Pranvera arabe tronditi një sërë regjimesh autoritare. Me dorëheqjen e Papa Benediktit të XVI, a mos do të bëhet e mundur diçka e ngjashme edhe për Kishën Katolike – një pranverë e Vatikanit?

Përkthyer nga versioni i botuar tek New York Times (shkrimi origjinal)

Natyrisht, sistemi i Kishës Katolike nuk i përngjan Tunizisë apo Egjiptit, aq më tepër një monarkie absolute si Arabia Saudite. Në të dyja rastet nuk ka reforma të mirëfillta, vetëm lëshime të vogla. Në të dyja rastet (Vatikani dhe Arabia Saudite), tradita është thirrur në kauzë për të kundërshtuar reformën. Në Arabinë Saudite tradita shkon pas vetëm dy shekuj më parë, në rastin e papatit 20 shekuj.

Sërisht, a është e vërtetë kjo traditë? Në fakt, Kisha ka ekzistuar për një mijë vjet pa një papat monarkist-absolutist të llojit që jemi mësuar të njohim në ditët tona.

Ishte vetëm në shekullin e 11 që një “revolucion për së larti”, “Reforma Gregoriane” e filluar nga Papa Gregori i VII na la trashëgimi tre tiparet e qendrueshme të sistemit roman: një papat absolutist-centralist, klerikalizëm të detyrueshem dhe obligimin për celibat (beqari) të priftërinjve dhe klerikëve të tjerë laikë.

Përpjekjet e koncileve reformatorë në shekullin e 15, reformatorët në shekullin e 16, Iluminizmi dhe Revolucioni francez në shekujt e 17 dhe 18 dhe liberalizmi i shekullit të 19 u përball vetëm me sukses të pjesshëm. Madje edhe Koncilli i dytë i Vatikanit, nga viti 1962-965, ndërsa i adresohej disa shqetësimeve të reformatorëve dhe kritikëve modernë, u pengua nga fuqia e Kurias, trupi qeverisës i Kishës, dhe arriti të zbatojë vetëm disa nga ndryshimet e kërkuara.

Në ditët tona Kuria, e cila në formën e saj të tanishme  është një produkt i shekullit të 11, është pengesa kryesore ndaj ç’do reforme tërësore në Kishën Katolike, ndaj çdo kuptimi ekumenik me kishat e tjera të krishtera dhe fetë botërore dhe ndaj çdo qëndrimi kritik, konstruktiv kundrejt botës moderne.

Nën papatin e dy papëve të fundit, Gjon Palit të II dhe Benediktit të XVI, ka ndodhur një kthim fatal në shprehitë monarkike të Kishës së vjetër.

Në vitin 2005, në një nga veprimet e pakta të guximshme të Papa Benediktit të XVI, ai ka zhvilluar një diskutim miqësor me mua që ka zgjatuar rreth katër orë, në rezidencën e tij verore në Kështjellën Gandolfo në Romë. Unë kam qenë kolegu i tij në Universitetin e Tübingen-it dhe gjithashtu edhe kritiku më i ashpër i tij. Për mëse 22 vjet, falë revokimit të licencës time të mësimdhënies kishtare për faktin se kritikova pagabueshmërinë e papës, nuk kemi pasur më as kontaktin më të vogël privat ndërmjet nesh.

Para takimit, vendosëm të linim mënjanë dallimet tona dhe të diskutonim tema mbi të cilat mund të pajtoheshim: marrëdhënia pozitive ndërmjet besimit të krishterë dhe shkencës, dialogu ndërmjet feve dhe civilizimeve dhe konsensusi etik ndërmjet feve dhe ideologjive.

Për mua, dhe në fakt për tërë botën katolike, takimi ishte një shenjë shprese. Por, fatkeqësisht papati i Benediktit u karakterizua nga dështime dhe vendime të këqija. Ai irritoi kishat protestante, hebrenjtë, myslimanët, indianët e Amerikës Latine, gratë, teologët me prirje reformuese dhe të gjithë katolikët pro-reformatorë.

