Faleminderit, që nuk lexoni! Thank you for not reading! Dhe kujtohuni se mosleximi është ai që rrezikon seriozisht jetën, mirëqenien dhe shëndetin tonë.

Përmes një rezolute, UNESCO-ja ka vendosur që 23 prilli, Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e të Drejtave Autoriale, të lidhet me emrin e Cervantes-it dhe të Shakespeare-it. Kemi lirinë ta përfytyrojmë këtë ditë si një nga ato çastet jo fort të zakonshme të historisë së shkruar, kur velat e anijeve-admiral të dy mbretërive detare rrinë ulur, apo si ditën kur një spanjoll dhe një anglez i fusin penat në myll dhe bëjnë paqe.

Por nëse besojmë te labirintet e mendjes Borges - i cili mendon se Cervantes-i nuk trashëgonte as virtytet dhe as veset e spanjollëve, ndërsa Shakespeare-i është aq pak anglez, sa mund ta marrësh fare mirë për italian apo hebre – duhet të kërkojmë arsye të tjera. Mund të hamendësojmë se UNESCO-s, më shumë se dy emra, i janë dashur dy metafora dhe më shumë se për dy mjeshtrit, është kujdesur për librin dhe leximin.

Pikërisht këtë të fundit, leximin, kishim parasysh dy vjet më parë kur, teksa organizonim edicionin VI të Festivalit Poeteka, iu vumë “prodhimit” në mënyrë klandestine dhe artizanale të një sasie paketash, të cilat do të kishin rrotulla me dorëshkrime poezish në vend të letrave të mbështjella me duhan. Slogani qe i thjeshtë dhe në dy gjuhë: “Leximi nuk dëmton rëndë shëndetin tuaj dhe të atyre që jetojnë pranë jush!”-“Reading does not seriously harm your health or that of those live around you!” Veç kësaj secili do të kishte mundësinë të lexonte së paku një poezi në vit; secilit do i jepej mundësia të kishte një tekst origjinal dhe të dorëshkruar në shtëpi. Qëlloi të ishte një histori pa fund. Di vetëm se leximi që nuk dëmtonte rëndë shëndetin as u mbrojt, siç mëtohej dhe as u nxit, siç u tha.

Përtej kësaj më duhet të qartësoj se ajo që vazhdon të më tërheqë vërtet nuk është leximi në vetvete, por ajo që ndodh pas leximit. Mbetem kureshtar të mësoj se ç’pëson një njeri pasi mbyll kapakët e një libri? Çfarë ndryshon dhe ç’transformohet tek ai? A është e vërtetë se mendja dhe shpirti ynë pas leximit përjeton ndjesi dhe procese të ngjashme me ato që provon dhe ndien trupi kur në të futen lëndë ushqyese apo helme?

Prej kësaj mund të vërejmë se ne ose bëjmë gjoja sikur lexojmë, ose energjia, frymëzimi dhe forca ndikuese e librave, ajo që nxit dhe shkakton te njerëzit pasione, frymëzim dhe veprim për të ndryshuar diçka në jetë, i përket një kohe të shkuar dhe ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Tundimi për të folur gjithmonë e më shumë rreth librave të lexuar mbetet i dukshëm. Këtë e bëjmë me ngulm, e përshkruajmë me hollësi dhe sofistikim. Veçse më është krijuar përshtypja se ne flasim për këta libra jo se duam të flasim vërtet për ta, por ngaqë besojmë se edhe librat flasin për ne që i lexojmë këta libra.

