Abuzimi 2 mln lekë, pranga 4 zyrtarëve
Lelo Cecoaliaj
04-10-2007
Akuzohen se kanë abuzuar me procedurat e tenderit të rikonstruksionit të rrugës me vlerë 2 milionë lekë. Ish-Drejtori i “Albpetrol” e ish-Drejtori i “Nafta Impeks” janë arrestuar në banesat e tyre
FIER- Katër ish- zyrtarët më të lartë të “Albpetrol, sh.a.” janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga policia e Fierit në një operacion të konsideruar si tepër të suksesshëm nga ana e policisë dhe prokurorisë shqiptare. Ish-Drejtori i Përgjithshëm i “Albpetrol, sh.a.”, Fatos Nika, ish-Drejtori i “Nafta Impeks”, Agim Asllanaj, ish-Drejtori i Sektorit të Përpunimit të Rërës Bituminozë,Kasnicë, Llambi Bucka dhe ish-Shefi i Departamentit të Projektimeve Hilmi Deraj, janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Me duar të pastra 3”. Të katër zyrtarët akuzohen për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorim detyre. Por akuzat që rëndojnë mbi ta nuk kanë lidhje me naftën shqiptare por me shtrimin e një rruge, e cila ka kushtuar vetëm dy milionë lekë. Sipas akuzës, katër ish- zyrtarët kanë abuzuar me rikonstruksionin e një rruge, e cila nuk ishte në juridiksionin e tyre.
Shkeljet
Si policia ashtu edhe prokuroria shqiptare janë krenuar dje me arrestimet e tyre më të fundit në lidhje me korrupsionin në ish- administratën shtetërore. Këtë herë në prangat e operacionit të bujshëm “Me duar të pastra 3” kanë rënë katër ish- zyrtarë të lartë të “Albpetrol, sh.a.”. Katër muaj më parë, policia lokale ka zbuluar një aferë korruptive në këtë ndërmarrje. Informacioni i është kaluar prokurorisë së Fierit dhe këto dy institucione kanë zhvilluar hetime në lidhje me çështjen. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier mbi bazën e materialit hetimor të referuar nga Drejtoria e Policisë ka regjistruar procedimin penal dhe prej rreth katër muajsh ka zhvilluar hetime për veprën penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe shpërdorim të detyrës, parashikuar nga nenet 135 dhe 248 i Kodit Penal. Nga hetimet paraprakeka rezultuar se gjatë rikonstruksionit të rrugës Unaza e “SAFMT” janë evidentuar një sërë shkeljesh të ligjit për prokurimet publike si mungesa e lejes së ndërtimit, mos realizimi i një procedure tenderi, realizimi i rrugës jashtë investimeve të planifikuara dhe të miratuara nga Ministria e Ekonomisë, si dhe shkelje të tjera gjatë procedurave të zbatimit dhe të ndjekjes së kontratës, të cilat kanë shkaktuar dëm të rëndësishëm ekonomik”,- thanë dje burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, përgjegjës për këto shkelje janë ish-Drejtori i Përgjithshëm i Albpetrol, sh.a. Fatos Nika, ish-Dretori i Nafta Impeks Agim Asllanaj, ish-Drejtori i Sektorit të Përpunimit të Rërës Bituminozë, Kasnicë, Llambi Bucka dhe ish-Shefi i Departamentit të Projektimeve, Hilmi Deraj.
Arrestimet
Në përfundim të hetimeve, prokuroria lokale ka depozituar në gjykatë kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë arrest me burg pa afat në mungesë për katër ish- zyrtarët e lartë. Kërkesa dhe materialet e prokurorisë janë shqyrtuar nga gjykata e Fierit, e cila ka miratuar arrestimet. Me të marrë në dorë urdhër- arrestet, policia lokale ka bërë gati edhe operacionin për kapjen e katër ish- zyrtarëve. Burimet zyrtare të policisë pohuan se operacioni ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur katër të pandehurit ndodheshin në gjumë në banesat e tyre. Operacioni blic i koduar “Me duar të pastra 3” është kryer njëkohësisht në banesat e katër të pandehurve duke sjellë arrestimin e tyre. Anjë prej të arrestuarve nuk ka pasur mundësi të reagojë por janë dërguar menjëherë në mjediset e paraburgimit.
