“Otello” i Blushit, një leksion tolerance

Si Marko Polo “që nuk tregonte atë që jetonte ...por jetonte atë që tregonte”1, Blushi nuk tregon atë që ka ndodhur, por bën të ndodhë çka ai tregon. Tek lexoja “Otellon”, skenat njerëzore më sillnin ndërmend peizazhet e sixhadeve të kadifenjta me të cilat gjyshja ime vishte muret e dhomës e që më ngacmonin imagjinatën herë me dragonj e kuçedra, herë me sallone zonjash që tymosnin cigare të gjata. Me kësi personazhesh stisja histori pa fund e ushqeja fantazmat e mia që mu ringjallën tek lexoja këtë libër. E megjithatë, ndonëse ngjarjet vendosen në shekullin e 14, nuk është një përrallë. Nuk marr përsipër t’i bëj gjykimin estetik këtij libri e as kritikën letrare.  Por ndjesia dhe emocioni që më shkaktoi leximi i tij, më thonë se këtej e tutje, kur të flitet për Otello nuk do mendojmë vetëm për Shekspirin.
Fati i njeriut
Në këtë libër thurren pa fund marrëdhënie, marrëdhënie pjellore. Marrëdhënie mes jetës dhe vdekjes, që prodhojnë ëndrra, mes pritjes dhe kërkimit, që japin jetë, mes shpirtit dhe trupit, që gjenerojnë dëshirë, mes dobësisë dhe ndëshkimit, që sjellin forcë, mes vetes dhe pjellës, që krijojnë iluzione, mes arsyes dhe instinktit, që përcjellin pasion, mes normës dhe tundimit, që provokojnë guxim, me frikës dhe pushtetit, që ngjallin djallëzi, mes besimit dhe gënjeshtrës, që mbrojnë dashurinë, mes perversionit dhe imagjinatës, që frymëzojnë të bukurën.
Mes këtyre penelatave relacionale marrin jetë skenat e romanit. Them se ky roman është letërsi e pastër, prandaj kur e lexon të mbetet mendja më shumë te karakteret njerëzore se sa te personazhet historikë, më shumë te ngjarjet se sa te Historia. U cilësua si një libër për dashurinë. Nuk besoj se është kaq.
Është një libër për fatin e njeriut, i zi a i bardhë qoftë. Thua se Blushi e rikrijon Otellon për të provuar deri ku mund të shkojë fati me eksperimentet e tij. Të mira dhe të këqia. Duke sprovuar personazhet e tij autori jep një leksion për tolerancën dhe antiracizmin. Duke bërë anatominë e urrejtjes na tregon si të duam, duke na rrëfyer thellësinë e vuajtjes na kujton humanizmin. Duke pikturuar shpirtrat njerëzorë predikon edhe dashurinë, në një nga format e saj të vërteta por edhe më të egra.
Por është edhe një libër për identitetin. Kush jemi? Pse jemi kështu si jemi? Si do të jemi? Pyetje që dalin nga përgjigjet e parathëna në libër, ndonëse të vendosura në shekullin e 14. Më shumë se një herë këto përgjigje na therin por s’i kundërshtojmë dot, më së shumti na dalin të sakta.
Vlora apo ne?
Ky është Otello, arapi i Vlorës. Skena në formë V –je, shtrihet nga Vlora në Venedik. Por Vlora është ajo që na tërheq si thirrje e gjakut.
Nëpërmjet gojës së Hamitit, personazhit më të neveritshëm, më me vese, po aq edhe djallëzor, flitet Vlora, madje edhe Vlora e sotme, e shtyrë tutje në shekuj sikur këta shekujt e mëpasshëm të mos kishin ekzistuar. Duket sikur autori gjen kësisoj një mënyrë të tërthortë për të lëshuar brenga. “Në Vlorë nuk ka piktorë dhe prandaj atje gratë nuk zhvishen, kishte thënë Desdemona”.
Kompleksi i Vlorës femërore, përzier me ngërçet e mashkullit ballkanik, është një nga tablotë më mbresëlënëse të këtij romani. Në fakt Vlora e Blushit nuk është vetëm Vlora. Por ajo është edhe Vlora. Sikurse është dhe gjithë Shqipëria. Thashë “është” dhe jo “ishte”. “Po çfarë populli jeton aty, kishte pyetur Otello, duke parë se marinari mund t’i përgjigjej edhe pyetjeve të tjera. Ata quhen shqiptarë, kishte thënë marinari. Janë të zinj, kishte vazhduar Otello. Marinari kishte qeshur fort dhe duke i kthyer kurrizin kishte thënë: Edhe kjo u duhej atyre…”
Pas kësaj, them se nuk i shpëtojmë dot gjakimit për të lexuar pas rreshtave, ose diku mes tyre. Leximet nën diktaturë na i kanë ushqyer këtë “ves” dhe yshtemi tërë kohën të gjejmë në librat e Blushit paralelizma, nëntekste e nënkuptime pa të cilat nuk e shijokemi dot letërsinë. Sikurse ka gjasa që edhe Blushi, produkt i të njëjtit brez, por edhe i jetës së vet të pasur social-politike, nuk duhet të jetë nga soji i artistëve të kulluar e nuk mund t’i rezistojë tundimit të shkrimit të angazhuar. E parë kështu, edhe lexuesi nuk mund të mos bjerë pre e joshur prej alegorisë historike që Blushi e përdor me aq qejf, pak rëndësi ka nëse referencat e shpeshta tek e sotmja janë të qëllimshme apo gjetje e natyrshme e penës së tij letrare.
