Komunat që rrethojnë qytetin e Tiranës. Kërkesat për troje, kryesisht për ndërtimin e banesave në fshat. Si variojnë çmimet dhe rruga që i hapi rrugë kthimit të tokave bujqësore në troje …

Deri dhjetë vjet më parë, më dembeli quhej ai që tokën e mbillte me grurë. Kërkonte pak shpenzime dhe po aq pak punë krahu. Punëtor ishte ai që mbante bahçe të mirë, plugonte çdo pëllëmbë tokë, që siguronte bukën vjetore, dilte në treg me produkte të stinës, por edhe mbante të paktën dy lopë dhe trastën e bezes e mbushte me bidona qumështi për qytetarët. Por koha ka ndryshuar për fermerët që gjenden në periferi të Tiranës. 

Sot, si dembeli ashtu edhe punëtori, mbajnë ritmin e shndërrimit në pronarë, sepse tokën bujqësore e kanë kthyer në truall. Thuajse gjithçka është në shitje, mjafton që fermerit të dikurshëm dhe pronarit të “truallit” të sotëm t’i mbushet mendja për çmimin. Ajo dikur ishte periferia e largët e Tiranës, ndërsa sot është kthyer në vendin ku po shumëkush që ja mban xhepi synon të ketë një shtëpi të dytë larg metropolit; në vendin ku mund të ngrihen komplekse dhe resorte të ndryshme duke nisur nga restorantet, deri në fshatra të vegjël turistikë. Rruga sjell ndryshimin dhe ndryshimi ktheu fermerin në pronar të disa trojeve. Për çmimet flitet në euro, lekë dhe dollarë. Aksi i ri në ndërtim i rrugës Tiranë-Elbasan po e sjell jo më fshatin afër qytetit, por këtë të fundit drejt zonës ende rurale. 

Në festën e katër komunave periferike kryeqytetese, që kreu i qeverisë e hapi me “bukë e kripë” dhe e mbylli me një gotë raki të papirë deri në fund, ishin nxjerrë në tezgat mes sheshit të Petrelës mesjetare, dhjetëra produkte bujqësore të zonës. Farka, Petrela, Bërzhita dhe Baldushku ishte mbledhur në qendrën e kalldrëmtë të fshatit për të ekspozuar disa prodhime bujqësore tradicionale që quheshin si produkte të zonës. Ky ishte fshati i sotëm sipas një imazhi të sajuar plot kujdes, ndërsa e vërteta është ndryshe. Tokat nuk punohen dhe për më tepër në këto katër komuna, arat janë kthyer në troje. Të thuash se komuna Farkë nxjerr produkte bujqësore me bollëk, kjo është e vështirë të besohet, me përjashtim të disa hektarëve vreshta që gjenden në Lundër, ndërsa në pjesën tjetër e këtij territori që ndahet me Kodrat e Selitës dhe përfundon në afërsi të Shkozës, duket sikur jemi në një qytezë ende në ndërtim e sipër, ku ngrihen pallate, vila luksoze dhe shtëpiza që janë si ngrehina.

Jemi ende në territorin e Komunës Farkë, ku këmbët shkelin në asfaltin e sapohedhur. Është pjesë e Unazës së re dhe ndodhemi pikërisht në vendin ku po punohet për rrethrrotullimin e madh. Karshi gjendet ndërtesa e qendrës së re tregtare që pritet të hapet së shpejti. Diku pranë saj pritet të marrë udhën vijimi i unazës së re që kalon në kodrinat e fshatit Lundër për të nxjerrë krye në lagjen e rrëmujshme të Shkozës. Pjesa më e madhe e trojeve që ndodhen pranë e brenda unazës së madhe janë shitur me kohë, ndërsa ajo që ka mbetur pret të vijë blerësi. Çmimi është vërtet i lartë, nga 70-100 euro metri katror. Duket sikur ka një kontrast të madh mes çmimit dhe arsyes së funksionimit të kësaj zone. Bari luksoz bashkëjeton me një pikë inertesh. Diku më tutje një pike karburanti që shkëlqen, ia merr “syrin e keq” gomisteria e vjetër dhe ca më tej një vilë e bukur trekatëshe, duket pa shije kur bukurinë ia ka prishur një magazinë. Me shumëllojshmërinë e manisë së ndërtimeve plotësohet tabloja e rrokopujës së një vendi pa sistem. Aty mund të ndërtosh gjithçka dhe kudo. Lejet jepen nga Komuna Farkë dhe për sa ta rrok syri, plani urbanistik kuptohet qartë plotësohet “vetvetiu”, sepse lejet e ndërtimit janë dhënë me pashë.

