Kocka… Shtylla betoni që duken si kocka, të shtrembëruara dhe të vendosura sikur duan të rindërtojnë një dinosaur gjigant. Fatos Lubonja buzëqesh kur ia themi përshtypjen e parë, për atë që është pagëzuar “Postbllok” dhe që në një të tretë të tij është rikonstruksion i galerive të Spaçit, ku ai ka kaluar si i dënuar politik një pjesë të jetës. “ Ideja është që t’i bëjmë njerëzit të mendojnë”, thotë në pak minuta që arrijmë ta veçojmë mes diskutimeve të pandalshme me bashkautorin e projektit, artistin Ardian Isufi dhe nja tre-katër punëtorëve. Memoriali kushtuar persekutimit dhe vuajtjes në diktaturë (ende në ndërtim) është mu në hyrje të “ish-Bllokut”, në krah të zyrave të Kuvendit, dikur komitet partie dhe thuajse përballë Kryeministrisë. Një vend ideal. Kushdo që të jetë në atë zyrë mjafton të dalë në dritaren e ballkonit për ta parë e riparë deri në lodhje dhe për t’i shpëtuar kështu ngasjes. Në krahun tjetër të tij, atë që të çon drejt Korpusit Universitar, është busti i Ismail Qemalit, ndërsa të dy janë të vendosur në bulevardin që u ndërtua fillimisht në emër të mbretit Zog I e që tani quhet “Dëshmorët e Kombit”. Shkurt simbolet e 100 viteve Shqipëri, përfshi këtu telat me gjemba (s’dihet pse) të gardhit të hekurt rreth Presidencës dhe një tabelë që thotë “Zonë e Ndaluar”, dhe që dashje pa dashje i bëhen njësh treshes së memorialit, që veç shtyllave të galerive të Spaçit, ka brenda një bunker me gjithë pikat e mbështetjes për mitralozë dhe një copë tre metra të lartë nga Muri i Berlinit. “Karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tre objektet  janë autentikë  dhe vijnë në formë ‘artifakti’, çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe”, thuhet në relacionin që i është paraqitur Këshillit Bashkiak që miratoi projektin, sigurisht edhe me ndonjë zë kundër në fund të shkurtit.

… Antidiktaturë
 
Mehmeti thotë se është komunist me zemër. “Të tjerët, edhe Berisha, kanë qenë me tesër, unë me zemër”, thotë dhe zgërdhihet. Edhe pse folëm me copa herësh për nja dy orë a më shumë, ndërsa ai lëvizte copa dërrasash dhe hekurishte aty ku po ndërtohet memoriali i kujtimit të diktaturës, nuk e kuptuam nëse burri te të 50-tat, punëtor ndërtimi, e kishte seriozisht atë punën e komunizmit… Ai, sidoqoftë, ishte më mikpritës se punëtorët e tjerë, që mezi po prisnin orën për t’u ndërruar dhe i vetmi që na shpjegoi me aq sa kishte mundësi nja dy tre prej pyetjeve që na lindën ndërsa shihnim monumentin ende në ndërtim. Në fillim u mor me “kockat”. Ndërsa po i shihnim shtyllat e marra nga Spaçi, ai ndërhyri si duke na e kuptuar kuriozitetin. “Kam qenë vetë e i kam marrë”, tha. “Ato ishin femër e mashkull, puthiteshin shumë mirë me njëra-tjetrën, por këta (Lubonja dhe Isufi) i kanë vënë vetë shtrembër, për të treguar se regjimi nuk ishte i mirë, apo ku di unë”, shpjegon ai. Ne na duket si i pakënaqur me faktin që kallëpet prej betoni, mu në atë pikën ku u përngjanin më shumë kockave, ishin shtrembëruar…Ndërsa ai po na flet, një burrë hyn brenda i paftuar. Hedh një sy rreth e rrotull, përshëndet Lubonjën dhe belbëzon sikur flet me veten, po mjaft fort për t’u dëgjuar… “Hallall, për atë që i ka vuajtur vetë në kurriz e kam”, thotë dhe si e ka përsërit nja dy herë del prej kantierit të vogël.
 
… Vepër arti në ndërtim
 
Aty nga mesdita kur e takuam për herë të parë Fatos Lubonjën, njëri prej ideatorëve të memorialit, ai e ka me nxitim. Fut kokën pas rrjetës së gjelbër u hedh një sy punëtorëve dhe nxiton drejt në bulevard. “Do vij… në tre… në tre e ca”, dëgjojmë ndërsa ikën, orën e një gjysmë takimi. Kur vjen sërish nuk është se ka shumë kohë për ne. I marrim leje për të bërë foto dhe ai kujtohet që duhet të bëjë edhe disa vetë. Për të biseduar shtruar, siç do të donim, as që bëhet fjalë. Pasi ka shkëmbyer nja dy ide me xham punuesin, që ka sjellë xhamat për të matur vendin që do të mbulohet me to rreth gropës së bunkerit, i futet aty për aty punës për harqet e rrugicave që do të lidhin tre monumentet. Punëtorët që ishin duke ikur janë ca të bezdisur prej kësaj, pjesa më e madhe sidoqoftë ia dalin të ikin prej aty, sigurisht veç përgjegjësit, ai nuk ka nga t’ia mbajë. Thuajse në të njëjtën kohë Lubonjës i është bashkuar edhe Isufi dhe dërrasat e kompesatat që shënojnë në tokë projektin lëvizin sa në një krah në tjetrin. Lubonja dhe Isufi po ashtu lëvizin thuajse nga të gjithë cepat për të parë si merr formë dhe duke imagjinuar si do duket ajo që sapo kanë vendosur, herë-herë duke i shkulur dhe ngulur vetë piketat prej shufrash çeliku. Në më pak se 30 minuta një hark rrugice u mbyll dhe u zgjerua disa herë. (E ndërsa ne ikëm, ata ende po merreshin me të).
 