Skandalet madhore gjatë papatit të tij janë të mirënjohura: ndër to ishte njohja që Benedikti i bëri kryepeshkopit Marcel Lefebvre, kryekonservatorit të Shoqërisë Shën Piu X, i cili ka kundërshtuar ashpër Koncillin e dytë të Vatikanit, si edhe njohja që Benedikti i ka bërë një mohuesi të holokaustit si peshkopi Richard Williamson.

Po ashtu, ka qenë edhe abuzimi i përhapur seksual nga klerikët me fëmijët dhe të rinjtë, për të cilin papa ishte gjerësisht përgjegjës për mbulimin e ngjarjeve kur ai ishte Kardinal Joseph Ratzinger. Po ashtu kemi edhe rastin e çështjes “Vatileaks“, i zbuloi një sasi të tmerrshme intrige, luftrash pushtetesh, korrupsioni dhe degjenerimesh seksuale në Kuria, e cila duket se ka qenë një arsye kryesore pas vendimit për dorëheqje të Benediktit.

Kjo dorëheqje e parë papale pas pothuajse 600 vjetësh e bën të qartë krizën themelore që ka qenë prej kohësh kanosëse mbi një kishë të ftohtë dhe të kalbëzuar. Dhe tani e gjithë bota po pyet: a mundet Papa tjetër, pavarësisht nga çdo gjë, të inagurojë një pranverë të re për Kishën Katolike?

Nuk ka asnjë arsye për të injoruar nevojat e dëshpëruara të Kishës. Ekziston një mungesë katastrofike priftërinjsh, në Evropë, Amerikë Latine dhe Afrikë. Një numër i stërmadh njerëzish e kanë braktisur Kishën apo kanë shkuar në “emigrim të brendshëm”, veçanërisht në shtetet e industralizuara. Ka ekzistuar një humbje e padyshimtë  respekti për peshkopët, priftërinjtë, tëhuajzimi, veçanërisht nga ana e grave të reja, dhe një dështim për të integruar njerëzit e rinj në Kishë.

Një nuk duhet të mashtrohemi nga media e ngjarjet papale masive të organizuar në shkallë të madhe apo nga duartrokitje të egra të grupeve rinore konservatore. Pas fasadës, e tërë ndërtesa është duke u thërrmuar. Në këtë situatë dramatike Kisha ka nevojë për një papë që nuk jeton intelektualisht në Mesjetë, që nuk përkrah çdo lloj teologjie mesjetare, liturgjie apo konstitucioni kishtar. Ajo ka nevojë për një papë që të jetë i hapur ndaj preokupimeve të Reformës, të modernitetit. Një papë që i del në mbrojtje lirisë së kishës në botë, jo vetëm duke mbajtur sermone, por duke luftuar me fjalë dhe vepra për lirinë dhe të drejtat e njeriut brenda Kishës, për teologët, për gratë, për të gjithë katolikët që dëshirojnë ta thonë haptazi të vërtetën. Një papë që nuk i detyron më peshkopët të mbajnë një linjë partiake reaksionare, një papë që vendos në praktikë një demokraci të përshtatshme në Kishë, të modeluar mbi prototipin e kishës zanafillore. Një papë që nuk e lë veten të ndikohet nga “papë hije” me bazë në Vatikan, siç ka bërë Benedikti dhe ndjekësit e tij besnikë.

Se nga do të jetë papa i ardhshëm është një çështje që nuk duhet të luajë një rol qendror. Kolegji i kardinalëve duhet thjesht të zgjedhë njeriun më të mirë. Fatkeqësisht, që nga koha e Gjon Palit të II, është përdorur një pyetësor me qëllim që t’i bëjë të gjithë peshkopët të ndjekin doktrinën katolike zyrtare në lidhje me çështjet e debatueshme, një proces ky i vulosur nga një betim për bindje të pakushtëzuar ndaj papës. Kjo është arsyeja përse midis peshkopëve, deri më tani, nuk ka pasur asnjë kundërshtar publik.

