barishtetet.jpg (450×328)Shqipëria vazhdon të ruajë një rol lider në tregun botëror të bimëve mjekësore, duke kryesuar tregje në SHBA dhe Gjermani për disa produkte specifike. Por, shpërngulja e popullatës nga zonat malore dhe mangësitë në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së vëllimeve që eksportohen, krahas mungesës së një mbështetjeje reale ndaj sektorit, janë ndër problemet kryesore në zhvillimin e kësaj industrie, e cila xhiron rreth 25 milionë dollarë eksporte në vit.

Bimët mjekësore mund të mos jenë në qendër të vëmendjes së publikut, kur fjala vjen te bujqësia, zhvillimi rural dhe ulja e varfërisë në zonat e fshatrave të thella të malësisë. Por, realiteti dëshmon se më shumë se për një zanat ad hoc dhe shumë të kufizuar në kohë dhe hapësirë, bëhet fjalë për një industri të vërtetë që qarkullon shuma vjetore prej rreth 25 milionë dollarësh. Aspak keq, nëse merret parasysh se bëhet fjalë për bimë mjekësore e erëza, të cilat në fund të fundit, nga njerëzit që nuk kanë informacion të dedikuar mbi këtë sektor, konsiderohen thjesht “barishte”. Sherebela është e para në listën e këtyre bimëve, duke zotëruar më shumë se 50 për qind të tregut në Shtetet e Bashkuara, ndërsa trumza shqiptare ka pushtuar rreth 70 për qind të tregut gjerman. Gjithashtu rigoni zë një vend të rëndësishëm në listën e eksporteve shqiptare të bimëve aromatike dhe mjekësore, ku bëjnë pjesë rreth 150 ekzemplarë. Këto janë të dhëna të marra nga studimi i qendrës studimore DSA, për sektorin e agrobiznesit në Shqipëri. Sipas këtij studimi, roli i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të bimëve mjekësore dhe aromatike është i tillë, sa një lëvizje çmimesh nga operatorët shqiptarë do të lëvizte çmimet në nivel botëror.

Barishtet kundër varfërisë
Përtej rrymës financiare që ky treg gjeneron, eksitojnë edhe të dhëna të tjera shumë domethënëse mbi vëllimet dhe dinamikat e produkteve të ndryshme. Sipas studimit, bimët mjekësore dhe aromatike janë të përhapura në të gjithë vendin, por gjenden në sasi më të mëdha në zonat e Malësisë së Madhe, Shkodrës, Skraparit, Elbasanit, Korçës, Beratit, Përmetit dhe Durrësit. Në këto zona, mbledhja dhe sistemi i përpunimit dhe tregtimit të këtyre bimëve është gjithashtu më i organizuar.

Mbledhja e bimëve të egra është një aktivitet i rëndësishëm dhe burim të ardhurash për një shumë familje rurale, dhe pse, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për një aktivitet me kohë të pjesshme. Mbledhja e llojeve kryesore të bimëve mjekësore dhe aromatike ndodh kryesisht mes korrikut dhe gushtit, ndërsa numri i njerëzve të përfshirë në këtë industri llogaritet mes 75 mijë dhe 100 mijë, sipas vlerësimeve të OKB, BE dhe vetë operatorëve të këtij sektori. Këto shifra dëshmojnë rëndësinë që ka ky sektor në sigurimin e të ardhurave për familjet e përfshira në këtë aktivitet, të cilat në të shumtën e rasteve përfaqësojnë shtresat më të varfra të popullsisë rurale.

Malësia e Madhe, për shembull, është një ndër ato rajone, ku mbledhja e bimëve aromatike dhe mjekësore është një aktivitet i përhapur për fermerët. Rreth 80 për qind e fermerëve janë përfshirë në korrjen dhe mbledhjen e këtyre kulturave. Sipas intervistave të kryera nga DSA me disa nga sipërmarrësit kryesorë të këtij sektori, familjet e përfshira në aktivitete që lidhen me kullotat malore në këtë rajon, përfitojnë rreth 60 për qind të të ardhurave të tyre totale, pikërisht nga bimët mjekësore dhe aromatike. Në këtë kuptim, roli i këtyre bimëve në zbutjen e varfërisë për disa nga zonat më të thella dhe të varfra në vend, rezulton i pamohueshëm. Por, përkrah këtij fakti, mungon mbështetja nga institucionet publike për konsolidimin e këtij sektori.

