Trill dhe shqetësime, tejdukshmëri dhe reliev kristalesh, emocion mendimesh, elegancë poeti dhe guxim qytetar, pa e tejkaluar guximin, zhgënjime dhe pohime metaforike, ja, ashtu siç është në përgjithësi krijimtaria e Evgeni Jevtushenkos, janë dhe këto poezi për Shqipërinë dhe shqiptarët, të shkruara në atë vit kur Poeti i njohur rus, dikur sovjetik, vizitoi vëndin tonë, më 1991, teksa diktatura sapo kishte rënë. Ndërkaq i ka rimarrë ndër duar ato poezi më vonë, në vitet 2000, pra ato paskan qenë seriozisht në vëmendjen e poetit, pjesë e shqetësimeve të estetikës së tij, sa qetësuese, po aq dhe rebeltare, me politikën brënda, një përzierje e tyre me një lloj madhërimi kapriçoz dhe me zbulesa, ku diku shpaloset tirania dhe diku optimizmi, jo pa dëshpërim dhe me një si dritë, që sikur derdhet nga një dritare spitali fosforeshent, me pacientë të çuditshëm, që ndiejnë se kanë tjetër epikrizë nga ajo që i trajtojnë. Kohë patalogjike që i vetëkupton streset që edhe iluzionet i ka shndërruar në të vërteta. Jevtushenko në fund të fundit na duket se është poeti që beson, i beson besimit të tij dhe dhëmbjeve të tij, u gëzohet të dyjave, pa qenë cinik, madje ai i gëzohet më së shumti dashurisë, e tillë duket se është çdo poezi, gjë që shihet dhe në ato që na ka dërguar për Shqipërinë. Ishte befasi e mrekullueshme për ne, në kuptimin poetik. 

Më përpara se të vinte:

... kishte ardhur fama e Jevtushenkos në Shqipëri, kur diktatura e këtushme ia kishte dënuar emrin si revizionist, dekadent, estravagant, i çthurur, i shitur në Perëndim, etj, kështu shkruhej në shtypin shtypës të kohës. Në fakt këtu dënoheshin ata që do të mund të flisnin për të, që do të donin ta lexonin duke mos patur lejen dhe mirëbesimin e nomenklaturës. Se, e tmerrshme, ai kishte shkruar dhe një poezi kundër Enver Hoxhës, e denonconte Enveri vetë në një nga librat e tij të shumtë, aq shumë antipoetikë, po aq dhe antinjerëzorë deri në dënim, të zbrazët nga filozofia dhe të mërzitshëm si kumt. Por diktatorit, siç duket, i kishte pëlqyer që një poet i njohur, aq në modë, jo vetëm në Moskë, por në të gjithë Bashkimin Sovjetik, në të gjithë perandorinë komuniste e më tej, me jehonë në botë, e kishte marrë në konsideratë. Kjo natyrisht e kishte mikluar, ishte shumë për të, luks, edhe pse i mësuar me poemat që i kushtoheshin, të poetëve shqiptarë, që, për dreq, mbeteshin këtu, brenda për brenda dhe aq, por, sipas meje, ndonjëherë disi të ngjashme me poezitë e Jevtushenkos, ato politiket, por me shenjë të kundërt, se janë njëlloj të padurueshme poezitë që i kushtohen një diktatori si dhe ato që e ndëshkojnë atë, sidomos kur nuk kanë qëllim të parë atë poetik. 
Partia sunduese, e vetmja, me institucionet e saj, por mbi të gjitha me Ministrinë e Punëve të Brëndëshme dhe ambasadat e atëhershme, një përzierje e organizatave të partisë me vatrat e kulturës së fshatrave, kujdesej zellshëm që të përhapeshin poezitë e poetëve të saj, një a dyve të tillë, që himnizonin rendin, diktatorin, veprat e tij, duke paguar me floririn e punës së papaguar të të burgosurve politikë në miniera, ku ishin rroposur dhe shkrimtarë. 
Ky mekanizëm i prapë mbi sipërfaqen e vet ka një si rrezatim të mynxyrshëm që në mënyrë parodike, por trishtueshëm, gjendej dhe në poezinë e Jevtushenkos dhe të kolegëve të tij shqiptarë, i pari për ta denoncuar, të tjerët për ta mbështetur. 

Kundër, por jo kundërshtar, "Fëmijët e këqinj të regjimit"

