Ajo ishte një ngjarje fare e vogël. Një ngjarje, që kaloi pa rënë në sy fare, njësoj sikur të ishte një fëmijë i vogël e i humbur në morinë e të rriturve që nxitojnë. Ngjarja e madhe, që sfumoi ngjarjen e vogël ishte kokëfortësia e deputetëve tanë për t’u çliruar nga morsa, që po e mbyt pak nga pak vetë politikën. Megjithëse të gjithë themi që nuk kemi me se të çuditemi më, megjithëse të gjithë themi që pak nga pak po na humbet aftësia njerëzore jo vetëm për të qenë kuriozë, por edhe më keq akoma, për t’u pataksur, për t’u mekur e më në fund për t’u ndjerë të ofenduar nga burrat e gratë të cilët me vullnetin tonë i kemi dërguar të na përfaqësojnë në Parlament, megjithatë pra, kësaj radhe shumë vetë edhe arritën, me një lloj sforcoje patriotike që edhe të çuditen. Se si ishte e mundur që të ndodhte kjo tashmë është thënë e stërthënë. Ne sot deshëm të merremi ca me atë ngjarjen e vogël të cilën e errësoi kjo e madhja.

Vetëm një ditë para se të ndodhte dështimi i rezolutës së Pak për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, në Kuvend u miratua me 131 pro vota një ligj disi i veçantë: Është ligji për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve. Për herë të parë në Parlament nuk pati diskutime pro dhe kundër. Është e kuptueshme. Ligji është mbështetur fort nga UNICEF-i prestigjioz dhe, e dyta, ai nuk i cenon aspak interesat politike apo financiare të ndokujt. Deri këtu krejt në rregull. Megjithëse e konsideruar e vogël, ngjarja duhet brohoritur. Të gjithë e dimë se si i kemi një pjesë të fëmijëve anekënd Shqipërisë. Një pjesë e tyre vuajnë nga minimum jetik i ushqimit, të tjerë nuk kanë mundësi të shkollohen, ose në rastin më të mirë të shkollohen shkel e shko. Të tjerë akoma i sheh duke lypur, duke gërmuar në kazanët e plehrave dhe duke shitur vogëlima në kryqëzimet e rrugëve të mëdha. Shumë janë viktima të dhunës dhe të trafikut. Të gjithë këtë pamje nuk është se nuk e njohim. Atë e hasim përditë që nga komoditeti i qyteteve tona, ajo na kalon përherë pranë, madje nganjëherë na bezdis me atë këmbënguljen dëshpëruese që ka gjithnjë varfëria dhe dëshpërimi. Po sikur të mos ishte ky ligj, atëherë do të thonim se ne e kemi parë këtë gjendje, por e kemi parë me syzet tona të diellit, sepse ndryshe pamja do të na vriste sytë dhe pastaj nuk do ta ndjenim më veten ata europianët që edhe për një hap do të hyjnë në BE.

Ligji, absolutisht nuk ka të sharë, ai është hartuar nga Ministria e Punës, por vetëm me një shikim të shpejtë, e kupton se në këtë rast nuk është vetëm punë e një ministrie. Aty duhet ta gjejnë vendin Ministria e Arsimit, e Rendit, e Drejtësisë, e Shëndetësisë, me një fjalë, një pjesë e mirë e krejt shtetit. Edhe herë të tjera kanë dalë ligje që qoftë edhe tërthorazi, synonin përmirësimin e gjendjes së fëmijëve shqiptarë. Njëri prej tyre ishte ai që dënonte prindërit që nuk dërgonin fëmijët në shkollë, por i mbanin ata në stan, me bagëti. Po kështu hera-herës, ka dalë edhe ndonjë tjetër. Pas çdo ligji të ri, gjëja më e parë që të shkon ndërmend është: a do të jetë ky ligj i zbatueshëm, apo do të flejë në sirtarë si i famshmi ligj antiduhan? Me miratimin e tij është hedhur një hap më tepër në make up-in politik të sotëm, pra më shkoqur akoma me anë të tij, zëre se kemi blerë edhe një herë një palë syze, kësaj radhe nga ato firmato, vetëm e vetëm që të themi se edhe ne jemi po aq modernë sa të tjerët. Kush e ka kështu, e ka fort gabim, sepse vërtet, për disa kohë, nuk do t’ia vrasin sytë gjërat e shëmtuara, por dreqi ta hajë, nuk mund të rrihet gjithë jetën me syze dielli. Vjen një ditë a një orë që edhe ato bëhen të bezdisshme. Për fat të keq, me gjithë ligjin fort të lavdëruar, ekziston ende frika e madhe se ka gjasë që ai të mbetet një copë letër e harruar. Jo vetëm sepse të parët tanë do kenë gjëra më të mëdha për të bërë, të paktën kështu i konsiderojnë ata vetë ato që bëjnë, por edhe sepse deri më tash, e kanë treguar me vepra se nuk janë edhe aq të ndjeshëm në këtë fushë. Shembulli më tipik ishte votimi në Parlament i ligjit mbi fëmijët. A e dini se kur u votua ai? Menjëherë pas ligjit për kazinotë dhe lojërat e tjera të fatit. Mbase ka ndodhur rastësisht, por bixhozi para fëmijëve nuk është një gjë që haset vetëm në Parlament. E atëherë si mund të jesh optimist, vetëm në qofsh i rrethuar gjithkah nga një dritë hyjnore vezulluese. Por kjo sigurisht që nuk ekziston. E atëherë ç’të themi? Jemi apo nuk jemi një vend me syze dielli?

4 Komente

Ta fillojne zbatimin duke mos lejuar punesimin e femijeve ne cmontim armesh qe mund te shperthejne e qe menaxhohen nga te afermit e Berishes, se qeveria vete per keto nuk di gje. 

".... Për fat të keq, me gjithë ligjin fort të lavdëruar, ekziston ende frika e madhe se ka gjasë që ai të mbetet një copë letër e harruar..."

 Fatkeqesisht keshtu ka per te ndodhur, njesoj/tamam si me ligjin antiduhan, ku nuk lejohet duhani ne restorante dhe kafe-internet, mirpo ndodh e kunderta.  

 Mbase ka ndodhur rastësisht, por bixhozi para fëmijëve nuk është një gjë që haset vetëm në Parlament.

E mer Baxhak e. Po ai eshte parlament bixhozxhijsh qe kane hedh ne loje fatin e tre miljone shqiptareve per xhepat e nje Qeverie . E kujt i ben pershhtypje ne Shqiperi se ka Ligj per Mbrojtjen e Femive te Gerdecit apo te maleve krom -mbajtes ?

A nuk ka folur Saliu i pari i Bixhozxhijve para bixhoJozefxhijve te Pallavramentit se "duhen denuar ashper shfrytezuesit e punes se bebysiters" smiley Biles njehere u nxeh aq shume sa donte te hiqte nga loja ca bixhoJozefxhij qe merreshin me bixhozin e duhanit ,duke folur e qare se  e bente kete per shendetin e Shqiptareve qe ishte me mire te thithnin "aromen e plehrave te Berluskonit sesa te pinin duhan " A nuk ishte ai qe qau per varferine e shqiptareve si atomist duke u perbetuar para bixhoJozefxhijve te Pallavramentit qe do ndertonte centrale atomike qe do te sillnin keqformime ne lindje. Dhe keshtu me mire te mos kemi femije se sa te detyrohemi te nxjerrim Ligje !

Rrofsh Baxhak . Si gjithnje i dashur dhe i embel!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).