Fjala e kreut të PS, Edi Rama, në tryezën e zhvilluar me mjekë e specialistë, në kuadër të javës së shëndetësisë:

Unë, besoj, se është e ndershme që ta themi qartë se problemet më shëndetësinë nuk kanë nisur në vitin 2005. Në qoftë se meritat e para 2005-ës do ishin kaq të mëdha, sot nuk do kishim një sistem komplet të falimentuar, që është një fakt. Falimentimi besoj se lidhet me zgjedhjen e bërë dhe këtu është e domosdoshme që ne të këmbëngulim pa asnjë ekuivok dhe pa asnjë kompleks. Zgjedhja e bërë në vitin 1995, një zgjedhje e pranuar dhe asnjëherë e kontestuar qysh prej atij viti, për t’ju referuar një sistemi që në këndvështrimin tim nuk ka lidhje as me mjedisin psikosocial të Shqipërisë, as me kulturën e Shqipërisë, është e gabuar.

Sot duhet të përballemi me domosdoshmërinë e ndryshimit rrënjësor të këtij sistemi duke e braktisur sistemin e kontributeve. Skema e kontributeve ka dështuar. Në totalin e asaj që shqiptarët shpenzojnë për shëndetin përgjatë një viti janë vetëm 7% paratë që vijnë nga kontributet. Mbi 60% janë paratë që vijnë nga xhepi dhe pastaj pjesa tjetër vjen nga taksat e përgjithshme.

Llogaria nuk duhet bërë midis kontributeve dhe taksimit të përgjithshëm. Llogaria duhet bërë midis kontributeve dhe asaj që shpenzojnë të gjithë shqiptarët. Sepse përveç asaj që fut shteti nga taksimi i përgjithshëm kemi dhe atë që fusin njerëzit nga xhepi. E, njerëzit që japin nga xhepi janë ata që janë në situatë më të vështirë në përgjithësi.

Sot është dita për të folur edhe për disa atakime që i janë bërë projektit tonë. Ata që sot janë në qeveri e mbrojnë sistemin e falimentuar të kontributeve. Është pjesë e një mendësie në rrugën e një rrënimi të përgjithshëm. Megjithatë, ajo që vlen është që debati të adresohet tek çështjet. E para, që unë dua ta rinënvizoj, që ne na dallon qartësisht nga ata është se; për ata shëndeti është mall që blihet, për ne është e mirë publike që duhet ta gëzojmë të gjithë, pavarësisht nëse kanë mundësi të paguajnë ose jo për shëndetin.

Në momentin që një shoqërie i imponohet vizioni i shëndetit si mall që blihet dhe kush nuk mund ta blejë duhet të lusë Zotin që të mos sëmuret, praktikisht kemi të bëjmë me pranimin e një pabarazie sistemike dhe të një padrejtësie që godet të gjithë ata që janë më të dobët. Ne nuk e mendojmë kështu! Po çfarë thonë ata? Ata thonë: “Po si ka mundësi që sistemi shëndetësor të jetë falas? Kështu kthehemi 22 vjet më pas.” Ajo që ne duam të bëjmë nuk është të kthehemi 22 vjet pas, por të shkojmë 22 vjet më tutje drejt së ardhmes. Mirë është që ata që e qeverisin Shqipërinë dhe që marrin përsipër ta mbrojnë situatën apo sistemin e sotëm shëndetësor, të mos referohen në të shkuarën. Unë kam kënaqësi të kem këtu doktorin që më kishte në dorë dy ditë më parë në Burrel dhe kur po më bënte serumin, ndërkohë ndjeva gjithë trupin që po më ngrinte dhe e pyeta: “Po kur është bërë ky spital? Në vitet ’50. Po a ka pasur ngrohje? Ka pasur deri vonë, më tha. Dhe aty u hodh një reanimator e tha: E fiku Fatosi dhe e ngriu Saliu dhe tani jemi siç e shikon.” Ndaj mos i bëjmë krahasimet me të kaluarën në këtë aspekt, sepse nuk është se dalim shumë mirë.