Në poezinë e Jevtushenkos ka një zëmëratë të tillë të çiltër kundër kultit të Stalinit, e mbështjellë me estravagacë politiko-poetike. Gjejmë dhe në biografinë e vetë Jevtushenkos se të dy gjyshërit e tij u arrestuan gjatë sundimit të Stalinit, në terrorrin e vitit 1937, në kohën e spastrimeve të "armiqve të popullit". Jevtushenko gjente rastin dhe kundërshtonte hapur, por ai nuk u njoh si kundërshtar i sistemit, nuk u shpall disident. Mbase për këtë, përveç talentit të tij të padiskutueshëm, ai u la të ngjitej në majat, përkëdhelej siç porosiste dhe Marksi ("Poetët kanë nevojë për ledhatime") dhe lihej i lirë të ikte nëpër botë, në perëndimin kapitalist, rivali i pamëshirshëm i socializmit të tij, që i besonte dhe i këndonte, qoftë dhe jo drejtpërsëdrejti. Ai është i pari poet sovjetik që u la të çajë Perden e Hekurt në vitet '60 për të recituar poezitë nëpër botë. Që nga atëherë ka vizituar më shumë se 95 vënde dhe është përkthyer në 72 gjuhë. A e patën këtë mundësi kolegët e tij? Futeshin poetë nëpër burgje? Besoj se e dinte... 
Larg, sidomos në Shqipërinë nevrangritëse, e shkëputur nga kampi, nga perandoria komuniste për t'u rrokullisur më keq, në mjerim dhe në mbylljen hermetike plot me bunkerë, (që na shfaqen dhe në poezitë që na ka dërguar Jevtushenko), përsëritej apo imitohej shëmtueshëm Bashkimi Sovjetik, dukuria Jevtushenko, do të thosha. Realizmi socialist, që të linte më të lirë disa nga kapriçozët e vet, më të talentuarit për të, kompensohej me zelltarë të tjerë, më zhurmëtarë të pa rrezikshëm, të kollajharrueshëm. 

Por qysh në vitin 1955 Jevtushenko kishte shkruar një poemë për kufijtë sovjetikë si pengesa të jetës së tij. Dy vjet më vonë ai përjashtohet përsëri nga shkolla, këtë radhë nga Instituti "Gorkij" me akuzën "për individualizëm". Iu ndaluan udhëtimet, por fitoi popullaritet të madh. Pasi do të vlerësohej nga Boris Pasternak, do të vazhdonin dhe nga jashtë lavdërimet nga Carl Sandburgu, Robert Frost, etj. 

Kur po shkrinin akujt, është fjala për periudhën kur erdhi në pushtet Hrushovi dhe pati hovëzime liria e shprehjes, Jevtushenko ishte një nga autorët më aktivë politikisht dhe botoi më 1961 poemën e tij më të famshme, "Babi Yar", ku iu kundërvu mashtrimeve sovjetike ndaj fakteve të historisë. Masakra naziste mbi hebrejtë e Kievit ka qënë e shoqëruar me antisemitizmin në Bashkimin Sovjetik, me persekutime nga vetë qeveria e kuqe. Prej kësaj poeme u frymëzua kompozitori i madh Dimitrij Shostakoviç për Simfoninë e tij Nr 13 dhe më vonë, në vitin 2007 Jevtushenko do të ishte në listën e atyre që do të propozoheshin për çmimin "Nobel". 

Ndërkaq KGB-ja i kishte raportuar Byrosë Politike Komuniste për "veprimtarinë anti-sovjetike të poetit Jevtushenko". Por atij ndërkohë i kishin vënë dhe nofkën "Zhenia Gapon", emri i një prifti rus që në Revolucionin e 1905 ishte dhe udhëheqës i rebelëve dhe agjent i policisë sekrete. Në vitin 1965 Jevtushenko u bashkua me Anna Ahmatovnën, me Zhan-Paul Sartrin e të tjerë që së bashku nënshkruan një letër proteste kundër gjykimit të padrejtë të Josif Brodskit. Po kështu dhe kundër pushtimit të Çekosllovakisë nga forcat e Traktatit të Varshavës. Jevtushenko njihet dhe si kineast, libretist, regjisor, interpretues dhe ka qenë përzgjedhur që në një film të regjisorit dhe shkrimtarit italian, Pazolini, mik i tij, të luante Krishtin, por nuk e la buokracia sovjetike. E si do të ishte një Krisht i ardhur nga Lindja e kuqe, nga stepat? Megjithatë liria krijuese në Moskë nuk dënohej aq vandalisht, në mënyrë aq vrastare dhe harbutshëm sa në Tiranë. Tiranët e Tiranës vogëlane donin të bëheshin të mëdhenj me ligësitë e marra nga metropoli komunist, që në fund të fundit kishte një traditë shekullore e shkolla të mëdha, që e pengonin. Tek ne asgjë s'e ndalte dot mizorinë. 
Kur Jevtushenko do të pranohej si antar nderi në Akademinë Amerikane të Letërsisë dhe Arteve në vitin 1987, Brodski vetë do të drejtonte protestat që e akuzonin Jevtushenkon për dyfytyrësi, sepse, sipas tyre, ai e kritikonte Kremlinin aq sa e lejonte, sa donte dhe sa i duhej, sepse ishte po Kremlini që e dekoronte si një zë të patrembur kundërshtie. 

