘shkruan shkrimtari në parathënien e librit për këtë moment: “Iu përgjigja: ‘Ti më vrafsh, ti më prefsh, vetëm jo Partia!‘ Sadija m‘u përgjigj se kjo nuk ishte punë shakaje dhe më kërkoi të më shpjegonte gabimet ideologjike që përmbante ‘Zhurma e erërave të dikurshme‘. Po kjo është një histori e gjatë, që në këto shënime do të dukej pakëz e tepërt. Megjithatë duhet përmendur se Sadija ime, mësuesja e letërsisë, pasi mori nga unë gabimet e librit, të nesërmen shkoi në shkollë dhe para mësuesve dhe nxënësve analizoi ‘Zhurmën…‘. E gjora Sadije, çdo gjë në atë sallë mund të fshihte, vetëm skuqjen e fytyrës jo! Dhe ç‘të them akoma? Asnjë diktaturë nuk shpik dot armë për të vrarë letërsinë e vërtetë. Armët e shpikura vetëm mund t‘ia ndalojnë pakëz udhëtimin, por ajo ecën, mjafton që shkrimtari të mos trembet as nga kritikët e sferave të larta zyrtare, as nga kritikët letrarë dritëshkurtër apo dritëgjatë. Ai shkrimtar që ka frikë nga kritika dyshon për vlerën e veprës së tij”.
“Zhurmat e erërave të dikurshme” përmban një radhë tregimesh të shkruara në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX. Libri u botua fillimisht në vitin 1964 dhe më pas do të vihej në qendër të kritikave. Sipas shkrimtarit, kritikat u rritën pas Plenumit të 15-të të KQ të PPSH-së të vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare. “Në atë plenum, bashkë me librin tim u kritikuan edhe dramat e Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Ismail Kadare dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur mos të kishte folur Enver Hoxha në konkluzionet e atij plenumi në mbrojtje të ndonjë autori të këtyre veprave. Kështu për mua ai tha se Dritëro Agolli është bir i partisë dhe ka vepra të bukura. Unë atëherë kisha botuar poemën ‘Devoll Devoll‘.
Koha bënte të sajën. Librin tim me tregime i ishte caktuar fati.
Pas atij plenumi iu dha orientim shkollave të mesme që të kritikonin veprat që përmendeshin nga Partia”, kujton ai.
Sigurisht që ne do të donim të dinim historinë e çdo libri që ruhet me kujdes në bibliotekën e madhe të familjes Agolli. Por këtë herë zgjodhëm “Zhurmat…” si pikënisje të një bisede që do ta lexonim më poshtë, ku shkrimtari tregon jo vetëm historinë e këtij libri, por edhe mënyrën sesi ka shkruar gjatë sistemit komunist, apo si e përjetoi rënien e sistemeve në letërsinë e tij pas viteve ‘90?
Mund të na tregoni historinë e librit me tregime “Zhurmat e erërave të dikurshme”, një libër i kritikuar gjatë kohës kur është botuar për herë të parë më 1964-ën, të cilin e keni ribotuar të plotë gati një vit më parë? Çfarë është ky libër për ju?
Tregimet e këtij libri janë shkruar në rininë time, pas kthimit nga Universiteti i Petërburgut. Pjesa më e madhe e tyre janë botuar nëpër gazetat dhe revistat e asaj kohe. Në vitin 1964 unë mendova t‘i përmblidhja këto rrëfime në një libër me titullin “Zhurma e erërave të dikurshme”. Këto tregime kishin një linjë krejt ndryshe nga tregimet që botoheshin në atë kohë. Kishte një jetë brenda tyre. Një jetë plot kontradikta dhe gati-gati tragjike për personazhet që ishin brenda tyre. Personazhet nuk kishin shumë dritë. Shpeshherë ato ngjasonin sikur kishin dalë nga errësira. Dhe jeta në këto tregime nuk ishte shumë entuziaste, e meqë mbartnin një mënyrë tjetër të shkruari dhe të lëndës artistike ato bënë një përshtypje të madhe te lexuesi, por nuk u pritën mirë si nga shtypi zyrtar, ashtu edhe nga personalitete të tjera politike të vendit.