Farka e Tirana tashmë duken të bashkuara… Duhet parë më larg. Sytë përtej në hapësirë të shohin gjelbërimin e disa kodrinave të mbushura me shkurre dhe almishte të harlisura. Në pjesën e djathtë të rrugës, lumi Erzen është çoroditur dhe tenton të gjejë një shtrat të qetë. Por “gjumi” për këtë lumë thuajse të shkatërruar, nuk do të jetë i qetë për aq kohë sa unaza e re dhe rruga Tiranë-Elbasan do të kenë nevojë për zhavorr dhe çakull. Mbetet pas pluhuri që ngrihet prej kamionëve të tonazhit të lartë që ikin e vijnë me një “frymë” dhe duken sikur janë në garë për të mbaruar sa më shpejt një pjesë të unazës së madhe. Përtej vendit që ngjan me një kantier të madh, edhe ai po aq i rrëmujshëm sa objektet që shtrihen përgjatë Komunës Farkë, ka tjetër pamje. Deri tani ende e pashkatërruar. 

Në Juglindje të rrethrrotullimit të unazës së re, janë gjurmët taze të rrugës së ardhshme Tiranë-Elbasan. Punimet ecin në nivele të ulëta, duke e bërë të diskutueshëm premtimin e dhënë që ndërtimi i saj do përfundojë brenda vitit 2013-ës, por mjafton vetëm fakti se aty do të kalojë superstrada Tiranë-Elbasan. Pothuaj në mënyrë të menjëhershme çmimet e trojeve u rritën, sapo u përhap lajmi se superstrada nuk do kalonte në zonën Baldushk-Papërr-Elbasan, por Tiranë-Krrabë-Elbasan. Fshati i parë që vjen pasi kalohet Ura e Farkës është Mulleti. I shtrirë në një luginë pjellore në pjesën jugore të tij ka si “hije” të vazhdueshme Petrelën dhe kalanë e saj, ndërsa në lindje kodrat e Krrabës. Majtas dhe djathtas rrugës ekzistuese nacionale gjenden dhjetëra lokale dhe komplekse të tjera që ofrojnë shërbime kryesisht në kulinari, por edhe një mundësi relaksi për një fundjavë.

Në fshatin Mullet është e vështirë të gjesh toka të pashitura. Ato që kanë mbetur tashmë kanë tjetër hesap. Shit-blerja e tokave që u ndanë si bujqësore, por u kthyen në troje, nisi afër 15 vite më parë. Çmimet ishin të ulëta dhe për një metër katrorë truall paguhej 5-15 mijë lekë të vjetra. Kjo është një kohë e shkuar dhe personat që nxituan të shisnin tokën e të parëve duket se i ka mbytur pendesa. “Sot është e pamundur që në këtë zonë të gjesh një truall me më pak se 50 euro metri katrorë. Kam shitur një pjesë dy vjet më parë, afërsisht dy dynym dhe tani kam ndërmend që ta mbaj për vete pjesën e mbetur”. Kështu shprehet Xhevdeti, një mesoburrë që një hall e ka sjellë para zyrave të komunës, pasi po kërkon një leje ndërtimi për një tjetër shtëpi. Superstrada do të kalojë mespërmes këtij fshati, 11 kilometra larg Tiranës. Aktualisht udhëtimi zgjat rreth 15-20 minuta, por me kalimin e kohëve distanca do të shkurtohet ndjeshëm.

Ethet e trojeve i kanë zënë të gjithë. Fshati duket sikur mbahet mirë ekonomikisht dhe një nga arsyet është se një pjesë e banorëve të këtyre zonave prej rreth dhjetë vitesh kanë ngritur biznese buzë rrugës nacionale, kryesisht në lokale, restorante, hotele dhe pishina. Vështirë të gjesh dikë që të të shesë një copë truall me më pak se 50 euro metri katrorë. Për më tepër kjo zonë është e zhurmshme, e shpërndarë në objekte disi pa kriter dhe jo aq e qetë si për një shtëpi në fshat. Lokalet e mbushura janë në një kontrast të plotë me pjesën tjetër të hapësirës, pasi kudo shihen toka djerrë. Në pamje të parë duket se paraja këtu mund të vihet jo më duke derdhur djersë në tokat bujqësore, por duke i sheshuar, hapur rrugë të reja, vendosur tabela e numra telefoni për të rënë në pazar. Tokat bujqësore në Mullet nuk punohen më. Shumica shërbejnë për kafshët shtëpiake, por edhe ato kanë nisur të rrallohen. Fshati po i largohet me vrrik origjinës dhe vetëm era katund është vështirë të vijë… Pak më lart duket disi dora e bujkut dhe blegtorit. Mbahen bagëti, tokat punohen kryesisht për nevoja personale dhe në shërbim të gjësë së gjallë. Shihen edhe vreshta, por në sipërfaqe të vogla, që vlejnë aq sa mund të sigurosh pijet akloolike për vete dhe shitur për baret e fshatrave, që çuditërisht janë plot. Me të ardhurat që vijnë nga emigrimi, por edhe shitja e pronave, paraja ka nisur të lëvizë, qoftë edhe brenda zonës ku jetojnë. Më atraktive, disa fshatra janë bërë për shkak të shtrimit të rrugëve me asfalt. Ku në çdo rast kreu i qeverisë nuk ka munguar dhe imazhi kryeministror është bërë familjar për fermerët. Në fakt vetëm emri po u mbetet i tillë… 