Në vitin 1989 Jevtushenko zgjidhet deputet, anëtar i grupit prodemokratik të Gorbaçovit. Më pas mbështeti Jelsinin në mbrojte të parlamentit të Federatës Ruse gjatë grushtit të shtetit. Por kur Jelsini dërgoi tanket në Çeçeni, Jevtushenko e denoncoi aleatin e tij të vjetër dhe nuk pranoi një çmim prej tij. Ndërkaq ai ka justifikuar liritë e tepërta që i jepte vetes presidentit rus Putin duke thënë se Rusia bashkë me të është duke luftuar për të gjetur rrugët në një kohë kur idealet janë shkatërruar dhe mbretëron interesi. 
Megjithatë Anatoli Kudrjavitski shkruan: "Pak nga poetët rusë kanë gëzuar statusin e pop-yllit virtual... Në realitet ata ishin larg nga çdo lloj proteste kundër totalitarizmit sovjetik, prandaj nuk mund të konsiderohen, si me çdo gjë tjetër, veçse fëmijët të këqinj të regjimit". 

Sot

Evgeni Jevtushenko jeton më shumë në SHBA, i pa shpëtuar nga mosmarrëveshjet, ku shpesh largimet e kësisojshme kritikohen si ikje nga përgjegjësitë. Por monumentet nuk emigrojnë, thotë Jevtushenko në një nga poezitë e tij të fundit. Jep leksione për poezinë ruse dhe evropiane si dhe historinë e kinemasë botërore në Universitetin e Nju Jorkut. Në Perëndim ai mbetet i njohur për kritikat e tij burokracisë sovjetike dhe trashëgimisë staliniste. Punonte për një roman për kohën e krizës së raketave kubane, kur ai, siç thuhet, ishte mik me Çe-në, Allenden dhe poetin nobelist Pablo Neruda. Por ka qenë mik dhe me Pikason, Shagallin, Henry Moor, Heinrich Böll, Gabriel Garsia Markez, etj. Me Kadarenë janë njohur në Institutin "Gorkij" dhe Jevtushenko shfaqet në romanin "Muzgu i perëndive të stepës". Shkruan poezi si përherë, ftohet gjithandej, tregohet nostalgjik, hedh ide e kundëride, sfidon, jo vetëm sistemin socialist, të rënë tashmë, por edhe kapitalizmin, i nisur nga ana humane. E kam dëgjuar dhe vetë të shprehet për bashkimin e idealeve të rëna me praktikat e parëna, pra një lloj hibridi mes socializmit dhe kapitalizmit. Hibridët janë të destinuar të mos jetojnë gjatë, vërente Franc Kafka, i cili edhe ky ishte i ndaluar rreptësisht në Shqipëri, shahej nga specialistët e socrealizmit shqiptar, dënohej lexuesi i tij, ai që s'kishte liçencën e Partisë, kurse në Bashkimin Sovjetik e në të gjithë perandorinë komuniste jo vetëm botohej, (së pari në Jugosllavi), por Franc Kafka shihej si fenomen i madh letrar. 

Takimet dhe tema e Shqipërisë

Gjithsesi Jevtushenko mbetet poet i angazhuar, mjeshtër i temave sociale, nuk i trembet politikës, përkundrazi, e bën atë po(li)-e-tikisht, por ndërkaq poezitë e tij të dashurisë, - megjithëse, e thamë, çdo poezi është dashurie, kështu duhet të jetë, - janë të mrekullueshme, ndër më të bukurat, antologjike, kanë ritëm një si trokëllimë takash e tundjen vezulluese të flokëve, dihatjen, etj. 

Poezi të tij, ato që sillte rasti të gjendeshin tek ne, qarkullonin fshehurazi ndër studentët e brezit të viteve '70, '80, kuptohet të shekullit të kaluar dhe përhapeshin paksa nëpër qytetet nga vinin e shkonin ata studentë, Tiranë e Shkodër, Lushnjë e Korçë, Berat, Kukës e Lezhë, nga ku dhe nisnin, ku i përkthente me pathos njëri nga avanguardistët tanë të pashpallur si të tillë, Rudolf Marku, por dhe nga miq të tij përreth, kopjoheshin nëpër fletore, ç'kishte përkthyer njëri e tjetri, i çonim dorë më dorë si trakte, teksa përbënin një rrezik për atëherë. 

Jevtushenko ka ndikuar tek poezia e atyre viteve në Shqipërinë socialiste, ka dhënë diçka nga tonaliteti, metafora politike e poezisë, aq sa ka dhe tema të përbashkëta me të tijat, tituj të njëjtë, këndvështrime, qytetari, pavarsisht se më pas i janë përgjigjur Jevtushenkos me mllef si një armiku. 
Në akt-akuzën time, kur më dënuan, është dhe "Jevtushenko". Pse e ke lexuar, ku e gjete revizionistin, armik dhe ti, - më bërtisnin në hetuesi, - I ke përkthyer poezi, dhe kujt, atij që ka shkruar kundër Enver Hoxhës, të ikën koka, a e di? Ku e ke gjetur librin "Molla", ë? - që në fakt nuk e kisha parë kurrë, përveçse disa poezive në një revistë sovjetike, të mbetur në Bibliotekën e Shkodrës, ma dhanë miqtë në mirëbesim. I përktheva në një klasë të ftohtë në orët e vona të mbrëmjes me pedagogun tim, Ligor Cullufen, sot diplomat në Moskë. 

