Keshilli Ministrave.org në mbledhjen e rradhës ka miratuar një sërë propozimesh të rëndësishme ndër të cila propozimin e bërë nga kryeministri për fillimin e punës për ndërtimin e rrugës Kukës – Sarandë, propozimin e bërë nga Sali Berisha për ndërtimin e 5 centraleve bërthamore, 7 HEC-a, 9 TEC-a dhe 125 shtëpi për keca, si dhe disa propozime të bëra nga Doktori për ngritjen e një ambasade shqiptare në Hënë apo dërgimin e ndihmave në Haiti.
Pasi i kanë aprovuar me asnjë votë kundër, i pari që ka marrë fjalën ka qenë ministri Bode, i cili ka dashur të mësojë nga shefi i tij, se nga do ti gjenin lekët për realizimin e kaq shumë projekteve.

Përgjigja e kryeministrit Berisha ka qenë e menjëhershme, duke mos i lënë ministrat që të dyshonin se ai nuk ishte përgatitur për t’ju përgjigjur kësaj pyetje.
“Jua them un jue se ku do i gjejme parate…a e dini jue mor zotni se qeveria ime, ka zhduk papunesine, nuk ka te papune n’Shqiperi veç atyre deputetve t’opozitës, por ju garantoj jue se edhe ata do të punësohen shumë shpejt” mësohet të jetë shprehur Berisha.
Pas këtij shpjegimi të kryeministrit, sërisht ministrat kanë ngritur supet të pasqaruar. Pasi ka lexuar hutimin në sytë e ministrave, kryeministri ka vendosur tu rrëfejë të gjithë planin e tij, duke i pyetur më parë se sa persona kishin punësuar gjatë fushatës.
I pari është përgjigjur zëvëndësi i tij Meta, i cili ka pohuar se kishte punësuar plot 100 mijë vetë. Po kështu edhe ministrat e tjerë kishin deklaruar qindmijëshet e veta të punësimeve.
Në deklarimin e personelit të punësuar i fundit është renditur ministri Ksera, i cili ka pasur numrin më të ulët të të punësuarve, për shkak edhe të përplasjeve me Dulen, por ka premtuar se sapo të mbaronte rregjistrimi i ri do ta rriste edhe ai këtë numër deri në 100 mije vetë.
Pasi ka mësuar se të 3 milion shqiptarët janë punësuar në administratën shtetërore, kryeministri ka urdhëruar që të gjithë ata të zgjasnin pa e zgjatur një dhjetëshe të vogël nga rroga e tyre e madhe.
Madje për të dhënë shembullin vetjak vetë kryeministri ka dhuruar vullnetarisht jo 1000 lekë por plot 1000 SAL, që sipas kursit të sotëm të këmbimit të SAL me Lekun ishte 1 SAL = 55.25 Lekë. 
Të gjithë ata që do të kundërshtojnë, me propozim të kryeministrit do të quhen punisto-mafiozë dhe në bazë të ligjit të ri antimafia do ti sekuestrohet e gjithë pasuria.
Mësohet se me lekët e dhëna me dëshirë dhe në mënyrë vullnetare nga administrata do të dëmshpërblehen të gjithë të përmbyturit nga katastrofa natyrore që përfshiu Shkodrën dhe Lezhën në fillim të Janarit, dhe ato që do të teprojnë do të përdoren për realizimin e projekteve të mësipërme.
Nëse parata e mbledhura në këtë mënyrë nuk do të jenë të mjaftueshme kryeministri ka kërkuar që 10 mijë lekëshe ti mbahet administratës edhe në rrogat e ardhshme, madje ka futur në këtë skemë edhe pensionistët dhe të punësuarit në biznese private, me kushtin që këta të fundit të kishin dy mundësi zgjedhjeje, ose t’ia jepnin lekët qeverisë, ose tatimeve.
Kryeministri i ka bërë thirrje të gjithë administratës që të kontribuonin me qejf për këtë projekt madhështor dhe ta falenderonin që po i mbante vetëm një 10-she aq sa ishte edhe numri i tij i fatit zgjedhor, se po të kishte fituar LSI do tu merreshin nga 24 apo me keq po të fitonte PS, nga 33 mijë lekë.