Ndonëse Shqipëria ka një traditë të gjatë të shfrytëzimit minerar, sot për sot mundësitë reale janë kryesisht të orientuara nga kromi. Ndërkaq, i gjithë sektori është i zhytur në kaos, degradim dhe keqmenaxhim e korrupsion. Galeri të përmbytura të komunizmit, miniera fantazmë dhe minatorë të vdekur, është tabloja e këtij sektori i cili ndonëse rreket t’i afrohet standardeve perëndimore, ka mbetur edhe më keq se modelet e Zimbabves dhe Kongos. Detajet e errëta të një sektori prej qindra milionë eurosh

Gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria ka eksportuar rreth 450 milionë dollarë minerale, ku në pjesën dërrmuese kryeson kromi. Megjithatë sektori i minierave nuk mund të konsiderohet as i zhvilluar e as në rrugë zhvillimi. Galeri të përmbytura nga uji, minatorë të shtypur nga shkëmbinj dhe fëmijë që zihen përfund pirgjeve të inerteve tek mbledhin copa minerali me dorë, janë elementët që do të ndërtonin tablonë më besnike dhe realiste të këtij sektori.

Kriza ekonomike botërore që filloi në fund të vitit 2008, efektet e së cilës ndihen ende sot, ndikoi për keq në industrinë minerare në Shqipëri, duke ulur kërkesën nga jashtë kufijve, si dhe duke ulur çmimin për njësi. Diçka e tillë solli mbylljen e disa “minierave” (termi më korrekt do të ishte ‘njësi shfrytëzimi’), si pasojë e konjukturave të disfavorshme të tregut, por dhe si rrjedhojë e një plani të nisur nga ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili parashikonte mbylljen e 80 minierave nga viti 2009 deri në 2011-ën. Në fakt disa janë mbyllur, por në tërësinë e tij, plani nuk dihet se si ka shkuar.

Aktualisht, industria e kromit shfrytëzohet nga kompanitë e mëdha që kanë marrë me koncesion vendburimet kryesore të këtij minerali dhe mbi 100 subjekte të vogla që kanë leje shfrytëzimi. Pjesa më e madhe e prodhimit sigurohet nga kompania ruso-austriake Deca Metal, e cila bleu asetet e italianes Darfo, që prej vitesh kishte marrë në përdorim vendburimet kryesore të kromit në Bulqizë, Pojskë dhe Katjel dhe Uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Mbi të gjitha disponon edhe Bulqizën, e cila ndonëse nuk është e “jashtëzakonshme” në llojin e mineralit që gjendet e aty, i cili rezulton rreth 45% i pastër, përsëri ka një rëndësi të madhe në industrinë minerare shqiptare. Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë ka nënshkruar një marrëveshje koncesionare me kompaninë turke Kurum Energy dhe kompaninë kineze Sichuan Jiannanchun International Group Ltd.

Ing. Luftim Ahmetaj shpjegon se mineralet e dobishme gjenden kryesisht te shkëmbinjtë magnetikë acidë. Ekzistojnë tre formacione kryesore: ultrabazikët, bazikët dhe acidët. Ndërsa, Shqipëria karakterizohet nga shkëmbinj magmatikë në 19 për qind të sipërfaqes së saj; shumica prej të cilëve janë ultrabazikë. Vetë ultrabazikët shoqërohen me minerale të kromit dhe platinit. Dikur, në mes të viteve ‘80, Shqipëria zinte vendin e tretë të në botë për nga sasia e kromit të prodhuar, pas Rusisë dhe Turqisë, me një mineral të cilësisë 40 deri në 42 për qind dhe me një vëllim prodhues që llogaritej në mbi 1 milion ton në vit.