Kur doli libri (varianti i parë) ai u kritikua dhe ndaj tij u mbajt një qëndrim negativ. Ashtu siç e shkruaj dhe në parathënien e këtij ribotimi unë u thirra në Komitetin Qendror të Punës, në sektorin e propagandës politike (ishte një sektor me një drejtori) dhe aty më thanë se “ky libër nuk duhej të dilte”. Aq më tepër që autor isha unë, një gazetar i “Zërit të Popullit”. Sipas tyre unë duhet të isha shembull në pasqyrimin e realitetit dhe të mos bëja gabime ideologjike. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare: personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. Disa u ngritën dhe thanë që libri duhej kthyer në karton. Më kujtohet qëndrimi i Fadil Paçramit, i cili ishte drejtor në atë kohë. Ai tha që “është më mirë ta shpëtojmë këtë libër, vetëm të heqim ndonjë tregim prej tij”. Qëndrimi i tij ishte pozitiv në atë mbledhje. Ai kërkoi që libri të shpëtohej dhe të dilte në qarkullim, kuptohet me disa ndërhyrje, një prej të cilave ishte dhe ndërrimi i kopertinës. Kopertina ishte bërë nga Safo Marko, ku dominohej një sfond i zi dhe me një figurë me ngjyrën e një thëngjilli të ndezur. Në atë kohë Safo Marko ishte grafistja më e mirë e librave që botoheshin. Unë e kam pasur kopjen e parë të këtij libri, por nuk më kujtohet se kujt ia kam dhënë dhe s‘kam mundur ta marr më.
Atëherë u vendos që të ndërrohej kopertina e librit dhe të hiqeshin disa tregime nga fundi i librit si “Njeriu me veladon”, “Egërsia” dhe ndonjë tjetër, duke i zëvendësuar këto me skica e reportazhe, ku personazhet të ishin më optimistë.
Dhe kështu u bë. Ndërkohë, ndër mendimet që u thanë aty ishte edhe fakti që libri të dilte dhe të pasohej me një kritikë të fortë. Ndërkohë u bë një kritikë e tillë dhe u botua në dy faqe të gazetës “Drita”. Kritikën e bëri një shoku im, i cili e lavdëronte nga ana artistike, por e kritikonte rëndë nga ana e përmbajtjes.
Kur e keni shkruar tregimin “Zhurmat e erërave të dikurshëm”, titullin e të cilit mban edhe kjo përmbledhje me tregime?
Tregimi është botuar kur unë kam qenë rreth 29 vjeç, ndërsa për të shkruar e kam shkruar kur kam qenë 27 vjeç. Këto tregime janë shkruar shumë kohë më përpara. Një pjesë të tyre e kam shkruar dhe gjatë kohës kur isha student në Rusi. Por në shtypin letrar, social dhe politik i kam botuar më vonë. Disa janë botuar në revistën “Ylli”, një revistë e ilustruar, ku kryeredaktor ishte Qamil Buxheli, një burrë i fisëm, me ide përparimtare, shkrimtar me një humor të rrallë modern dhe njeri me shije të holla artistike. Atij i pëlqente të botonte këto lloj tregimesh, pasi ishte më liberal dhe nuk ishte dogmatik në vlerësimin e letërsisë. Më kujtohet se ne brezi i të rinjve që po hynim në atë kohë në letërsi më shumë botonim në këtë revistë. Edhe Ismail Kadareja e të tjerë botonim te kjo revistë, ashtu si edhe te “Zëri i rinisë”, që ishin më liberale në atë kohë.
Tani që po e mendoj, këtë tregim ndoshta mund ta kem shkruar më herët se në moshën 27-vjeçare.
Çfarë menduat kur latë Petërburgun dhe udhëtuat drejt Shqipërisë komuniste për të vazhduar ëndrrën tuaj për t‘u bërë shkrimtar? Cili ishte pakti që bëtë me veten për të mbrojtur “të shkruarin”?
Në atë periudhë, kur unë bashkë me disa të tjerë u ktheva nga studimet në Petërburg, në ish-Bashkimin Sovjetik të atëhershëm ishte bërë Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku, ndër të tjera, ishte kritikuar dhe kulti i Stalinit.
Në atë kohë ishte Hrushovi në pushtet dhe kishte filluar të shkrinte pak akulli në një farë mënyre. Ishte liberalizuar disi jeta dhe disa shkrimtarë të atjeshëm kishin filluar të shkruanin më lirshëm se në kohën e Stalinit.
