Elezi po kthehej pa qejf nga Tirana, pazari nuk i kish vajtur mbarë, në duar kishte një çantë me ullinj që nuk i kish shitur dot; blerësi, një merceolog  i lëmuar me sqimë Tirane, nuk ishte në shtëpi, edhe pse i kish premtuar se do ta priste. Nuk kish lënë as një copë pusullë në derë. Zuri një vend në një cep të rrahur nga njerëzit, ndanë një pasticerie, duke e hapur çantën aq sa të dukej se donte të shiste, por edhe që të mund ta fshihte menjëherë faktin po qe se duhej – shitja e prodhimit privat ishte e ndaluar. Do e kishte shitur patjetër, por kur pa dy policë që dukej se po afroheshin kërcënueshëm dhe të informuar, e mbylli çanten shpejt, priti që ata të kalonin, dhe u dha këmbëve për në stacion të autobuzit. Zemërthyer. Ilaçe i bëfshin paret. Autobuzi erdhi më në fund, sikur s’donte, u mbush shpejt me njerëz, Elezi e pa veten të rrasur në një qosh, u mundua të mbronte torbën me ullinj, shtypja e njerzve vinte gjithnjë e më e madhe, nguli këmbët në dysheme, shkulma e fundit qe më e rënda, dera mesa dukej ishte mbyllur, s’do çuditej sikur deri në fund të udhëtimit nga ajo torbë të dilte vaj. Ose të zitë e ullirit, mendoi, dhe u dha bythëve me forcë mbrapa, që të krijonte një xhep hapësire para vetes. E krijoi. Turma nga pas u dha si një portokall i shtrydhur fort që pëlcet nga brenda… dëgjoi klithma të vogla ijesh, si kulishtë të sapolindur… mbase ngaqë njeriu mësohet me shtrëngicë, ose ngaqë njerëzit zenë vend, gjithnjë pas stacionit të parë sikur ndihej pak më lirë… ai zu të shihte përreth, një plakë përanash dukej sikur i bënte karshillëk me kaçilen bosh … pak më tej një çift të rinjsh fshati, patjetër të fejuar, po rrinin pak si shumë ngjitur me njeri-tjetrin. Pak si ngjitur, domethënë deri në bezdi. U vu të shikonte ç’po bënin. S’kaloi shumë dhe e pa që djali po përfitonte nga ngjeshja dhe lëkundjet e herëpashershme të autobuzit, dhe po afrohej gjithnjë e më shumë me vajzën, që i dukej për më tepër edhe fytyrë e njohur, si nga fshati fqinjë. Vëzhgoi me kujdes dhe pa u ruajtur, hapur, me shpresën se nga vështrimi i tij qortues ata të dy do përmblidheshin pak, sidomos ai, me atë fytyrë të urryer, që nuk e fshihte kënaqsinë e pështirë, të mbrapshte, që po ia vishte fytyrën me lyrën e qejfit, të lezetit… këta pushtër duhen rrahur publikisht në shesh të fshatit. Kishte kohë që mesi i djalit ishte ngjitur e nuk shqitej më nga ai i vajzës, as kishte nevojë fare për të parë më me kujdes, tendosja e atij qafiri ishte ashiqare, pjesa goditëse e trupit të tij të gatitur për dalje në Tiranë me të fejuarën, e cila nuk duhej të kishte një shoqërues nga fisi, ndonjë vëlla apo djalë xhaxhai, ruajtës të trupit të femrës së një gjaku, sepse po të kish shoqërues, nuk do guxonin ata faqezinj, jo. I pa më me ashpërsi, më drejtpërdrejt, por pa dobi, ata u zhytën edhe më shumë tek njeri tjetri, ajo donte aq hapur në ate qendrimin e vet pritës, dhe ai maskara përfitonte, a thua nuk do e kish grua, a thua se sapo të zbrisnin nga autobuzi nuk do shiheshin më, i pa edhe më ngultaz, por ata nuk e vinin re, nuk e përfillnin, ata nuk vinin re asgjë, me çdo goditje e shtonin më