No security: në radhë për security check

Xhupa plagosur mbi konvejerë,
zorrastarët derdhur jashtë,
rripa mesesh sekret-zbërthyer,
të fshehta blekberri që zukasin,
rebuse kundrash të zgjidhura,
orë të ftohta si Zvicra,
mbërdhijnë bizhùtë - Hirushe të braktisura,

si drejt shtratit të dashnisë zhvishet turma,
heq mbulojat
drejt skanerave zhvirgjërues
të sigurisë,
një epsh metalik bëzan
b’zzz… b’zzz…

gjarpërushe që rrëzon lëkurët,
striptizë patriotike -
radha.

Mirëkuptim solidar.
Vetëm unë
cingërisem,
me zët
nga radhalandi,
radhùa
shumëfaqësh
erdha në radhë
një mijë herë
për nder armë e qejf
të nëntogerit,
kumandarit lab të skuadrës,
civilisht për nder të Mister Bulmetit,
Monsinjor Mishit, Kont Teritalit,
Madhërisë së Saj Queen Qepës...

Security check dhe assembly line,
mbërthim, zbërthim pushkësh të vjetra,
do-gra, do-burra,
qiellza metalike qelizat gjarpërore
kërkon me gjuhë
për vanilje helmi,
gjë nuk gjen,
vajti shtrenjtë
helmi,
rralluar si flok
dëborash plaka,
s’ka helm,
veç lëngje të pafajshëm,
koka kola shkujdesur,
fanta si fantazi
plot gaz,
harè tropikhargalisur frutash
që s’dinë ç’po ndodh,
s’marrin gjë ters -
pH neutral si Zvicra,
distiluar dy herë
pafajësia,
ne jemi avuj me rè endè, presim
sublimim pas dyerve e syve drejtkëndësh
t’kontrollit,
six sigma – karvan i s-ëve
dhe detale hekuri me drithërima gri
tek presin akronimin QC,
si një princ të ngrysur nga familja mbretërore,
kju si – dinasti e ashpër nga lindja e largët,
në vete zbuloj një dado të dyshimtë,
dyshoj qumshtin e mëkimit,
po-sikure me blegërima t’papërshtatshme
dhe aroma largu sàde nëpër shqeto,
bzzz...
nuk shkon sherebela ime me reklamën e madhe të D’ior-it
që me lan me flori kallp prej nënklase,
jorgan najloni,
vobektësia e karatëve të mi, stërpikje
me të verdhë të mekur
ngjyrë faji të vjetëruar
anash,
faqe libri e paraluftës,
fëminia beh me dialekte e shira të shkurtër vere që nuk bien më,
mohavèja ndehet fundore mbi mëlçi,
një daulle veshi më gabon për shi,
sërisht një çështje fluidesh, them,
dhe zhive të pabesë
që gjendjet fizike tradhton me shpejtësi,
presim,
jemi vetëdije pikatoresh, pipeta,
epruveta
qelqi pyrex,
dinosauria të lodhur
nga tirani e orëve,
99 mililitra - alikimia e re e botës imè,
kjo (bota) shquan tej xhamishtesh ende të verdha
pahitur nga squfur ndëshkues,
s’ka shi të lajë polenet e kohës,
pishat pjalmuese që dot nuk rrinë
pa ejakulime n’ajër,
kama sutra farëzhveshurash
që bie si pëlhurë e tyltë mbi visore,
faj vëllimor
100 mililitërsh
fatal si Thou shalt not,
o vëllami im me shkelje vëllimi,
bashkëqiells që dheu na përçan
e ajri na bashkon,
natyrisht,
mes Delta Airline,
pika e njëqindtë
ra nga strehët e mëdha të durimit,
filtruar nga myshqet e qiellit të jugës,
e ngrohta përkthehet bezdi, ka kohë,
më zgjoi
nga ecja somnambulse
si e çdo radhe të ngadaltë
prej dylli.

