Një korpus me tregime të panjohura në shqip

E para përmbledhje e plotë e shkrimtarit italian përfshin romanet “Një dashuri” dhe “Shkretëtira e Tartarëve”, të sjella në shqip nga përkthyesi i njohur Dritan Çela dhe 60 tregime të përkthyera nga Hasan Bregu, pjesa më e madhe e të cilave ishte e panjohur më parë për lexuesin shqiptar. Vetë Buzzati është kujdesur për përmbledhjen e këtyre tregimeve

Dino Buzzati me më të mirat e krijimtarisë së tij vjen në një opus letrar. “Kryeveprat” është titulluar përmbledhja e plotë, botuar shqip nga “Ombra GVG”. E para përmbledhje e plotë përfshin romanet “Një dashuri” dhe “Shkretëtira e Tartarëve”, të sjella në shqip nga përkthyesi i njohur Dritan Çela, si dhe 60 tregime të përkthyera nga Hasan Bregu, pjesa më e madhe e të cilave ishte e panjohur më parë për lexuesin shqiptar. “Kryeveprat” e Buzzati-t në shqip është botimi identik që “Mondadori” ka ofruar për lexuesin italian. Ky botim është në vazhdën e përmbledhjeve në serinë e klasikëve modernë të “Ombra GVG”. “Shkrimtari i njohur Zija Çela, njëkohësisht edhe babai i përkthyesit të përfshirë në këtë vepër, në një bisedë që kemi bërë, ka thënë se njerëzve u bëhen monumente pas vdekjes, ndërsa shkrimtarëve u bëhen monumente me libra. Korpusi i plotë që sapo kemi hedhur në treg është një homazh ndaj veprës së Buzzati-t, ndaj letërsisë italiane dhe pse jo edhe ndaj asaj letërsie që asnjëherë nuk vdes. Opusi i Buzzati-t vjen në një përmbledhje serioze, shërbimin ndaj së cilës jemi munduar ta bëjmë sa më kompleks”, shprehet Gëzim Tafa. Kjo vepër prej 1100 faqesh është e shoqëruar me një jetëshkrim dhe një bibliografi të plotë të Buzzati-t. Tregimet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të këtij korpusi. Ndonëse më parë disa prej tregimeve janë përkthyer pjesërisht nga autorë të ndryshëm në kohë të ndryshme, kjo vepër në 60 tregime është më e plota në tipologjinë e vet, për faktin se vetë Buzzati është kujdesur për përmbledhjen e këtyre tregimeve. Sipas Tafës, korpuse të tilla janë të mirëpritura nga lexuesi shqiptar. “Lexuesi është i ndjeshëm ndaj letërsisë serioze. Botimi sapo është hedhur në treg dhe konstatojmë se është pritur pozitivisht. Dua të them që pavarësisht se Buzzati mbush 40 vjet që është larguar nga kjo jetë, krijimtaria dhe vepra e tij mbeten po kaq moderne, kaq serioze sa në kohën kur ai është botuar për herë të parë”.