TË ARRESTUARIT
Fatos Nika, 59 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, ish- Drejtori i Përgjithshëm i “Albpetrol sh.a” Patos në vitin 2005
Ilmi Derraj, 57 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Fier, ish- shefi i Departamentit të Programit të Zhvillimit në Drejtorinë Albpetrol sh.a në Patos, në vitin 2005
Agim Asllanaj, 55 vjeç, lindur në Mallakastër dhe banues në Fier, ish- drejtor i Nafta Impleks në Patos në vitin 2005
Llambi Buçka, 56 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në Fier, ish- drejtor i Ndërmarrjes së Rërës Bituminoze në Patos në vitin 2005
AKUZAT
Vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal.
Shpërdorim të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal
Mbrojtësi i Fatos Nikës ka komentuar dje arrestimet duke i cilësuar një lëvizje të nxituar për tenderin e një rrugë të shtruar sipas të gjitha parametrave. Avokati: Arrestimi një show për dy milionë lekë
“Nuk ka vjedhje me shpërdorim detyre sepse rruga është shtruar dhe me cilësi të lartë”
FIER- Avokati i ish- Drejtorit të Përgjithshëm i “Albpetrol sh.a”, Fatos Nika, ka komentuar dje arrestimet duke i cilësuar ato një “shoë” i policisë dhe prokurorisë lokale. Sipas Gëzim Hajdërajt, në këtë rast nuk ka absolutisht vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës por thjesht një rikonstruksion rruge, i cili nuk ishte planifikuar në fillim të vitit. “Është thjesht një rrugë me vlerë dy milionë lekë, e cila është shtruar e tëra dhe me një cilësi tepër të lartë, por kjo rrugë nuk ishte planifikuar në buxhet. Nuk mund të arrestohen me kaq bujë të madhe katër ish- zyrtarë të lartë për një rast të tillë. Është thjesht zhurmë”,- tha dje avokati Hajdëraj pasi kishte kontaktuar në qelitë e paraburgimit me Fatos Nikën.
Zoti avokat, ku konsiston akuza për katër të arrestuarit?
Ata i kanë akuzuar për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorim detyre. E gjithë çështja qëndron në një rrugë që është shtruar në vitin 2005. Është një rrugë nga Patosi deri në një fshat, Grizë. Sipas akuzës, kjo rrugë nuk duhet të shtrohej me fondet e Albetrolit pasi ajo nuk ishte në juridiksionin e kësaj ndërmarrjeje dhe nuk ishte në planin e investimeve të vitit. Nga vetë kërkesa e prokurorisë dhe vendimi i gjykatës, është provuar se kjo rrugë është shtruar plotësisht dhe me cilësi të mirë. Pra investimi është kryer plotësisht dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Si i konsideroni ju dhe klienti juaj këto akuza?
Në këtë çështje ka dy probleme që meritojnë vëmendjen. E para është se nuk mund të ketë në asnjë mënyrë vjedhje pasi vjedhje presupozohet se ke marrë diçka për dobinë tënde ndërsa këtu paratë janë përdorur për të shtruar një rrugë dhe nuk ka përfituar njeri. Është akuzë e padrejtë dhe bëhet për shoë. Deri sa ti pranon që paratë shkuan tek rruga e ajo u shtrua mirë atëherë nuk ka asnjë vjedhje.
Ju keni komunikuar me klientin tuaj sot (dje). Si e shpjegon ai çështjen?
Fola me Fatos Nikën dhe më tha që një pjesë e rrugës është në juridiksionin e naftës. Ai e mohon pretendimin e prokurorisë se rruga është e bashkisë. Përsa i takon planit të investimeve, përse rruga nuk ishte atje, ai më shpjegoi se Albpetroli nuk e ka kaluar planin e investimeve. Fatosi më tha se janë brenda fondit të përgjithshëm dhe bënë këtë rrugë duke lënë një investim tjetër. “Kursyem para tek investimet e të tjera dhe shtruam rrugën. Ne kemi të drejtë të bëjmë lëvizje investimi pasi jemi shoqëri anonime, nuk ka asnjë problem nëse ndryshohet investimi”,- më tha Fatosi.
Në akuzën e prokurorisë cilësohet një vjedhje shumë e madhe. Sa është realisht shuma e saj?