Kapitalizoj mbi radhën
si dikur plakat,
një radhë e tri punë,
thurnin çorape, shkuesira
dhe prisnin “Furnizimin”,
radha, një nepërkë pika-pika,
bjonde e grisur,
gjymtyrë-përkryer,
me plagë të çelëta xhinsesh që s’i mbyllen,
ku sytë e mi kullojnë pa fund
dyllë retinash të nxehta,
yndyra të pangopura
alidemse.
Ja tjetra, latine,
Zot, ç’ia tërbove
indet e gjoksit!
Vamos, vamos,
spanglishtja seksi,
theksi
me gjoks e përçina
nikeli,
në mes
”Kanale grande”
djersësh hispanike,
dhoma vishtullore motelesh
kondicionerë-prishur
trutë lubrifikojnë
rrezikshëm.

Hallka hekuri
nëpër këmbët e zbathura
çorapet me turp
për vrimat mëkatare
ku depërton
terroristi parruar,
thua i pa prerë
me bërsi magjishë
të lagëta,
të linjta qepësh
dhe sqetulla të mysëta,
faji rri varur si glob mësimor
me itineraret tona,
jemi specie shtegtare
shtatë majmunësh që kuturisën
nga shpretka e djegur e Afrikës,
kohën shtegtojmë më shumë se dheun,
portale kohë-hapsirash aeroportet
shtatë universet përziejnë
si baristët kokteilin - bota e bukur
një syth i vrarë nga ngrica,
pijet përzjerë si pasthirrma – banakët vranë ballet,
zgjimet çomange të rënda,
gong pas nokdauni,
në sy këmbëngulin flut’rat,
i përpiktë avioni, por
gradientë të rrëmujës sundojnë flurudhat
e predhave dhe grahsve
të tokës,
Geisterfahrer ,
një plumb kundër kahut të vrikut,
kurth - autobahnat gjermanike,
kahjet ngatërruar qëllimisht
itineraret britanike,
udhët e botës si spaheti
ngjisin,
al dente,
pjerrtaz, italike ndërdhëmbjet,
hundëkuar
n’emboutillage polistike,
zhytur në salcëra frankofone,
me hot calzone,
S. Stallone,
Alende lone
Al Kapone,
al Jazeera,
al Banira
Shakira,
Shazam,
bam bam bam…

për kë bien kambanat
dhe bzzz... ky skaner?

Pasthënie - No security: bad influenza

Qiell reportabël
na derdhi zhavor
grykës’ urët
t’aeroportit,
turma zbritëse beton në ngrirje,
random check;

një zonjë
hapi këmbët, krahët,
nxori inde shamish, organet,
pankreasin e fisëm prej republikaneje,
mëlçinë konservatore,
gurë të çmuar nga veshkat moluske,
delir sakrifice,
kontrollomëni,
ma lini një krehër...

... një mace qeshire tinëz pas portash,
buzëqeshja pluskoi
e zezë terse,
vjedhur çelësi kopil
për gjithë bravat e botës,
sybuhavitur
një qelizë e fjetur
farmaceutike,
një bakter pa pasaportë
i shtamit Shengen,
pikë-kontrollin e fundit
me kontrollorë buzëqeshës
kaluan
për influencë të keqe.

3 Komente

gjithmone kenaqesismiley

dhe pas saj pyetesor per veten

pse me pelqen rremuja?

 

erdha në radhë
një mijë herë
për nder armë e qejf
të nëntogerit, 
kumandarit lab të skuadrës,
civilisht për nder të Mister Bulmetit,
Monsinjor Mishit, Kont Teritalit,
Madhërisë së Saj Queen Qepës..

per te miren e popullit, per sigurine kombetare. Ritmi, rimat e brendshme ,fjalite qe priten  nga nje fjale pasuese, percjellin bukur zvarritjen  e radhes me padurimin e pritjes. 

Nice, Em.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).