Në atë kohë, një nga shkrimtarët e njohur si Ilia Erenburgu, shkroi një roman të shkurtër me titullin “Shkrirja”. Titulli ishte metaforik, ku mund të hamendësoje ose mendoje një shkrirje të akullit të dogmatizmit, që deri në atë kohë kishte mbërthyer jo vetëm shoqërinë dhe politikën, por edhe letërsinë dhe shkrimtarët.
Ky roman bëri jehonë në të gjithë botën, duke u përkthyer në shumë gjuhë për vetë filozofinë që përcillte. Madje, në atë kohë ky libër la dhe një shprehje, “koha e shkrirjes”.
Ne studentët që ktheheshim mendonim se në Shqipëri do të ndodhte e njëjta gjë si në Rusi, pasi në atë periudhë ne kishim miqësi me Bashkimin Sovjetik dhe mendonim se dy vendet do të jetonin të njëjtat politika.
Kështu që kthimi ynë në Shqipëri u shoqërua me një farë optimizmi. Kjo gjë mund të ndihet edhe në poezinë e viteve ‘60 dhe në fund të viteve ‘50, të cilën e shkruam me këtë frymë liberalizmi. Prandaj ka ngelur dhe shprehja “poetët e viteve ‘60″, pasi ishin tre katër poetë nga ne që filluam të shkruanim ndryshe nga ajo çfarë ishte shkruar. Deri në atë periudhë vjershat ishin odike, lavdëruese për sistemin, të gjitha përfundonin gati me “Rroftë kjo…”, kurse ne e shkrimë këtë moto dhe i shkruam vargjet me një filozofi tjetër më jetësore, duke e bërë më figurative poezinë, më konceptuale. Nuk ishte më një poezi tregimtare, ashtu siç shkruhej atëherë, ku poezia kishte dhe personazhe. Edhe në tregime filloi një frymë e re, ku ngjasonte dhe me reportazhin, ndryshe nga tradita jonë. Kishte ikur ajo tradita e Migjenit, e Mitrush Kutelit apo e tregimtarëve të tjerë, që kanë dhënë një kontribut të madh në letërsinë tonë. Nuk shkruheshin më tregime pa agjitacion, pasi pjesa më e madhe e tyre ishte me agjitacion. Gjithnjë personazhi kryesor duhet të ishte një komunist, ose një patriot i madh.
Kështu që ne padashur sollëm një mënyrë tjetër të shkruari në letërsi. Edhe jeta u duk sikur u liberalizua në vitet ‘60. Filloi të ndjehej ajo që po jetohej në Rusi. Dukej se nuk kishte ndonjë ndërhyrje të madhe në letërsi ato vite. Mirëpo e gjitha kjo varej edhe nga talenti i shkrimtarëve, nga forcat e reja që hynin në letërsi, të cilët treguan një lloj guximi artistik. Mendoj se çdo lloj sistemi, nga më i përparuari botëror, nuk mund ta mposhtë dot letërsinë.
Sado i ngurtë, dogmatik apo totalitar të jetë një sistem, gjithnjë do të dalin vepra që të mos pajtohen me këtë realitet. Kjo ka ndodhur historikisht, edhe në Mesjetë, në anët më të errëta të asaj kohe. Doli Dantja, Servantesi e të tjerë që e konfirmojnë këtë filozofi. Nuk mund ta mposhtësh dot mendimin e përparuar të letërsisë. Mund të ketë kufizime, edhe në veprat më të shquara të letërsisë mund të ketë kufizime, ku mendimi nuk është thënë i plotë, por, megjithatë, sido që të kenë qenë kufizimet shkrimtari ka gjetur mënyrën për ta pasqyruar realitetin.
Unë i quaj dogmatike mendimet, se meqë ishte ai sistem ashtu duhej të ishte edhe letërsia. Dhe hedhin poshtë gjithë atë krijimtari që është bërë në atë periudhë. Është një gabim që i ngjan po atij gabimi që bëhej në sistemin komunist, vetëm se është një gabim demokratik.
Në konceptin tuaj sot, si do ta vlerësoje komunizmin dhe ç‘mendon për letërsinë e shkruar gjatë asaj periudhe?