Kur erdhi Jevtushenko në Shqipëri, e pritën poetët Bardhyl Londo, Rudolf Marku, etj, dhe mësova për bisedat, takimet, shëtitjet e tij të vetmuara nëpër Tiranën e shkretë deri në dëshpërim, por me liri të porsanisur dhe me shpresa të gjalla, bujtjen në vilën e kryeministrit të (vetë)vrarë në Bllok. Dija që atje kishin fjetur dhe të tjerë të njohur nga fushat e artit, si piktori i njohur Ibrahim Kodra, Adem Demaçi, shkrimtari që erdhi nga burgjet e gjata nga Kosova, Mentor Çoku, botues, President i Unionit Islamik për Perëndimin në Romë etj, edhe shkrimtari-shkencëtar, argjentinasi me origjinë arbëreshe Ernesto Sabato. Janë interesante përjetimet e ndryshme në atë vilë misterioze. Zgjime natën, fantazma të pérgjakura, ikje për të mos u kthyer më. Po Jevtushenko aty e shkruajti poemën e tij "Pagjumësi shqiptare"? 

Dhe i kishin thënë qysh sa mbërriti në Shqipëri që a e dinte se vinte në një vend ku ishin dënuar për poezi të tij? Ai kishte heshtur sërisht, por, besoj, dhe me krenari diskrete. Se e kujtuam dhe bashkë, kur pata rastin të takohem me të në Itali. Në Milano na pranuan në të njëjtën ditë si antarë të PEN Klubit. Shkëmbyem librat tanë të fundit, i dhashë atë që më ishte botuar anglisht në SHBA, "The condemned apple" ("Molla e dënuar"), titulli i të cilit ishte marrë nga poezia që i kushtohej Jevtushenkos, ku tregohej ankthi i hetuesisë, kur bërtitej dhe emri i tij në qelitë e policisë në një qytet në Veri-Lindje të vendit, në Kukës, në kufi me Kosovën, pavarsinë e së cilës, shpalljen e saj Republikë, Rusia nuk e pranon dhe Jevtushenko dukej sikur ruante opinionin politik të vendit të tij. Më shikonte me sytë e butë, me një xixëllimë të përthellët, ashtu i veshur në mënyrë piktoreske, me shumë kuadrate, me shapkë në kokë dhe ia përkthente rusisht rrëfimin tim një ruseje bjonde, që kishte në krah. Mbase gruaja e tij e katërt. I pëlqente që kishte qenë aq i rrezikshëm në Shqipëri. Dhe më tha se kishte shkruar poezi për Shqipërinë. Edhe për Mehmet Shehun. 
- Për Enver Hoxhën, - i ndëprerva, duke menduar se i ngatërronte këta dy emra tani. 
- Jo, jo, për atë që ishte kryeministër, në vilën e tij kam fjetur, - më sqaroi. 
Ndërsa flisja një herë në telefon me të, në nëntorin e kaluar, gjatë panairit të librit në Tiranë, ma dha celularin miku i tij italian, poeti Sebastiano Grasso, që përuronte librin në shqip, zëri i Jevtushenkos më vinte i superfuqishëm dhe me ndëprerje, do të dërgoj poezitë për Shqipërinë, - thoshte, - gjej dikë që di rusisht mirë e përktheji. - Urdhër si i t'i mëdhenjve. 

Kujtova menjëherë mikun tim të burgut, Inxhinier Ismail Farkën, lauruar në San Petërburg, lexues i poezisë, njohës pasionant i Dostojevskit dhe i Franc Kafkës, m'i predikonte në burg si një shenjt dhe si një djall. Dhe poezitë e ardhura me e-mail, i kalova në adresën e tij, po në SHBA, në Los Anxheles, ku dhe banon, i ikur pas trazirave të '97- es. 

Po i shikoja me përmallim, kishin saktësi në përkthim, sintaksën e duhur, ishte kapur më e rëndësishmja, toni superb dhe inxhinier Farka më lutej që të mos e vija emrin e tij si përkthyes, shikoji vetë, krahasoi, ndreqi, rimoji, se unë me hekura jam marrë, "hekraxhi, hesapi" - thoshte duke ngacmuar veten. Eh, desha t'i përsërisja atë që i thosha në burg, pak a shumë kështu: "ka 'hekraxhinj' që kanë poezinë në shpirt ashtu siç ka shkrimtarë që kanë hekurin... prangat." 

Po ç'e tërhiqte Jevtushenkon, ç'fije e lidhnin me Shqipërinë e shqiptarët, që zbraz aq dhëmbje e admirim e qortim të kujdeshëm? Na bëjnë përshtypje përsiatjet e tij, marramëndthi në shtëpinë e kryeministrit shqiptar, të vetëvrarë a e të vrarë nga bashkëluftëtarët e tij, shokët, nga ata që sollën diktaturën më të rëndë në të gjithë perandorinë komuniste, nga vetë Enver Hoxha, thënë shkurt. Seç ka një pagjumësi makbethiane, që poezia jonë nuk e vuan, madje ia këput gjumit pa merak fare, do të thoshim. Kurse poezia tjetër e Jevtushenkos, "Shqiptarka" zbulon virtyt e pastërti virgjine dhe besim në vlerat e brishta dhe ëndërritjet, të emocionon edhe për sigurinë që na përçon. 

