Mendimet e mia kanë ndryshuar si stinët e vitit. Kjo ka ndodhur jo më shumë për karakterin tim kontradiktor, sa për shkaqet e jashtme, të cilat ndikuan në fuqinë time shpirtërore që në moshën e njomë, shkaqe këto që më deziluzionuan për vite me radhë. Fshati ku linda është plot shkrepa e gurë. Por ka edhe livadhe të vegjël, ku mbijnë shumë lulëkuqe. U bënë lulëkuqet për mua simboli i shpirtmadhësisë e i zemërgjerësisë njerëzore. Që 7-8 vjeç, baritja nëpër fusha të mblidhja lulëkuqe, se në to do të gjeja njerëzit e mirë, që t’u thoshja të ndihmonin nënën e babën tim.

Një ditë e dëgjova tim atë të thoshte: “Të gjithë njerëzit janë të këqij”.

“Po ku janë njerëzit e mirë”? - pyeta nënën.

“Janë në lulëkuqe” – m’u përgjigj ajo. Që atë ditë, shkova e kërkova në çdo lulëkuqe, por…

… Por vitet më bënë 14 vjeç. Në çdo vit isha i heshtur e i turpshëm. Më tërhoqën një ditë “për hunde”. Ishte natë atëherë, natë e shkurtit të 1947-ës. Ecja në një korridor të errët e të ngushtë, që mbaronte në një derë të hapur. Më futën brenda. Dera u mbyll. Gjithnjë ishte errësirë. Atje dëgjova: “Shtoje besimin që kemi për ty, prandaj bëhu hije dhe gjurmoj shokët, paditur që të kanë pranë”. Unë heshtja, habitesha dhe tmerrohesha. Duart, që më dridheshin nga të ftohtit e frikës, nuk dija ku t’i futja. Më kot kërkoja në errësirë fytyrën e atij që më fliste. Një dritë e imët shkrepseje ndezi në cep të dritares një qiri. Por tani nuk mund t’i shikoja më sytë e kuq të atij që hante fjalët me dhëmbë. Qiriri, me atë dritëz të vogël e të kuqrremtë, më ngjante si lulëkuqet e lëndinave. Lulekuqe! Kërkoja në të njerëzit e mirë. Por tani e kuptova që çdo gjë ishte e kotë. Mendimet e mia sikur m’u dogjën në flakën e qiririt. M’u dogjën, ndaj nuk mendoja më.

“Është mirë të mos mendosh” – më tha Sykuqi, “ti duhet të kesh parasysh që ç’pe dhe ç’dëgjove të mos ja thuash njeriut, përndryshe… përndryshe… mund të të kujtoj vetëm kaq se mbrëmë pushkatuam një moshatarin tënd, pasi i brodhi zagarja më parë nga mëndja”. Dhe një buzëqeshje skeptike i mbiu në cepin e majtë të buzës.

“Pra ki parasysh”, - filozofoi dhe njëherë Sykuqi, - “se heshtja është kasneci më i mirë për fitoren tënde”. Shuplaka e madhe, që ma vuri mbi shpatullat e mpira, më nxorri në errësirën e rrugës…

… Unë të bëhem hije?! M’u kujtuan tre majmunët e pikturuar mbi kutitë e shkrepseve, që shiteshin në kohën e pushtimit fashist. Njëri nga ata kishte zënë sytë, tjetri veshët dhe i treti gojën. Unë pra duhet të jem i tillë: asgjë të mos shoh, asgjë të mos dëgjoj, asgjë të mos flas.Jo! Për njerëzit nuk do të bëhem hije. Sykuqi më takoi dhe tri herë të tjera. Të tretën herë më tha: “Ti je i paaftë”. Dhe iku për të mos më takuar më kurrë. Por heshtjen ma la peng…

… Kjo heshtje vulosi zemrën. Nuk guxoja të prekja asgjë të gjallë në jetë, se kisha frikë mos e zbuloja me hijen time. Më mirë larg! Larg! Larg! Tre majmunët më dalin përpara. Unë asgjë s’shikoj, asgjë s’dëgjoj, asgjë nuk flas.

