Njerëzve-njerëzisht

07hands.jpg

Im atë më ka treguar për një traditë të hershme të fshatit tonë. Në ditët e festave, njerëzit që kishin më tepër mundësi, gjatë natës, shpinin te burimi, dikush ushqime, dikush lekë, ëmbëlsira, byrek a mish. Po gjatë natës, ata që nuk kishin, shkonin e merrnin diçka për familjet e tyre. Kështu që, as ata që jepnin e as ata që merrnin nuk e shikonin njëri-tjetrin e nuk dihej se cilët ishin.

Në këtë kohë të vështirë, po e kujtoj shpesh këtë gjë. Po shkruaj këtë letër, sepse ndiej një detyrim për të folur sot, një detyrim të thjeshtë ndaj njerëzve që më kanë ndihmuar mua dhe familjen time, qoftë materialisht, qoftë shpirtërisht. Sipas mundësisë dhe sipas pamundësisë. Si fillim desha të them se mendoj që ai që po rrëzohet, nuk ka kohë të japë hollësi për atë që po ndodh: thjesht kërkon ndihmë. Kërkova ndihmë se arritëm në kufijtë e shkatërrimit. Para disa vitesh e kërkuam familjarisht këtë, shtyrë nga ca miq, duke iu drejtuar institucioneve përkatëse. Oh, sa fjalë të bukura e shpresëdhënëse dëgjuam që na ushqyen shpresën e së fundi rezultoi një boshllëk mospërgjigjeje e kthim në PA SHPRESE! Por kësaj radhe është pashmangshmërisht ndryshe. Gjendja në familjen tonë, tejet e rënduar dhe rrëzimi i dhembshëm drejt fundit, më detyruan të thërras dëshpërimisht për ndihmë. T’u drejtohem këtë të dytën e të fundit herë, njerëzve- njerëzisht. Nuk mjafton e tërë dashuria ime si bijë e si motër dhe as i tërë përkushtimi im jetësor për të ushqyer, mjekuar e përkujdesur të shtrenjtët e mi, që po treten në vuajtje të pamerituar drejt ikjes përgjithmonë.
Se duhen para. Për çdo gjë u dashkan ato të shkreta para. E unë nuk kam se si e ku t’i gjej, për të paguar me to lehtësimin e jetës së tyre të mundimshme. Jo mirëqenien, e jo atë se çfarë do të kisha dashur t’u siguroja në ëndrrën time, për t’i përcjellë drejt ikjes nga kjo botë, por më të paktën e mundshme, veç ama me dinjitet!

E di që nuk jam e vetme, e si unë, e si ne, ka plot e plot të tjerë njerëz përreth.
Po sot, po flas për shtëpinë e për familjen time. E pra, e shoh se ca gjëra u dashkan thënë. Jo vetëm të panjohurit, por ju siguroj se as të njohurit tanë, nuk e kanë ditur e nuk e dinë gjendjen e vërtetë të familjes Petro Marko. Por kush ka sy e zemër, ka kuptuar atë që duket e nuk duket, pa pasur nevojë për ankimin tim formuluar me fjalë.

Nuk e kam turp varfërinë tonë. Por e kam pasur vështirë të qahem për të ruajtur dinjitetin. Se shtëpia jonë është një shtëpi pune. Se babai e nëna ime kanë punuar tepër shumë në jetën e tyre. Jeta e tyre është vetëm punë. Ndershmërisht e kanë dhënë shpirtin në krijimet e tyre, të cilat kanë bërë pjesë në jetët e mijëra lexuesve të vegjël a të rritur.

Babi nuk është më prej nëntëmbëdhjetë vitesh, por nëna ime deri përpara se të dënohej nga sëmundja e rëndë, para pesë vitesh, ka punuar pa reshtur asnjëherë. Ende sot, larguar nga realiteti, vazhdon të lëvizë të shtrenjtat, të mirat, të bukurat duar të saj, sikur të pikturonte ende.

Im vëlla ka që në 1991-in që u dëmtua në kokë e trup, që përpëlitet midis të shkuarës e të tashmes, që të dyja pakursyeshmërisht të pamëshirshme me të. Unë, e detyruar nga gjendja e rëndë dhe vështirësitë e përballueshme të familjes, kam trembëdhjetë vite që jam larguar nga mundësia e një pune për t’u qëndruar afër e për t’i zgjatur jetën qoftë nënës, qoftë vëllait. Një zgjedhje kjo që më kushton jo vetëm humbjen e një pensioni normal, por humbjen e një mundësie tjetër jete, për veten time. Por nuk pendohem e nuk e quaj sakrificë. Është një fjalë e madhe. Dashuria, vlerësimi e respekti që kam për babanë, nënën e vëllain tim, për familjen time që kaloi vuajtje e dhembje nga goditjet e realitetit të kohëve, ma mbushin shpirtin me më tepër vlerë e mirësi, se çfarëdolloj shpërblimi tjetër.

