Qasja e problemit

(...) politika, për fat të keq, është një shkencë dhe një veprimtari shoqërore, për të cilën shumë njerëz të painformuar as për njërën dhe as për tjetrën e konsiderojnë veten si kompetent. Në këtë pikë politika barazohet me poezinë. Sikurse që në poezi çdo vjershëtar nuk bëhet automatikisht edhe poet, edhe në politikë, çdo njeri që merret me të nuk bëhet automatikisht edhe njohës i saj, dhe aq më pak, njohës i shkencës mbi politikën ose i shkencave politike. Dallimi konsiston në faktin se si duket, për t'u marrë me politikë, në rrethana të caktuara ia mësyejnë më tepër njerëz se sa në poezi. Ndoshta për shkak se u duket më lehtë ta provojnë "patriotizmin" e tyre, apo për shkak se është në natyrën e njeriut të ngazëllehet me mendimet e veta edhe atëherë kur ato i shërbejnë vetëm atij e jo edhe të tjerëve, ose ndoshta edhe për shkak se politika u duket një fushë aq e gjerë e veprimtarisë shoqërore sa që u duket e pamundshme të mos gjejnë bashkëmendimtarë për një mendim apo ide të veten. Duket sikur njerëzit në përgjithësi nuk e njohin karakterin e shkencave politike dhe e bëjnë përzierjen e aspekteve të ndryshme të saj. Dhe ky nuk është vetëm një gabim i rëndomtë i njerëzve në përgjithësi. Ai është një gabim tipik që e bënte dikur, dhe akoma e bën, edhe pjesa më e madhe e inteligjencisë, e cila nuk është marrë ndonjëherë seriozisht me hulumtime politike. Mjafton vetëm një vështrim sipërfaqësor i shtypit të ditës, por edhe i shkrimeve dhe i deklaratave me pretendime ca më serioze nga lëmi i politikës, për të konstatuar se zakonisht nuk bëhet dallimi themelor midis politikës si veprimtari shoqërore dhe politikës si shkencë, se nuk janë të qarta definicionet mbi termat e ndryshme politike dhe mbi nocionet e saj, se mungojnë njohuritë themelore mbi dukuritë dhe proceset e ndryshme politike dhe se shpeshherë mungon plotësisht vetëdija mbi konsekuencat e mundshme të këtyre gabimeve.
Shumica e njerëzve, duke dashur artificialisht të paraqiten si njohës të mirë të politikës, as që japin për të kuptuar me ndonjë fjalë apo fjali se shqyrtimit të ndonjë problemi eventual politik i qasen nga aspekti i shkencës apo i profesionit të vet me të cilin merren. Ndërkaq, ata të cilët dikur merreshin me shkrime politike, juridike, sociologjike, filozofike etj., të cilët shpeshherë në mënyrë artificiale në qarqe të caktuara i konsideronin si kompetentë të këtyre lëmenjve, ndonëse akoma u duhej edhe shumë punë për t'u bërë vërtetë