Libër i ri: Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu?

Si u be mbret i Shqiperise Ahmet Zogu, Camillo LibardiLibri i autorit italian Camillo Libardi “Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu” (Come si é fatto re d’Albania Ahmet Zogu) është botuar në gjuhën italiane në maj të vitit 1940, ndërkohë që vjen në shqip nga shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2012.

Duke qenë një vëzhgues i hollë i jetës dhe politikës shqiptare, duke jetuar prej disa dekadash në Shqipëri, kryesisht në Shkodër dhe rrethinat malore, në mjediset e klerit katolik dhe në shtëpitë e shqiptarëve të thjeshtë, autori italian Camillo Libardi na jep një tablo të gjallë të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, duke u fokusuar në stilin shqiptar të qeverisjes dhe të politikanëve të saj. Sipas tij, qysh në atë kohë, politika shqiptare nuk ka pasur lidhje me mirëqeverisjen por me sundimin me çdo kusht dhe me çdo mjet, duke vazhduar traditën e qeverisjes otomane. Libri përshkruan me hollësi të gjitha makinacionet dhe protagonistët e asaj kohe për të nënshtruar Veriun shqiptar. Natyrisht, vendin kryesor në këto kujtime e zë Ahmet Zogu, rruga që ai imponoi për t’u kurorëzuar Mbret.
Të ashtuquajtur krerë, bajraktarë apo klerikët, intelektualët më në zë të Shqipërisë së Veriut, duke nisur me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni i Mirditës, dom Lazër Shanto, Rexhep Shala, Kazazët, Bumçët, Bernardin Shllaku, Ahmet Frashëri, Lazër Mjeda, Musa Juka, Gjon Gazulli e plot figura të tjera të kohës janë pjesë në dëshminë interesante të Camillo Libardit.

Në këtë libër përshkruhen me detaje ngjarje të panjohura historike si rebelimet antizogiste në Veri të vendit, reprezaljet e Zogut në Shkodër, Dukagjin dhe Temal, lufta e Zogut kundër opozitës, ekzistenca e të burgosurve politikë apo e vrasjeve politike. Gjithashtu, në libër jepen dëshmi të reja për atentatin kundër Zogut në Vjenë, për vrasjen e Bajram Currit, rolin e madh që kanë pasur gazetat e asaj kohe si “Ora e maleve” apo “Hylli i Dritës”, ashtu si jepen dëshmi me interes për raportet e religjionit, fesë me politikën dhe regjimin.

Fragment nga libri

Të bëhesh princ, edhe sikur të mos jesh plotësisht princ, por të paktën president republike ose, të paktën, të paktën mbetet të bëhesh diktator. Ky ishte dhe është qëllimi i beut të Matit. Për këtë qëllim, ambicia e tij e pakufi nuk deshi t’ia dijë për mjetet që përdori. Për këtë plan iu desh të sakrifikonte gjithçka, edhe me kusht që Shqipërinë ta copëtonin…

Për këtë nga jashtë krijoi aleancë me Jugosllavinë dhe nga brenda intrigat me feudalët. Ishin këto dy shkallët që i nevojiteshin për të hipur në fron. Në tre vitet e qeverisë së tij, i rrethuar nga ministra vasalë ose më mirë nga kukulla, mundi të thotë se ai nuk ishte vetëm kryetari i tyre, por i vetmi ministër i Shqipërisë! Princ i vërtetë.

Deputetë të blerë e gazetarë të shitur e thërrisnin “Shpëtimtari i atdheut”. Madje, disa poetucë rrugësh i këndonin në vargje ose më mirë të themi e ngrinin në qiell me himnet e këngët e tyre; ai që në kafenetë e Tiranës nuk duartrokiste kur këndohej himni i tij, do të rrihej pa mëshirë nga xhandarët e nga admiruesit e tij; bujtës të huaj stamponin në pëlhura rrezet e fytyrës së tij princërore, pallatin e tij të rrethuar me mure, kanale, përforcime e roje trupmëdhenjsh e të fuqishëm, ish të dënuar për krime, roje nderi: të gjitha këto mund të quheshin rezidencë e një despoti.

Kishin kaluar më tepër se 400 vjet dhe Skënderbeu nuk mundi të kishte nderin e një monumenti të tij në gjithë Shqipërinë, ndërsa tani mblidhnin firma për t’i ngritur një monument Ahmet Zogollit.

Shtepia e Librit - Blog


2 Komente

nuk e kam lexuar librin,prandaj nuk mund ta paragjykoj por ne qofte se i eshte referuar gazetave(ne c,do kohe argumente pro dhe kunder)nuk besoj qe do jete ndonje liber kushedi,,,,,,,,,,smiley

E kom librin ne origjinalin italisht.

Ky palo frati franceskan italion i drejtohet lexuesit me nji paragraf te vogel, cerek paqje, ku n' fjaline e fundit thuhet:

"Non prentendo che venga lodato da nessuno, solo che si conosca la verita e venga giustificato il gesto che il Duce ho fatto al giorno d'oggi."

Borgo Valsungana 7 - V - 1940-XVIII.

Ky legen prifti jo vetem do me justifiku Ducen me ket pacavure prej 90 faqesh por nuk din te boje as edhe ate pune mire. seriozisht bernut liber.

Se ku gjehen kto pare e kush i finacon kto horrlliqe 1 Zot i modh i di. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).