Bora Ylli

Edhe një herë, rrugët e vendit tim kthehen në skenografi të trishtë e qesharake. Dekor i dendur blu me turlifarëlloj yjesh. Mirëpo ky dekor që imponon për imagjinar kolektiv flamurin e SHBA-së apo BE-së, shoqërohet shpesh edhe me kërkesa ekstra. Krahas përuljes së turpshme dhe tejkalimit të mundësive ekonomike për një dekor të tillë, Shqipëria ka ende të njomë kujtimin e një ushtrie të tërë të zbathur nga armët gjatë vizitës së Bush, ku ushtarit të thjeshtë s’i ngeli as edhe një biçak për të qëruar mollën. Shëmtia përsëritet me ardhjen e Lady Clinton në Prishtinë. Kësaj radhe u kërkua zhveshja jo më nga arma, por nga flamuri kombëtar. Flamuri kuq e zi u zhduk nga rrugët e Prishtinës.

Edhe një herë pamë qiellin, atë të vërtetin me një diell për të gjithë, atë të vërtetin të zëvendësohej me ngut nga një nejlon blu  ku valëviten potpuri yjesh. Kjo përpjekje ngjason deri diku me atë hartën pefekte me shtrirje sa të territorit, shkalla 1 me 1. Por, e bërë kjo punë drejt qiellit, sjell edhe plot defekte të tjera.

Pyetja e parë që lind është: si e propozon pafundësinë qiellore politika e sotme e « yjeve në nejlon »?

Grafikisht, yjet e flamujve të SHBA-së, Bashkimit Europian, EULEX-it dhe flamurit shtetëror të Kosovës  janë krejt banale, s’thonë asgjë për veten dhe s’kanë ndonjë dallim domethënës mes tyre. Ajo që dihet me siguri është se, në qiellin e nejlonit yjet i referohen shteteve. Së dyti, flamujt plotyjesh janë simbol bashkimi në dy kahe: bashkim elementesh (shtetesh), ose krijim elementesh për të formuar  « bashkim », pra ndarje. Kjo shpjegon pse flamuri i Kosovës, në vend që të kishte një cep të shkëputur ylli, ose 1 yll të vetëm si simbol i shtetit te ri, ka plot gjashtë yje. Kjo, jo për kriter estetik, por sepse yjet iu referohenkërkish etnive. Kush e sheh flamurin e Kosovës pa e ditur historinë, por vetëm faktin se yjet përfaqësojnë etni, më shumë gjasa do të mendojë se ky flamur nuk është flamur pavarësie, por flamur bashkimi etnish të ndryshme që jetonin maje maleve të ndryshme dhe Amerika u hapi sytë e i bashkoi. Mirëpo fakti që ky flamur ka shumë yje që rrinë ashtu kot të shpërndarë, dhe jo një yll të vetëm si simbol i të qenurit një shtet integral, e bën Kosovën ndër të tjera edhe të paintegrueshme në bashkime, aleanca e misione. Kjo jo vetëm për mungesë vullneti të fuqive të mëdha, por edhe për koklavitje detajesh teknike (term shumë i dashur ky) sepse psh: në një mbledhje ndërkombëtare, Kosova do të përfaqësohej me të drejtë me nga një anëtar për secilin yll, këta përfaqësues etnish s’mund të kenë të njëjtin status me përfaqësuesit e tjerë të shteteve; atëherë ata do pjesëtojnë kohën e ligjërimit, do të flasin të gjithë njëherazi apo do ta bëjnë me short? E sido që të organizohej puna, delta e gabimit mbetet te natyra e ndryshme e shtet-kombit nga bashkorja e etnive.

Megjithatë dihet se shtetet-yje ranë dakord ta njohin si shtet Kosovën dhe madje që të ketë edhe një përfaqësues në krye. Pra, Kosova është një yll.

Ç’lloj ylli është Kosova? Duket se kjo mënyrë e të bërit politikë e ka shenjuar Kosovën me yllin asterisk. Problemi kryesor i kësaj shenje topografike qëndron në ambivalencën e saj. Ajo mund të përdoret për të shtuar (sqarime që tekstit i mungojnë), për të fshehur informacion (passwordet, kodet), por edhe për të fshirë informacion (psh. shkronjat e një fjale tabu). Këto shtojca (që mund të çojnë në specifikime pa fund të statusit, të drejtave apo detajeve teknike) apo humbje informacioni (që mund të çojë në fshirje të flamurit kuq e zi, gjuhës, e historisë) kanë për udhërrëfyes EULEX-in dhe SHBA-në. E meqenëse asteriski është një e panjohur që shtohet ose një e njohur që bëhet e panjohur, edhe njohja që shtetet-yje i bëjnë Kosovës është pikërisht e masës së të panjohurës: nuk është mediokriteti klasik «të njoh, por realisht s’të njoh », është «të njoh pikërisht si të panjohur, si anonim, pa histori, Newborn, pa gjuhë, pa identitet, siç të kodoj vet, siç të zhbëj politikisht».

KOSOVA

          K*****

          K*****(*)

       (*)OSOVA  që na çon në K*, inicial gagaç që s’ka më asgjë për të thënë e vazhdon kështu deri në hiç.

Pafundësia qiellore në politikën e yjeve në nejlon propozohet si pafundësi drejt vogëlsisë (ndarje pa fund), por fundësisht e madhe (jo më e madhe se kapaciteti kontrollues i SHBA-së). Në këtë gamë, Kosova rrezikon të mbetet e pozicionuar në statusin e një hibridi administrativo-politik; do pretendohet gjithnjë se është një specie tmerrësisht e rrallë që i përket një rasti edhe më të rrallë, specie për t’u ruajtur në kushte edhe më të rralla akoma, në muzeun e shkencave politike. Kuptohet se çdo përpjekje për të përmirësuar detaje teknike është e kotë dhe lehtësisht e absorbueshme nga ekuacioni i asteriskit. Nevojitet kthimi te gabimi fillestar: kemi pranuar këta flamuj blu për qiell. Sepse ka gjendje të jashtëzakonshme e luftëra, por në do një mallkim edhe më të rëndë për një vend e për një komb, uro t’ia shtrojnë qiellin me yje Amerika dhe BE-ja.

E megjithatë, situata asfiksuese mund ta gjejë hapjen atje ku njeriu i referohet qiellit të vërtetë, si për shembull poetikisht Lasgushi e politikisht VETEVENDOSJE !

8 Komente

gezuar Kosova festen e pamvaresise e meriton me shume se çdo vend ne bote

dhe festofshim sa me shpejt festen e bashkmit!

 

Gezuar festen Kosove dhe zoti i bekofte te gjithe ata qe mundesuan ket mbrekulli te pa imagjinushme  per Shqiptaret.

Gezuar Kosova! I ndritte shpirti te gjithe deshmoreve!

Qe te pakten te behej keshe keshe se eshte lexu ky artikull, urimet duhet te ishin "Gezuar K*****"

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).