Shkrimtari

Bota që ofron Dino Buzzati është një botë magjike, e mistershme, mjaft tërheqëse për lexuesin, i cili mbërrin deri në fund të leximit me frymën pezull, në pritje për të njohur të vërtetën e vetme që kthen në anën tjetër të gjitha ato që deri në ato momente dukeshin të vërteta. E kjo ndodh në mënyrë të veçantë në tregimet e tij, që frymëzohen nga episode prej së përditshmes, e prej së cilës më në fund subjekti merr jetë. Atmosfera bëhet surreale dhe në një moment ndodh e pabesueshmja. Pas dukjes së rrëfimit përrallor shfaqen edhe tematikat e rëndësishme me të cilat autori përballet... “Historitë që do të shkruhen, tablotë që do të pikturohen, muzikat që do të kompozohen, çmenduritë dhe gjithçka e pakuptueshme që ti thua, do të jenë gjithnjë pika maksimale e njeriut, flamuri i vet autentik... ato idiotësi që ti thua se do të mbeten gjithçka që të bën të dallueshëm nga kafsha... Ditën kur ato idiotësi nuk do të bëhen më, njerëzit do të jenë kthyer në disa krimba nudo të mjerueshëm si në kohën e shpellave”, kështu shkruante shkrimtari, gazetari dhe piktori italian, Dino Buzzati. Vila e familjes dhe biblioteka ishin thelbësore në formimin e shkrimtarit, detaje të jetës që do të meritonin një histori më vete. Gjatë viteve të para të fëmijërisë, shkrimtari tregoi vëmendje të veçantë dhe një ndjeshmëri të madhe ndaj arteve figurative dhe muzikës. Për 12 vite ai studio piano dhe violinë, por më pas vendosi t’i braktisë studimet. Dashuria për malin është gjithashtu e rëndësishme për Buzzati-n, një dashuri që do ta shoqërojë përgjatë gjithë jetës. Pas vdekjes së të atit, në moshën 14-vjeçare Buzzati regjistrohet në Liceun e Milanos, ku njihet me Arturo Brambilla, i cili në vazhdim do të jetë edhe miku i tij më i mirë. Të dy jo rrallë herë u përballën edhe në duele shkrimesh, prej së cilave do të dalë edhe prodhimi i parë letrar i këtij autori. Me Brambilla-n do të nisë edhe një korrespondencë e vazhdueshme deri në vdekjen e parakohshme të mikut të tij të ngushtë, ngjarje që la gjurmë të thellë në jetën e shkrimtarit. Qysh në rini ai nis të mbajë një ditar ku vazhdimisht shkruante mendimet dhe ngjarjet e ndodhura. Brenda tij nisi të marrë jetë dëshira për t’iu kushtuar cilitdo zanat që ka të bëjë me të shkruarin. Ndihet mjaft i tërhequr prej gazetarisë dhe ja ku në vitin 1928, pa i përfunduar ende studimet, hyn si praktikant në gazetën "Corriere della Sera". Shënon në 10 korrik në ditar: “Sot hyra në ‘Corriere’, kur do të dal prej saj? – shpejt, ta them unë, i zbuar si një qen”. Në janar të vitit 1939 dorëzon dorëshkrimin e kryeveprës së tij, librit më të dashur e më të njohur, “Shkretëtira e Tartarëve” që do të kthehet më pas në një emblemë të letërsisë së ‘900-s. Lexuesi i parë që e merr këtë dorëshkrim është sigurisht miku i ngushtë, Arturo Brambilla, i cili pasi e lexon me entuziazëm ia kalon atë Leo Longanesi-t, që ishte duke përgatitur një koleksion të ri për shtëpinë botuese “Rizzoli”, të quajtur "Sofà delle Muse". Me sinjalizim të Indro Montanelli-t, ai pranon publikimin e romanit, edhe pse në një letër Longanesi i lutet autorit t’i ndërrojë titullin origjinal, "Kështjella", për të evituar çdo lidhje që mund të bëhej asokohe me luftën tashmë mjaft afër. Më 10 qershor në Romë dëgjon fjalimin e Musolinit dhe shpalljen e luftës.