“Sektori i bimëve mjekësore në vend ka tipare të veçanta – së pari, është ndër pak sektorë prodhues ku Shqipëria është konkurruese në tregjet ndërkombëtare, në të cilat ka kohë që është e pranishme dhe ka krijuar traditë dhe emër”, thotë Edvin Zhllima, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i angazhuar në realizimin e këtij studimi. Ai shpjegon se gjithashtu, ky është ndër sektorët që ndikon më së shumti në zbutjen e varfërisë, pasi mundëson fermerët në zonat e varfra dhe në mungesë kapitali, të angazhohen në mbledhjen e bimëve të egra ose në kultivimin e tyre. “Ndërkohë, në këto zona, zhvillimi i aktiviteteve alternative është shumë i vështirë si pasojë e distancave të largëta nga tregu dhe kushteve prodhuese”, shpjegon Zhllima. Ai shton se nga ana tjetër, me gjithë rëndësinë dhe përparësinë reale të këtij sektori, mbështetja që ka marrë nga politikëbërja është minimale dhe skemat e zubvencioneve janë drejtuar drejt sektorëve të tjerë. “E vetmja mbështetje reale ka ardhur nga institucionet e huaja”, thekson ai.

Në fakt, mbështetja e këtij sektori është kufizuar në donatorët e huaj, ku veçohen USAID dhe së fundmi Fondacioni Shoqeria e Hapur per Shqiperine - Soros, i cili përmes programit të emergjencës ka mbështetur një projekt për mbjelljen e bimëve mjekësore në zona të varfra malore në Veri të vendit, në bashkëpunim me DSA.

Si funksionon sektori?
Janë tre grupe kryesore, të cilat mundësojnë zhvillimin e aktivitetit të bimëve mjekësore dhe aromatike në vend: korrësit dhe kultivuesit; grumbulluesit dhe konsoliduesit; dhe përpunuesit e eksportuesit.

Korrësit, janë njerëz që jetojnë në zonat rurale dhe malore të vendit. Ata korrin bimë të egra në zonat ku jetojnë, i thajnë dhe i ruajnë ato në shtëpitë e tyre, derisa i shesin në grumbulluesin lokal ose te përpunuesit. Grumbulluesit individualë hyjnë në lojë si ndërmjetës ndërmjet grumbulluesve rajonalë dhe korrësve. Ata shpërndajnë informacion mbi çmimet dhe janë personat kyç në rolin e rregulluesve ndërmjet korrësve dhe grumbulluesve të mëdhenj ose të përpunuesve. Por, vetë ata nuk kanë magazina.

Grumbulluesit rajonalë blejnë bimë nga korrësit dhe i ruajnë ato në magazinat veta, por nuk kanë kapacitete përpunuese. Zakonisht bëhet fjalë për ambiente të vjetra magazinimi, të trashëguara nga kooperativat bujqësore, me një sipërfaqe prej të paktën 200 metra katrorë, ku depozitohen nga 20 deri në 150 tonë bimë në vit. Në të gjithë vendin numëron rreth 30 grumbullues të tillë. Shumë syresh kanë investuar me fonde personale në impiante tharëse.