Bulqiza arriti të njihej deri në nivelin 16, ndërsa puna në nxjerrjen e mineralit ka arritur sot deri në nivelin e 13-të. Ahmetaj shpjegon se sot ka ndryshuar botëkuptimi në nxjerrjen dhe përpunimin e kromit. Dikur ishte e nevojshme që shkëmbi i nxjerrë të kishte medoemos përmbajtje kromi mbi nivelin 40 për qind, ndërsa sot, mund të përpunohen edhe nën nivelin 30 për qind. “E thënë ndryshe, Shqipëria është e mbushur plot me krom”, shpjegon ai. Sot për sot njihen një sërë vendburimesh kromi, si Tropoja, Kalimashi, Bulqiza, Batra në Martanesh, Librazhdi (Bushtrica) dhe Pogradeci (Piskupati). “Por, duke marrë parasysh përmirësimin teknologjik dhe kërkesën gjithnjë në rritje për këtë mineral, vendburimet shqiptare të kromit mund të shtrihen në të gjtihë gjerësinë, gjatësinë dhe thellësinë e shkëmbinjve ultrabazikë në vend”, vëren Ahmetaj.

Një mineral tjetër, dikur i shfrytëzuar nga qeveria komuniste është qymyri, por qymyret shqiptare janë përgjithësisht shumë të dobëta, përjashto ndoshta, vendburimet në Memaliaj, Alarup dhe pjesërisht në Drenovë. “Këto miniera sot janë të papërdorshme sepse qeveritë mediokre të tranzicionit i lanë të përmbyten nga uji”, tregon Ahmetaj.

Historia e errët e kromit

Në këtë pikë, minerali që vërtet ka potencial të lartë shfrytëzimi është kromi.
“Një qeveri e zgjuar do të bënte maksimumin në shfrytëzimin e kromit, i cili në Shqipëri gjendet në sasi të mëdha. Qeveritë kanë pasur 20 vjet kohë për të zhvilluar projekte, investime – për të zgjedhur investitorë seriozë në këtë fushë”, shpjegon inxhinieri. Ai thekson se shfrytëzimi i sotëm në miniera është një histori shfrytëzimi që pa e tepruar, mund të quhet tragjike dhe katastrofike.

Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri thekson se në rastin e shfrytëzimit të kromit, kemi të bëjmë me grabitje, sepse përveç faktit që punohet në kushte mesjetare, nga ana tjetër, shfrytëzimi dhe puna në galeri nuk kryhen me perspektivë, pra duke marrë parasysh shfrytëzimin në të ardhmen. “Gjithçka bëhet duke synuar fitimin e menjëhershëm dhe si rrjedhojë, shkatërrohen mundësitë për të vazhduar shfrytëzimin ën një afat më të largët”, shpjegon Xibri.

Luftim Ahmetaj i shpjegon më tej arsyet e kësaj situate. “Për të marrë lejen e shfrytëzimit të një vendburimi kërkohet një projekt. Projektet aktuale nuk janë të plota dhe të studiuara, për arsye se ato hartohen nga militantë dhe jo nga specialistë”, thotë ai.

Sipas Ahmetaj, më e keqja ndodh kur ‘blihet’ licenca dhe si rrjedhojë, subjekti përfitues nuk respekton asnjë nga pikat e paraqitura në projekt, ndërsa shteti detyrohet të bëjë zhurmë në media, vetëm atëherë kur prindër fëmijësh mbeten viktima të kësaj grabitjeje. “Çfarë duhet bërë atëherë? Mjaft të kthejmë sytë nga shembulli i Kilit me minatorët që u zunë nën tokë, në një kohë që përvoja shqiptare e deritanishme u ngjason më shumë shembujve që vijnë na Kongo dhe Zimbabve. Minatorët tanë, në mëngjes para se të hyjnë nënë tokë u duhet të takohen me familjen dhe në darkë, kur kthehen gjallë, përqafohen sërish”, thekson inxhinieri. Ai shton se sot për sot, nuk janë zhvilluar kapacitete të reja shfrytëzimi, por po punohet mbi çfarë ka lënë pas sistemi komunist.

Kapacitetet minerale


Shqipëria vlerësohet se ka pasur rezerva në më shumë se 20 milionë tonë krom, të ndodhura kryesisht pranë Korçës, Matit, Elbasanit dhe Kukësit. Eksporti i kromit dhe nënprodukteve të tij, siguronte një nga rezervat më të rëndësishme të Shqipërisë në valutë perëndimore. Megjithatë, industria shqiptare e kromit nuk arriti ndonjëherë të përmbushte planin edhe gjatë viteve të regjimit komunist. Një dhjetëvjeçar më vonë, ramë në vendin e katërt në botë, duke qenë të tretët në renditjen evropiane, sepse edhe pse prodhonim të njëjtën sasi, nevojat për këtë material në botë u rritën ndjeshëm, ndërsa kapacitetet shqiptare nuk mund të ofronin më shumë. Kjo solli fuqizimin e industrive konkurruese nga vende të tjera, kryesisht Bashkimi Sovjetik, i ndjekur nga Italia. Industria shqiptare e kromit, arriti t’i ruante kuotat prej rreth 1 milion tonë në vit, deri në fillim të viteve ’80, kohë kur prodhimi filloi të shënojë rënie.