Po pse ky mall dhe adhurim? Mbase nga që Jevtushenko vetë vjen nga një qytet i vogël i Rusisë aziatike, ka lindur në Zima të Irkuckut më 1933 në një familje fshatare ruse e përzierë, ukrainase, tartare. Atje i kishin syrgjynosur të parët e tij. Stërgjysh i tij, Josef Jevtushenko, i akuzuar për veprimtari subeversive pas vrasjes së perandorit Aleksandër II në vitit 1881, vdiq rrugës së internimit për në Siberi, i prangosur. Një gjysh e kishte oficer në Ushtrinë e Kuqe. Babai i Jevtushenkos, Aleksandër Rudolfovich Gangnus, ishte gjeolog, siç ishte dhe nëna e tij, Zinaida Ermolaevna Jevtushenko, e cila më vonë u bë këngëtare. Ndërkaq kujtojmë se librin e parë Jevtushenko e botoi në Moskë, kur ishte 19 vjeç, "Zbuluesit e së ardhmes". 

Në moshën madhore të poetit të njohur, atij dhe brezit të tij të shkrimtarëve sikur u kërkohet të bëhen dhe "zbulues të së shkuarës", por desha të them se sikur fëminia ka aftësinë të përsëritet, fillimi rishfaqet më vonë me vegimet e hershme si një nostalgji e kujtesës dhe e nënndërgjegjes. Prandaj në vizitën e tij në vendin e vogël ballkanik, ndoshta iu përtëri diçka e andejshme dhe e atëhershme, një mirësi e gjithmontë tokësore, ku dhe zhgënjimet, shkaqet mashtruese, mëkatet sikur tolerohen më mirë se gjetiu, o nga hallet e tepërta o nga mënjanësia parake o nga një forcë morale e qëndrueshme. 

I sjellim këto poezi në shqip, (për poetët e vërtetë nuk ka pse pritet ndonjë datë jubilare), si një kërshëri poetike, ku të gjitha, edhe ato që s'janë për Shqipërinë, ngjajnë si të shkruara për këtu, me një këndvështrim interesant, njëkohësisht dhe si hakmarrje ndaj së ndaluarës, kur nuk na lejohej dhe vetja, sfidë tani dhe pjesë e lirive tona, por dhe si mirëkuptim me të tjerët dhe kohët, një falenderim poetit Jevtushenko, për mënyrën se si na ka parë, që, sipas meje, mund të nxirren dhe porosira, edhe qejfmbetje të bukura. Në këtë rast nuk ka rëndësi se sa dakort do të jemi me të, por duke parë se na vërejnë të tjerët, të dimë të shohim më thellë dhe brëndësinë tonë, më kthjellët, me drejtpeshim e qortim të mirë, natyrshëm dhe me dashuri, duke mësuar të çmojmë vetveten medoemos. 

Epilogu ose pranimi i baltës

Në poezinë e Jevtushenkos gjejmë atë që do të na duhej ta kishim dhe në poezinë tonë, fundin e perandorisë komuniste, një "requiem", që nuk është vajtim funebër për diktaturën, janë çensura, Gulagu, internimet, nostalgjia për shpresat e popullit (rus) të gënjyer nga revolucioni sovjetik dhe më pas nga ai antikomunist. Por dhe dashuri dhe Zot. Pra në poezinë e Jevtushenkos është Evgeni Jevtueshenkon. 
Çfardoqoftë politika jonë, nëqoftëse tek ne nuk është Zoti dhe aftësia për të dashuruar, - thotë Jevtushenko, - atëhere ajo, politika, në rastin më të mirë është një humbje kohe e padobishme dhe në rastin më të keq është krim. 
Nëse unë e paradija rënien e perandorisë sovjetike, nuk e kisha parashikuar se mund të ndodhte para syve të mij, - shkruan ai. - Bëja pjesë mes atyre që e shtynin Rusinë si një kamion të zhytur në baltë, - shpjegon, - e kur historia vendosi të lëvizë, ky kamion na doli duarsh, ia mbathi shqetësueshëm në mënyrë të tmerrshme sikur ra nga një mal. Historia na e kaloi të gjithëve dhe ne mbetëm me fytyra të përbaltura, - guxon të thotë Jevtushenko. 

Vërtet është prekës ky sinqeritet poeti, njëlloj vetëqortimi dhe pranimi i përbaltjes. Si shenjë e mundit zhgënjyes, e mëkatit, e fajit të pafajshëm, e pafajsisë së fajshme. T'i ketë menduar të gjitha? Po a qëndrojnë kështu bashkë? Te poeti po. Do të dëshironim t'i gjenim dhe te poezia jonë. Se sot ajo na duket se nuk ka brerje të ndërgjegjes, veç amnezi. Ndërsa krenaria atavike, për të mos thënë gjë tjetër, mund të jetë dhe pengesë.