kompetentë, në qoftë se nuk kanë qenë të heshtur me dhunë, tani sikur kanë heshtur vetë. Mund të ketë ndodhur kjo ndoshta për shkak të rrebeshit të kritikës së një praktike dhe një teorie të thyer, të cënuar në "pacënueshmërinë" e saj, dhe të dështuar gati në tërësi. Ndoshta për shkak se akoma nuk janë të gatshëm që postulatet e teorive të dikurshme t'ia nënshtrojnë rivalorizimit të kritikës së vetëdijësuar politike dhe akoma presin ditë më të mira. Dhe ndoshta për shkak se akoma dëshirojnë ta ruajnë "pacënueshmërinë" e "teorive" të tyre të vogla për të provuar "ringjalljen" në ditët e mëdha! Ato, dmth. "ditët më të mira" dhe ato "më të mëdha", me siguri se do të vijnë, por vetëm në kontekst të luftës së ideve dhe jo në kontekst të absolutizimit të tyre me dhunë, në kontekst të afirmimit të vlerave të njëmendëta dhe jo në kontekst të imponimit të gjysmëvlerave dhe të gjysmë-ideve, në kontekst të hulumtimit të së vërtetës dhe jo në kontekst të hulumtimit të mundësive për të afirmuar gënjeshtrën në vend të së vërtetës, në kontekst të luftës për progresin e njëmendët të shoqërisë dhe jo në kontekst të ruajtjes së pozitave të pamerituara në shoqëri. Demokracia këtë tani do të duhej ta bënte të mundshme, madje edhe të domosdoshme.
Ata nuk do të duhej ta ndjenin veten të prekur nga dështimi i një praktike e cila edhe ashtu në vete e përmbante dështimin. Fuqitë e veta intelektuale, përvojën politike, vizionin e botëkuptimeve të veta progresive do të duhej t'i vinin në shërbim të ndërtimit të raporteve të reja demokratike. Ata do të duhej ta dinin më mirë se të tjerët se e vjetra nuk mund të kthehet. Çdo kohë i ka të vërtetat e veta, por ato të vërteta që ngriten mbi mohimin e gjithçkafes edhe vetë do t'i mohojë e ardhmja. Ato nuk mund ta pretendojnë kurrsesi amshimin. Megjithatë askujt nuk duhet t'ia hajë mendja se brenda raporteve të reja demokratike dhe brenda suazave mbi të vërtetën e një kohe do të mundet që për një kohë të gjatë, ashtu si përpara, ta përvjedhë praktikën e vjetër të kanibalizmit intelektual, të vrasjes që në start të talenteve. Ajo "Der Geist" e Hegelit, të cilën e pretendoi të amshuar dhe të përjetshme, ajo sentenca e bukur e Goethes se "Intelekti e njeh intelektin" që doli nga thellësitë e gjeniut të tij letrar, le të lejohet të interpretohet si -intelekti do të duhej t'i shërbente popullit dhe jo vetëm vetes, dhe gjithsesi më pak egoizmit individual. Talenti le ta prodhojë talentin dhe jo ta ngulfasë atë.
 