Vlerësimet zyrtare të prodhimit të kromit në vitin 1989, variojnë në shifra çuditërisht kontradiktore, nga 500 mijë në 900 mijë tonë. Shkurtimet e forta të energjisë elektrike për sektorin energjetik në vitin 1990 dhe kaosi ekonomik i 1991-it, detyruan mbylljen e ndërmarrjeve të ferrokromit në Burrel dhe Elbasan, ndërsa qeveria kërkonte më kot kapital të huaj për të investuar në këtë sektor industrial, me qëllim përmirësimin e teknologjisë. Në fakt, rezervat shqiptare të kromit të cilësisë së lartë kanë shteruar që nga viti 1990. Cilësia e dobët e asaj çka mbetet, ndikoi në pozicionimin e keq të vendit në tregjet ndërkombëtare. Përveç problemeve me lëndën e parë, situata u përkeqësua edhe nga sistemi i dobët i nxjerrjes së mineralit nga minierat dhe teknologjia antike kineze që përdorej për përpunim. Gjithashtu, industria shqiptare e kromit vuajti edhe pasojë që lidhen me degradimin e mjeteve transportuese. Gjatë viteve ’80, filloi ndërtimi i një linje hekurudhore ndërmjet Bulqizës dhe portit të Durrësit, duke përgatitur edhe një lidhje hekurudhore me Jugosllavinë. Projektet dështuan.

Në këtë periudhë, Shqipëria eksportonte krom, kryesisht drejt Suedisë, Shteteve të bashkuara dhe Republikës Federale të Gjermanisë. Gjithashtu, klientë ishin Jugosllavia dhe disa vende të tjera të Evropës Lindore. Në vitin 1980, shitjet e kromit shqiptar drejt Shteteve të Bashkuara llogariten në rreth 75% të totalit të tregtisë ndërmjet dy vendeve, çka në vetvete vlerësohet në rreth 20 milionë dollarë. Pavarësisht përfitimeve të pretenduara, industria e kromit vuajti nga një mungesë e theksuar e forcës së punës, pasi shpesh minatorët paguheshin shumë keq. Në vitin 1991, ekonomistët e vendit pranuan se vendi nuk kishte fituar kurrë më shumë se 60 milionë dollarë në vit nga industria e kromit.

Në fakt, kolapsi i vërtetë fillon në vitin 1992, kur për shkak se u hap tregu rus i prodhimit, kromi shqiptar doli nga tregu. Qeveria shqiptare vendosi të mbyllë industrinë minerare dhe e shpalli të falimentuar. Në vitin 1998, kur socialistët u rikthyen në pushtet, vendosën ta rihapin këtë industri, duke përdorur transferim të detyrueshëm fitimesh nga kompanitë e tjera shtetërore, për të krijuar kapitalin për AlbKromin dhe AlbBakrin. Shoqëritë filluan të prodhojnë, por nuk arritën të shesin. Si pasojë, në vitin 2001 u detyruan të shpallin falimentin për herë të dytë, por kësaj radhe kishin grumbulluar borxhe në miliona dollarë. Pashmangshmërisht, industria e kromit në Shqipëri u dha me koncesion.

Dy të tretat e kësaj industrie i mori Darfo, një kompani gati anonime nga zona e Torinos. Një e treta e industrisë iu dha me koncesion, kompanisë turke Ber Oner. Vazhdimisht koncesionarët e industrisë minerare shqiptare janë përfolur për korrupsion të zyrtarëve të lartë në nivel ministrash, por deri më sot, nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar apo gjysmë zyrtar.

6 Komente

 Artikull shum interesan dhe informues. 