SHQIPERI, ÇDO TE BEJME ME LIRINE E MADHE 
(4 poezi të dërguara nga vetë Poeti)

EVGENI JEVTUSHENKO

* * * 
Shqipëri, ç’do bëjmë me lirinë e madhe, 
me këtë grua trathtare të ndërgjegjes? 
Në qorrsokak të dytë, 
me këngën fitimtare, 
liria në paliri do na çojë drejt tërheqjes? 

Në banja gjaku na argëtuan marrëzisht, 
me kapitalizëm po na ndjellin të fortët. 
Do ta gënjejnë Rusinë 
dhe Shqipërinë sërisht 
dhe sërisht do të rrjedhin të hidhur lotët? 

1991 

PAGJUMESIA SHQIPTARE 

“Mua më duket sikur në varr ka telefon - Enver Hoxhës direktivat Stalini ia dërgon” 
Trashëgimtarët e Stalinit, 1962 

Unë fle në shtratin e Mehmet Shehut- 
kryeministrit të Enver Hoxhës. 
Vila e nomenklaturës s’është hedhur 
si ashkël tej nga revoltat e kohës. 
Mbijetoi vila. 
Ashtu si më parë, 
por s’dihet për kë dhe përse. 
Unë, si patriarku partiak shqiptar, 
në shtratin dopio jam zhytur të fle. 

Idealet komuniste ku janë, 
në ç’vrimë të zezë përpirëse? 
Mbi trupin e ngrirë kallkan 
një mal jorganesh kapitaliste. 

Ne - dy vende të bosh-piedistaleve, 
të shitoreve-bosh, ne - dy vënde. 
Rusia u bë Shqipëri e stërmadhe, 
me demokracinë timon të rëndë. 
Pa qeshur, 
me një rusishte të ftohtë 
një vëlla thatiq nga Shqipëria më thotë: 
“Sovietpoetët - pa breg. 
Shqiptarpoetët - pa brekë.” 

Mbi shtratin e Mehmet Shehut 
është pulti i shërbimit, që ti, Enver, 
mbase e shpike, rri ngrehur, 
vizatuar në të 
një revolver. 
Vërtet vrau veten ai, 
apo 
me urdhër e vranë? Po... 
sa e ulët kjo epokë e ideve të mëdha! 
Të mos dish është turp. 
Vuajtje - të dish gjithçka. 
Përplaset mbi dritare si mizë dimri, 
ai plumbth i nxjerrë nga tëmthi. 

Baseni është krejt i ndotur 
nga palmat e pështira. 
Drejt meje vështrojnë “kallashnikovët”. 
Dhe emrat e lodhur të ushtarëve - 
në drurët tropikalë të gdhëndur kot. 
Dhe, pasi shoh fytyrat fshatare, 
mendoj: politikan a bëhem dot? 
Është krim të vrasësh, 
mëkat - të vetëvritesh 
dhe absurde - 
të lejosh të të vrasin. 

Shtrat i sfilitur nga gjum’ i ndërprerë, 
në zgrip përpiqet të thotë diçka. 
E shenja e revoles në tastierë 
prapë nëpërmënd natën pagjumë, 
është gati plumbthi i shtrenjtë, 
të shërbejë, ja, dhe tek unë. 
E fantazma kryeministrore 
me vdekjen e vet e papajtuar prore, 
fshehtanake e sekretit mundues, 
avitet në shtratin lëngues 
dhe ka vendosur 
gjithçka ta tregojë. 
E pse? T’më shtojë ankthe, 
shqetësime? 
Ka kaq vjet që unë s’i duroj 
sekretet e mia, 
heshtjen time. 

1991-2004 

CENSURA E MOSPËRFILLJES 

Të presësh falje nga populli - e kotë. 
Varri është më i gjerë, nëse s’ka asnjë lule. 
Me pështymë hiqet balta, kur mbi arkëmort 
pështyjnë mburracakët me përbuzje. 

Por më mirë smira, të jesh i urryer, 
sesa telashi të mbulosh me lopatë, 
apo me dorë gojën e çapëlyer 
për një gogësimë të thatë. 

Na ishte një censurë, njëlloj asfiksie, 
këputi qafën, shkoi ajo. 
Në vënd të saj - censurë me mospërfillje, 
tmerri vetë na doli dhe kjo! 

Medet, ne vjedhim veç veten tonë 
prej kohësh që s’mbahen mënd. 
Letërsinë që meriton. 
ka çdo vënd. 

Në veshët tanë dhëmbje sfilitëse. 
Letërsi e dashur, më fal si përherë. 
Mos na dëno. Me mosperfillje 
ndaj mospërfilljes sonë mos u hakmerr. 

SHQIPTARKA 

Shqiptarkë e bukur, çupërlinë, 
katërmbëdhjetë vjeçe, e zbathur. 
The se të quajnë Aksinjë, 
“Po Melehovi të është shfaqur?” 
“Ende s’e kam, - psherëtive lehtë, - 
s’e dua shpellar, e dua poet”. 