Unë mendoj se ajo letërsi që lexohet dhe që është e mirë do të qëndrojë e nuk ka ç‘t‘i bëjë as kritika, as anët zyrtare si politika, për të thënë se meqë është shkruar në atë kohë ajo nuk vlen. Ky është një mendim krejt metafizik, mendim jo dialektik, dogmatik, pasi nuk mund të justifikosh faktin se meqë është shkruar në një sistem totalitar ajo është një letërsi e dobët. Mendoj se jeta e asaj kohe, që përcillet në librat e shkruar në atë periudhë, ekziston edhe sot në një formë apo një tjetër nga vetë fatet njerëzore që gjenden në këto libra. Në thelb, jeta e njeriut vijon të jetë ajo me të përditshmet e tij, ka edhe sot heronj të lumtur, që ndahen apo dashurojnë.
Pastaj nuk mund të thuash se meqë ka pasur një ideologji komuniste, në tregime, në mënyrë dogmatike është pasqyruar kjo ideologji. Ajo përcjell misionin e vërtetë të letërsisë, pavarësisht sistemeve, pasqyrimin e marrëdhënieve njerëzore.
Ashtu si tani, në veprat e shkrimtarëve të rinj pasqyrohen marrëdhëniet e tyre njerëzore dhe jo marrëdhëniet shkencore, filozofike. Në libra është jeta e njerëzve bashkërisht me të tjerët, mënyra sesi ata jetojnë dhe kjo është e rëndësishme për një lexues. Nëse këto marrëdhënie janë të drejta e nuk janë të politizuara, atëherë nuk ka rëndësi se në çfarë kohe janë shkruar. Nëse në ato libra mund të gjejmë dashurinë e dy të rinjve, ajo e njëjtë lexohet edhe sot, pasi dashuria dhe ndjenja për të është e njëjtë në çdo kohë.
Edhe Homeri, që pasqyron tremijë vjet përpara marrëdhëniet e Akilit me Hektorin apo me të tjerët, apo Helena me Paridin janë njësoj si sot. Grindja për një grua është akoma.
Çfarë ka ndryshuar me letërsinë tuaj pas viteve ‘90?
Në këto vite, si në prozë ashtu edhe në poezi, kam shkruar. Doemos tani mendimi është më i lirë dhe kjo është diçka pozitive, sidomos për ata që janë të rinj dhe mund të bëjnë ç‘të duan me materian e letërsisë.
Por sigurisht që kjo varet nga talenti i secilit, pasi tashmë nuk ka më censurë, nuk kontrollon më njeri ato çfarë shkruan. Kontrolli mbi fjalët është i dëmshëm për letërsinë. Dhe unë e kam jetuar këtë kontroll. Ka qenë kontrolli i redaksive, i jetës politike, i cili të rrinte mbi kokë. Në atë kohë, kur unë shkruaja, kontrolli ishte i madh, edhe në redaksi kur çoje një shkrim për ta botuar ai do të kontrollohej nga redaktori apo kryeredaktori, të cilit do të jepnin sugjerime se çfarë shkonte e çfarë nuk shkonte aty. Kurse tani kohët kanë ndryshuar. Liria është për këdo që kërkon të shkruajë përfytyrimet e tij. Dhe vetë unë mund të flas ç‘të dua dhe t‘i botoj në një gazetë. Në atë periudhë nuk lejohej kjo gjë dhe as që mund të guxoje të kritikohej sistemi.
Po ju tregoj një histori që më ka ndodhur kur shkoja me shërbim në qytetin e Shkodrës. Kisha një mik piktor, Jakup Keraj, me të cilin kisha mbaruar studimet në Leningrad dhe bashkë u kthyem në Shqipëri. Në qytetin e Shkodrës do të bëhej një ekspozitë dhe Jakupi donte të prezantonte aty portretin e një vajze, një portret vërtet i bukur dhe i realizuar mirë. Mirëpo gjatë kohës kur u hap ekspozita ajo vajzë ishte fejuar me një drejtues të asaj kohe në atë qytet. Kështu, kontrolli që do të shihte punët para ekspozitës ia hoqi Kerajt portretin e kësaj vajze, pasi nuk mund të prezantohej portreti i gruas tashmë të një drejtuesi të qytetit. Kjo është një histori që mban brenda filozofinë e kohës e censurës dhe trishtimit që sillte tek artistët.