Shërbimi shëndetësor që ne themi nuk është se nuk kushton. Kushton, por në qoftë se një pjesë e rëndësishme e popullsisë nuk e blen dot, dikush duhet ta blejë, sepse është një e mirë publike, që çdokush ka të drejtën ta gëzojë, në një shoqëri demokratike dhe në një vend që ne duam ta qytetërojmë në kuptimin e plotë të fjalës në shekullin e XXI në mes të Europës. Atëherë këtë do ta blejmë ne dhe do ta ofrojmë falas. Do ta blejë shteti dhe përmes Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, një institucion që ne do ta themelojmë do ta ofrojmë për qytetarët. Pra, blerësi i shërbimit do të jetë Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Shqipërisë. Cdo shqiptar nëpërmjet këtij shërbimi do të marrë kujdesin shëndetësor që i takon. Për sa i përket asaj se a mund të ketë apo jo shëndetësi falas, sepse këtu bëhet i gjithë debati, po sot a nuk është falas për fëmijët? A nuk është falas për invalidët? Të paktën e pranuar ligjërisht. Ja pra që paska shëndetësi falas. Dhe për kë? Për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë. Po ata që nuk kanë mundësi ta blejnë në këndvështrimin tonë dhe në botëkuptimin tonë për jetën dhe për shoqërinë nuk janë vetëm fëmijët dhe invalidët, por janë dhe ata që realisht nuk kanë mundësi ta blejnë. Janë të papunët, por janë dhe pensionistët, për të cilët na thuhet se e kanë shërbimin, ndërkohë që jo më larg se pardje, në të njëjtin vend për të cilin fola pak më parë, ku pata rastin ta provoj vetë në vetë të parë se në qoftë se sot ka ende kujdes shëndetësor që nuk lidhet më me sistemin, por lidhet vetëm me mjekë dhe infermierë që janë të pasionuar dhe të dedikuar, ne takuam një çift pensionistësh, ku burri s’kishte të dy duart dhe ku e shoqja shpjegoi se nuk gëzonte absolutisht asnjë lloj mbulimi të posaçëm. Kur ne themi se shërbimet publike duam t’i japim sipas nevojës dhe jo sipas xhepit, e kemi vendosur vijën ndarëse shumë të qartë. Ata thonë sipas xhepit, ne themi sipas nevojës. Shqiptarët duhet të zgjedhin.

Por, ama është e udhës që çdo shqiptar pavarësisht bindjeve, pavarësisht simpative, pavarësisht besimit ose mosbesimit, të reflektojë jo mbi partinë që do zgjedhë, po të reflektojë mbi çfarë sistemi shëndetësor do nesër. Është e sigurt që mund të zgjedhë partinë që do, po nuk do ketë sistemin shëndetësor që do. Kjo është e sigurt, në rast se zgjedh partinë që sot është në pushtet. Ashtu sikundër mund të zgjedhë partinë që nuk do, por do ketë sistemin shëndetësor që do.

Çdo shqiptar që nuk ka punë dhe që për këtë arsye nuk është i siguruar, dhe që për këtë arsye kur shkon në spital sepse gabimisht sëmuret, duhet të paguajë, sepse përndryshe nuk e merr dot shërbimin. Kemi pasur një kundërshti tjetër dhe kundërshtia është se të papunët u siguruakan, invalidët u siguruakan, fëmijët u siguruakan dhe pensionistët u siguruakan. Pra, kjo që ne diskutojmë është e gjitha një ngrehinë në hava. Por, shifrat jo tonat, shifrat zyrtare janë kokëforta në ndihmë të argumentit. Të siguruarit janë as më shumë e as më pak po 470 mijë individë. Atëherë në Shqipëri paska 2 milion e 370 mijë të tjerë, duke bërë zbritjen nga regjistrimi i fundit i popullsisë, që gjendet në Shqipëri që qenkan fëmijë, të moshuar, të papunë apo invalidë. Mirë është që të tërhiqen nga ky argument sepse ju del një llogari shumë e mbrapshtë për ta tek të papunët pastaj. Del që ne jemi gabim kur themi që ka 1 milionë të papunë se dalin më shumë. E, si dalin, shumë thjesht;

Janë të regjistruar të moshuarit 440 mijë. Janë të regjistruar fëmijët 180 mijë parashkollorë. Janë të regjistruar nxënësit 490 mijë. Janë të regjistruar studentët 120 mijë, edhe ata në moshë universiteti që akoma nuk kanë përfituar nga shqyerja totale e universiteteve që janë 40 mijë. Në fund invalidët që janë 70 mijë dhe totali është 1 milion e 340 mijë. Që do të thotë që na dalin mbi 1 milionë të papunë, me llogarinë që bëjnë ata.