E rrallë për kohën, s’gjen ngaherë 
një vajzkë kështu, e tëra perrí, 
që burrin të mos e dojë bankier, 
plot me para, por me poezi. 

Jeta vetë ecën dhe vonë a herët 
do vijnë vajza me intelekt të fortë. 
Ato s’do martohen kurrë me skllevër, 
Ato s’do marrin tiranë bashkëshortë. 

Etje parash e egër do jetë tretur 
tek ne, në Rusi, tek ju, në Shqipëri 
dhe do ngadhnjejë në shekuj e shekuj 
i shenjti mall i madh për poezi. 

Dhe poetët-gjeni do të shpërthejnë 
mes bunkerësh pa shpirt, të ngrirë 
si balle divash të rënë, 
nëndhé rroposur, në errësirë, 
për të mos u ngritur kurrë më. 
Ja u ngritën! Skllevër s’na bën asgjë. 

I përkthyen nga origjinali: Ismail Farka e Visar Zhiti

MES FRIKËS DHE TURPIT 

* * * 

Hë pra, shqiponjë dykrenore, 
për ku po fluturojmë mes reve, 
drejt ç’lavdie të re poshtëruese 
mbi torturën çeçene? 

Nëpër frikë dhe turp, aty 
mbi majat varg, 
njëra tjetrën s’e shohin dot në sy 
dy kokat e shqiponjës lart. 

Pëndët ndërkaq kush t’i flakte 
sipër pluhurit dhe shkrumbit? 
Jo, nuk qe zgjedhje zhgabe 
mes frikës dhe turpit. 

23 dhjetor 1994 

AI... 

Ai na dha një mësim... ndodh kështu dhe sot. 
Ai me të vegjëlit është serioz dhe i pandershëm. 
Përpara forcës së padrejtë – ai asnjë fjalë nuk thotë, 
përpara dobësisë së padrejtë – ai është i tmerrshëm. 

Është frikacak dhe në të njëjtën kohë po ai, 
merret me ndëshkime, padurueshëm i qetë. 
Forcës së padrejtë duhet t’i kundërshtosh me trimëri 
dhe vetëm pastaj dobësisë së padrejtë. 

____________
*) Ky përkthim u kushtohet atyre zyrtarëve që na ndodh të punojmë e që vazhdojnë të kënë po ato sjellje si këto që tregon Jevtushenko në këtë poezi të viteve ’60 të shekullit të kaluar. (Shën. përkth.) 

MAMA 

Gjithnjë largohet mamaja me vitet e saj... 
Gjithnjë e më rrallë në agim ngrihet. 
Fëshfëritja e gazetave që shiste në skaj* 
s’e freskon më dhe s’e ngushëllojnë hijet. 

Gjithnjë e më e hidhur çdo thithje e ajrit, 
Gjithnjë e më e rrëshqitshme toka si akull. 
Gjithnjë e më e rëndë butësia e shallit, 
aspak fluturues, vdekur mbi shpatull. 

Kur ngadalë avitet e lodhur rrugës, 
bora e mbështjell gjithë kujdes lirik. 
Dhe shiu, këlysh, i lëpin këpucët 
dhe era, se mos e rrëzon, ka frikë. 

Pra në këtë kohë fare pa lehtësira, 
ajo më e lehtë bëhet vazhdimisht. 
Dhe unë llahtarisem se mos nga Rusia 
si pupël ma fluturojnë jashtë kufijsh. 

Po unë në ç’mënyrë atëhere të pi 
nga shenja mëmësore ujin e jetës? 
E dashur, të lutem, edhe pak rri, 
që nëna ime të më mbetesh. 

17 gusht 1994 
____________
*) Nëna e poetit shiste gazeta në një nga kioskat e stacioneve të metrosë së Moskës. (Shën. i botimit italisht.) 

MILINGONA AFGANE 

Dergjet një djalë rus mbi tokën afgane. 
Mbi fytyrë i endet një milingonë myslimane. 
Prej ditësh vdekja s’e ka rruar. Ç’mundim të ecësh... 
Dhe i mërmërit milingona me zë të imët, vdekës: 
“Ti s’e di tamam se nga rende për ato plagë. 
Vetëm di se diku, afër vendit Iran. 
Nga u shfaqe ashtu kundër nesh me armë, 
ti që së pari këtu dëgjove fjalën ‘islam’? 
Atdheut tonë të zbathur halleplot, 
ç’do t’i jepje ti apo rreshtin e kotë? 
Njëzetë milionë të vdekur s’mjaftojnë ende 
për të mbërritur në këtë gjëndje?” 

Dergjet një djalë rus mbi tokën afgane. 
Mbi fytyrë i endet një milingonë myslimane, 
që do të donte të lutej ashtu ortodoksisht të ngrihej djali, të bëhej me shpirt. 
Në atdhe, në veri, me vejusha e jetima, 
pak kanë mbetur milingona të tilla. 

