500 akademikë tre muaj pa rrogë

gazeta Shqip

Rreth 500 punonjës të instituteve shkencore në vend nuk paguhen prej muajsh. Lajmi është bërë publik dje, nga krerët e 12 instituteve në një konferencë për shtyp. Ata i kanë nisur edhe një peticion Kryeministrit, Sali Berisha, ku kërkojnë që reforma të bëhet në përsosje të kërkimit shkencor dhe jo duke e rrënjosur atë. “Ka punonjës që kanë tre muaj pa rroga, të tjerët një muaj”, tha kreu i INIMA-s, Gudar Beqiraj. Sipas tij, reforma nuk fillon nga mospagimi i personelit të 12 instituteve. “Por këto janë këshillat që Berisha merr nga Myqerem Tafaj, që më mirë se çdo gjë tjetër, di se si përgatitet ushqimi i kafshëve”, tha Beqiraj, akademik dhe profesor në Informatikë.

Reforma në Akademinë e Shkencave ka nisur një vit më parë. Por tashmë ka marrë formë të plotë, kur qindra punonjës shkencorë njësoj si policët dalin në reformë, ose ndryshe nuk paguhen. Pra dalin pa punë. Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit fajësohet drejtpërdrejt për ndërprerjet e pagave për personelin shkencor dhe atë ndihmës të Akademisë së Shkencave dhe 12 instituteve shkencore të saj. Në bazë të ligjit të ri të Akademisë së Shkencave, institutet shkrihen dhe disa prej tyre iu atashohen universiteteve. Por, kjo reformë ishte planifikuar të mos prekte personelin. Pra, të mos kishte shkurtime. Situata aktuale është e tillë, që shkurtimet nuk komunikohen zyrtarisht, por punonjësve që shkojnë çdo ditë në punë nuk iu japin rrogat.

Ministri i Arsimit, Genc Pollo, në muajin gusht kur qeveria mori vendim t‘i shkrijë këto institute, u shpreh se “nga kjo reformë nuk do të ketë asnjë shkurtim për personelin shkencor”. Më tej ka shtuar se “duke shprehur vlerësimin dhe mirënjohjen për punën e brezave të ndryshëm të shkencëtarëve shqiptarë, do të theksoja, që atashimi i këtyre instituteve pranë universiteteve është vendosja në suazën e duhur”. Sipas tij, vendimet e marra nga qeveria janë hartuar nga Grupi i Ekspertëve, me në krye Myqerem Tafajn, i ngritur me urdhër të Kryeministrit në vitin 2005, dhe më tej nga Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH) si dhe zyrtarë të ministrisë. Po sipas kreut të Arsimit, përmes kësaj reforme, institutet e Albanologjisë mbeten në një qendër të re, ndërkohë që Akademia e Shkencës si organ autoritar ruhet, mbetet e pacenuar në tërësinë e saj. Institucionet kërkimore-shkencore të Albanologjisë përfshihen në një qendër të vetme, e cila ka një status universitar. Po kështu edhe 5 institute përfshihen në Universitetin e Tiranës, atë të Politeknikut, Universitetit Bujqësor, e kështu me radhë. Deklarata e kreut të Arsimit është bërë më 23 gusht të këtij viti, ndërsa një pjesë e mirë e punonjësve të instituteve shkencore ishin pa rroga. Numri i tyre është shtuar, saqë për muajin shtator nuk është paguar asnjë prej tyre.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. Beli thotë:

    17 October 2007 @ 7:42 pm

    Asnje lek mos tua japin se pedagoget e universiteteve te shqiperise i kane bere universitetet si prona te tyre …ti shesin librat qe botojne vete personalisht, me zor. …nuk te kalojne klasen pa paguar leke …..te rrrjepin ne lloj-lloj menyrash etc etc
    Une them qe ata te arrestohen dhe te gjykohen per vjedhje te popullit te varfer, dhe se kane lene shqiperine te prapambetur

  2. Shqipe Kryezi thotë:

    17 October 2007 @ 9:11 pm

    Beli,
    Ne radhe te pare nuk po flitet per pedagoget, por po flitet per studjues dhe reforma ne institucionet kerkimore.
    Se dyti, problematika eshte qe keta punonjes kane nje kontrat me shtetin dhe se ai nuk eshte duke e zbatuar. Per me teper po te duan keta studjues ta hedhin shtetin ne gjyq, e fitojne kur te duan. Por edhe ne kete raste ajo qe me shqeteson eshte se jane leket tona qe vihen ne loje.
    Se treti, po flasim per eliten shqiptare te cilen, “shteti jone demokratike” ne vend te japi fonde per zhvillimin e ketyreve institucioneve shkon dhe ju privon “buken e femijeve”. A e kupton ne çfare paradoksi jetojme dhe per me teper kam pershtypjen se mendojme se e mira do te vije “nga lart”?!

    Se fundi, e pergezoje faktin qe protestojne, e mendoje se rroga nuk eshte nje “bonus” por nje e drejte…..