Fakti është që jo vetëm të papunët nuk janë të siguruar, por sot nuk mund më të regjistrohesh si i papunë. Sepse shkon në zyrën e punës dhe nuk ta japin dokumentacionin e nevojshëm që t’i të përfitosh nga sigurimet shëndetësore. Për dy arsye; E para, sepse fshehin papunësinë dhe e dyta, sepse nuk mbulojnë dot shpenzimet e shëndetit tënd. Nga ana tjetër dalin e thonë që ne e kemi zgjidhur këtë dilemë dhe ia kemi besuar tregut këtë punë. Njësoj si me taksën e sheshtë që marrin nëpër gojë edhe të ndjerin Ronald Regan, që kush e di sa herë do të rrotullohej në varr sikur të merrte lajmin në atë botën tjetër, që merret këtu si shembull i taksës së sheshtë, që as e ka pasur ndonjëherë Amerika taksën e sheshtë dhe as që ka qenë ndonjëherë Regani promotor i ndonjë takse të sheshtë. Dhe çfarë thonë? Thonë shikoni sistemin farmaceutik, dikur s’kishte fare ilaçe dhe tani është i mbushur me barna. Patjetër që tregu ka të gjitha avantazhet, që e bëjnë këtë sistem që në kemi zgjedhur në vitin ‘90 një sistem mundësish. Por tregu nuk është përgjigjja e gjithçkaje. Sepse pyetja është: ilaçe ka, po a kanë të gjithë ilaçe? Përgjigja është: Jo! Pa llogaritur që ka një taksë për sëmundjen që është TVSH e shtuar mbi ilaçet. U shtua se medemek do ulej çmimi. Çmimi nuk u ul. Kjo bëri që dhe për ilaçet pensionistët apo shumë njerëz të varfër të bëjnë si për ushqimin e përditshëm ta marrin me listë në farmaci. Pa hyrë në cilësinë. Aty ne kemi marrë një angazhim shumë të qartë. Po nuk është ky momenti për ta diskutuar.

Thonë tani kjo që propozon Partia Socialiste na qenka një centralizim i ri. Po ku ka centralizim më absurd se sa ISKSH-ja ta përcaktojë numrin e punonjësve të çdo spitali?! Ndërkohë që ajo që duam të bëjmë ne është që spitalet t’i kthejmë në ndërmarrje spitalore duke i dhënë një autonomi të plotë trupës dhe duke ia besuar menaxhimin bordeve në spitale në mënyrë që mjekët dhe gjithë personeli mjekësor dhe ndihmës të mos varen nga tekat, nevojat apo vendimet absurde të ministrisë ose të kryeministrit. Por ta përcaktojnë vetë se si ta shpenzojnë sa më me efektivitet atë buxhet që ka. Ne besojmë, dhe unë besoj, që jo me kaq, por me më pak ne mund të bëjmë më mirë. Jo vetëm në shëndetësi, po në çdo sektor. Ndërkohë që padyshim mund të rrisim volumin e parave që shpenzohen në shërbim të publikut duke ulur volumin e parave që sot i rrëmben lumi i korrupsionit. Më tutje si ka mundësi që thonë që kjo që propozon Partia Socialiste është centralizim ndërkohë që jo më larg se sa më pak se një muaj Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një udhëzim që ministria do t’i blejë barnat për çdo nevojë të sistemit publik të shëndetësisë. Kemi raste të kësaj natyre kur flasim për paratë që në një spital për shembull ka shërbim privat për sigurinë dhe 12 roje që i paguan me lekët e shtetit. Kuptohet këta të shtetit bëjnë muhabet me ata të sigurisë, dhe ndërkohë çfarë është për t’u vjedhur vazhdon vidhet. Secili ka punën e vet. Ndërkohë që në një spital tjetër që nuk ka asnjë metër katror gjelbërim dhe asnjë pemë janë shtuar në strukturë 15 lulishtarë. Nuk di se çfarë mbjellin, ku e mbjellin, si e vadisin nuk di ku e korrin. Me siguri bëjnë ata mbjelljet, korrjet, vaditjet e tyre, por jo në spital. Paguhen me lekët e shtetit. Ose për shembull një spital rajonal në Fier blen shërbime në qendra shëndetësore jo publike. Me çfarë të drejte dhe ku i gjejnë paratë?! Ja pra janë këto paratë që mungojnë. Mungojnë për çarçafë, mungojnë për batanije, mungojnë për jastëkë, po numëroj të gjitha gjërat që mungonin pardje doktor, mungojnë për ngrohje, mungojnë për ftohje, por nuk mungojnë asnjëherë, përkundrazi dalin e teprojnë për të rritur numrin e rrogëtarëve apo për të rritur volumin e abuzimeve brenda për brenda sistemit. Këtu nuk është çështje njerëzish. Unë kam besuar gjithmonë dhe besoj gjithmonë e më shumë se korrupsioni nuk është çështje personash, është çështje sistemi. Bini në Shqipëri në sistemin tonë shëndetësor menaxherët më të ndershëm nga Danimarka, lërini dy muaj, në qoftë se mbas dy muajsh i gjeni po aq të pastër sa ç’i futët atëherë bie argumenti i provuar shkencërisht se korrupsioni është alternativë brenda një sistemi të falimentuar. Aty ku sistemi funksionon korrupsioni vetvetiu tërhiqet mbrapsht. Aty ku sistemi nuk funksionon korrupsioni është alternativë. Është e thjeshtë. Sigurisht që ne shohim që ka shumë burime. 150 milionë euro fluturojnë brenda vitit nga xhepat e publikut në xhepa individësh vetëm nga tregu i hidrokarbureve minimalisht. Ose përshembull bëhet një reklamë qeveritare për të lajmëruar për shpronësime dhe reklama që duhet të lajmërojë 12 mijë persona kushton 2 herë më shumë sesa t’i lajmërosh personat kokë më kokë me DHL dhe t’ia u çosh njoftimin jo ku banojnë, po aty ku kanë kokën, e me radhë.