Përpunuesit e vegjël janë një tjetër hallkë e zinxhirit të industrisë shqiptare të bimëve mjekësore, duke qarkulluar sasi prej 150 deri në 500 tonë bimë mjekësore dhe aromatike në vit. Këty bëjnë pjesë edhe kompani që i shesin bimët, si çaji i malit dhe erëzat e gatimit, në tregun vendas.
Përpunuesit e mesëm janë në një shkallë më lart dhe tregojnë nga 500 tonë deri në 1500 tonë bimë në vit, duke numëruar 7-8 kompani të këtij profili. Këto kompani kanë arritur të krijojnë lidhje me blerësit e huaj dhe eksportojnë rregullisht, duke qenë në konkurrencë mes tyre. Këto sipërmarrje kanë investuar në impiante pastrimi dhe të prodhimit të vajrave bazike që nxirren nga një sërë bimësh aromatike dhe mjekësore. Si rrjedhojë, këta aktorë janë liderë në mbështetjen e kultivimit të këtyre bimëve, me qëllim stabilizimin e rezervave. Si rrjedhojë, disa prej tyre kanë inkurajuar fermerët që të mos kufizohen në korrjen e bimëve në natyrë, por dhe t’i kultivojnë ato. Grupi i përpunuesve të mëdhenj tregtojnë sasi nga 1600 tonë në 2500 tonë në vit, por përfshin në fakt, vetëm një kompani. Disponon impiante më të përparuara përpunimi dhe mund të vendosë tarifa më të larta për bimët e përpunuara ndaj blerësve të huaj dhe përpunuesve të tjerë.

Tregjet kryesore për këto biznese janë Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat thithin rreth 60 për qind të totalit të eksporteve shqiptare të bimëve mjekësore dhe aromatike. Tregje të tjera të rëndësishme janë Franca, Turqia dhe Italia. Një pjesë e madhe e këtyre produkteve të importuara nga këto vende, përpunohen dhe rieksportohen. Kjo do të thotë se sektori i këtyre bimëve në Shqipëri ka mangësi serioze në linjat përpunuese, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve arrijnë të kryejnë një përpunim fillestar.

Por, me gjithë përpjekjet dhe investimet në rritje për zhvillimin e sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike në Shqipëri, pa një mbështetje strategjike nga institucionet publike, ky sektor ka mundësi të kufizuara për t’u zhvilluar më tej, duke shfrytëzuar në mënyrë optimale kapacitet natyrore dhe burimet njerëzore në dispozicion. Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm i këtij sektori, do të kontribuonte më tej, në uljen e varfërisë të zonave të thella malore dhe në rritjen e të ardhurave në ekonomi nga eksportet. 

10 Komente

domethene, ai llafi  dikur i ''qoftelargut'': ''edhe bar do hame, po parimet nuk i shkelim'',  spaska qene i rastit.smiley,   te ne bari qenka flori e shkuar floririt....

me kujtohet  kur ishim ne tetvjecare, menjehere sa mbaronte sezoni shkollor, 15 dite benim ''pune prodhuese'' (keshtu quhej me duket) ku  aktiviteti me kryesor ishte mbledhja bimeve mjeksore si p.sh  mullage, kamomil, sherebel etj....

bile ka pas qene dhe nje vjershe ne librin e leximit te klases se dyte, me duket:

çil çil  kamomil,

dil dil sherebel, etj....

 Zvicra, ben nje xhiro me te madhe ne tregun e bimeve mjeksore, dhe ka nje eksperience te gjate ne kete drejtim, te pakten ketu ne Europe. 

Po, edhe? Te cojme fshataret tane ne Zvicer per te marre eksperience, apo te sjellim fshataret e Zvicres ne Shqiperi?

 Joooo, nuk ka nevoje. Mjafton nje ekip tv 2-3-4 persona, ku gazetari te kete haber nga ekonomia dhe bimesia mjeksore. 

Pjer, e kam te veshtire t'a kuptoj sesi mund te te kete shpetuar Vizioni qe bimet aromatiko-mjeksore ka shume vite qe mblidhen e eksportohen. Te harrojme vitet para 1990-es, por edhe qysh ne 1992 e ketej, ka qene pikerisht nje kompani Franceze qe ishte me e madhja blerese e ketyre bimeve. Gjithashtu me duket te ka shpetuar fakti qe shume fshatare kane braktisur fshatrat e kane levizur ne qytete duke menduar qe do arrijne te gjejne pune me te lehte e me fitimprurse se mbledhja e bimeve aromatiko-mjeksore. Thone qe ajo bima tjeter "aromatiko-mjeksore" qe rritet e mbrojtur ne Lazarat ka me teper fitim se sherebela/mellaga/kamomili dhe fshatarate tane liridashes e kane vene ne praktike.