  3. artan thotë:

    17 October 2007 @ 9:48 pm

    Ore gjthithe keta akademke,profesore(qe jane te nderuar) si ka mundesi te mos i japin nje zgjidhje,te ardhmes se ketij populli,pse e kane lene veten kaq poshte qe ti mbysi politika ,partiaket,aventuriret dhe shtetaret injorant !
    O mjera Shqiperi
    ti ke pas qene
    nje zonje e rand ,
    burrat e dheut
    te thirnin,
    Nane

    Akoma edhe sot i kerkojme njerzit patriote,te rilindjess kombetare,per ndime,sepse elita shqiptare eshte goditur rende,dhe eshte bere e mefshet,sepse i ka zene frymen Partia,politika,dhe shtetaret e pangopur me madheshtine e pushtetit,turp.

  4. INA thotë:

    18 October 2007 @ 12:07 am

    Eshte per te ardhur keq se si akademiket nuk vleresohen ne kete fare feje. Nga ana tjeter dhe ata duhet ta justifikojne rrogen qe marrin; une p.sh dua nje artikull nga kerkues shqiptare per te cituar ne shkrimet e mia, pervec nje Burazeri dhe Faniko nuk kam hasur shqiptar tjeter (dhe keta jane me studime jashte ndaj kam mundur te gjej dicka prej tyre; flas ne fushen time).
    Mungesa e fondeve eshte njera ane, por qe t’i fitosh ato fonde duhet te propozosh njehere me cfare do te merresh dhe sa e rendesishme eshte, cfare zbatimi ka, kujt i hyn ne pune, domosdoshmeria etj, etj… Nuk duhet vetem te thuhet, “Na jep fondet e pastaj e shohim se cfare do te bejme”. Sa per kontraten duhet te zbatohet nga te dyja palet.
    @Beli: Sa per pedagoget, nuk di c’te them; ka nga ata qe jane me te vertete per t’i hequr nga puna, por ka dhe te tjere qe jane bere viktima te ketij sitemi, ne c’kuptim; ka pasur nje rast kur nje pedagog nuk i morri parate qe iu ofruan dhe hengri nje dru te mire, ajo trimja jo vetem kaloi po mori dhe 9 (kulmi)!!!!!!! Ka nga ata te tjeret qe marrin parate kalojne ata qe paguajne dhe ngelin ata qe mesojne (e di, kulmi)!!!!
    Shyqyr thuaj, jemi andej ku s’ta ha njeri hakun ne kete drejtim.

  5. Moza thotë:

    8 November 2007 @ 5:39 pm

    Eh ja shpetuan tani, u zgjodh Xhepi.
    P.S. Elbasanllinjte e ngelur te na shpjegojne, ckane bere qe kane kaq shume kryeakademike ne historine e madherishme te akademise tone me nga nje cike gjak elbasani.
    Apo jane nje cike si pufte dhe ju rri e pasmja mire ne karrigen e larte dhe te forte te akademikeve :-)
    —————————————————————
    Ja dhe lajmi :
    Ne procesin zgjedhor qe u zhvillua sot Meidani morri votat e akademikeve te pranishem duke u zgjedhur ne postin me te larte te akademise shqiptare te shkencave.

    Rexhep Meidani zgjidhet kreu i Akademise se Shkencave. Ne procesin zgjedhor qe u zhvillua sot zoti Meidani morri votat e akademikeve te pranishem duke u zgjedhur ne postin me te larte te akademise shqiptare te shkencave. Meidani zevendeson ne kete detyre kryetarin e meparshem Ylli Popa I cili per shkak te moshes 77 vjec, por dhe konsumit te dy mandateve sa lejon dhe ligji largohet nga drejtimi i akademise. Zoti Meidani vjen ne kete post pas nje karriere te pasur profesionale dhe politike.

    Rexhep Meidani ka lindur ne 17 gusht te vitit 1944 ne Elbasan, eshte diplomuar ne universitetein e Tiranes ne Fakultetin e Shkencave te Natyres, dega Fizike. Ka perfunduar studimet pasuniversitare ne Kane te ne 1974. Ka punuar ne fushen profesionale si professor, shef departamenti dhe dekan ne Fakultetin e Shkencave te Natyres ne vitet 1966-1996 ku gjate kesaj kohe ka botuar nje sere studimesh librash dhe artikujsh brenda dhe jashte vendit. Mban titullin profesor doktor.

    Karriera politike e zotit Meidani ka nisur ne vitet 1990. Ai ka qene kreu i Komisionit Qendror te Zgjedhjeve ne zgjedhjet e para shumepartike ne 1991 dhe anetar i keshillit presidencial po ne 1991. Ne 1996 Meidani u be anetar i PS ku u zgjodh sekretar i pergjithshem. Ne zgjedhjet e 1997 ai zgjidhet deputet dhe ne 24 qershor 1997, me propozoim te PS Parlamenti e zgjedh president te vendit. Pas 2002 Meidani i kushtohet serish karrieres profesionale dhe kohet e fundit ai drejton prane PS fondacionin “Qemal Stafa”.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com