Një shifër që s’është e jona. Është e agjencie të specializuar amerikane që tregon se 1.3 miliardë dollarë kanë fluturuar nga Shqipëria fare në rrugët e krimit të organizuar, të korrupsionit, të evazionit dhe ju mungojnë shqiptarëve në shërbime.

Nga ana tjetër sistemi ynë nuk është absolutisht një fantazmë e së shkuarës, por është një zgjedhje e të sotmes që vende pas vendesh po e bëjnë. Është sistemi i mbulimit universal me kujdes shëndetësor dhe me mbrojte shëndetësore, pra, i parandalimit dhe i kurimit. Bazohet jo në financimin nga kontributet, po në financimin nga taksimi i përgjithshëm. Pra, është ajo që thashë që në fillim shëndetësia kushton. Po kushton, nuk është falas. Por ofrohet falas kur konceptohet si një e mirë publike dhe për ta ofruar falas dikush duhet ta blejë dhe e blen shteti dhe jua ofron individëve. Nuk ju thotë individëve po nuk e bleve dot të lutem mos u sëmur se po u sëmure je drejtpërdrejtë me Zotin, por jo me mjekun dhe me sistemin shëndetësor publik.

Sot vendet nordike, Britania e Madhe, Italia, Irlanda, Spanja, Portugalia, Greqia janë në këtë sistem. Sigurisht, Gjermania dhe Franca jo, por mos harrojmë se nga vijmë, mos harrojmë se për çfarë mjedisi bëhet fjalë. Ndërkohë që gjithë kjo pjesa tjetër mesdhetare është në sistemin e bazuar tek taksimi i përgjithshëm.

Do të doja të nënvizoja që programi ynë nuk është vetëm një pjesë kur flasim për shëndetësinë, apo kur flasim për arsimin, por është i gjithi një mozaik pjesësh që janë të lidhura me njëra tjetrën. Është një vizion i bazuar në vlerat dhe parimet e socialistëve dhe socialdemokratëve të këtij shekulli. Është një mekanizëm ku pjesët janë të lidhura me njëra tjetrën. Flasim për mbulimin universal në sistemin e shëndetësisë, flasim për taksimin e ndershëm në sistemin e taksimit, flasim për një politikë të re për sportin, por të gjitha këto janë të lidhura me njëra tjetrën.

Një politikë e re për sportin duke riorganizuar gjithë sistemin e aktivitetit sportiv që nga kopshti deri në universitet, për ne është një politikë gjithashtu për shëndetin e cila do të ulë kostot dhe do të rrisë fuqinë parandaluese të shoqërisë ndaj sëmundjeve.

Nëse flasim për një sistem taksimi të ndershëm, flasim sigurisht për një ulje të barrës së kontributeve në krahun e atyre që fitojnë më pak dhe për një rritje të barrës kontributeve në krahun e atyre që fitojnë më shumë. Por nga kjo fitojnë të dyja palët. Nuk përfitojnë vetëm ata që fitojnë më pak, por edhe ata që fitojnë më shumë, sepse rritet potenciali i shoqërisë si shoqëri konsumatore, pra është i gjithi një program i lidhur si pjesët e një mozaiku.

