Prej përralle
 
Ashtu si gjithçka është brendi,
në fund të fundit diçka si enë,
që në më të shumtën e kohës
mbush diç tjetër më të madhe
se vetja, ashtu edhe këto fjalë
nuk janë plot, plot është faqja
me to, mbushur me të bardhë
si veza, plot janë veç të gjallët
e mbushin diçka më të madhe
se vetja, si re qenkëshim vëlla
që i sjell era, fryma që marrim
është valle ajri t'zbrazët, kohe
të zbrazët nga brenda, zgavra
qenkësh ena q'e mbush bleta
me mjaltë të ëmbël të paqenë,
aq t'ëmbël saqë harron se s'je
përgjithnjë, me mjaltë t'ëmbël
mbushet mendja e nis e rend
pas të verdhës, bletës në qiell
që me kohë ushqehet, grimca
kujtese e flatron ndër harresë.
Po ti thyeje vezën, lëre diellin
të të mbushë enën e ha, haje
t'amblën që mban gjallë, fjalë
njëra pas tjetrës si breshëritë
e flatrave të padala ende, ha
pjalm veze moj bletë varresh,
moj mendja ime prej përralle.
 
 
 
 
 
 
 
 

1 Komente

aq t'ëmbël saqë harron se s'je
përgjithnjë
 
me pelqen!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).