Floriri godet përsëri, në këto kohë të pasigurta depozitat duhen kthyer në flori. Këtë e kam dëgjuar kaq shpesh ditët e fundit, saqë metalit të shtrenjtë i iku gjithë nuri e hiri i vjetër i letërsisë dhe filmave, thesareve në ishuj, sëndyqeve me verdhushka, argjendurinave mbi gusha të bardha. Një paralelpiped, lingotë, një tullë me brinjë të rrumbullta, ku drita rrëshqet në mënyrë aerodinamike, lakmi e shikimit e kthyer në një ngjalë rrëshqitëse, të zmusët, që nuk të pret, por të ikën, e pakapshme si një femër ëndrre, qilare banke, vulë  me emrin jashtëtokësor “rezerva federale”, puro, 99.9999%... Sapo shfaqet numri, rrëzohet kështjella e fundit e mitit, nuk është puro, e shoh atë vazhdë nëntash që nuk e kap kurrë kufirin dhjetor, ndihem i tradhëtuar pikërisht aty ku kujtoja që isha më i pathyeshëm se kudo, harroj karvanin me nënta që ndjekin zeron si Zeno, një tenjë më ha drurin, më bren pikërisht ajo 0.0001% e pathyeshme, që sfidon më të fuqishmin e te fuqishmëve që rrotullon botën qysh prej kohësh që s’mbahen mend. Dhe dua ta gjej ku është e ku s’është, vezvez, dua ta nxjerr jashtë katranin, ta bëj vërtet të pastër atë lingote syshkruar me nënta që s’e kaluan kurrë kufirin e së plotës, ç’të jetë vallë ajo grimë, them, dhe depërtoj në indet e arit për të gjetur atë bëzhdilë që mezi gjendet në atë që mezi gjendet, hyj në rrjetat kristaline të metalit të rëndë, më shtyp brinjët trusnia e dendur e arit, larë lëkura, diku fanepset Charlize Theron me Christian Dior, ndihem keq, jam me verdhëz, pa mëdyshje, natyrisht, ku fshihet pra ai 0.0001%-shi? Qelizë kanceroze ajo papastërti, e ndryrë diku, s’di ku, e padukshme, e kërkoj në gjithë tabanet e deteve, perlë e mbajtur jesir në kanata molusku që s’i hap asnjë qysqi e llagëm, ku je, ku je, e gjuaj kudo, harroj ndërkaq floririn e zakonshëm, të mërzitshëm, të kudondodhur, meskin, opak e pa fantazi, ajo papastërti më bëhet e shtrenjtë, gjithë floririn e botës jap për atë çikëz ndotje…

14 Komente

vjen nga "zmusoj", forma korrekte do ishte "zmusuar", domethene kur i rrumbullakon kendet e mprehta, te forta, si psh anet e nje tryeze, ose nje parvaz ditareje, qe te mos vrasi.

hmm, interesante, po perpiqem te gjej nje tjeter e sikur s'ka, pervec "i ha pak cepat". 

nuk di as une tjeter. e menova i her "frruaj", por ajo s'ka te boj me cepat. zmusimi eshte e frrujtme e cepave.

ps. by the way, ke pas lujt me kopaca?

jo, s'i kam arrit? mbase? Kujt i thua tamam kopaca? Pafkave apo komcave? smiley

Ah more corp se me shkrive. Kopaci nuk eshte as pafke e as komce. smiley Eshte kupac. Komca e madhe e palltove.

Ka ndryshim ka: I e madhe e shtypit, i e vogel e shtypit. Kjo e verteton se nuk ke lujt me kopaca megjithate. Ka henger dru im vella per kete. Veshi im ate nje here kostumin e vetem te mire qe kishte per te shkuar ne nj dasem, dhe kostumi nuk kishte asnje kupac, se i kishte qare im vella. smiley

I mbaj mend, por kam qene i vogel dhe ata qe luanin me dukeshin shume te medhenj. Kur u bera une sa ata, luaja me taso, turbo, otto motto smiley

emig ,ndoshta eshte mbetje latine il verbo  smussare  ka te njejtin kuptim...Shpesh ajo papasterti na ben humane jo jashtetokesore ,debulesat,difektet...na bejne kaq te arritshem...

smuso ësht fjal teknike - e drejt e huasuar nga italishtja si shum fjal të tjera ; siç ndodh dhe sot e për të njënjtat arsye  huazimi nga anglishtja dhe jo se nuk ka a nuk gjënden fjalë në shqip , në kët rast ndoshta rrumbullakosur , cepzbutur ,etj

Bukur.

ajo papastërti më bëhet e shtrenjtë, gjithë floririn e botës jap për atë çikëz ndotje…

Normal ësht më e rrallë se florini vetsmiley 

 

Une e kam bere kompromisin me 99.99999 dhe nuk e kerkoj me 0.0001, jo sepse kam rene dakort me nivelin mesatar, por sepse mendoj qe eshte me e paqme jetesa me te qenit prezent ne momentin e 99.999 sesa mungesa e qetesise ne nje pjese te trurit se ekziston 0.0001. Te dy numrat fatekeqesisht jane ne infinit, pra duhet bere nje zgjedhje. Edhe pas 100, nuk besoj se arrihet e pafundmja, ose se 0.0001 e ben 99.999 jo me pak te qendrueshme. 

Ndersa per shkrimin nje detaj nuk e kapa dot. Katrani eshte e kunderta e diamantit, ndersa simboli i perdorur eshte floriri. Ne vend te ngjales, do sugjeroja lot, ose nje forme e cila zmuset. Ngjala, kur epitetizohet me zmusim, eshte forme pa jete. Ndoshta dhe kjo mund te kete qene qellimi.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).