Në Lice, me zyshat e artit Liceu Artistik kërkonte dikur higjenë në biografi dhe mundësisht talent. Në 65-vjetorin e shkollës së artit, të tjera janë problemet. Rrëfimi i katër mësueseve.

Për të studiuar dikur në Liceun Artistik "Jordan Misja" duhej të kishe biografi të mirë dhe të ishe i talentuar. Mendohej shkollë e privilegjuar. Nxënësi duhej të dorëzonte edhe një certifikatë nga Komiteti i N/Prefekturës për sjellje të mira morale dhe politike.

Sot këto kushte që vinin nga politizimi i institucioneve të arsimit janë hequr, ndërsa shkolla nuk i gëzon më privilegjet. Fakt është që për të ardhur deri në Lice nuk është e vështirë. Megjithëse klasat janë të mbingarkuara, edhe me 60 nxënës për klasë, të rinjtë e shohin perspektivën të zymtë, për degët që kanë zgjedhur.


Këto përfundime dhe të tjera mbi interesin e nxënësve, nivelin e edukimit me artet dhe problemet që vuan Liceu i famshëm "Jordan Misja" në Tiranë, i vjelim nga mësueset Nadjezhda Porodini (piano), Rajmonda Mato (Grafikë) dhe Klorinda Hysi (fluat), të ftuara nga "Shekulli" për të bërë një retrospektivë. Me rastin e 65-vjetorit të themelimit të shkollës po bëhen ekspozita, koncerte, simpoziume që u hapën më 23 shkurt në Akademinë e Arteve dhe përfundojnë në nëntor.


Ujërat lëvizin...

"Në këtë shkollë është punuar me dashuri dhe pasion nga breza mësuesish". Nadjezhda Porodini është mësuese prej 35 vjetësh në Lice. Ajo nuk dyshon në nivelin e mësimdhënies. Tregues për këtë është ballafaqimi me shkollat e mesme të huaja, pas viteve '90, kur nxënësve iu dha e drejta të studionin jashtë.


"Dy-tre shkonin me studime dhe ato janë emra të njohur, Klodiana Skënderi, Arben Spahiu, Elda Laro. Pak më vonë mundësitë ekonomike personale të familjeve bënë që fëmijë të talentuar, në masë, të ikin për të ndjekur studimet jashtë vendit", shprehet Porodini dhe përmend një sërë emrash.


Rasti më i fundit është i Era Caushit që fitoi konkursin në katër konservatorë në Londër, dy prej tyre i kanë akorduar bursë dhe ajo ka pranuar të studiojë në Akademinë Mbretërore.


Nga ana tjetër, "kontakti me botën, bëri që edhe mësuesit të reflektojnë, të pasurojnë metodikën, mendimin profesional, të mësojnë edhe nga festivalet, konkurset, kontaktet me kolegë në vende të ndryshme. Mendoj që kjo e ka rritur cilësinë". 
Është e vërtetë që ka një vrull për t'u shkolluar jashtë.


Për të dalë në skenë, për të "ushtruar duart" është një mundësi që vetëm dy-tri nxënës mund ta kenë, me nismat individuale, jo të mbështetur nga shkolla. Pjesëmarrja në nivel institucional nuk ndodh as brenda për brenda, që Liceu "Jordan Misja", të mund të shkojë në shkollat e Muzikës në Korçë, Shkodër, Fier, Korçë.


...po edhe ngelin në vend 
Pa ngrohje. Pa instrumente. Rajmonda Mato, mësuese e grafikës prej 15 vitesh, nëndrejtoreshë e Artit Figurativ na tregon: "Te Figurativi është për të ardhur keq. Para disa vitesh, u restaurua shkolla, u bë sistemi i ngrohjes, por nuk funksionoi asnjë ditë dhe nuk funksionon sot e kësaj dite. Punojmë në kushte jashtë standardeve.


Mendo të kesh penelin në dorë, të kesh modelin dhe të dridhesh. Si në verë kur fillon vapa dhe në dimër është një tmerr i vërtetë. Edhe mësuesit vuajnë nga reumatizma, nga të ftohtët."


Zonja Porodini na tha se në shkollë ka aq piano sa ka klasa mësimi, por nuk mjaftojnë. "Ne na duhet të kemi në dy tri klasa, dy instrumente. Kemi vepra që i luajmë me dy piano dhe shmangemi për t'i dhënë në programin mësimor se ne na mungon pianoja e dytë. Kemi deficite të tilla që duhet të zgjidhen."


Para dy muajsh dy ish-nxënëse të shkollës, Anila Kraja dhe Fatma Spahiu i dhuruan Liceut një piano. Është një gjest që zysha e pianos Nadjezhda Porodini nuk ka për ta harruar.