Sepse ethet e shitjes së pronave kanë kapur edhe zonat më të thella të periferisë. Dikur zona e preferuar ishte Priska, fshati rrëzë Malit të Dajtit, por tashmë po krijohet një tjetër kurorë e re: Priskë-Përcëllesh-Kryezi-Pëllumbas. Këtu mund të jenë çmime më të arsyeshme dhe në fakt ashtu është. Ato toka që deri pesë vite më parë nuk kishin asnjë vlerë, pasi askush nuk afrohej, tashmë kanë nisur të interesohen. Madje synimet janë për sa më thellë. Ndërtimet masive ende nuk kanë nisur, por rrethimi i arave është shenja e parë që së shpejti betoni e tullat do përfundojnë në arat që vite më parë i begenisnin vetë kafshët e barrës. Arsyeja kryesore e blerjeve të trojeve sa më larg superstradës, janë çmimet më të ulëta që variojnë nga 25-35 euro metri katror dhe larg zhurmës e sa më thellë në periferi. Në raste të veçanta çmimet janë pak më të larta, sidomos kur tokat janë në pozicione të favorshme me pyllin afër dhe me pamje nga të katër anët. Vijnë, pyesin, blejnë, ikin dhe rikthehen sërish. Ndërsa banorët e zonave duket se e kanë përgjigjen majë gjuhës: “Kur të bëhet superstrada, dyfish do rritet çmimi”… Nëse nuk të pëlqen pazari për tokën që futesh në diskutime, mund të kërkosh edhe arën e fqinjit ngjitur.

Për momentin nuk ka pasur konflikte të shumta, pasi në disa fshatra të komunave Petrelë, Bërzhitë dhe Kërrabë gjatë ndarjes së tokave në vitin 1991 është ndjekur metoda që në fillim të merrnin pronën e trashëguar dhe nëse nuk plotësoheshin, kalonin në tokat varoshe, të hapura gjatë kohës së kooperativave bujqësore. Megjithatë me këto të fundit (varoshet), po bëhen disa abuzime. Kryepleqtë e fshatrave në bashkëpunim edhe me drejtuesit e komunave po i legalizojnë pronat varoshe, madje po shpyllëzojnë kodrina të shumta, duke i pajisur me dokomenta dhe shitur. “Deri para pesë vitesh tokat punoheshin, uji vaditës vinte gjatë stinës së verës, ndërsa tani tokat janë lënë djerrë pasi nuk nxirrnim shumë të ardhura dhe për më tepër njerëzit kanë nisur t’i shesin”, shprehet një banor i fshatit Fikas. Kërkesa ka, por shihet edhe një dorështrëngim nga ana e blerësve. Kriza ekonomike nuk ta jep mundësinë të kërkosh luksin në periferi, ndaj i kanë prenotuar disa prona, por me marrëveshje paratë ua japin me këste. Sa më lart të ngjitesh, aq më shumë afrohen vizualisht kodrat e Kërrabës.

Tashmë jemi futur në komunën Bërzhitë. Shitje masive ka pasur gjatë pesë viteve të fundit, por edhe këtu ashtu si në Mullet flitet në shifra të larta, 50-70 euro një metër katror. Më ndryshe është gjendja në komunën Baldushk. Banorët ende e kanë ruajtur traditën duke kultivuar ullishte, produkte bujqësore të stinës dhe pemëtari. Por edhe këtu në këtë zonë mjaftoi lajmi (që doli i rremë) se do kalonte rruga e re Tiranë-Elbasan që të kishte një dyndje kërkesash për të blerë toka dhe troje. Devijimi i rrugës i ka lënë disi në një xhep të futur, por gjithkush ka “rriskun” e tij… Kjo është edhe fjala që shpesh dëgjohet nga fermerët e dikurshëm dhe pronarët e trojeve të sotëm të komunave që rrethojnë Tiranën.