Me këtë histori reale unë kam ndërtuar një tregim të quajtur “Portreti i një vajze”, që ndodhet te libri “Zhurma e erërave të dikurshme”. Sigurisht që emrin e personazheve e ndërrova. P.sh., Jakupin e bëra Jakov, por thelbi ishte ngjarja reale. Kurse në këto kohë nuk ekziston më kontrolli i dikurshëm. Unë e kam ndjerë lirinë e të shkruarit në gjithë krijimtarinë time pas viteve ‘90. Gjithçka çfarë kam shkruar pas këtyre viteve kanë qenë më të lira, më të çliruara, marrëdhëniet njerëzore kanë qenë më të vërteta, jo të varura nga politika, por më shumë nga filozofia që duhet të përcjellë letërsia e vërtetë. Duhet ta pranojmë se në atë kohë dashje pa dashje çdo shkrimtar kishte diçka të politizuar në veprat e tij. Në çdo tregim gjërat duhet të thuheshin me nëntekste. Kurse tani gjithçka çfarë shkruaj është e lirë.
Sa autobiografi ka në letërsinë tuaj?
Dashur pa dashur jeta e shkrimtarit hyn në veprën e tij. Hyn me gjithçka çfarë ka përjetuar që nga kohët e fëmijërisë, rininë deri në pleqërinë e vonë. Shumë elemente të jetës së një shkrimtari mund t‘i gjesh në veprën e tij. Veçanërisht kjo gjë ndodh më shumë te poetët. Poetët e kanë disi më të theksuar ndikimin nga jeta e tyre personale. Kjo, pasi Uni në poezi është më i theksuar se në prozë. Por edhe proza nuk mund të shmangë elemente të jetës. Kur i flet në letërsi një të vogli a të riu, apo kur shkruan për një personazh të luftës, ti nuk ke si të shmangësh njerëzit në jetë që ke takuar, që u ngjajnë këtyre personazheve. Kur flet për gjyshërit, nuk ke si të mos sjellësh në kujtesë portretin e gjyshërve të tu. Ose kur tregon për një lagje, një qytet, një fshat, para teje shfaqen ato lagje, qytete dhe fshatra që ty të kanë bërë përshtypje, apo që i ke dashur.
Ose kur përshkruan natyrën, një mal, një fushë është e pamundur të mos i kesh shkelur më parë këto vende. Nëse në letërsi nuk hyn dhe jeta jote, atëherë ti nuk di ç‘të shkruash. Edhe kur shkruan për lulet ti duhet t‘i kesh ndjerë ato. Mund të thuash që manushaqja çel në qershor, por kjo është një gabim, pasi manushaqja çel në prill a në maj. Janë ato gjërat e vogla që duken të parëndësishme, por që në letër kanë një rëndësi të veçantë.
Mark Tuen në një tregim flet për këta shkrimtarë që nuk e njohin shumë jetën dhe thotë: “Kur vilet patatja nuk shkulet se vritet, por çshkulet”.
Doemos shkrimtari është pasqyrues i jetës. Letërsia është një lloj realiteti i dytë, ai artistik. Hegeli thotë: “Nëse do të imitojmë jetën nuk do ia dalim dot”. Imituesi i natyrës është si krimbi që shkon pas elefantit. Pasi natyra është kaq e madhe, sa po ta imitosh del si një krimb që ecën pas elefantit. Prandaj ka lindur dhe letërsia, e cila është një rindërtim i realitetit.
22 February 2008 @ 9:05 pm
Ne nje nga tregimet pershkruhej “nje dashuri” e pabese ku shoku kryen mardhenie…..e justifikuar sipas menyres se shpjegimit te subkoshiences shqiptareFrojdi ne moden LINDORE) duke e krahasuar me nje TREGIM te KOLIQIT(Ernest)….Ndoshta dhe per kete e bllokuan se i bente thirrje prehistorise njerezore ku SHQIPTARI ishte TIPIK ????
:) 
A ka kush ndonje kujtese me te forte sepse vet titulli
“ZHURMA e ERERAVE te DIKURSHME” ishte shume impresionus ne ate mal prurjesh te letersise ne BLLOK!
23 February 2008 @ 5:14 pm
ASNJE DIKTATURE NUK SHPIK DOTE ARME PER TE VRARE LETERSINE E VERTETE!…Kjo theneje duhet te mari cmimin Nobel te letersise.
7 April 2008 @ 2:03 pm