… Me dashuri
 
“Po punojmë me dashuri…”, na thotë Lubonja, duke na shpjeguar me këtë edhe mosmarrëveshjet me zanatçinjtë që duan t’i shpëtojnë me zgjedhje të lehta detajeve që as i kuptojnë, si, ta zëmë, këndet prej nga mund të shihet një cep i bunkerit apo simetrisë që duhet të ketë mes hyrjes së këtij të fundit dhe gjerësisë së shkallëve. (Lubonjën e mundonte fakti që pragu, siç e quajti, ishte më i gjerë sesa dera prej nga ushtari hynte në bunker). Dikur nga mesi i kohës së qëndrimit brenda kantierit, arritëm sidoqoftë të shkëmbenim pak fjalë me Lubonjën, që na shpjegoi aq sa mundej idenë e cila ndërtohej para nesh. Bunkeri, i cili ishte nxjerrë në pah duke u liruar prej dheut, do të qëndrojë ashtu. “Brenda tij do jetë ushtari”, thotë Lubonja, ndërsa shpjegon se në të ishin edhe shkarravinat e atyre që dikur kishin bërë roje. Bunkeri (TR-V-76851) që mund të jetë një nga të fundmit e mbijetuar të llojit të tij, duket sikur e ruan memorialin. Menjëherë pas tij, në anë të Kuvendit do të ngrihet copa e murit të Berlinit, që bashkia e Tiranës ka marrë dhuratë nga kryeqyteti Gjerman dhe në krahun tjetër “kopja” e një galerie të Spaçit. Sipas Lubonjës, njerëzit mund ta vizitojnë si të duan. Ata mund të hyjnë për të parë sesi ka qenë një bunker, apo shtyllat e galerive në Spaç, por mund të ndalojnë dhe mendojnë. Për të, në fund pamja do jetë fantastike, pasi ka gjithçka që nga artifakti origjinal, deri te pamja që, sipas Lubonjës, “evokon”. Fjalitë e tij ndërpriten nga pamjet imagjinare që ka krijuar për monumentin Mehmeti. Ai ndërhyn dhe flet për një gjarpër që gjuan prenë e tij, të cilin betohet se mund ta shohësh kur mbi kolonat e galerisë bien dritat.. “Vizitori i memorialit ftohet… të futet brenda tij…, të rrugëtojë nën dhe nëpër shtyllat  e galerisë  së Spaçit, duke u kthyer me imagjinatë në  atë kohë, për të evokuar mungesën e lirisë, vuajtjen, izolimin dhe persekutimin që e ka karakterizuar”, thuhet në relacionin e bashkisë, duke i dhënë kështu një ide për atë që do të shihni këtu e afro një javë si të ketë mbaruar instalacioni. Sigurisht ju mund të zgjidhi të shihni kocka, gjarpërinj apo dinozaurë gjigantë e shtypës, si të gjitha sistemet diktatoriale, fundja.
 
 
Muri i Berlinit,  i njohur në të gjithë botën, është i mbushur me histori, që na kujtojnë ndarjen e botës komuniste nga pjesa tjetër e botës, luftën e ftohtë, izolimin si mjet sundimi, mungesën e komunikimit, tentativat për ta kaluar atë në kërkim të lirisë, vrasjet rrëzë tij dhe më në fund shembjen e tij. (Pjesa tre metra e lartë është dhuratë e Bashkisë së Berlinit.) Relacioni i paraqitur në Këshillin Bashkiak
 
Bunkeri me një simbolikë veçanërisht shqiptare, evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës, mundin e njerëzve për t’i ndërtuar ato nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, si fragmente të një piramide gjigante absurde. Relacioni i paraqitur në Këshillin Bashkiak
 
Objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish-të burgosurit. Ai synon të evokojë mundimin e gulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi, por edhe skllavërimin e pjesës më të madhe të popullsisë në burgun e madh, pasi pamje të tilla rrënojash të asaj kohe janë pjesë e peizazhit shqiptar anë e kënd.  Relacioni i paraqitur në Këshillin Bashkiak.

7 Komente

Kanë kaluar 22 vite,
Nga ajo ditë shkurti,
Kur ngrihej si ortek rinia,
Mbi të egrën dikaturë

E përballë rinisë,
Diktatorët kërcëllonin dhëmbët,
Këtyre armiqve të lirisë,
Ju dridhej toka nën këmbë.

Si për çudi,
Edhe sot pas 22 vjetësh,
Bllokmenët e rinj,
Vazhdojnë me kërcëllim dhëmbësh.

Ikën ato kohë të vështira,
U shembën bunkerët, 
U këputën telat me gjemba,
Shqiptarët sot lëvizin pa viza,
Mbi dimrin e egër sfidoi pranvera.....

Mirjam me mire ti se sa ai Xhevit Gasa... Te pakten ti nuk je i persekutuar qe kerkon parate e "demit"....moral

Ikën ato kohë të vështira,

Kohet e veshtira iken ,  sa qejf i madh behet tani.Per me teper do ta shtjelloje Idrizi kete temesmiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).