shumë zullumin, flokët e saj morën diçka prej qesëndie, këmisha me kuadrate e djalit tallej haptaz, me shpoti prej kafshe të butë që i shpëtoi lakut. Si ish e mundur që askush përreth nuk po shihte gjë... ishin verbuar të gjithë? Që u qorrofshin! Arritën stacionin e Niklës, edhe pak dhe udhëtimi do mbaronte, çifti i molepsur nuk kishte folur asnjë fjalë gjatë gjithë rrugës, do ta mbante mirë mend atë fytyrën e djalit, të krehur me kujdes, autobuzi u nis përsëri, djali nuk u mbajt në hekurin afër tj, por u kap pas vitheve të së fejuares, dhe nuk i hoqi duart që aty edhe pasi nuk ish më e nevojshme të mbahej, pushti… Elezit i hipi gjaku keq në fytyrë, nuk duroi më, por buçiti me sa kish në kokë: të isha vëllai i kësaj, do ta kisha prerë kryet si të zogut, qelbanik, delenxhi, por ke gjetur këtë ti, qe të duron ty, maskara, mër laskar i pafytyrë… Djali u skuq edhe më, molla e Adamit iu ul në një gëlltitje të vështirë, por nuk foli, as nuk pa, a thua se nuk i ish drejtuar atij aq qartë, me ftesë të hapët për sherr. Vajza u tulat, por edhe ajo zgjodhi të bëjë të paditurën. Të dy, të mbajtur ashtu me duart e tij në vithe të saj, e kaluan pa folur e të mbështjellë ne vete atë dallgë që erdhi papritur dhe u kaloi sipër. Heshtja që pasoi u nder më e rëndë edhe se bubullima, sidomos për Elezin, i cili nuk e kishte menduar këtë që erdh me pas, heshtjen, që bëhej më e thellë nga zhurma e autobuzit. Çdo sekondë pa fjalë që kalonte i lehtësonte më shumë ata të dy dhe i rëndonte atij si një gur i keq në shpatull. Ata dy të poshtrit e ndjenin me ç’dukej që heshtja punonte për ta, prandaj po heshtnin më fort se sa më parë. Edhe nga autobuzi po vinin fjolla mosmirënjohjeje, ai pa me hakërrim të dëshpëruar, siç mund të shohë vetëm fytyra e parruar e një fshatari që nuk mundi të shesë në Tiranë, unë luftova edhe për ju, vikasnin sytë e tij… por asksuh nuk donte t’ia dinte. Mileti ish bërë shumë mosmirënjohës, askush nuk të dinte një nder. I mllefosur zbriti në stacionin e fundit, të gjithë dolën sikur nuk kish ndodhur asgjë, do kish shumë dëshire t’i hynte me grushta atij bumbashirit, që bënte fëlliqësira në autobus, por tjetri nuk linte asnjë shkak për sherr, tri herë u nis t’i shkonte nga pas, ta prekte te shpatulla, dhe kur ai të kthente kokën për të parë, t’i mbetej me grusht fytyrës, dhe të trija herët u përmbajt, duke rënkuar nga pamundesia.
Me çantën në dorë arriti në shtëpi, hapi derën, pa mbi sobe një kusi që po ziente duke nxjerrë një avull armiqsor, u shoqja u dha pas fare pak, një fytyrë që nuk jepte, as merrte edhe ajo, u mrrol befas dhe e goditi me shpullë vrrulltas: sa herë të kam thënë, gjellën e dua gati kur vij!

5 Komente

Bukur dhe i vertete. 

Te fut shume te jeta e tij. me pelqeu

Bravo. Ka shume layers dhe prape rrjedh shpejt e qarte. Fjalia e fundit eshte e goditur, sepse permbledh nje personazh me vete, dhe ne nje fjali, ajo pa thene asnje fjale, vetem me levizje, flet me shume edhe sikur ti kishe dhene ze.

se pse me duket qe ka nje DNA te perbashket me Perlatin Ky Elezi....si te ngjashem....ne tip

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).