Sidoqoftë, hierarkia katolike është paralajmëruar për humnerën ndërmjet Kishës dhe laikëve mbi çështjet reformatore të rëndësishme. Një sondazh i kohëve të fundit në Gjermani tregon se 85% e katolikëve janë në favor të martesës së priftërinjve, 79% janë shprehur në favor të lejimit të personave të divorcuar që të rimartohen në Kishë dhe 75% janë në favor të shugurimit të grave për detyrën priftërore. Statistika të ngjashme ka shumë mundësi të shfaqen edhe në shtete të tjera.

A duhet të kemi një kardinal apo peshkop i cili nuk dëshiron thjesht të vazhdojë në të njëjtin zakon të vjetër? Duhet dikush që, pikë sëpari, të jetë i ndërgjegjshëm se sa e thellë është kriza e kishës dhe, së dyti, t’i njohë rrugët që të dërgojnë drejt tejkalimit të saj?

Këto pyetje duhet të diskutohen haptazi para dhe gjatë konklavës, pa i shtrënguar kardinalët, siç ndodhi gjatë konklavës së fundit, në vitin 2005, për  t’i mbajtur ata në linjën zyrtare.

Si teologu i fundit aktiv, i cili ka qenë pjesëmarrës në Koncillin e dytë të Vatikanit (së bashku me Benediktin), pyes veten nëse do të ketë, apo jo, në fillim të kësaj konklave, ashtu siç ndodhi në fillim të Koncillit, një grup kardinalësh të guximshëm që do të mund të përballen ballëhapur me katolikët e vijës së ashpër dhe të kërkojnë një kandidat që të jetë i gatshëm të ndërmarrë drejtime të reja. A duhen sjellë këto ndryshime përmes një koncili të ri reformator, apo, akoma më mirë, përmes një asambleje përfaqësuese të peshkopëve, priftërinjve dhe laikëve?

Nëse konklava e ardhshme do të përzgjedhë një papë i cili ndjek të njëjtën rrugë të vjetëruar, Kisha nuk do të përjetojë asnjëherë një pranverë të re, por do të bjerë në një epokë të re akullnajash dhe do të rrezikojë të tkurret në një sekt gjithnjë e më të parëndësishëm.

 

*Hans Küng është profesor emeritus i teologjise ekumenike ne Universitetin e Tubingenit dhe autor i dhjetra librave rreth Krishterimit.

11 Komente

akoma e quajne "pranvere" ate cka ndodhi ne vendet arabe?! po lere se gjynah, pse tallni menderen me arabet...

Lesh pranvere...nje dimer i thelle ,i ftohte ,siberian....Nuk ndrron kisha me revolucione...kisha ndrron me pikatore....

Tash ,une nuk jam katolik,por le te themi se jemi rritur bashke ,prej foshnjores deri ne ditet e sotme.Prej tyre e kam degjuar se ,ne funksionin e Papes mund te zgjedhet secili person i pagezuar ne kishe(pra,jo domosdo duhet te jete kardinal).Ne kuader te kesaj mua me intereson  sa jane gjasat qe Noizy te emerohet si Papa i Romes?

Kisha katolike ka 2000 vjet qe mbijeton si sistem. Shtetet arabe i krijoi Curcilli me Lorencin andej nga mesi i shekullit te kaluar.

Kisha dhe shtetet jane gjera te ndara, s'ka lidhje fare. Madje kisha ka vdekur prej qindra vitesh ne ndikimin e shteteve.

Mund ta krahasosh kishen me islamin. Dhe ai mbahet, madje me fort, sado te ndryshojne kufijte e shteteve apo kreret e shteteve. Nga pikepamja fetare, kisha ka deshtuar, ne krahasim me islamin.... shyqyr Zotit e i ndodhte e njejta gje dhe islamit.

Kisha behar e ka pas gjithmone...

pse jo, anything is possible... dhe doreheqja e Papes ishte e paimagjinueshme vetem dy jave me pare...

Papa i fundit megjithse ne nje gjendje shume te rende fizike eshte ne nje gjendje morale, intelektuale dhe sociale qe te mos bjere viktime e nje posti aq te larte qe te jep Papati ne Rome.

Sagaris gazetaris kane filluar te lehin sepse cdo gje i doli huq !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).