Ëndërr mono

 

Një re si gjumë, ndrysh’ nga të tjerat, veç,

më ze përfund, më shin me ëndërr e më nuk di

në jam këtu, apo gjëkund, ku një merimangë

tjerr një fole me terr, ku vdes gjith’ e më herët

muzgu pjerrët, ku përnatë ngecin miliona miza

me sy të ndritshëm e shkundin fletët.

 

Mes nesh hyn pastaj një derë e kyçur keq,

një derë për dalje në rast zjarri, me hënë e yje

mbetesh ti jashtë, apo gjëkund, nga ku agu

ndërton një strofull veç për të tjerët, në t’errët

digjem unë me flakë të zeza si varrezë xixash

me sy të nxjerrë dhe dritë memece.

 

Është ëndërr mono e një shiu vetjak, tek

flemë, çift me veten, cili jam nga ne të dy s’di,

a në jam veç ky, apo gjëkundi andej matanë

ka pafund të tjera pika reja, ku lahemi të tërë

dikur, ku lidhen e zgjidhen çdo çast kërthizat

me tjetrën në mes si anët e derës.

 

Hapmë, gjemë, merrmë, mbyllmë prapë...

 

2 Komente

Awesome! Love the way the images precede the underlying mood, which in turn yanks and tugs those images and gives birth to new ones.
Thank you for sharing.

E lezetshme,ne fakt nga titulli kujtova se ka noj lidhje me Monin e Qazim  Mulletit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).