Në fund fare do doja t’i falenderoja nga zemra ata që kanë kontribuar dhe po vazhdojnë të kontribuojnë që ne ta detajojmë dhe ta përsosim programin tonë, për ta çuar deri në fund si një projekt qeverisës jo si një pamflet elektoral. Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme disa të pranishëm këtu, mjekët e spitalit ushtarak që më bënë një guidë spektakolare për nga profesionalizmi, por dhe nga kurajoja qytetare. Jam informuar që kanë paguar një çmim për këtë sepse nuk kanë përfituar nga asnjë nga gradat e reja që janë dhënë këto ditët e fundit. Por sa më pak të graduar para 23 qershorit, aq më të nderuar në 23 qershor. Është shumë e rëndësishme që jeni këtu për t’ju treguar të tjerëve se në fund të fundit liria dhe dinjiteti i personit vlen më shumë se shumë çka tjetër dhe në fund të fundit, ka një çmim, po nuk është aq i lartë sa të jetë papërballueshëm. I pashë të gjithë një nga një pasi ma thanë këtë gjë ata mjekë dhe më duken akoma më në formë se ç’i pashë para disa ditësh. Sepse këtë të mirë ka lufta e ideve dhe pozicioneve që kur të përfshin të rrit adrenalinën.

Të bindur që unë jam shumë i vetëdijshëm që reforma e sistemit shëndetësor që ne propozojmë është gjëja më radikale, më e vështirë në gjithë paketën e ndryshimit që ne e kemi planifikuar “Për një Rilindje Shqiptare”. Po pse është e tillë, e para, vlen dhe e dyta, është njësoj si një terapi për të ndërmarrë përpjekjen e fundit dhe atë më të rëndësishmen për ta ngritur në këmbë një të sëmurë që po të ikën nga duart. Praktikisht, sot sistemi shëndetësor është një i sëmurë që ka ikur nga duart. Kjo është një terapi e domosdoshme për ta ngritur atë në këmbë me të gjitha vështirësitë që kjo sjell dhe me të gjithë pjesën e hidhur që kjo përmban. Ama jam i bindur që në fund të mandatit tonë të parë, ata që në 23 qershor do të na votojnë për të përqafuar vizionin tonë se shëndeti nuk është mall që blihet dhe kur s’ke lekë se blen dot prandaj vdis ose shit shtëpinë që të gjesh doktor, po është një e mirë publike që duhet ta gëzojnë të gjithë, do të shohin se vota e tyre ka vlejtur dhe se spitalet e Shqipërisë dhe mjekët që do të kenë përballë do të jenë një tjetër panoramë nga kjo e sotmja, me këtë sistem që ne do të ndërtojmë.

15 Shkurt 2013

5 Komente

Menjen vetem tek " Malli " e ke mor burre .

Java e shendetesise smiley Dalengadale po plotesohet trekendeshi MESIM PUNE KALITJE dhe me zgjedhjet afrohet koha e trekendeshit te ri  ME SHPEJT  ME LART  ME LARG

Ok ja tani që e përktheva në gjuhën e Kryetarit, shpresoj që komenti t'i mbijetoji tastit të miushit tuaj! smiley

 Kryetar, po ju shkruaj sot për t'ju thënë se jam i zhgënjyer nga mënyra se si procedoni. Nuk është kjo rruga e duhur kryetar. Populli mërzitet shpejt nga llafet. Populli do bukë, ose opium. Ti o kryetar opiumin e mban për vete, e tymos me gjeneral Ruçin nga një mbledhje në tjetrën...U lodha tani kryetar... nesër do të vazhdoj me pjesën tjetër.#Rilindje!

Kete tocin nuk e lexoj une, por mesa thonin lajmet, nje nga ato te aksidentuarat e Himares, kur ishte ne koma ishte perdhunuar dhe ka ngelur shtatezane.

Kjo per te kuptuar se ku ka vajtur degjenerimi. 

Muhabet te mbare!

Unë kam besuar gjithmonë dhe besoj gjithmonë e më shumë se korrupsioni nuk është çështje personash, është çështje sistemi. Bini në Shqipëri në sistemin tonë shëndetësor menaxherët më të ndershëm nga Danimarka, lërini dy muaj, në qoftë se mbas dy muajsh i gjeni po aq të pastër sa ç’i futët atëherë bie argumenti i provuar shkencërisht se korrupsioni është alternativë brenda një sistemi të falimentuar.

 

 

 

Edhe ne Burrel ka jete..smiley !!!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).