Frashër Krasniqi

Ankesa vjen pas pranimit. Kryengritja e mohon pranimin. Ankesa është reagim ndaj mosrealizimit të asaj që e pranuam. Ajo vjen në shprehje kur pala tjetër e keqpërdor të pranueshmen, në favor të saj. Kërkon rikthim të gjendjes në pikën e pranimit. Kurse, kryengritja nuk merret me simptomat, edhe pse këto të fundit mund ta nxisin, dhe pikësynimi i saj nuk është e kaluara (në çfarëdo pike qoftë) por përmbysja e të pranueshmes (që tashmë s’është e pranueshme për të gjithë), në favor të kryengritësve. Ankesa e njeh palën e tretë, atë që e trajton ankesën, dhe kështu e relativizon veten. Kryengritja njeh veç dy palë: ata që shtypin dhe e duan këtë gjendje dhe të shtypurit që ngrehin krye. Kryengritja mund të shtypet por nuk njeh relativizim. Ajo është. Ankesa është vërejtje për mosfunksionimin e rregullt të sistemit. Kryengritja është kundër funksionimit të sistemit ndaj të cilit ngre krye. Ankesa është e integrueshme e qe besa në funksion të mirëmbajtjes së sistemit. Kryengritja, edhe njëherë, mund të shtypet por nuk integrohet dot nga sistemi.

Për trajtimin e drejtë të protestave të fundit kundër fryrjes së faturave të energjisë elektrike dhe protestave potenciale për çështje të tjera, është e domosdoshme të sqarohet dallimi i lartështruar. Cilëtdo qofshin organizatorët e protestave, e kanë të pashmangshme trajtimin e kësaj çështjeje dhe pozicionimin në raport me këtë dallim. Deshëm ose jo, pozicionimi është i pashmangshëm: krejt çështja është a do të pozicionohemi vetëdijshëm dhe përmes mendimit politik apo pavetëdijshëm.

Protestat e fundit kundër fryrjes së faturave dhe keqpërdorimeve të fundit të KEK-ut, sado që shprehën mllef dhe gatishmëri për protestë (e protesta megjithatë tregon vitalitet qytetar) s’ishin veçse kalim nga kabina e ankesave në KEK tek shfaqja kolektive të ankesave në rrugë. Ama ajo që i rezistoi këtij kalimi (megjithatë të rëndësishëm) ishte ankesa.

Ndërkohë u sqarua që me gjithë keqleximet dhe fryrjet e faturave (që ishin burim i ankesës dhe objekt kryesor i kërkesave të protestës) rritja e çmimit të energjisë elektrike, gjysmë viti më parë dhe rritja e pritshme pas 2-3 muajsh, janë probleme edhe më të mëdha. Më tutje, e kuptuam që në fakt krejt kjo lidhet me privatizimin e KEDS-it (distribucionit të KEK-ut) apo me krijimin e kushteve sa më të volitshme për privatët që do ta marrin pronën tonë publike prej muajit maj. Shteti paskësh marrë përgjegjësi që edhe ato 26.3 milion euro në shkëmbim të të cilave e fali KEDS-in, t’ia kompensojë Limak&Çalik-ut përmes ngritjes paraprake të çmimeve dhe investimeve shtesë për orët digjitale (rreth 8 mil. euro).

Por, me gjithë këto, kërkesat e protestës nuk avancuan tutje. U ndalëm tek ankesa, që në këtë rast nënkupton kundërshtimin e fryrjes së faturave, por duke e pranuar, përmes heshtjes, rritjen e çmimit në vitin e shkuar; kundërshtimin e rritjes së ardhshme të çmimit, por duke mos e kontestuar privatizimin – që veç rritje çmimesh do të shkaktojë; denoncimin e KEK-ut, ama duke mos e drejtuar topin nga Qeveria që është përgjegjësja kryesore për krejt këtë gjendje. Dhe kështu, paradoksalisht, edhe Qeveria (Ministria për Zhvillim Ekonomik) që njeh vetëm gjuhën e shtypjes brutale ndaj protestave, kësaj radhe pozicionohet në anën e protestuesve!

Zhytja në simptoma po na e mbyllë shikimin e të përgjithshmes dhe po na e pamundëson arritjen tek thelbi. Dhe kështu, KEK-un po e shndërrojmë vetë në mburojë të Qeverisë ndërsa kjo e fundit vazhdon të mbetet e pacënuar në projektin e saj shkatërrues të çdo gjëje publike.

Duhet të vendosim nëse problemi ynë kryesor është keqleximi i faturave dhe fryrja e tyre apo privatizimi i KEDS-it që po i shkakton krejt këto probleme duke e paralajmëruar njëherazi të ardhmen e hidhur që do ta prodhojë; nëse shkaktari i problemeve është thjesht KEK-u apo nëse mosfunksionimi i drejtë i kësaj ndërmarrjeje vjen prej Qeverisë që synim ka veç interesin privat.

Dhe në fund e kuptojmë që megjithatë kryengritja shpesh nis si ankesë. Ky zhvillim ndodh atëherë kur ankesës e revoltës i shtohen organizimi dhe mendimi politik i cili i zbërthen simptomat deri në shkakun e fundit ndërsa e vazhdon protestën përtej spontanitetit. Nevojës për ndryshim i shtohet projekti. Dhe me kaq përfundon Ankesa për t’u bërë Kryengritje.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).