Privatizim-Varfërimi

Në yjësinë privato-varfëruese po shndrit një yll i ri: ai i qeverisë shqiptare si pioniere e privatizimit total. Berisha ekzaltohet duke e quajtur Shqipërinë vendin parajsor nga duhet marrë shembull...

Po sikur një ditë të dalë lajmërimi: “Që nesër ajri ka dalë në treg! Parelinj të të gjithë botës, konkurroni! – firmosur: qeveria e Naltmadhnisë së tij, Zotit të shqiptarëve, Sovranit të së gjallës e të pagjallës, Nurit të Pejgamerit, Hijes së perëndisë, Të lakmuarit të botës mbarë, Sali Berishës. Kuptohet që prej së nesërmes, e drejta për të jetuar do të shndërrohej në mundësinë për të jetuar në varësi të aftësisë për të paguar ajrin e shndërruar në mall. Nëse nuk munden të gjithë, keq na vjen! S’do jetojmë të gjithë mbi këtë dhe’. Ka vend poshtë pafundësisht. E jo sepse ajri do të rrallohet (hajt, t’i japim vetes shpresë se s’ka me mbërrit qameti në të gjallin tonë), por sepse privatizimi është më efiçent e prodhon më shumë fitim, sjell më shumë investime e na rendit më lart në statistikat e fundamentalizmit privatizues, jo më pak keqbërës se ai fetaro-terrorist, por gjithsesi më pak spektakolar.

Nëse s’mundemi të jetojmë pa ajër, a mundemi të jetojmë pa bukë, ujë?! A quhet jetë, nëse kjo ka kuptim ca më të gjerë se gjallimi i pakkohshëm, të jetuarit pa dritë, ngrohje, punë, arsim, pyje, parqe, kopshte, biblioteka…?! T’i privatizosh ato do të thotë t’ia nënshtrosh jetën njerëzore, e sidomos jetën e më të dobtëve e të nëpërkëmburve të shoqërisë (që në tonën dërrmojnë me shumësinë e tyre), logjikës së fitimit të të paktëve; do të thotë t’ia nënshtrosh të drejtën, si mundësi e aktualizim për të gjithë, praktikës së forcës e shtratit të dhunës së konkurrencës, si fjala joshëse që ideologjikisht fsheh përmbajtjen e përjashtimit çnjerëzor.

Privatja privon, d.m.th. përjashton gjithkënd tjetër përveç pronarit nga zotërimi i një të mire e përdorimi i një hapësire. Prej logjikës konkurruese (ndërluftuese) kapitaliste, privatja shenjtërohet ndërkohë që duart e privatëve pakësohen e ajo çka ata zaptojnë rritet. Kuptohet që të shumtëve s’u mbetet veç të shtrëngohen jo vetëm në papronësimin e çdo mjeti prodhimi, por njëkohësisht edhe në përjashtimin nga çdo e mirë a dimension publik.

Në yjësinë privato-varfëruese po shndrit një yll i ri: ai i qeverisë shqiptare si pioniere e privatizimit total. Berisha ekzaltohet duke e quajtur Shqipërinë vendin parajsor nga duhet marrë shembull, oazën e zhvillimit e begatisë që s’ka krizë që e tut a step. Në fakt ka të drejtë, veç jo në premtimin magjepsës propagandistik, por në parashtrimin e së ardhmes së zymtë të ndërtimit të kështjellave të paprekshme parajsore për të paktët gjithnjë e më të pakët, jashtë mureve të të cilave kacavirren besimplotët e rënkon ushtria e çrregullt dhe e panumërt e të pashpresëve. Për ironi të fatit e fatkeqësi të botës, Shqipëria është e ardhmja distopike, zhgjëndrra e njerëzimit: hallka më e dobët e dimensionit publik të ndërtimit të shoqërisë, vendi i duhur i eksperimenteve që përmes plaçkitjes privatizuese krijojnë pasuri të pamasa e masa të varfërish. E tash, terreni i betejës është sa lokal, aq edhe global. Dilema emancipuese është: A do të modelohet bota sipas Shqipërisë apo Shqipëria e bota mbarë do ta rithemelojnë veten në territorin e çliruar publik të bashkëjetesës, bashkëfuqizimit, bashkëveprimit, bashkëprodhimit…pra ekzistencës në begatinë e lirinë e të përbashkëtës përkundër varfërisë e shfrytëzimit të privates.


Shpërndaje.

3 Komente

Bukur, qartë dhe kuptueshëm. Më kujtove një libër përkthyer nga rusishtja "shitsi i ajrit" i Aleks ndoshta Tolstoi . Ideja ësht  shdukja e pronës publike deri në ekstrem, SB do ta ketë lexuar librin e me siguri e ka pas ëndërr. 

Prizren, mundet qe autori te kete lexuar edhe VQ ku preket kjo çeshtje (te mos harrojme se libri prek me shume se 1 mij çeshtje), ku duan apo s'duan autoret, bota do shkoje ashtu siç eshte percaktuar ne liber. 

Berisha si partizan i terapise se shokut. 

Berisha ka nevoje te kapet pas ideologjive radikale kapitaliste, tani qe po shef se gjithe vizioni i tij dhe atyre qe besuan te nje neoliberalizem mrekulliberes shqiptar, po tretet dalengadale. Dhe eshte afermendsh qe te radikalizoj cmendurine dhe delirin e tij.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).