Kjo me poshte eshte deklarate e vjeter, qysh ne 2004, por gjithsesi ja vlen te lexohet. Ndoshta do kete vend tek Vol. II:

“Studimi për bimët aromatiko-mjekësore, vetëm teorik”

Sazan Çeliku, president i Shoqatës së Përpunuesve të Bimëve Aromatiko-Mjekësore mendon se studimi i paraqitur nga EDEM për këtë sektor është larg mundësive reale për t’u arritur në vendin tonë

Problemi i tregut të bimëve mediciale sot është fakti se megjithëse është bërë eksportues i fuqishëm, por sërish, pjesa e parave që mbetet në Shqipëri nga biznesi i madh i produkteve të gatshme që kanë për lëndë të parë bimët medicinale është shumë e vogël. Një studim i kryer nga EDEM, përpiqej ta zgjidhte këtë problem nëpërmjet sugjerimit të aktorëve për të zgjeruar aktivitetin drejt përpunimit të lëndës së parë, duke përdorur standarte në përpunimin e këtyre bimëve me synimin për të arritur në produktet përfundimtare. Por presidenti i Shoqatës së Përpunuesve të Bimëve Aromatiko-Mjekësore, mendon se të gjitha këto sugjerime janë të pavlefshme për kushtet aktuale të këtij biznesi. “Studimi i bërë nga EDEM (Projekti për Zhvillimin e Ndërmarrjeve Shqipatre dhe Shërbimet e Tregjeve të Eksporteve) është në një farë mënyre këshillë e përsëritur nga ky institucion për të punuar ndërmarrjet e bimëve aromatiko-mjekësore për të shtuar vlerën prodhimeve shqiptare të kësaj industrie apo për t’u futur në tregje të reja. Ne e dimë se si mund të arrrihet shtimit i vlerës së mbetur në Shqipëri, por rruga për të arritur këtë është e vështirë. Kjo, pasi duhet një investim dhe mbështetje mjaft e madhe financiare. Prandaj, studimi ngelet në nivelin teorik dhe jo në atë praktik. Ne kemi nevojë për modele konkrete të mënyrës së shtimit të vlerës apo diversifikimit të produktit nga ndërmarrje vendase ose të vendeve të rajonit që operojnë në këtë sektor. Por, përveç kësaj na duhet edhe një mbështetje e madhe në këtë fushë”.
Ndërkohë, për sa i përket idesë për t’u futur në industrinë e prodhimit të çajrave bimorë, Çeliku mendon se edhe kjo është një ide e parealizueshme. “Kjo pasi, sipas tij, prodhimi i çajrave bimorë është më i vështirë se thjeshtë mbledhja, grirja, tharja dhe paketimi i bimëve”. “Kërkohen kushte të caktuara, vazhdon ai më tej, dhe investime shumë të mëdha për të bërë të mundur prodhimin e çajit bimorë në kushte që do të siguronin një jetëgjatësi të cilësisë dhe sigurisë së këtij produkti”. Çeliku mendon se prodhimi i çajit bimorë është një proces që do një kujdes të veçantë. “Gjermania tashmë është kthyer në një lider e prodhimit të këtij çaji në nivelin europian dhe më gjerë, kjo për shkak të specializmit shumë të lartë, investimeve shumë të mëdha, traditës dhe përdorimit të ekonomisë së shkallës. Specializmi i Gjermanisë në këtë fushë ka bërë që të dalin jashtë këtij tregu prodhues të shumtë në vende të ndryshme të Europës,” ka vazhduar më tej ai.
Për Çelikun, e njëjta gjendje qëndron edhe sa i përket idesë së hedhur nga studimi i EDEM për prodhimin e produkteve kozmetike dhe të higjienës me bazë bimore sipërmarrësit shqiptarë. “Duhet të theksojë këtu se edhe vende prodhuese shumë të mëdha të këtyre produkteve në vende të Ish-Jugosllavisë, siç është Sllovenia, janë tërhequr për shkak të rritjes së konkurrencës në nivel global. Specializimi shumë i lartë i ndëmarrjeve të kësaj industrie në Europën Perëndimore e bënë të pamundur, në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, hyrjen në këtë industri për të krijuar avantazhe konkurruese,” ka përfunduar Çeliku.

