Monumenti i luftës së dytë botërore në Velani është në plan të rrënohet si pjesë e projektit të ministrisë së mjedisit për ndërtimin e kompleksit memorial Ibrahim Rugova. Shoqata e Veteranëve të Luftës Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare dhe ruajtësit e trashëgimisë kulturore thonë se nuk dinë për rrënimin e monumentit.

Monumenti që përkujton 220 pjesëmarrës të vrarë gjatë luftës së dytë botërore do të rrënohet dhe tjetërsohet për t’iu përshtatur projektit “Kompleksi Memorial Ibrahim Rugova”. Projektin e udhëheq Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila ka hapur tender për fillimin e punimeve të fazës së parë. Kompanitë fituese të tenderit priten të nënshkruajnë kontratën më 11 mars, 2013. Në fazën e parë parashihet të ndërtohen amfiteatri, shtigjet dhe shkallët, varrezat e dëshmorëve të UÇK-së, gjelbërimi, liqeni dhe platoja e Luftës Nacional Çlirimtare.

Kësaj të fundit, për t’u shndërruar në plato, duhet t’i rrënohen muret ekzistuese të betonit, që krijojnë një rreth të madh.  Monumenti në fjalë daton që nga viti 1960. Aty janë të varrosur eshtrat e pjesëmarrësve të vrarë gjatë luftës nacional çlirimtare, 1941-1945. 

Sipas ligjit për trashëgiminë kulturore, neni 6, “Çdo punë për modifikim ose demolim të një monumenti arkitektural ose ndonjë veprim konservues ose restaurues që mund të ndikojë nё vlerat atribuese të monumentit, kërkon pëlqimin me shkrim të institucionit kompetent”. Ministria e kulturës, respektivisht departamenti i trashëgimisë kulturore, thotë se nuk është në njohuri për rrënimin e monumentit.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e departamentit, tha se do të vërtetojë informacionin dhe do të përgjigjet më vonë. Ajo nuk ktheu më përgjigjje. 

Monumenti i LANÇ-së

Instituti për mbrojtjen e monumenteve dhe muzeu rajonal i Prishtinës konfirmojnë se monumenti është në mbrojtje të ligjit. “Ne nuk jemi në dijeni për këtë projekt (kompleksin memorial0. Askush nuk na ka kërkuar asgjë nga ne për të dhënë mendim”, thotë Haxhi Mehmetaj, drejtor i institutit. 

Arkeologu Mehmetaj thekson se për çdo ndryshim të monumenteve të vjetra duhet të mblidhet një komision i përbërë nga njohës të kësaj fushe për të dhënë mendim profesional. Këshilltari politik i ministrit të mjedisit, Besnik Havolli, i cili ka qenë anëtar në komisionin për përzgjedhjen e projektit ideor, thotë se nuk është në dijeni për rrënimin e monumentit.

“Rrënimi i monumentit nuk ka qenë i përfshirë në projektin ideor”, tha Havolli i cili po ashtu kërkoi kohë më shumë për të verifikuar këtë çështje por as ai nuk ktheu më përgjigjje në pyetjet e Gazeta Jeta në Kosovë. Vehap Shita, nënkryetar i kryesisë së shoqatës së Veteranëve të Luftës Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ), thotë se nuk di për rrënimin e monumentit.

Shita, 89 vjeçar, thotë se ministria e mjedisit nuk e ka ftuar shoqatën për të diskutuar për tjetërsimin e monumentit. “Nuk besoj se ministria mundet të marrë vendim për rrëzimin e këtij monumenti”, Shita i tha Gazetës Jeta në Kosovë. Ai shtoi se as shoqata nuk do të pranonte shkatërrimin e monumentit ndërsa shtoi se, ish-kolegu i tij, Ibrahim Rugova e ka vendin e tij.  “Rrënimi i këtij monumenti shkon në dëm të Kosovës  e jo në dëm të luftëtarëve”, tha Shita.

Shoqata e LANÇ-së ka dënuar po ashtu shkatërrimin e monumentit në Viti ku qytetarët e atjeshëm, si shenjë revolte ndaj largimit të monumentit të UÇK-së në Preshevë nga policia serbe më herët këtë vit, kanë larguar një monument të partizanëve në qendër të qytetit. “Komuna e Vitisë na ka pyetur nëse munden ta largojnë atë monument më larg se vendi momental pasi që ka emra të serbëve në të. Ne iu kemi thënë se ata mund t’i largojnë të gjithë emrat nga aty ashtu siç kemi bërë ne me monumentin në Velani”, tha Shita.