".... si pasojë e konjukturave të disfavorshme të tregut, por dhe si rrjedhojë e një plani të nisur nga ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili parashikonte mbylljen e 80 minierave nga viti 2009 deri në 2011-ën..." 
 

Ketu na del perseri Rruli. Seç kane nje lidhje keta, binomi Berisha-Ruli. 

 

".... Gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria ka eksportuar rreth 450 milionë dollarë minerale, ku në pjesën dërrmuese kryeson kromi..." 

Pra 150 milion per vit, jo keq, veçse kam pershtypjen se shumica e parave ka shkuar ne buxhetin e firmave te huaja qe i shfrytezojne keto miniera. Kjo tregon punen e dobet te qeverise shqiptare per rimekembjen e firmave shteterore apo dhe mbeshtetjen ndaj firmave vendase. 

Ndonëse Shqipëria ka një traditë të gjatë të shfrytëzimit minerar, sot për sot mundësitë reale janë kryesisht të orientuara nga kromi. Ndërkaq, i gjithë sektori është i zhytur në kaos, degradim dhe keqmenaxhim e korrupsion. Galeri të përmbytura të komunizmit, miniera fantazmë dhe minatorë të vdekur, është tabloja e këtij sektori i cili ndonëse rreket t’i afrohet standardeve perëndimore, ka mbetur edhe më keq se modelet e Zimbabves dhe Kongos. Detajet e errëta të një sektori prej qindra milionë eurosh

_____

Noli do te na ndihmonte me shpjegimin, pse eshte kjo gjendje kaq e keqe ne kete sektor te pasurive nen tokesore te vendit tone me disa vargje te tilla

......
Se ç'e shëmpnë derbederët, 
Mercenarët dhe Bejlerët, 
Se ç'e shtypnë jabanxhinjtë 
Se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë, 
Se ç'e pren' e se ç'e vranë, 
Ç'e shkretuan anembanë, 
Nënë thundrën e përdhunës 
Anës Vjosës, anës Bunës!

.....

Anes Lumenjeve

 

 bravo artian, 

lapidare keto vargje jo vetem per sektorin e minierave por gjith cka po ndodh.

 Qenka dita e nostalgjive sot për mua. Shkrim i mirë në përgjithsi megjithëse nuk jep një pasqyrë të qartë të prodhimit minerar para dhe pas 91 dhe flet vetëm për minieralin e kromit.

Unë do të theksoja se gjëndja e industrisë minerare në Shqipëri është ajo që pësoi në formën më të rëndë dëmin e ¨"teorisë zero" të fillim viteve 90 po një kohësisht tregon papërgjeshmërinë dhe paaftësinë e idiotsinë lapidare të pushtetarëve tanë sidomos kur mendon se një nga shkaqet e mbylljes së tyre (përveç atyre që them më lart)ishte dhe frika që ngjalli forca dhe vendosmëria e minatorëve e metalurgëve në plotësimin e kërkesave të tyre në greva.Turpi i tyre megjithse  pushtetarët tanë janë tê pafytyrë falë papërgjegjshmërisë e e pandëshkueshmërisë që kanë ngritur në sistem.Minierat dhe burimet minerare janë pasuria më e madhe e trashëguar e shqiptarëve dhe në asnjë mënyrë nuk duheshin e nuk duhen dhënë me konçesion por shteti duhet të investojë dhe zhvillojë ato .Në rast shitje ato duhen bërë në bazë të rezervave dhe cilësisê së studiuar mirë si dhe me kushte të përcaktuara .Të japësh me konçesion minierat dhe burimet minerare është njëlloj si të japësh me konçesion apo më saktë kundrejt një shpërblimi psh : 100000€ konçension për1000 € shpërblimdhe të shpresosh se konçensionari do ti shpenzojë paret në dyqanin tënd ( në rastin e shtetit do mbledhë taksat mbi fitimin dhe pagat nqs konçensionari do të jetë i ndershëm) pa zbritur këtu lojrat me kungulleshat e korrupsionit.