Por ne flasim për librat duke nxjerrë nga vëmendja se leximi nuk është qëllimi kryesor i librit. Përkundrazi. Qëllimi i librit duket se ka të bëjë me ndikimin te lexuesi, zhvendosjen e tij diku tjetër, përtej asaj që është dhe asaj që ka. Por ne flasim dhe duam të lexojmë si ai djaloshi i Robert Musil-it, të cilit bibliotekari mendjekthjellët i këshillon dy gjëra, kur ky shfaq dëshirën të lexojë çdo libër që ndodhet në bibliotekë. Së pari, se koha për t’i lexuar të gjithë librat është e pamjaftueshme, edhe sikur të ndërpritet çdo shkrim e botim i ri. Së dyti, bibliotekari i hap zemrën duke besuar se ai nuk kishte kurrfarë lidhjeje me mendimet e shprehura në librat e bibliotekës së tij, se nuk kishte lexuar asnjërin prej atyre librave, por ishte mjaftuar me titujt, skedarët, përmbajtjen e lëndës dhe me shënimet e katalogëve që i kishin rënë në dorë. Thelbi është i qartë. Marrëdhënie tjetër me librin dhe leximin.

Më 23 prill, gjatë Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të të Drejtave Autoriale, provova dy ndjesi: Nga njëra anë nuk desha ta tëhuaj krejt nga vetja ndikimin e kësaj dite, dhe nga ana tjetër nuk kisha dëshirë për t’iu bashkëngjitur ndonjërit prej grupimeve që e kremtuan në mënyrë të organizuar atë ditë. Mendja më tha se një mënyrë përkujtimi mund të ishte të lexuarit veçmas e një fragmenti nga libri që kam më për zemër: Don Kishotit. Dhe çfarë lexova?

Romani është mjaft i gjerë dhe, për t’ju kursyer kohë do të kisha dashur t’ju këshilloj atë që sot këshillohet rëndom dhe nga të gjithë në shkollë, në rrugë e në shtëpi: në vend të librit, filmin. Veç druhem se skena që dua t’ju paraqes ndoshta nuk gjendet në versionin filmik. Skenën në fjalë do e gjeni vetëm në kreun XXXII të pjesës së parë të Don Kishotit, përkthyer për ne prej Fan S. Nolit. Kërkon pak nge, sigurisht, si të gjitha punët e dëshirës. Dhe mund t’ju siguroj vetëm për një gjë: kurdo që ta hapni librin, sot, nesër apo mot, në këtë skenë do të gjejmë përherë të njëjtët njerëz: një prift, një berber, një hanxhi dhe ca të tjerë rrotull.

Prifti përpiqet të bindë hanxhiun se historitë e librave të kalorësisë, që ky i fundit pëlqen, janë histori të shpikura e të sajuara nga shkrimtarë të ngeshëm për të eglendisur dhe për të shkuar kohën. Hanxhiu, nga ana e tij – që sapo ka thënë se ishte i gatshëm të flakte në zjarr evlatin, por jo dy librat e tij të dashur – bën këtë rrëfim: edhe pse librat bashkë me historitë që rrëfejnë ata i pëlqejnë shumë e shumë, ai prapëseprapë nuk dëshiron as të bëhet kalorës i arratisur dhe të jetojë si Don Kishoti. Përse? Sepse hanxhiu i mençur kishte arritur të kuptonte se kërkimi i aventurës, pjesë e së cilës është edhe leximi, ishte adet i vjetruar atëbotë.

Do kishte qenë mirë që hanxhiu i zgjuar ta mbante për vete këtë vëzhgim të rrallë. Por ja që s’ndodh ashtu. Fjala e tij bie në vesh të një shqytari të përmendur, si Sanço Pança, i cili, nëse ju kujtohet, është një nga dëgjuesit më të vëmendshëm në roman. Me të dëgjuar se aventura e nxitur nga leximi kishte dalë nga adeti dhe nga moda, Sançoja vendos që të heqë dorë nga shqytarësia, ta neverisë të zotin dhe të kthehej në punën e tij të zakontë, pranë gruas dhe fëmijëve. Durim. Çasti mallëngjyes nuk ka mbërritur ende. Ky çast vjen kur Sançoja, si i ka kthyer mendjen vetes, luan gurët t’i kthejë mendjen edhe Don Kishotit. Përmes një këshille plot urtësi dhe humor ai e fton të dorëzohet. Hiq dorë nga aventura! Hiq dorë nga ëndrrat! Hiq dorë nga leximet, imzot! Thelbi është më se i qartë. Dukshëm.