Marrë nga Revista Klan

14 Komente

“Sot është e pamundur që në këtë zonë të gjesh një truall me më pak se 50 euro metri katrorë. Kam shitur një pjesë dy vjet më parë, afërsisht dy dynym dhe tani kam ndërmend që ta mbaj për vete pjesën e mbetur”. Kështu shprehet Xhevdeti, një mesoburrë që një hall e ka sjellë para zyrave të komunës, pasi po kërkon një leje ndërtimi për një tjetër shtëpi. "

Hall i madh e paska zene Xhevdetin. smiley
Kjo situate me ngroh. Kam ca prona andej nga Devolli pa shprese per shitje por me kete lloj ritmi Devolli do jete Mulleti II ne pak vite.
A ka njeri ndonje harte te Tiranes? Shume prejt ketyre fshatrave i kam degjuar por kurre nuk e kam ditur ku bien.

per te shkuar ne Mullet, i bie nga rruga e Elbasanit, kalon Farken dhe pastaj ecen , ecen ... dhe s'di si ta shpjegoj. eshte nje fshat i shkelqyer me kodrina te ulta dhe plot gjelberim. edhe njerezit jane katunare shume te zgjuar.

p.s. shih katunaret, na e paskan vene ''city''. ''town'' po e pranojme.

''Sot, si dembeli ashtu edhe punëtori, mbajnë ritmin e shndërrimit në pronarë, sepse tokën bujqësore e kanë kthyer në truall. Thuajse gjithçka është në shitje, mjafton që fermerit të dikurshëm dhe pronarit të “truallit” të sotëm t’i mbushet mendja për çmimin.

toka bujqesore ne truall??  lejohet? kaq kollaj u beka?  mire, le te hane domatet dhe patatet e maqedonasve dhe grekeve...

toka bujqesore ne truall??  lejohet? kaq kollaj u beka?  mire, le te hane domatet dhe patatet e maqedonasve dhe grekeve...

Me fal, por majtas a djathtas s'ke pare gjate autostrades Tirane Vlore, sidomos pertej Fierit? smiley.

Personalisht xhanem s'i hedh me syte.  Kam share, jam lodh, e mundohem mos t'i begenis me pamjet.  

Fshataret kane kohe qe shiten gomeret dhe lopet dhe dhite dhe shkuan ne amerike. Ky eshte artikull i vonuar shume.

Asgje te re nga katundi. 

 

Problemi qendron se gjith ky zhvillim ne periferite e tiranes po vjen pa nje plan gjithperfshires urbanistik. Ndertimi i banesave duhet te behet me zona zhvillimi dhe ku jo cdo ndertues te ndertoje nga nje shtepi, secili ne qef te vet. Plus qe duhet te llogariten parqet ndermjet komplekseve te banimit, por parqet nuk sjellin fitim financiar. Injorantet ndertues dhe pronare tokash si vizionare qe jane nuk e kuptojne se duke ofruar nje standart me te larte jetese, mund te tarifojne me lart per m2. E gjithe ajo zone do shenderrohet ne nje bathore te re.

Si c'do vend tjeter ne zhvillim, jemi aq te trashe dhe te babzitur per tu zhvilluar qe nuk e kuptojme qe zhvillim do te thote rritje te standartit te jeteses dhe jo GDPs. Do reflektojme me vone per kto gabime te pariparueshme qe po bejme. smiley

Blendo, me mur Shiti m'telefon. Cere do i thojna?  smiley

Ouuuu ? Po ti pse nuk ja ngre Pjerit telefonin smiley

Ku pyt Shiti per krize mer!!!. Harrove ti qe Shiti o me PD-ne?

   Toka bujqesore..  E PA FRTSHME(qe do te  thote me tregues shume te ulet per prodhim;gorishtore e rende, zallishte, kenetore etj. ) kthehet ne truall. Dhe  pasi kalon ne nje filter te terin.Pa u miratuar nge zona, rrethi, qarku dheh me e fund  M.Bijqesise, nuk mund te miratohet ndertim mbi te  asnjehere...

 Por kane bere nje projekt ligj ne 2006...Per nevoja te komuniteteit i propzohet strukturave dhe mund ta miratoje  qeverria, ndryshimin e destinacionit...

Ne kohen e pare,  mund ta tundje kemben, por  nje meter katror toke bujqesore nuk  e pekje dot.Edhe ne oborrin tend.

Degjove more ti, gjë e derit?

Ec harushe se ke ra n'fushe-- kena pas thane dikure. smiley

Po shume mire ja bejne qe shesin token e ndertojne pallate. I ka ardhur ora edhe atyre. Pse te mos te shijojne kapitalizmin edhe ato?

Pse jo? Ne fakt mos te ndertojne pallate, se nuk ka shume fitim. Te ndertojne dhjetra termocentrale, dhjetra fabrika cimentosh, metarlurgjik etj. Mos harrojme dhe guroret. Ti shtojme se kemi male sa te duash. Perse mos ta bejme fush dajtin?! Ne menyre qe te kemi pak vend me shume per te ndertuar pallate!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).