I thirrur nën armë, niset nga Napoli mbi kryqëzorin Fiume si korrespondent lufte dhe arrin zonën e operacioneve detare të Mesdheut. Në bordin e luftanijes Trieste merr pjesë në betejën e Kepit të Tauladës. E kujton kështu një dëshmitar i drejtpërdrejtë: “Dino Buzzati, edhe duke mos qenë i kontingjentit tonë, domethënë duke mos pasur detyra specifike në gjuajtje apo në manovrim, qëndronte gjithmonë në vendin e tij, duke treguar qetësi dhe guxim”. Që nga Adis Abeba vazhdonte të ndiqte fazat e shtypjes së romanit të ri. I shkruan më 16 shkurt mikut Arturo Brambilla dhe e ngarkon të korrigjojë bocat dhe të procedojë me ndonjë rregullim të diktuar nga frika e censurave të mundshme. Më në fund, “Shkretëtira e Tartarëve” del. Libri ka sukses, botimi i parë mbarohet me shpejtësi. Rreth fundit të viteve ‘50 takon S.C., gruan e re, që pastaj do të bëhet protagoniste e romanit “Një dashuri”. Duke iu referuar kësaj lidhjeje sentimentale e torturuese, ai shkruan në ditar: “E vetmja gjë, për të shpëtuar, është ta shkruaj. Të tregoj gjithçka, të bëj të kuptohet ëndrra e fundit e burrit që është te porta e pleqërisë. Dhe, në të njëjtën kohë ajo, mishërim i botës së ndaluar, të rremë, romanceske e përrallore, në kufijtë e së cilës kishte kaluar gjithmonë me përbuzje dhe dëshirë të errët”. Njeh më pas Almerina Antoniacin, që e takon gjatë punës së një shërbimi fotografik për gazetën “La Domenica del Corriere”. Në një bisedë me Paolo Monelin në shkurt të vitit 1961, zbulon disa aspekte të përvojës së tij private. “Ka individë... që piqen vonë, shumë të shtyrë në vite. Unë duhet të jem njëri prej tyre. Shumë gjëra nuk i kuptoj ende, të tjerat i kam kuptuar kur nuk më shërbente më t`i kuptoja. Dashuria për gruan, them dashuria, jo të shkuarit në shtrat, xhelozitë, lotët e pasionit, dëshira për të vdekur, ose madje për të vrarë veten, kënaqësia e dëshpëruar që të vuash për një mosmirënjohëse, për një të pabesë, të gjithë këtë e kam zbuluar vetëm në këto kohë. Nuk di të them nëse jam bërë më në fund i pjekur, apo sapo i kam arritur tani njëzet vjetët e vërtetë”. Më 18 qershor të vitit 1961 vdes e ëma, Alba Mantovani. “Nëna ime ishte i vetmi njeri që nëse unë bëja diçka, nëse kisha ndonjë sukses të vogël, ishte me të vërtetë e lumtur për këtë. Dhe, nëse përkundrazi kisha ndonjë dhimbje të vogël, ishte me të vërtetë e pikëlluar. Ky është i vetmi tip dashurie – për atë që njoh unë – që me të vërtetë realizon në mënyrë të përjetshme (domethënë pa çekuilibrime) këtë pjesëmarrje të mrekullueshme, që është pikërisht dashuria për të afërmin”, shkruan ai. Vdekja dhe varrimi i së ëmës shkaktojnë te Dinoja një vrarje ndërgjegjeje të mprehtë: akuzat për mosmirënjohje e për egoizëm që i drejton vetvetes reflektohen në tregimin “Dy shoferët”... E ndërkaq, krahas krijimtarisë së gjerë letrare e gazetareske, vend të konsiderueshëm zuri edhe piktura. Autor bocetesh e pikturash të ndryshme, Buzzati merr pjesë në ekspozita të ndryshme, duke deklaruar se e konsideron pikturën jo si një hobi, por si profesionin e tij. Në një diskutim autoironik, publikuar në katalogun e një galerie arti, ai pranon se e pikturuara dhe e shkruara për të, në fund të fundit janë e njëjta gjë. “Nuk ka rëndësi në pikturoj apo shkruaj, pikësynimi im është të arrij atë që dua, të rrëfej histori”. Me “Poemë me vizatime” ai do të nderohet me çmimin “Paese Sera”, në vitin 1970. Ndërkaq kishte nisur sëmundja e rëndë, prej së cilës edhe ndërron jetë në vitin 1972. Kështu e përshkruan Indro Montanelli: “Më kujtohet shëtitja jonë e fundit në Cortina. Ishte mjaft i sëmurë, por nuk donte ta thoshte. Preferonte të bënte sikur u besonte atyre që i thoshin mjekët të cilët flisnin si disa personazhe të tregimeve të tij, duke u munduar të jepnin besim në atë që thoshin, të fusnin të dridhurat deri në kockë pikërisht për atë që nuk thoshin...”

 

18 Komente

do doja te lexoja "nje dashuri",

"shkretetiren" e kam lexuar, nje ndikim i konsiderueshem nga romani "keshtjella" i franz kafka-s

me pelqen me shume ne tregime buzzati

"Nje dashuri" eshte nje nga librat e mi te preferuar me behet qejfi qe qeka botu shqip. (une e pata lexu frengjisht)

 

 

S'marr shume vesh nga letersia, por kam lexuar Shkretetiren e Tartareve qe mbahet  si nje nga kryeveprat e letersise botrore. Liber me kot s'besoj se mund te ekzistoje

e pra, ato kohera te gjithe imitonin keshtjellen e kafkas

te falet, e ke deklaruar dhe vete qe s'merr vesh nga letersia.

E vertete, dhe pervec kesaj "deklarova" se - mbahet si nje nga kryeveprat e letersise boterore - . Por secili shijet e veta, tha. Tani c'fare s'me pelqen tek ai roman ? Vallahi asgje s'me pelqen aty. Kur lexojme bashke me historine e tregimit perjetojme edhe emocione si psh dashurine vertetesine bukurine kureshtjen ... Aty tek Shkretetira vec plogesheti kam ndjere dhe gjithashtu merzitje, po sic e "deklarova" secili shijet e veta, pritjet perjetimet e veta.

aty tek Shkretetira vec plogesheti kam ndjere dhe gjithashtu merzitje,

pikerisht kjo eshte, enj, gjithe romani eshte ndertuar mbi monotonine e jetes, mbi pritjen, ankthin qe te sjell kjo pritje, mberritja e dickaje nga casti ne cast, por qe s'vjen kurre. nganjehere, vete jeta e nje individi eshte e tille, ne pritje te ndodhe "beteja e madhe e jetes", por nderkaq ajo s'vjen kurre, ose kur vjen, tashme ti ke ikur ne boten tjeter. ne njefare menyre, l'occasione mancata della tua vita.