Në këtë pikë unë nuk dua të di vetëm një gjë: kush na i shpif leximet? Kush na e nxjerr nga zemra atë ritual aq të dashur: shkrimtarët, lexuesit apo ata që flasin e s’dinë të reshtin së treguari mbi vlerat e librit dhe leximeve? Cila shtysë na bën të japim dorëheqjen, kush si shkrimtar, kush si këshillues e kush si lexues?

Dorëheqjet, siç edhe dihen, janë një gjë e shpeshtë në jetë dhe, pavarësisht se ne shqiptarët nuk farfurijmë në këtë lëmi, këtë gjë e dimë. Ne njohim edhe natyrën e dorëheqjeve: arsye politike, familjare, moshore, shëndetësore etj., etj. Por kohëve të fundit vala europiane e dorëheqjeve priret drejt dorëheqjeve që kanë si shkak të parë jo arsyet politike dhe shëndetësore, por ato letrare, arsyet që lidhen me tekstet – me shkrimin dhe leximin. E meqë çdo aventurë kërkon një shëmbëlltyrë, kujtohem se i tillë qe rasti i Presidentit hungarez, Pal Schmitt, i cili dha dorëheqjen nga përgjegjësitë shtetërore në një mëngjes jo të bukur prilli të këtij viti, pasi iu dëshmua plagjiatura në tezën e doktoraturës? A nuk i ndodhi kështu në mars të vitit të shkuar edhe ish-ministrit gjerman të Mbrojtjes, zotërisë së nderuar, Karl Theodor Maria Nikolaus Johann Jacob Philipp Franz Joseph Sylvester Freiherr von und zu Guttenberg, të cilit iu dëshmua gjithashtu plagjiaturë në tezën e doktoraturës? A nuk i ndodhi njëlloj edhe eurodeputetes gjermane të Partisë Liberale, Silvana Koch Mehrin, e cila dha dorëheqjen nga të gjitha postet politike pasi Universiteti i Heidelberg-ut vërtetoi praninë e plagjiaturës në tezën doktorale? Ja ku na del se këshilla e Sanços ndaj Don Kishotit, për dorëheqje nga aventurat me bazë shkrimin dhe leximet, përveçse kuptim, ka pasur edhe aktualitet.

Po ç’lidhje kanë shembujt mësipërm me ne? Përse duhet të bëhet objekt bisedimesh në auditorë, në qendra studimore e kërkimore një temë si plagjarizmi? Sidomos në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të të Drejtave Autoriale?! Thjesht si lutje, ndoshta: O zot, o perëndi! Mos ia ço ndokujt ndërmend të hapë edhe këtu te ne çështje të marra dhe krejt pa dobi si ajo e verifikimit për falsifikim dhe plagjiaturë të doktoraturave, të titujve apo të gradave shkencore! Këshilla e Sanços ndaj Don Kishotit nuk na përket ne. Ajo është një këshillë që një europian i jep një europiani tjetër. Ne nuk jemi ende të tillë. Ne jemi kandidatë, thuajse kandidatë. Dhe i kemi plotësuar disa nga kriteret! Kemi hequr dorë nga leximet. Kemi hequr dorë nga aventura e kërkimit intelektual, siç kemi hequr dorë edhe nga ëndrrat me libër! I jemi bindur Sanços! Se është ndotur dhe është bërë i pabesueshëm i gjithë procesi, jo veçmas shkrimtari, lexuesi, libri dhe ata që nuk reshtin së foluri për librin.