Ai shtoi se pa marrë parasysh kohëve, me pushtete të ndryshme, monumentet përsëri janë pjesë e historisë. “Shtatorja e Karl Marksit ende qëndron në Londër”, dha një shembull Shita. Luftëtari i luftës së dytë botërore, Shita, thotë se ka monumente që mund të pengojnë planin urbanistik të qytetit dhe mund të konsiderohen për largim për hir të zhvillimit të qytetit. Ai merr si shembull monumentin tjetër në Prishtinë që gjendet ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, që quhet monumenti i Vëllazërim Bashkimit.

Shita tha se komuna e ka ftuar shoqatën në debat për projektin e ndërtimit të garazheve nëntokësore që përfshin monumentin në projekt. “Këtë monument e kemi kundërshtuar shumë kohë më parë. Atëherë ka qenë Hivzi Sylejmani i cili pat thënë se ky monument ndërtohet në një vend të papërshtatshëm”, kujton Shita.

Sipas ministrisë së mjedisit i tërë projekti për kompleksin memorial Ibrahim Rugova kushton rreth 3,5 milionë euro. Faza e parë e projektit do të kushtojë 468,894 euro dhe parasheh të ndërtohet amfiteatri, shtigjet dhe shkallët, varrezat e dëshmorëve të UÇK-së, gjelbërimi dhe liqeni, ndriçimi i jashtëm dhe platoja e LNÇ-së. Kompanitë fituese që do të kryejnë punimet janë konzorciumi “Ferda” nga Mitrovica dhe “UNICOM” nga Suhareka. Në paramasën e përgatitur nga ministria për tender, është paraparë “rrënimi i gurnajave ekzistuese të betonit, pastrimi i tij dhe largimi i mbeturinave deri në 5 km”.  Pastaj, sipas planit, është paraparë që të bëhet “mveshja e pllatosë me pllaka guri (graniti) të llojit Platinium White”.  Në projekt është paraparë që të ndërtohet edhe mauzoleu, që në brendësi të do të ketë shtatoren e Ibrahim Rugovës.

“Mauzoleu është për fazën e dytë sepse kushton shumë. Pritet që kolonat të ndërtohen nga guri i pastër”, tha Agim Radoniqi, drejtor i departamentit për planifikim hapësinor. Ai ka qenë edhe kryetar i komisionit për këtë projekt. Projekti parasheh që të shtrohet një plato graniti që përfshin 26 varre të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Po ashtu, gjelbërimi do të ketë të përfshirë dhjetë pemë të ndryshme, si Panja fletë-frashër, gështenja e kalit, rrapi, tuja lindore si dhe lloje të ndryshme të luleve. Liqeni prej 240 metrash katrorë dhe thellësi prej një metër parashihet të ndërtohet në kompleks.

Monumenti i LANÇ-së

Veteranët e Shqipërisë Mbrojnë Vlerat e Luftës

Emri i Ibrahim Rugovës ka shkaktuar pakënaqësi tek veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare në Shqipëri të cilët kanë kërkuar nga gjykata që të shfuqizojë vendimin e komunës së Tiranës për emërtimin e një rruge sipas ish-presidentit të Kosovës. Veteranët e atjeshëm kërkojnë që asaj rruge t’i kthehet emri i mëparshëm “Dëshmorët e 4 Shkurtit” që është vendosur në vitin 1945 dhe përfaqëson 84 persona të vrarë gjatë luftës së dytë botërore. Gjykata e Tiranës nuk e ka pranuar kërkesën e veteranëve me argumentimin ligjor se organizatat e veteranëve nuk legjitimohen për të kërkuar hedhjen poshtë të vendimit të komunës. 

Po ashtu, gjykata tha se nuk ekziston ndonjë vendim në kohën kur kësaj rruge i është vënë emri në vitin 1945. Avokati që përfaqësonte veteranët, në seancën gjyqësore të mbajtur më 21 shkurt 2013, kishte paraqitur si provë dokumentin e arkivit të shtetit të vitit 1945. Komuna e Tiranës në dhjetor 2011 kishte vendosur që këtë rrugë ta quaj “Ibrahim Rugova”.

 

Marre nga Jeta ne Kosove 

1 Komente

Masoleum - Linoleum - Ileum, pse per 100 plluma kaslyce komlesh qeka e nevojshme me bo Mesoleum???

Pse pse pse 

Ene  Brahimi vete rahmet paste, do ishte skandalizu ka ky proponim. 

Idealisht te kundeshtueshme deri ne fund kto vendime.

LANCI i paska pas nja 200 veta ne Kosove, Do qe interesant te mesojshin kombesine e tyne!

Edhe nja 20 vjet ene Kosova s'do te kete asnji gjurme Yugosllavizmi!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).