Nofkat dhe demokracia
Nga ana tjetër, me dashje ose pa dashje, shumë të tjerë u përfshinë në vorbullën konvulzive të historisë. Këtyre nuk u ha mendja se e rrotulluan dynjanë. Këta natyrisht e dijnë se fjala është për demokracinë dhe jo për imitimin e saj, se ndërtimi i së resë nuk mund të fillojë nga hiçi, se nuk mund të mbështeten në mohimin kuturu të gjithçkafes, se nuk mund t'i mohojnë rezultatet e arritura të një periode të tërë të zhvillimit në emër të një periode tjetër. Këta e dijnë se një gjë e tillë nuk do t'i përngjante historisë por vetëm një gjurulltie historike. Brenda së vjetrës gjithmonë ka qenë e pranishme e reja. Ajo me të cilën nuk duhet pajtuar është praktika e vjetër politike dhe jo rezultatet pozitive të asaj praktike. Janë metodat e vjetra politike që, duke ngecur prapa nevojave dhe kërkesave, e frenuan edhe zhvillimin, jo vetëm në një moment të caktuar, (në momente të caktuara mund të shkaktohen përmbysjet, "rrotullimet" e pozitave, ndërrimi i raporteve etj.), por gjatë gjithë kohës. Në qoftë se në fillim i ndihmuan paksa zhvillimit e kohës, koha pastaj i tejkaloi. Ky ishte një fat, një ligjshmëri e zhvillimit shoqëror gjatë historisë. Mirëpo kjo ligjshmëri nuk guzon të shërbejë si pretekst për t'i frenuar proceset pozitive, as për të arsyetuar pasivitetin e dikurshëm apo aktual, indiferencën, shmangien nga lufta. Nuk ishte faji i të tjerëve që praktika e vjetër politike dhe arsyetimi i saj intelektual në emër të komunizmit, me qëllim apo pa qëllim, nuk deshi ose nuk diti t'i prijë kohës. Për këtë shkak, këta do të pajtohen me gjithçka të ndershme (metodat e pandershme nuk mund të të çojnë drejt realizimit të qëllimeve fisnike) që i ndihmojnë ndërtimit të së resë, ngritjes së popullit. Këta nuk mund të pajtohen as me intencat e vetëdijshme ose të pavetëdijshme, as me synimet e qëllimta ose të paqëllimta dhe as me metodat e menduara ose të pamenduara që e frenojne ecjen përpara. Dhe për shkak të këtij qëllimi të tyre nuk mund të përjashtohen nga jeta shoqërore me metodën e vjetër të etiketimit më parë si irredentist e nacionalist, kurse tani si "të kuqë", "komunistë" e "marksistë-leninistë". Disa, si duket, kujtojnë se demokracia është pronë e tyre private. A thua demokracia doemos duhet të ngritet mbi mohimin total të së djeshmes, apo është fjala për tentimin që të vazhdohet e djeshmja nën vellon e demokracisë?
Këto "nofka", në kontekst të faktit se kush kujt ia vë, në kontekst të kuptimit real të përmbajtjes së tyre dhe të qëllimit të kohës dhe të rrethanave historike, janë punë tejet joserioze: komunistët e dikurshëm të sistemit i etiketojnë bartësit e njëmendët të demokracisë, ata që që i kontribuan fuqimisht lindjes së saj, dhe ua mohojnë të drejtën e pjesëmarrjes në jetën shoqërore të demokracisë, me pretekstin e "majtizmit" të tyre. Në emër të kujt dhe të çkafit e bëjnë një gjë të tillë? Në momente serioze talljet nuk kanë vend. Demokracia u akceptua në mënyrë plebiscitare nga të gjithë, andaj, ku mund të ndodhet mbështetja dhe qëllimi i "nofkave" të tilla? Këta, si duket edhe Abraham Linkolnin, po të ishte gjallë, dhe po të deklaronte si qëmoti, se "demokracia është në shërbim të popullit e për popullin" padyshim do ta merrnin për "të majtë". Ndërkaq, Jawaharlal Nehru-në, mbase do ta merrnin edhe për një "marksist-leninist", meqë kishte lindur në një vend të pazhvilluar dhe meqë kishte pasur guxim që në autobiografinë e tij të shkruante se "Politika ime i takon klasës sime, borgjezisë", për të konkluduar më vonë me pikëllim, pas një përshkrimi të kushteve të llahtarshme të kategorive të ndryshme të popullsisë indiane, se "e kuptova më shumë se kurdoherë më parë se sa kishim qenë të ndarë nga populli ynë dhe sa kishim jetuar, punuar dhe agjituar në botën tonë të vogël dhe të izoluar nga ai" (shih Jawaharlal Nehru, An Autobiography, Allied Publishers, 1961, New Delhi). A mos kishte bërë ai ndonjë akt militant "prej komunisti" kur e kishte lënë amanet që afër urnës me hirin e tij në Nju Delhi të shkruheshin fjalët: "Isha në shërbim të popullit të Indisë"? Dhe së fundi, a nuk ia vunë edhe Fan Nolit, demokratit tonë revolucionar, nofkën "bolshevik"! Më në fund, a është real dhe i mundshëm anatemimi i një sistemi të tërë mendor, ndalimi me ligj i së majtës, dhe a thua nuk do të rezultonte një gjë e tillë në riaktivizimin e tij, në kushte të ndryshuara, si një vulgatë e fuqishme në një Evropë të ardhshme, akoma të palindur? Duket sikur nofkat dhe demokracia nuk mund të ecin së bashku.
 
Marrë nga Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare", Rozafa, 1995

1 Komente

o ukshin shqiptari,  shqiperia eshte ne duart e ''dumpareisteve''!

edhe zoti eshte bere hileqar,  merr njerezit dhe le kafshet e kopshtit kafshologjiksmiley

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).