Login



Register

A duhet miratuar ligji i ri i trashëgimisë kulturore?

Kujt i shërben ligji i ri “Për trashëgiminë kulturore?

Petrika GROSI

Ditën e hënë, në Komisionin e Ligjeve pritet të kalojë mes të tjerash ligji i ri me ndryshime “Për trashëgiminë kulturore”. Aktet ligjore e nënligjore paraqiten me disa modifikime nga ato ekzistueset. Ndryshimet, në pjesën më të mirë të tyre, ngjajnë të panevojshme. Në mjaft pika e nene ndryshohet terminologjia, hiqen institucionet e rëndësishme shkencore si Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, duke u zëvendësuar me “institucionet e specializuara”. Ajo që bie në sy haptazi me ndryshimet që i janë bërë ligjit “Për trashëgiminë kulturore’ është heqja e kompetencave të Institutit të Monumenteve dhe Institutit të Arkeologjisë dhe kalimi i këtyre kompetencave te KKR (Këshilli Kombëtar i Restaurimeve), kryetar i të cilit është ministri i Kulturës, duke sjellë kështu një centralizim të pushtetit dhe duke bërë që çdo kontratë tregtare, restauratore etj., domosdoshmërisht të kalojë për t’u firmosur në tavolinën e ministrit. Gjithashtu, në Nenin 23 të ligjit të ri, Institutit të Arkeologjisë i hiqet kompetenca shkencore duke ia kaluar një agjencie, siç është ASHA (Agjencia e Shërbimit Arkeologjik). Kjo agjenci krijohet për të përballuar emergjencat që mund të krijohen gjatë punimeve ndërtuese. Një sektor të tillë, i cili e ka kryer mirë detyrën e vet, e ka pasur në strukturën e saj IMK-ja.

Është krejt e panevojshme ngritja e një agjencie, duke pasur parasysh edhe statistikat (2-3 raste emergjence në vit). Gjithashtu, kemi të bëjmë me përpjekjen për të ngritur një organ tjetër të panevojshëm, siç është KKA (Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë), i cili sërish nuk bën asgjë më tepër se krijimin e një strukture që shton burokracinë. Këto janë ndryshime që nuk mbrohen nga logjika dhe nuk kanë bazë ku të mbështeten. Ligji i ri i çon në “pikën zero” kompetencat e dy institucioneve më të larta e të specializuara shkencore për monumentet e kulturës, siç janë Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Kurrsesi, ministria, si organ që harton dhe zhvillon politikat, nuk mund të marrë përsipër funksione ekzekutive. Nuk ka se si të tjetërsohen detyrat e institucioneve dhe të krijohen organe fantazmë që, veç të tjerash, mbartin dhe koston e tyre për një “qeveri në dietë”. Aq më tepër, nuk është parë në eksperiencat e vendeve perëndimore që funksione të rëndësishme, të lidhura drejtpërdrejt me mbrojtjen e trashëgimisë dhe kulturës kombëtare, t’u hiqen institucioneve të specializuara shtetërore për t’ua kaluar papritur këto të drejta agjencive. Institucionet e rëndësishme dhe të konsoliduara kërkimore shkencore nuk mund të kthehen në OJF dhe as në ndërmarrje. Ministri i Turizmit dhe Kulturës nuk mund të jetë “mbret” dhe të vendosë për gjithçka me firmën e tij duke qenë në krye të çdo institucioni dhe këshilli, si ASHA, KKA, etj.

Ministrisë i takon politikëbërja. Ligji i ri nuk paraqet dhe as servir ndonjë mbushje të vakuumit ligjor. Ai të krijon përshtypjen se është hartuar dhe do të tentojë të kalojë për miratim vetëm për interesin e personave e jo të objekteve. Atëherë lind pyetja: Kujt i shërben ky ligj i hartuar në mënyrë të tillë? Kështu, kalojmë në një plan tjetër. Kthejmë në skenë “luftën” e MTKRS-së me IMK-në gjatë viteve të fundit, si dhe mosmarrëveshjet mes këtyre me akuzat e ndërsjella për shkelje ligjore e korrupsion. Nuk është e vështirë të kuptohet centralizimi i kompetencave dhe pushtetit siç e parathamë. Por në skenë kësaj here del edhe diçka tjetër. Fondacioni PACKARD!

A është rastësi që gjatë kohëve të fundit ky fondacion “bamirës”, të cilit deri tani nuk dimë t’i jetë bërë ndonjë kontroll nga shteti për mënyrën se si i shpenzon miliona eurot e marra për monumentet e kulturës në vendin tonë, të ketë dy nga punonjësit ose, më saktë, ish-punonjësit e tij në postet kyçe shtetërore që kanë të bëjnë me monumentet e kulturës dhe trashëgiminë kulturore?! Më konkretisht, e kemi fjalën për drejtoren e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në MTKRS Iris Pojani dhe drejtorin e IMK-së Lorenc Bejko. A mundet që dy persona të lënë vendet e tyre të punës me rroga mujore rreth 2-3 mijë euro dhe, nga dashuria e atdhetarizmi, të punojnë në ministri me 500-600 euro në muaj? A kanë lidhje këta persona, aktualisht në poste kyçe dhe pranë ministrit të TKRS-së, me hartimin e ligjit të ri? Po me PACKARD-in a mund të ketë ndonjë lidhje e gjithë kjo histori?

Zotërinj deputetë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, këtu kemi të bëjmë me shumë pikëpyetje e paqartësi. Është me dobi të shqyrtohen mirë këto probleme para se të votoni.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. lule thotë:

    29 February 2008 @ 6:20 pm

    Ehu ç’bëhet atje, i rregullojne ligjet si ti vije qefi njerit e tjetrit. Paraja qenka vertet nje shtytes i forte ne legjislativ dhe shkon direkt ne duar e ekzekutivit.
    Kane plas ujqrit dhe po shqyejne si te terbuar kufomen e Shqiperise :-(

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.