Liceu Artistik është edhe një shkollë e shtrenjtë. Do të thotë që prindërit janë të detyruar ta blejnë vetë bazën materiale.


"As për nxënësit që vijnë nga familjet në nevojë nuk ka instrumente." Mësueses Florinda Hysi tregon se ndonjëherë i është dashur t'ua huajë instrumentin nxënësve. "Janë të talentuar, por nuk kanë mundësi."


Disiplina. Edhe kjo është rëndin e gjërave bazë që i mungojnë shkollës. Kush hyn i huaj në korridore dhe salla të Liceut ndeshet me një tërbimin dhe çorodinë e fëmijëve. Lodhja është e sigurtë po të rrish edhe ca, atëherë kur zhurmat përzihen rrëmujë me muzikën që luhet në klasa.


Këtë gjendje pamë dje në Lice. "Një sy që vjen për herë të parë, përballet me këtë dhe thotë, ç'është kjo anarshi, çfarë bëhet në këtë shkollë, ka rregull këtu apo jo? Por, nëpër korridoret tona bëhet mësim pianoje, violine, kantoje, trombe, tromboni, flauti. Fëmijët për t'u përgatitur para orës së mësimit, dalin në korridor dhe bëjnë një ushtrim për t'u ngrohur", i jep një shpjegim zonja Parodini.


Më 1946


Liceu Artistik u themelua në nëntor 1946, në një ngrehinë qendrore të kryeqytetit, e ndërtuar më 1937 nga italianët si pjesë përbërëse e një kompleksi arkitektonik në sheshin që sot mban emrin "Nënë Tereza", aty ku aktualisht ndodhet Akademia e Arteve.


Disa herë ndryshoi vendndodhjen për të ardhur në godinën ku është sot, te Rruga e Elbasanit. 30 ishin nxënësit e parë në specialitetet: muzikë, arte figurative dhe arti dramatik, që i ishin besuar një trupe pedagogjike prej 16 vetash.


Më 1946-1949, drejtor shkolle ishte Kostandin Trako, kompozitor dhe dirigjent i njohur, i diplomuar në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në Bukuresht. Shkolla u konceptua si një vatër artistike kombëtare, me status të veçantë, që brenda sistemit arsimor të shërbente si qendra kryesore e edukimit artistik të talenteve të reja në rang Republike. Prandaj krahas ambienteve mësimore, shkollës iu bashkëngjit edhe konvikti për nxënësit e ardhur nga të tëra rrethet. Ishte një shkollë kombëtare.


Diplomat e para u dhanë për: Nikolla Zoraqi, Nihal Gabeci, Afërdita Tartari, Eli Kacidhja, Nora Naçe, Melina Jahanexhan (muzikë), Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Jakup Kerraj, Angjelin Dodmasej, Vilson Kilica, Ksenofon Dilo (pikturë skulpturë); Kujtim Spahivogli, Mihallaq Luarasi, Ferial Meçule (Alibali), Hysen Hakani, Shefqet Sela, Ismail Hoxha, Esat Oktrova, Pirro Mani, Afërdita Taçi.


Pjesë e trupës pedagogjike ishin figurat artistike të njohura të kohës, por edhe të tjerë muzikantë të huaj italianë dhe nga ish-Jugosllavia. Këtij grupi i përkasin muzikantët Rampi, Caleti, Miranova, Baldovino, Etore, Valeria Drenova, Jorgjia Truja, Karmen Nako, Ludovik Naraçi, veprimtaria e të cilëve u vijua më pas nga mësuese të reja, Nihal Gabeci, Eli Kacidhja, Afërdita Tartari, Suzana Hoxha, Ramadan Sokoli, Iro Cico, Sofokli Papisto. Në statusin e pedagogut të jashtëm ishin këngëtarët Maria Kraja, Kristaq Antoniu, pianistët Lola Gjoka dhe Tonin Guraziu.


Pedagogët themelues të artit figurativ: Odise Paskali, Vangjush Mio, Janaq Paço, Kristina Hoshi, Llazar Nikolla, Qamil Grezda, Andrea Mano, Arqile Papadhimitri. Vetëm pak vjet më vonë në përbërje të trupës pedagogjike hyjnë Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Guri Madhi, Nexhmedin Zajmi, Foto Stamo, të gjithë profesionistë dhe të shkolluar kryesisht në Francë, Itali, Greqi. Në degën e artit dramatik kanë dhënë mësime: Gjon Karma, Andon Pano, Xhemal Broja, Lazër Filipi, Pandi Stillu, Kadri Roshi

 

(Për historikun e mësipërm janë shfrytëzuar librat: "Liceu Artistik "Jordan Misja" në vitet 1946-1991" i Gjovalin Lazrit dhe "Shkolla Kombëtare Artistike "Jordan Misja"" në 60 vjetorin e lindjes" nga Meri Kumbe)  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).