Një pjesë e madhe e këtyre produkteve të importuara nga këto vende, përpunohen dhe rieksportohen. Kjo do të thotë se sektori i këtyre bimëve në Shqipëri ka mangësi serioze në linjat përpunuese, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve arrijnë të kryejnë një përpunim fillestar.

ky eshte thelbi i artikullit per mu...dikur kjo industri ka ekzistu mgjse modeste.
Une ftoj Pjerin t'beje nji feasibility study/ plan biznesi dhe t'i investojm ne memedhe ato 2 lek.
Si m'degjon Pjer? marrje!

 Vertet Br3dharaku, kjo industri ka qene e zhvilluar ne kohen e socializmit, dhe nuk e kuptoj se pse ju vu shkelmi. Ishte dhe eshte nje resurs i rendesishem kombetar.

Shkrimi ka pasaktesi te theksuara.

Mekanizmi i prodhimit ( korrjeve ) dhe cmimi i tyre vendoset dhe manipulohet thjeshte dhe me metoda klasike.

Shembull : nje kompani shqiptare kerkon ne treg psh rigon me cmim 3000 lek /kg qe une po e supozoj se eshte 2 here me i larte se nje vit me perpara. Ngrihet katunaria e gjithe vendit dhe grumbullon nje sasi te madhe, pra disa here me te madhe se sa e kerkon tregu per eksport. Kompania qe ble e para refuzon te bleje te gjithe sasine qe eshte ne treg sepse nuk ka kontrata, keshtu qe fshataret jane  te detyruar te shesin lire. Pra nese kane blere 10 perqind te sasise me cmim te dyfishuar , sasia tjeter riblihet me cmim tani dy here me i vogel nga nje vit me perpara.

Jeni te rritur dhe e gjeni se sa humbin shqipot.

Kete pune e bejne perfaqsuesit e kompanise gjermane " Martin Bauer "  dhe perfaqsuesit e kompanise franaceze "Ducros" .

Me e mire situata eshte me sherebelen qe blihet drejperdrejt nga kompani amerikane.

Vertet qe mund te eksportojme vlera te konsiderueshme, por vlera e tyre e vertete eshte te pakten kater here me e larte. 

Kufirin ke thana na e vene ata.

P.S. Ky shenim i imi nuk eshte info e tipit AJO , pra eshte 100 % i sakte. Une kam pas nje angazhim mbi 10 vjecar ne kete fushe dhe tani pjeserisht. smiley

 Eh, sa here kam menduar per ''bimet medicinale'' qe ka Shqiperia. kur i shikoj se sa shtrenjte shiten ketu me behet nje boshllek dhe me vjen aq keq per fshataret shqiptare qe nuk dine te organizohen qe te rrisin cmimin e shitjes. Vetem 20 flete dafine ne nje shishke te vogel fare shitet 6 dollare e ca, pak sherebele ne nje shishke te vogel shitet 5 dollare e ca. Asnje perpunim kushedi se cfare, s'kane. Se e gjithe loja me to eshte qe mos jene te perpunuara por te jene natyrale. i kane pastruar dhe futur neper shishka. Pak piper i kuq, perseri ne nje shishke te vogel shitet 5 dollare e ca. 24 gram sherebele ne forme fletushkash caji,  24 tea bags shitet $6. E sa e sa te tjera .... Kane lene fshatrat dhe kane shkuar tek pluhuri i qyteteve per asgje ...

Ai shton se nga ana tjetër, me gjithë rëndësinë dhe përparësinë reale të këtij sektori, mbështetja që ka marrë nga politikëbërja është minimale dhe skemat e zubvencioneve janë drejtuar drejt sektorëve të tjerë. “E vetmja mbështetje reale ka ardhur nga institucionet e huaja”, thekson ai.

 

Gjynah, eshte veprimtari qe nuk kushton shume dhe qe mund te behet burim dytesor te ardhurash pa investime te medha smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).