Teksa shkruaj këto radhë më vjen të ndërpres për pak punën dhe t’u shtroj drekën në tryezë fëmijëve të mi, të cilët, si gjithë brezi i tyre, nuk dëshirojnë të shtrohen për të ngrënë në tryezë, por marrin nga një pjatë në dorë dhe ushqehen duke u ulur përballë televizorit, ku ëndjet nuk janë sfilitëse, të paktën jo sa leximi i librit. Vërej me këtë rast se tryeza - si objekt shumëfunksional i të ushqyerit, por edhe i shkrimit dhe i leximit - po del nga përdorimi. Bashkë me tryezën po dalin nga përdorimi edhe shprehitë edhe domethëniet e të ulurit në tryezë. Duhet të jemi të përgatitur për këtë. Që të mos kapemi gafil, siç u kapëm kur nga shtëpitë filluan të zhduken bibliotekat familjare.

Ndërkaq, kam dëgjuar se leximi është një sindromë e transmetueshme, që mund të përcillet nga unë te fëmijët e mi, ndaj më duhet të bëj jo më pak se Sançoja: ta mbroj pjellën time nga leximi dhe lëndimet që sjell ai. Për shkak të brezit dhe të formimit nuk më bën zemra t’i zhduk, por më duhet t’i fus në skuta të padukshme librat e autorëve si Franz Kafka, që këshillon se duhen lexuar vetëm ata libra që janë në gjendje të na plagosin, të na shkundin si me një goditje pas kokës.  E di se kjo është paksa kundër frymës së epokës. Shoqëritë e sotme janë ndryshe. Ato i ngjajnë pak a shumë hanxhiut të Don Kishotit, që kënaqet duke lexuar libra me aventura dhe me arrati nga kjo botë, por nuk dëshiron të jetë aventurier dhe arratik. Njerëzit e shoqërive të sotme janë në pritje që një Moisi i ri të hapë sërish një rrugëkalim drejt lumturisë, drejt haresë, gëzimit dhe dëfrimit. Librat nuk e ofrojnë një shërbim të tillë. Më të mirët me tyre vazhdojnë të lëndojnë, të plagosin, të mos lexohen dhe të mos shiten as në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së drejtës autoriale ku, për t’i ndjellë rishtarët në lexim, ofrohen zbritje deri në 30%.

Ndaj le të çlirohemi në këtë pikë nga njëri-tjetri, lexues! Nuk kemi më arsye të vetëmashtrohemi duke u shtirur si të sjellshëm, të edukuar dhe si qytetarë. Faleminderit që nuk lexoni, miq! Apo “Thank you for not reading!”, siç shprehet Dubranka Ugresic. Tekefundit, përse u dashka të lexojmë? A nuk është leximi një sakrificë, një bishtnim nga detyrimet familjare, një shmangie ndaj shoqërisë, një devijim social që pëlqen veçimin kur të gjithë duan të jenë bashkë, të socializohen, të globalizohen?

Këtu gabojmë, me sa duket. Këtu kam gabuar edhe unë kur, i ftuar në një takim me djem e vajza të dhjetës në një shkollë të kryeqytetit, thashë se Erazmusi, sa herë që i zinte dora ndonjë para, ngarendte të blinte libra. Thashë edhe se  Hemingway nuk kishte mik më të vërtetë se librin. Kam thënë edhe se Ezra Pond-i mendonte se të lexuarit është pushtet, të cilin nuk duhet të lejojmë të na e marrë dikush tjetër. Kam thënë edhe se John Waters-i qe i bindur se nuk duhet të lexojmë për t’u kënaqur, por për të qenë më pak qortues ndaj sjelljes së miqve tanë të çmendur, me huqe dhe me vese, çmenduri, huqe dhe vese prej të cilave nuk jemi të mbrojtur as vetë ne.