Këtu bëhet fjalë për një rrugë që ka kushtuar vetëm dy milionë lekë. Derisa atje nuk ka vjedhje, mund të kemi vetëm shpërdorim detyre. Nuk mund të arrestohen katër vetë me tërë këtë bujë për dy milionë lekë. Është turp që të bëhet tërë kjo zhurmë për katër kuadro të lartë vetëm për dy milionë lekë. Kjo është vetëm për shoë. Ne kundërshtojmë vendimin e gjykatës pasi ai është bërë pa prani avokati dhe pa prezencën e askujt nga mbrojtja. Nuk e kuptoj tërë këtë nxitim për dy milionë lekë që bënë një rrugë. Ata e pranojnë rrugën dhe nuk ka nevojë për tërë këtë zhurmë. Ata u arrestuan sikur kishin vjedhur shuma tepër të mëdha. Bisedoi: Loli Çeçoaliaj
AVOKATËT
Të arrestuarit s’kanë marrë para por kanë shtruar rrugën
FIER- Sipas mbrojtjes së katër të arrestuarve të djeshëm, e gjithë çështja e prokurorisë është e nxituar dhe akuzat janë ngritur në mënyrë abuzive. Avokatët kanë pohuar dje se në këtë rast nuk ka asnjë vjedhje për vetë faktin se të pandehurit nuk kanë marrë para por vetëm kanë ndryshuar destinacionin e fondeve duke ndërtuar një rrugë që u shërbente. “Është një shoë që bëhet nga policia e prokuroria duke quajtur korrupsion të madh një rrugë dy milionëshe. Edhe nga akuza pranohet që është shtruar rruga. Nuk janë vjedhur lekë dhe cilësia e rrugës është shumë e mirë”,- thanë dje avokatët. Sipas tyre, problemi për kompetencat e rrugës është disi i komplikuar pasi një pjesë e saj varet nga shoqëria “Albpetrol, sh.a.” ndërsa tjetra nga Bashkia Patos. Në këto kushte duhet parë me kujdes nëse “Albpetrol, sh.a.” ka apo jo të drejtë të investojë në shtrimin e rrugës.
Familjarët: Gjykata do të tregojë të vërtetën
FIER- Për familjarët e katër ish- zyrtarëve të lartë arrestimet e djeshme kanë qenë tepër të papritura. Ata nuk kanë preferuar që të flasin gjatë por ia kanë lënë më shumë radhën avokatëve mbrojtës. Asnjë prej familjarëve nuk ka pranuar arrestimet dhe kanë thënë se njerëzit e tyre nuk kanë vjedhur para. Ata ia kanë lënë në dorë gjykatës që të vërtetojë nëse janë vjedhur apo jo fondet e shtetit. “Babai im është i ndershëm. Ai nuk ka bërë asgjë. Do të jetë gjykata ajo që do ta vërtetojë këtë gjë. Na lini rehat sepse ne nuk dimë ende gjë nga kjo çështje”,- tha dje për “Shekullin” djali i ish- shefit i Departamentit të Programit të Zhvillimit në Drejtorinë Albpetrol sh.a, Ilmi Deraj. Sipas tij, gjithçka do të sqarohet në gjykatë.
Avdullaj e Osmanaj akuzohen se kanë abuzuar në 30 tendera. Dyshohet se janë jashtë Shqipërisë
Shpallen në kërkim dy ish- zyrtarë të ARMO
FIER- Dështon operacioni i prokurorisë dhe policisë së Fierit për arrestimin e dy ish- zyrtarëve të lartë të shoqërisë anonime “ARMO” që akuzohen se kanë abuzuar të paktën në 30 tendera të ndryshëm. Paraditen e djeshme prokuroria ka arritur që të sigurojë urdhër- arrestet për dy zyrtarë të lartë të akuzuar për shpërdorim detyre por pas verifikimeve kanë rezultuar se asnjë prej tyre nuk ndodhej në Shqipëri. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme pohuan dje se mbi bazën e kallëzimit nga Drejtoria e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka filluar procedimi penal për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se në rreth 30 procedura tenderi të realizuara nga Shoqëria Anonime “ Armo” gjatë vitit 2006, janë evidentuar shkelje të shumta të ligjit për prokurimet publike nga ish-Drejtori i Drejtorisë së Bilancit në “Armo”, Bashkim Avdulla dhe ish-Drejtori i Drejtorisë Ekzekutive në “Armo”, Gëzim Osmanaj”,- thanë dje burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, prokuroria e Fierit ka paraqitur në gjykatë kërkesat për caktim mase sigurimi arrest në burg për shtetasit e lartpërmendur dhe me vendim të gjykatës është vendosur caktimi i masës së sigurimit. Menjëherë urdhër- arrestet për shtetasit Bashkim Avdulla dhe Gëzim Osmanaj i kanë kaluar policisë lokale, e cila është nisur për të kryer arrestime por pa rezultat. Burimet e policisë pohuan se asnjë prej të pandehurve nuk është gjetur në banesën e tij, madje mendohet se kanë vite që janë larguar nga vendi.


Shkruaj një koment (login)