Jetën që më dhanë ua kushtova atyre. Amanetin e babait po e mbaj. Dhe mjafton, kur nëna ime në mes të përhumbjes e mosnjohjes më thërret në emër e më thotë: T’u bëfsha kurban! Shprehje e vjetër kjo trashëguar nga e mira gjyshe. E mjafton kur im vëlla më thotë: E di që ti prapë do të më shpëtosh! E tani mendoj e ndiej, se thashë aq sa duhet, si një përgjigje e përmbajtur për pyetjet e atyre që nuk e dinë gjendjen tonë. Më tepër se aq sa është një rënkim, nuk ka përse të shfaqet në ekrane e fotografi dhembja, mjerimi e varfëria e një familjeje. Unë nuk do t’i shkëmbeja pamjet e fatkeqësisë së kësaj shtëpie me asnjë shumë parash. Ai që dëshiron të prekë dhembjen le të urdhërojë në shtëpinë tonë. Njerëzisht. Është si një muze arti dhe jete vuajtshëm jetuar - paralel me historinë e vendit tonë - do të thoshte Petro Marko.

E pata të rëndë të thërras për ndihmë. Por po mbaj në shpirtin tim peshën e dhembjes e të pamundësisë për të luftuar tashmë e vetme betejën e fundit. Jo vetëm për të mbajtur fjalën që i dhashë tim eti. Që do luftoj pa u dorëzuar, për të çuar në bregun e fundit anijen që mbart hallet e dertet e shtëpisë sime.

Po ja që u dashka dora dhe zemra e njerëzve, se e vetme, realisht nuk mundem më. Dhe po shikoj e po ndiej që nuk qenkemi vetëm. Miq të dikurshëm, miq të tanishëm, miq që ende nuk i njoh e miq që ndoshta nuk do t’i shoh, iu përgjigjën thirrjes sime. E mu kujtuan ca vargje që shkruara dikur:

Dielli ngroh, por edhe djeg. / Jep jetë, por edhe than. / Duhet ujë. / Shpresa lind, por edhe vdes. / Jep jetë, por shumë nuk mban. / Duhen miq. Do të desha t’i përmendja një e nga një, njerëzit që deri tani më kanë ndihmuar e më kanë dhënë, hëpërhë, mundësinë e lehtësimit të ngarkesës së problemeve. Nuk ka rëndësi sasia e të hollave, ata i kanë hequr ato nga pagat e nga pensionet modeste me të cilat jetojnë, i kanë hequr nga llogaria e tyre e i kanë dhënë dorën familjes sime, familjes së Petro Markos. Mirënjohje përjetë. I përulem me respekt mirësisë e njerëzisë së secilit, të njohur a të panjohur qofshin. Na u gjendët në ditë të zezë. Po përdor shprehjen, ashtu si e thoshte im atë: I falem nderës së secilit prej jush!

 

9 Komente

Ruzhdija - 13 Qer 2010 - 5:04pm

sikur ta mbyllnit fare per komente kete shkrim.

eshte vetem per tu lexu.

no comment Sad

lumidrin - 13 Qer 2010 - 7:47pm

Ke te drejte, qe nuk don koment, se jane sa familje qe kane nevoje per ndihme, edhe prinderit e tyre i kane dhene ketij vendi ne sport, ne art e ne fusha te tjera.

Mos te bejme listen e atyre qe shteti, shoqeria i ka harruar me kohe.

Familja Marko te ngushellohet se nuk eshte vetem ne kete harrese.

Teuta - 13 Qer 2010 - 5:10pm

Sad

Iris - 13 Qer 2010 - 5:22pm

La classe non è acqua!

karamelja - 13 Qer 2010 - 8:15pm

Kur lexoja librat e petro markos kur isha e vogel dhe me pas ne moshe fare te re librat e tij me dukeshin si kopje te keqija te autoreve te tjere te Brezit te Humbur, por kur kam lexuar Interviste me vetveten ne 1999 kam zbuluar qe ai i kishte jetuar vertet ato qe kishte shkruar, dhe me ka bere shume te qesh dhe qaj me jeten e tij prej idealisti. Keshtu qe nuk eshte ndonje cudi qe familja e tij ka perfunduar ashtu sic ka perfunduar, per shkak se jeta e tij ka qene gjithmone ne furtune ashtu sic shkruante dhe ne 1991 kur vdiq: 

qe kur linda planeti ishte ne furtune,

kur jetova planeti ishte ne furtune dhe tani po e le planetin ne furtune.

Madje dhe pas vdekjes, njerez te tille te medhenj duhet te jetojne ne furtune. 

Ana H - 14 Qer 2010 - 12:46pm

Eshte per t'u admiruar dinjiteti i njerezve te medhenj!

Respekte dhe nderim per familjen Marko!

Pjer Thomas - 14 Qer 2010 - 7:40pm

Te jesh i varfer, nuk eshte humbje dinjiteti. Humbje dinjiteti ne kete rast eshte per ate shtet indiferent e ate qeveri te paaftesish. Zonja e fjale, kerkon vertet ndihme, dhe me aq sa lexova (te them te drejten) u preka, dhe do t'kisha deshire te dergoja diçka, por si, ajo nuk ka hapur nje numer llogarie me IBAN, ku ne emigrantet te dergojm diçka, qofte dhe ne shenje respekti per Petron. Sikur ajo te hapi nje numer llogarie me Iban, e ta nxjerri ketu dhe ne forume te tjera, jam i sigurte se permbi 100 mij emigrante do ti dergojne nga 20-30 euro.

Ruzhdija - 4 Sht 2010 - 5:41pm

I shkreti Jamarber kishte vdekur sot Sad

may he rest in peace

Iris - 4 Sht 2010 - 5:44pm

E pashe dhe une lajmerimin, dhe gjeja e pare qe me erdhi ne mendje ishte: Mbase kshu shpetoi! Sad

Identifikohu ose regjistrohu për të dërguar komente