Shkruar më 1983. Botuar për herë të parë më1990 

MONOLOGU I NJERIUT TË PASNESËRM 

As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie, pa parti Noja, ideator i arkës-anije. 
Duke nënqeshur keqas, të gjitha partitë 
i shpiku djalli, ç’shije e pistë. 

Dhe brenda mollës, me ritualin e lashtë, 
si krimb kishte futur - krim e gjarpër bashkë - 
politikën, profesion me prejardhje djallëzore 
dhe krimbëzoheshin njerëz kohë pas kohe. 

Politika shpiku policinë, 
Politika shpiku kryetarët. 
Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë, 
jo partitë dhe nënndarjet. 

Po ku janë partitë tona të dhimbjeve, 
të vuajtjes së vejushave, të frikës së fëmijëve? 
Partia e syve të skuqur ku është vallë, 
në hirin e Aushvicit, My Lait, Gulakut të gjallë? 

Por një ditë, një ditë, një ditë, 
për stërnipërit tanë të gjitha partitë 
do të kujtohen si një gjë e tejshkuar 
si egërsia, si Babiloni e rrënuar. 

Dhe bota pa të mangët dhe sharje do të jetë, 
pa sakatë moralë në pushtet 
e të gjithë do të futemi në një parti 
me emrin e thjeshtë: njeri. 

Shkruar në 1972. 
Botuar për herë parë në 1991 

* * * 

Nuk ka rëndësi 
në ke ti studiues, 
por ka rëndësi 
në ke ti pasues. 
Fjala jote s’do të kushtonte fare, 
nëqoftëse në të, me etjen e zgjimit, 
nuk është mbuluar fara e së ardhmes – 
mundësia e shenjtë e vazhdimit. 
Krijo, artist, me guxim, digju 
dhe fol! 
Dhe do të shfaqet Fjala, 
e thjeshtë dhe e madhe si mollë, 
me fillimin e mollëve brenda.

11 Komente

Mbaj mend ne tekstin e letersise te shkolles  se mesme, Jevtushenko quhej "poeti gagarel" dhe sillej nje varg i tij si shembull degjenerimi borgjez: jam dashuruar me kitaren e kabareve.Nga kjo e hengri dhe F.Nano, i dashuruar me buzuqet.

Poezia "Pagjumesi shqiptare" t hedh t vdekun n toke.Fama eshte si flama.

Ky takimi i 91-it ke salla e arteve me kujtohet mire.. Si zbythet koha smiley

*****

Shqipëri, ç’do bëjmë me lirinë e madhe, 
me këtë grua trathtare të ndërgjegjes? 
Në qorrsokak të dytë, 
me këngën fitimtare, 
liria në paliri do na çojë drejt tërheqjes? 

Në banja gjaku na argëtuan marrëzisht, 
me kapitalizëm po na ndjellin të fortët. 
Do ta gënjejnë Rusinë 
dhe Shqipërinë sërisht 
dhe sërisht do të rrjedhin të hidhur lotët? 

Kjo me terhoqi edhe mua. Cike e cuditshme qe ketyre shkrimtareve (ky apo Oruelli etj) gjithmone  u dalin parashikimet e keqija, po asnjehere parashikimet optimiste.

 

Idealet komuniste ku janë, 
në ç’vrimë të zezë përpirëse? 
Mbi trupin e ngrirë kallkan 
një mal jorganesh kapitaliste

Boh sa e rende...

Çfardoqoftë politika jonë, nëqoftëse tek ne nuk është Zoti dhe aftësia për të dashuruar, - thotë Jevtushenko, - atëhere ajo, politika, në rastin më të mirë është një humbje kohe e padobishme dhe në rastin më të keq është krim. 

Me bukur se kaq nuk mund te thuhet. Pa dashuri s'ka kuptim asgjë!

p.s. Monda, rrofsh per prurjen smiley

Kur ngadalë avitet e lodhur rrugës, 
bora e mbështjell gjithë kujdes lirik. 
Dhe shiu, këlysh, i lëpin këpucët 
dhe era, se mos e rrëzon, ka frikë. 

Pra në këtë kohë fare pa lehtësira, 
ajo më e lehtë bëhet vazhdimisht. 
Dhe unë llahtarisem se mos nga Rusia 
si pupël ma fluturojnë jashtë kufijsh. 

Po unë në ç’mënyrë atëhere të pi 
nga shenja mëmësore ujin e jetës? 
E dashur, të lutem, edhe pak rri, 
që nëna ime të më mbetesh.

flm Monda per kete prurje te mrekullushme!

Rrofsh Monda. Ti je skauti jone.

Shkrimi i Visarit pak i merzitshem, por poezite shume te kenedeshme.

Kam qene tek takimi me Jevtushenkon. Plot salla e Akademise se Arteve me Ema Andrean qe recitonte, ky qe i puthi doren, dhe Ema Andrea qe u skuq e u sikletos publikisht.

Ketyre poezive u ka mbetur ngjitur real-soci si çumçakizi poshte sholles.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).