Rrugën e Elbasanit e përshkoj përditë në këmbë, prej Lulishtes së Parlamentit deri përtej Ambasadës Amerikane. Eci në trotuarin e djathtë dhe kam kënaqësi kur kaloj në trotuarin e gjerë në anë të Namazgjahut të dikurshëm, pastaj në Urën e Lanës, në segmentin pranë Parkut të Lodrave të Fëmijëve dhe deri në takimin me rrugën tërthore “Mustafa Matohiti”. Aty ndalem dhe pyes, ka apo s’ka më tej TROTUAR? Trotuari i dikurshëm me gjatësi prej 50 m, prej rrugës Mustafa Matohiti dhe deri në rrugën Ismail Qemali (Liceu Artistik “Jordan Misja”), nuk ekziston më. Ka mbetur vetëm një rrip për kalimin e këmbësorëve me gjerësinë prej 79 cm. (foto 1) Por ka vende që gjerësia e tij reduktohet deri në 57 cm (foto 2). Është kjo gjerësia e trotuarit të parashkruar në normativat urbanistike të Bashkisë së Tiranës për rrugën e Elbasanit? Ku është trotuari për qytetarët?
Trotuari i dikurshëm me gjerësi normale në këtë segment midis rrugëve Mustafa Matohiti dhe Ismail Qemali ka përfunduar kështu në një Kalimth, që të kujton një trung peme mbi përrua. Në dritën e ditës kërkon shtegun për të vazhduar ecjen, në errësirën  e darkës kërkon vrimën për të dalë prej saj.
Çka ndodhur?
Trotuari përgjatë murit rrethues të ish Shkollës Tetëvjeçare “Kosova” ka pësuar në kohët e fundit zhvillime, e kisha fjalën “përmirësime” të ndjeshme. Murit rrethues të shkollës së dikurshme nuk i shihen gjurmët. Shkolla vetë është prishur. Në vendin e saj është hapur një shesh për parkim makinash me pagesë. Duket sheshit se vendi i dikurshëm i shkollës tetëvjeçare është privatizuar. Këtë e tregon më qartë, zhdukja e murit rrethues të shkollës dhe lëvizja e Murit Rrethues të Ri të sheshit të parkimit, duke e avancuar atë ndjeshëm në anën e rrugës automobilistike të Elbasanit, pra duke e dhunuar trotuarin e vjetër, duke e ngrënë sipërfaqen e tij për të fituar sipërfaqe prone (!).  
Muri i Ri Kufizues i Trotuarit ngrihet mbi një bordurë (xokolaturë) betoni, e cila në pjesën e sipërme është e mbyllur me llamarina, gjithashtu në mënyrë të përkohshme. Duket pra, se pronari i ri po përgatit ndërtime brenda rrethimit. Ne pyesim, ndërtimi i planifikuar duhet të hajë trotuarin? 
Personalisht nuk besoj, që një qytetar i Tiranës të marrë guximin të shtyjë me vetëdije avllinë e tij duke gëlltitur trotuarin përpara shtëpisë së tij, sikur të shtynte gardhin në buzë të lumit të Tërkuzës. Por edhe sikur për një çast të ndodhej mafmurr, nuk e lënë rregullat urbanistike të Bashkisë së Tiranës, normativat e parashkruara të saj për trotuaret e kryeqytetit, që të bëjë një veprim të tillë të kundërligjshëm. Sipas këtyre normativave p.sh. aty është e paimagjinueshme, që në një trotuar të mos kalojnë dot dy qytetarë, pa i hapur rrugë njëri-tjetrit, siç është rasti i atij në rrugën e Elbasanit që po trajtojmë. Ato me siguri e kategorizojnë atë, trotuar jo për këmbësorë qyteti, por për çfarë mbetet, ndoshta trotuar për qentë e kryeqytetit, sepse vetëm dy prej tyre mund të ecin aty pa u shkëmbyer. 
Por le të kthehemi ku e kishim fjalën.
Në këtë trotuar mund të kalojë normalisht vetëm një njeri në një drejtim. Që të kalojnë dy, njëri duhet t’i hapë rrugën tjetrit. Me siguri nuk do ta kisha sjellë në gazetë këtë fenomen, këtë shqetësim, po të kishte qenë një rast i vetëm. Pak më sipër, pasi kalon rrugën “Themistokli Gërmenji” ndeshesh në vend të trotuarit - me një “vrimë të zezë”. Këtu një pallat i ka zënë rrugën e kalimit qytetarëve, duke u shtrirë deri në buzë të rrugës automobilistike (foto 3). Një palë shkallë të hipin në një “Pasarelë”. Ti kujton se poshtë pasarelës kalon ujë - përrua!? Gjerësia e “pasarelës” është vetëm 1,15 m, pra kuptohet edhe këtu nuk mund të shkëmbehen dy qytetarë. Akoma më irrituese është fakti se kjo pasarelë shërben edhe si oborr për një numër dyqanesh në krah të tij, shumica e të cilëve janë bosh, sepse në këto kushte janë natyrisht të papërdorshëm. Shumë qytetarë detyrohen të kalojnë automatikisht në rrugën automobilistike. 