Shume bukur Ana. Kush deshiron te lexoje Shkretetiren, le ti hedhe nje sy me pare pershkrimit lart se e ka dhene ne menyre te persosur  idene e librit. L'occasione mancata della tua vita - Kjo eshte  Jeta ne vetvete, disa momente te vogla lumturie qe kemi kaluar dhe disa "occasione" te ardhshme qe nuk duhen humbur. Ven une si lexues i  pashumekomplikuar do preferoja te lexoj dicka ku heroi nuk e humb jeten e tij ne monotoni, por ka nje deshire nje projekt dhe ben cdo gje per ta arrit ate. Si tha ( Pango ) : Kape jeten per fyti ...

 Me pelqejne shume librat e Buzzatit, sidomos tregimet, per mua jane nje kryeveper. Nuk e shoh shkretetiren e Tartareve te ngjashme me Keshtjellen, megjithese subjekti mund te jete i njejte te lene dy shije krejt te ndryshme.

tregimet jane pasqyre e papare e frikrave qe harrojme se i kemi dhe i bindjeve te fshehta qe kemi frike te pranojme se i kemi. Mendoj se vetem O Henri i qaset cilesise se Buxatit ne tregim te shkurter. Te dy, Henri me gjeresine e studimit te robit dhe Buxati me kerkimin dhe shpluhurosjen e cepave te harruara te personalitetit, zbulojne dramatiken qesharake te njerit. " eshte e lehte te perballohet varferia kur mund te dhjesesh si zoteri". Shtepia ideale- Dino Buxati.

ne shqip ka dhe tregime te tjera te buzzatit.....por qe duke qene qe eshte pak i njohur nuk i gjeje ne qarkullim...Shkretetirra eshte me i njohuri liber i tij per vet rendesine e tin ne letersien boterore..Nje dashuri edhte tregimi me i gjate i tij mund te them qe eshte gati gjysroman..eshte i bukur,i thjeshte...

kushdo qe do te filloj ta lexoj Buzzatin i keshilloj qe si fillim te lexoje nje permbledhje me tregime te tij qe eshte publikuar ne shqip "Kolombreja"

Ah, Buzzati. Dhimbja jone e madhe, coroditja, modernizmi i pakuptim dhe i pa vlere. Te duket sikur je midis nje mjergulle dhe s'di nga t'ja mbash. Ky eshte buzzati, per mua.

 Ah, dhe une keshtu mendoj!

Tregimet e shkurtera (pjesen me te madhe) i ka perla. Kam perkthyer njehere nje tregim te tijin "Nje pike uji" qe u botua tek gazeta "Zeri i Rinise" andej nga fundi i viteve '80

Problemi me i madh i Buxatit eshte qe nuk arriti dot te dilte nga hija e Kafkes.

nuk eshte e vertete, Kafka ka nje lloj pazgjidhshmerie te pafund ne romanet dhe tregime e tij, nje si ankth te vazhdueshem dhe mbytes. Ndersa romanet dhe tregime te Buxatit megjithese trajtojne ndoshta tema te njejta dhe pershkruajne te njejten rutine dhe kane te njejten pafuqi per te ndryshuar realitetin kane nje lloj pritshmerie tjeter, tregojne nje fytyre ironike dhe kontradiktore te jetes dhe ku e keqja fshihet gjithmone ne kufirin midis jetes dhe vdekjes dhe spostohet vazhdimisht. Ndersa tek Kafka duket sikur e keqja ka ndodhur qe ne fillim dhe me pas eshte i gjithi pershkrim i nje situate te pandryshuar. Te pakten kete pershtypje me lene mua.

Problemi i letersise se Buzzatit, mendoj, eshte se eshte plakur keq.

Per ata prej jush qe mbase jane te interesuar, Kryeverprat e Buzzati-t gjenden edhe te faqja jone. Shpresoj mos e konsideroni kete njoftim thjesht si reklame se sa si nje sherbim informativ per komunitetin.

Perzemersisht.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).