Isha në ëndërr kur e takova Jorge Luis Borges-in. Ai ishte ulur mbi një sop rëre, buzë një deti të qetë. I rrethuar me stiva librash kundronte horizontin dhe buzëqeshte. Duhej të kishte ndonjë takim të rëndësishëm, ndaj nuk mora guximin ta trazoja. U ula përtokë dhe prita. Qielli ishte plot e përplot me yje që këputeshin. Kohë pas kohe ai ngrinte kokën dhe duke tundur bastunin, ndiqte rrugën e një ylli. Ishte lojë. Cilin priste vallë? Një tigër vija – vija? Apohënën duke rrëzuar një luan që gëlltiste zjarr dhë ëndrra? Një mik, Martin Fierronë, heroin e poemës së Jose Hernandes – it? Pasqyrën gjigante e të mëshirshme? Apothjesht atë që ai e quan El Hacedor “fabrikuesi i ngjarjeve” që miku i tij Roger Caillois e përkthen “autori”?

Ai u qa për pazotësinë e ëndrrave të veta që “nuk arrinin të ngërthenin kurrë bishën e lakmuar”. Hënës kishte ca kohë që nuk i besonte. Për Martin Fierronë ai përsëriti disa herë frazën: “Këto gjëra tani duken sikur të mos kenë ndodhur kurrë”. Ai e dinte edhe se “pantomima kozmike e pasqyrave shndërrohet në qenie të mbinatyrshme me të rënë nata”. Ai nuk druhej më t’i shihte këto pasqyra që ndryshonin nga realiteti. Ky ishte funksioni i tyre kryesor. Çdo mahni ishte e sipërfaqshme, meqenëse fytyra është pasqyrë e shpirtit dhe asnjeri nuk ka ndonjë mjet për t’i shmangur prej saj bëmat e çuditshme.

Ai priste me durimin dhe me qetësinë e atij që i zotëron të gjitha fjalët. Librat lëviznin. Ata ishin vënë njëri mbi tjetrin me aq rregull sa kishin krijuar një beden mes tij dhe detit, mes tij e të tjerëve, mes natës që ai bëhej gati ta jetonte dhe kujtesës së tij të mplakur. Ai kalonte dorën mbi shpinën e librave dhe i njihte pa i parë titujt. Ishin fytyra miqsh. Dëshironte ta ndiente praninë e tyre e të zbulonte aty kohën e mbetur, kohën e mbërthyer, kohën dëshmitare. Tri radhët e librave formonin një kamare. Borges-i, ngaherë i ulur, la bastunin përtokë dhe mori një libër të trashë që i zuri dora. Ishte “Një Mijë e Një Net”. Vërtet ishte rastësi? Ato historira i pëlqente së tepërmi dhe i kishte përsëritur shpesh me personazhe të ndryshëm e në vende të ndryshme. I lexonte sa herë që dëshironte të mësonte përse Borges-i (tjetri) “i do sahatet me rërë, hartat, tipografinë e shekullit XVIII, shijën e kafes dhe prozën e Stevenson-it”.

Ai nuk mësonte asgjë për veten. Dinte të dëgjonte ngjarje të ndërlikuara që i pranonte siç pranonte realitetin. Ishin apo jo të vërteta? Ishin apo jo të rreme? Ç’rëndësi ka? Spinoza që ai e citonte shpesh, thoshte se çdo qenie duhet të përjetësohet në veten e vet. Për atë “guri përjetësisht dëshiron të jetë gur dhe tigri dëshiron të jetë tigër”. “Por unë, shtonte ai, dua të mbetem Borges, jo në vetvete, por për aq sa jam dikushi”.

Fundi i ëndrrës s’më kujtohet mirë. Por të nesërmen më ra ndërmend se stivës së librave i vinte rrotull një siluetë. Dukej se ishte Borges-i tjetër, ai që i ndodhin ngjarjet. Ishte ai që thuajse pa e kuptuar, u fut te romani “L’Enfant de sable” * që po shkruaja atëherë. Unë e lashë sidoqoftë të ecte në Marrakesh, në kërkim të njërës prej atyre monedhave të lashta të përdorura si medalje për bashkudhëtarët e të fshehtave në të cilën qe gdhendur ky varg i Quevedo-s: “Dhe epitafi i tij qe hëna e përgjakur”. Duket se është fjala për hënën e ushtrive të sulltanit.

Qëkur u fut në tregimin tim, ku një personazh ecën i maskuar për të shpjeguar qartë mitologjinë e neveritshme të një shoqërie që ka frikë nga gratë, Jorge Luis Borges-i është bërë një hije e nevojshme, e padukshme dhe e rëndësishme që më pëshpërit fjalë e fraza që nuk kisha guxim t’i shqiptoja. Që nga ajo kohë ëndrra është zhbërë “si uji në ujë” dhe ngjarjet vazhdojnë të bien nga pemët si fruta të pjekur në duart e vajzave të reja, të hutuara mrekullishëm në livadhin e parfumuar.

 Përktheu: Feride Papleka

2 Komente

Libri "Fëmija i rërës" është i përkthyer në shqip.

Është një kryevepër për nga pikëpamja e ndërtimit tekstual - rrëfehet nga disa pika të ndryshme referimi.

Historia është orientale (autori është nga Maroku): një fëmijë - vajzë që rritet si mashkull, sepse zakoni e do lindjen e një djali.

Romani merret me problemet që i dalin përpara këtij personazhi të tjetërsuar.

Libri është shtypur e botuar keq, prandaj nuk bie në sy.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).