Mbetesh i habitur nga dhuna që është aplikuar këtu për zhdukjen e trotuarit. Kur jam ndeshur për herë të parë me këtë “pasarelë shpëtimi” të kalimtarëve, mendova se pallati ka qenë ndërtuar aty përpara se të bëhej rruga e Elbasanit. Por mësova, se kultura jonë profesionale urbanistike kontemporane dhe gatishmëria e miratimit bashkiak është e tillë, që trotuari në kryeqytet gëlltitet nga ndërtimet e privatit.
Vetëm këto dy shembuj janë pak për të treguar dimensionin e fenomenit, se me çfarë veneracioni solidar i përkrahin shpesh zyrat e pushtetit tendencat antiqytetare të individit të pajisur me pronë private. Të ngresh një ndërtim privat duke shkelur hapësirën e domosdoshme të trotuarit për kalimin e qytetarit, është një fenomen që tregon se kjo punë ka rënë në duar të gabuara. Trotuari i katandisur përgjatë segmentit të ish-shkollës “Kosova” ka kushtet për kalimin normal vetëm të qenve, jo të qytetarëve. Makutëria e pronarit është bashkuar me shkeljen flagrante të rregullave të urbanistikës së qytetit dhe me papërgjegjshmërinë e pushtetit. 
Rrugët dhe trotuaret nuk janë pronë e një individi, as e ndërtuesit të pallatit, as e arkitektit projektues, as e urbanistit që përgatit lejen e kufijve të ndërtimit dhe as e udhëheqësit të bashkisë që firmos dhe mban përgjegjësinë kryesore për shkeljen e ligjit. Ato janë pjesë e qytetit, sepse qyteti pa rrugë dhe trotuare të rregullta nuk është qytet, sepse ato i duhen bashkësisë së qytetarëve që kanë vendosur të jetojnë aty dhe jo përshembull në pyll. Madje edhe në rast se atyre iu duhet të çelin një rrugë të re, kanë të drejtë sipas ligjit të prekin edhe pronën private të dikujt, duke i dhënë atij shpërblimin e parashikuar.
Është interesant të vesh re, se sa përkujdesje shtetërore i dhurohet kusarit për t’i njohur përshëmbull tokën, që ai i ka zaptuar tjetrit dhe nga ana tjetër, se si përçmohet e drejta e qytetarit që të ketë trotuar normal në qytetin e tij. Gjithashtu njihet dhe zbatohet praktika e kompensimit të pronarit, të cilit i është zaptuar toka, por duket, se ka “vështirësi” për ta zbatuar këtë praktikë për sigurimin (mbrojtjen) e trotuarit të qytetarit. Pyesim, kush i lejon këto shkelje flagrante dhe kush përfiton prej tyre, vetëm Pronari i tokës dhe Ndërtuesi? Tjetërkush Jo? Ju lutem jepni një përgjigje. 
Ndërkohë shpresoj, se trotuarit në të dy segmentet e fokusuar të rrugës së Elbasanit në kryeqytet do t’i kthehet gjerësia e parashikuar në normativat urbanistike të parashkruara. Rregullisht dëmin e shlyen ai që ka përfituar nga kjo parregullsi. Sipas moralit të transparencës, ia vlen të hetohen hallkat nëpër të cilat ka kaluar shkelja e normativave të trotuarit, të cilat nuk kërkojnë shumë punë, po të fillohet nga sipër. Kjo gjithnjë në emër të transparencës, që të mos ndodhë herës tjetër.
* Arkitekt

8 Komente

Jo, trotuaret nuk jane per qytetaret, por as edhe per qent e tirones. Ato jane hapesira parkimi per veturat kancerogjene te qytetareve; e ndersa une me duhet te eci ne rruge sebashku me makinat, motoret e zhurmshem, fermrat qe tundin vithet, dhe sigurisht qent rrugace. 

Nuk kishe ndonje koment per Bashkine qe lejon keto shkelje?

femrat qe tundin vithet, dhe sigurisht qent rrugace. 

C'kombinacion! Po meshkujt qe tunden e shkunden ndersa ecin rruges si t'i quajme? smiley

Eshte edhe per motorrat, qe ja fusin mes trotuarit tu i ra burise.

Une per vete se morra vesh. Zaptimi trotuarit eshte provizor apo definitiv?

Nese eshte provizor mund te mbyllet nje sy. Po qe se eshte definitiv, hmm nuk di cfare te them... si ishte ajo puna e atij pallatit te sheshi Italia? 

Si perfundim, ngushtimi i trotuarit eshte faji i femrave qe tundin vithet dhe qenve qe u shkojne nga pas?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).