Shkrimi flet për kromin dhe ferrokromin por nuk përmend një nga mineralet më tënjohur e më të shtrejntë në nëntokën tonë mineralet e bakrit ,minierat dhe uzinat e përpunimit të tij .Një katastrofë e vërtetë  paaftësie dhe papërgjeshmërie .Një armatë e tërë gjeologësh ,inxhinjera e teknikë minierash e inxh.e tek.metalurgë , një sistem zinxhir shkollash profesionale , teknike e universitare institute shkencore e kërkimore një eksperiencë dhe dije e grumbulluar me djersë dhe gjak u hudh si e pavlerë jo vetëm me papërgjeshmëri por mbi të gjitha me mungesë të theksur dashurie për vendin dhe shqiptarët.Vetëm për kët  krim të  rëndë ekonomik e antikombtar ata s'meritojnë paqe as në varr bile bile as varr në nëntokën shqiptare .

Ka që justifikohen me teknollogjinë e vjetër kineze etj , pikësëpari teknollogji dotë thotë praktikë pune , zbatimi i disa normave dhe ligjeve teknike e shkencore që ku me ndihmën e makinerive e pajisjeve e ku me eksperiencën e njeriut bën të mundur prodhimin e kërkuar. Paisjet dhe makineritë përmisohen çdo ditë për rritjen e rendimentit ,cilësisë, sigurisë dhe lehtsimin e punës të puntorëve etj. Unë mund t'ju them p.sh se Uzina e bakrit në Rubik është ndërtuar nga Italianët në vitet 30 dhe ka punuar deri në 91-92 besoj sigurisht ka pësuar përmisime e remonte në vite si kopje e saj u ndërtua nga inxh .shqiptarë uzina e bakrit në Kukës rreth viteve 60 por asgjë s' pengonte shkrirjen e mineraleve të bakrit në to . I vetmi përmisim i domosdoshëm në industrinë minerere e metalurgjike ishte përmisimi i kushteve të punës dhe ruajtja e mjedisit nga ndotjet dy gjëra plotsisht të plotsueshme në kushtet e ekonomisë së tregut . Në vend të shpenzoheshin për investime në këto dy drejtime me fitimet e mara nga prodhimi i tyre  u zgjodh rruga e shkatrrimit të milionave të investuara në këto uzina dhe nxjerrja e njerzve në asistencë si koje apo karrem( paguhej 80% e pagës) për moskundërshtim dhe lëvizje sociale duke përfituar dhe nga shndërrimi i sindikatave në shtojca të partive politike deri në eliminimin përfundimtar të tyre nga korrupsioni  pasiv i pushtetit mbi ta . Po kështumund të themi dhe pë metalurgjikun në Elbasan ku mund të punonin mbi 5000 puntorë pa ndotur mjedisin dhe shëndetin e tyre në vend të 200- 300 vetëve apo diçka më shumë po të fussim dhe ç'montusit dhe shkatruesit e asaj ç'ka ngel ,që vazhdojnë të punojnë sot . I rashë gjatë më duket por dhe për atë që s'kam të dhëna të sakta për gjëndjen e kësaj industrie sot .

Dy të tretat e kësaj industrie i mori Darfo, një kompani gati anonime nga zona e Torinos. Një e treta e industrisë iu dha me koncesion, kompanisë turke Ber Oner. Vazhdimisht koncesionarët e industrisë minerare shqiptare janë përfolur për korrupsion të zyrtarëve të lartë në nivel ministrash, por deri më sot, nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar apo gjysmë zyrtar.

 

1) S'eshte me DARFO por Albanian Chrome (ACR). Darfo s'ishte nga Torino por bashkepunim austriak-rus.

2) S'eshte e vertete qe s'ka pasur informacion zyrtar per korrupsion ne kete sektor, dhe konkretisht me DARFO-ACR. Ish keshilltari i ish-Ministrit Prifti dhe ish-administratori i DARFO, Eduard Belegu, eshte larguar nga Shqiperia ne drejtim te paditur dhe kerkohet per korrupsion dhe shkelje ne drejtim te kesaj sipermarrjeje.

 Darfo një kompani në falimentim dhe që zbatojë shumë pak kushtet e konçesionit ja shiti konçensionin  kompanisë austriako -ruse e cila vazhdon dhe më sot por ka mundësi që rusët janë tërhequr ( kjo e fundit jo e sigurt&eumlsmiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).