Larg! Larg! Larg! Shuplaka e Sykuqit më rëndon mbi shpatulla…

Ende më duket vetja si në një shpellë. Me mundim më ngjan se arrita në një grykë të ngushtë. Prapa lë errësirën e një tragjedie të kobshme popullore, e cila po shkrin me frikën e me vajtimin e njerëzve pa gjurma në jetë. Përpara shoh një det dritash, si në përrallat e gjyshes. Dua të hidhem nga gryka e ngushtë. Ndoshta më dalin krahë dhe fluturoj. Pra kështu e kam një farë shprese. Më mirë shpresoj në të pamundurën e në errësirën e shpellës. Frika e saj më shtyn përpara…

… Njoha në këtë shpellë shumë njerëz të tjerë. Këtu jam përpjekur të provoj edhe dashurinë. Dhe sa herë që e kam ndjerë, bëhesha më i urtë, më punëtor e më i sinqertë. Dashuria ka qenë për mua, ndofta, shaka që e kam takuar udhës, por s’kam ditur ta kap, ndofta, pabesi, por s’kam ditur ta lëshoj. Megjithatë kam qenë gjithmonë i qetë për sjelljet e vajzës që kam dashur, edhe në qoftë se ajo bëhej imja, edhe në qoftë se ajo përfundonte në krahët e ndonjë tjetri (për rastin e parë bëhesha i lumtur, për rastin e dytë shpëtoja nga një e keqe). Në përgjithësi, kam shpëtuar nga këto të këqija, por i lumtur nuk kam qenë asnjëherë…

… Ndofta këto që më kanë ndodhur më shtyjnë të kem një kuptim të tillë për jetën: Rro vet dhe leri të tjerët të rrojnë sipas dëshirës së tyre. E pra dëshirat, mendimet dhe pikëpamjet e heshtura e të fshehta mundohem t’i shpreh në vargjet e mija… Sigurisht në këto vargje jam përpjekur që të nxjerr në plan të parë
çështjen e nderit… (këtu teksti nuk lëçitet) si dhe të jetës time intime, asaj private dhe shoqërore, duke pasur gjithmonë parasysh botëkuptimin tim.

“Vepra e artit duhet të jetë në përputhje me botëkuptimin e autorit, sepse kjo e ngre vlerën artistike të saj” thotë Engelsi. E që t’ja arrij një gjëje të tillë, më duhet të sundojë veten, të shtyp mërzitjen e zemërimin e ta ushqej veten me gas për jetën e me optimizëm.
Kjo është e vërteta që më ka ndodhur e që më mundon. Dhe “e vërteta duhet të përsëritet gjithnjë, sepse edhe gënjeshtra përsëritet kurdoherë” thotë Gëte.

 

Lindi më 1932. Kryen shkollën ushtarake, por kupton që kjo nuk i përshtatej, prandaj “rebeloi” shumë shpejt, sepse donte lirinë dhe poezinë. I dedikohet me  sinqeritet krijimtarisë letrare në kohë shumë të trubullta. Më 1959 boton librin e tij të parë “Gjurmë”. Fillon të bjerë në konflikt të hapur me regjimin diktatorial
dhe, në vitin 1963, arrestohet dhe akuzohet si “kundërshtar i hapur i pushtetit popullor”. Gjyqi e dënon me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë reciton poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”. E pushkatojnë më 23 dhjetor 1963, në moshën 31 vjeçare.Mbas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994) si dhe një përmbledhje me poezi (2002). Poeti i pushkatuar, Trifon Xhagjika, mund të konsiderohet si një meteor drite në poezinë shqipe.

Antologjia e Plageve, Botime QSHRT

8 Komente

Gjej rastin të them se kam njohur vëllain e tij dr Yllin, një njeri fisnik, s'e hiqte asnjëherë llullën nga goja, madje ai kur trupi gjykues i asaj kohe po merte vendim për poetin u ngrit dhe i tha; Qëndro i fortë e bëhu burrë, na ke ne mbështetje..Fjali që e dërguan edhe atë ca kohë pas hekurave.

".There are two types of angels: innocent angels and virtuous Angels. The innocent Angels are the elementals of plants and the virtuous Angels are perfect human beings" (S.A.W.)

Faleminderit village-bey per postimin e ketij shkrimi kaq te bukur, soulful, prekes dhe respekte per kete NJERI !

… Unë të bëhem hije?! M’u kujtuan tre majmunët e pikturuar mbi kutitë e shkrepseve, që shiteshin në kohën e pushtimit fashist. Njëri nga ata kishte zënë sytë, tjetri veshët dhe i treti gojën

(xha Abdiu)

 

nuk kisha degjuar me pare per  poetin Trifon Xhagjika dhe historine e dhimbshme te tij..  nderim dhe respekt per te!!

"I dedikohet me  sinqeritet krijimtarisë letrare në kohë shumë të trubullta." ja i vetmi faj i Trifon Xhagjikes, ja pse nuk do te gjej kurre te mira ne nje regjim qe vriste shkrimtare dhe poete per te vetmin faj se i dedikohen krijimtarise letrare

E kshu-kshu Enveri, Byreku dhe Saçmet.

Gjyqi e dënon me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë reciton poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”. E pushkatojnë më 23 dhjetor 1963, në moshën 31 vjeçare.

Tmerr! 

Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;

Cfare vargu!!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).