Për t’ua futur në gjak leximin duhet t’u kisha thënë edhe faleminderit që nuk lexoni. Faleminderit, por jo me kaq zell. Leximi duhet. Duhet, gjithsesi. Kjo nuk diskutohet më: leximi na duhet! Jo vetëm që duhet, por pa lexim jeta jonë është në rrezik dhe e kërcënuar. Mund ta shmangësh leximin e një libri, por nuk mund ta shmangësh leximin e një etikete, për shembull. Nëse nuk lexon një libër nuk bëhesh detyrimisht vrasës. Por nëse nuk lexon një etiketë bëhesh vrasës dhe kriminel i lig. Pa lexuar etiketat mund të marrim ilaçin e gabuar dhe kështu i marrim jetën jo vetëm vetes, por edhe të dashurve tanë, madje edhe qenit që kemi në shtëpi. Mund ta shpërfillim librin, por jo leximin. Mosleximi nuk na leverdis. Pa lexuar rrezikojmë më shumë se duke lexuar. E si mund të aplikojmë mbi një formular për punësim kur nuk lexojmë? Si mund të kursejmë nëse nuk i lexojmë letrat nën derë, ku shpallen uljet e sezonit dhe ofertat turistike? Faleminderit, që nuk lexoni! Thank you for not reading! Dhe kujtohuni se mosleximi është ai që rrezikon seriozisht jetën, mirëqenien dhe shëndetin tonë.

9 Komente

.....ehhhh, nje thirrje ne shkretetire...... ndoshta eshte dikush qe te degjon...... edhe kaq mjafton.......

sapo e lexova  dhe mendova se eshte dhe vendi qe ta ndaj me ju kete thagme....... (meqene se eshte dhe tema e tille)

 

 

Klosi mund të ish vetëvrarë qoftë dhe prej Jozefinës
  

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka tentuar pas Berishës të përfshihet në korin e ngushëllimeve publike për Ardian Klosin. Dhe në një njoftimin e saj për shtyp, dalë nga zyra e saj ku punojnë dhjetëra vetë, zbulohet vulgariteti dhe injoranca e një drejtuese shteti, kur thotë se Ardian Klosi njihet si përkthyes i shquar i …. “Hajnrih Man”. Në fakt ka dy shkrimtarë të mëdhenj në botë, Hajnrih Bël dhe Tomas Man,  por Klosi ka perkthyer Hajnrih Bël-in qysh ne komunizem.

Topalli nuk ka faj se nuk ka lexuar ndonjë libër, as të Bëlit, as të Manit dhe as të Kafkës. Por meqë rasti i vetëvrasjes ishte shumë delikat dhe shoqëria arriti të shfaqë një mbështetje të pazakontë për një intelektual, i cili i dha fund jetës mes të tjerësh nga padurimi për vulgaritetin, injorancën dhe mungesën e vlerave që e rrethonte, zonja Topalli duhet të bëjë pak kujdes, të mos shfaqet si një arsye përse një intelektual duhet të vrasë veten kur shteti ku jeton drejtohet prej njerëzve të tillë.

----------------------------------------------------------------

ps

injoranca nuk paska kufii.... keta nuk ditkan as me kopju mer daj...pupupupupupu.....

joooooooo smiley

Alidems,degjoje Pjerin kur thote:"mos u nxitoni djema"smiley

Po jo moj venus, se Klosi nuk ka pas aspak pune me kete Hajrih Manin, dhe aq me pak te kete qene kaq i madh sa i vellai...ketu qendron puna.....

Degjo,se mund te jete dhe e kunderta,qe kjo Xhozi ,lexon aq shume ,sa e njeh dhe ket' te voglin dhe i eshte ngaterruar me te madhin.smiley

S'ka pas pune Klosi,por ka pas Xhozismiley

Flitet qe i ndjeri kish kene duke punu per perkthimin e "The Satanic Verses", n'fundin e t'cilit, nga nji perziemje e depressionit dhe skizzofrenise shkon puna deri aty ku Farishta vret Allie-n (probleme n'çift), dhe pastaj vetvritet. Hmm.

Autorin ne fillim s'po e kuptojsha, po me dukej sikur po hecte mbrapsh, mirpo me mbrapa e kapa ironine e tij smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).