Ishull apo Otello?
Pasqyrimi artistik e në forma të stilizuara i realiteteve të kahershme me grimca apo aluzione të së sotmes, vjen te Blushi si përthyerje mjeshtërore që të ngacmon fort herë emocionin, herë kujtesën e herë refleksionin. Ky lloj refleksion ngjalli mjaft debat pas botimit të librit të parë “Të jetosh në ishull”.
Nisur nga postulate se çdo krijim artistik ka jetën e vet, u përpoqa t’i shmangesha qasjes krahasimore që ma vendoste “Otellon” krah “Ishullit”, por mesa duket nuk i shpëtova dot kurthit. Dhe besoj jo për shkak të Otellos, por të “Ishullit”. “Ishullin” e lexuan të gjithë, “Otellon” duket pak. Për “Ishullin” s’ngeli njeri pa folur, për “Otellon” një ose dy. “Ishullin” e akuzuan, “Otellon” as e panë. “Ishulli” prodhoi një libër tjetër (jo më të Blushit), “Otello” lëshoi vetëm autografë. “Ishullin” e ngatërruan me Historinë, historisë së “Otellos” nuk ia varën, “Ishulli” ngriti fetarët në këmbë, “Otellon” nuk e besuan. “Ishulli” i shërbeu deputetit, deputeti u bë i tillë jo prej “Otellos”. “Ishulli” ndezi zjarre, s’ngeli njeri pa e marrë vesh, “Otello” duhet të ketë prekur shpirtra por s’e di njeri (përtej çmimit të javës së shkuar). “Ishulli” ngatërrohej me enciklopeditë, “Otello” mbeti vetvetja. Në “Ishull” gjërat përsëriten, “Otello” është vetëm i freskët (Shekspiri nuk i ndryshon gjë kësaj që sapo thashë, sepse ky është Otello i Vlorës). “Ishulli” të ngjitet, “Otello” rrjedh vetë. “Ishulli” të lodhte, “Otello” të përpin. “Ishulli” tregoi autorin për herë të parë, “Otello” dha provën e shkrimtarit.
Shkrimtar?
Krijuesi i “Otellos” ka frazën e njeriut të talentuar, por edhe bukur të kultivuar, që dija nuk i vjen si gulçime mbidozash nxënieje të sforcuar, por si një gjendje e natyrshme që ushqen ujëvarën artistike. Burimi duket se është një fantazi jo vetëm e pasur, por dhe shumë e dendur, aq sa duket se derdhja në det ujëvarës s’i mjafton.
Ka fjali të shkurtra, sentenca sikurse ka dhe vrunduj fjalish që s’druajnë as pikë e as presje, duke ruajtur megjithatë ekuilibrin në fill të fletës. Kur janë të gjata, janë aq të gjata sa ta mbajnë frymën pezull. Kur janë të shkurtra, të mprehin mendimin si me të rëna sëpate të sigurta në shënjestrën e tyre.
Në Venedik fjalia fiton një ritëm që bie në të katër kohët-personazhe të familjes Contarini, pastaj bën një pauzë për t’i rënë daulles së Otellos. Ndërsa në Vlorë ajo vithiset herë në det e herë në rrënjë ullinjsh, rrokulliset herë pas here si portokall në odat e prijësve të saj por shumë shpejt të përvëlon si kripa e detit në mish të gjallë. Blushi ka stil.
Erotizëm?
Pa dyshim. Erotizmi zë një vend nderi që nuk e kishte te “Ishulli” ku, me sa dukej, autorit i vinte më shumë të zbrazte më parë erudicionin e tij sesa ndjenjat, të cilat këtu pikturojnë fuqishëm tablo si ato të Ingres, tablo ku ka jo vetëm ndjenja, por edhe ndjesi e shqisa që errin sytë, bllokojnë trurin e lënë hapur veç dritën verbuese të trupit.
Të gjitha janë për njeriun. Dhe fatin e tij.
Më vjen ta karakterizoj si një letërsi mashkullore për të cilën ndoshta autori nuk është i ndërgjegjshëm. Ose është por s’e ka menduar ndonjëherë të formuluar kështu. Si mund të jetë ndryshe kur pyetësori i Otellos nuk është gjë tjetër veçse një eliksir mashkullor dashurie. Në këtë roman edhe portreti i femrës shpërfaqet më i erotizuar se sa te “Ishulli”. Bukuria femërore si sublimim hyjnor dhe po aq tokësor e i prekshëm, vjen jo si detaj, por si plotësim i së tërës, që gjallon jo si shkëndijë, por si zjarr që lëvrin, se brenda ka dhe thëngjillin dhe qymyrin, dhe flakën dhe hirin, dhe prushin dhe drurin. Vështrimi mashkullor nuk fshihet aspak pas ojnave hipokrite, as pas dorezave moraliste, çka e bën ndjenjën të vërtetë si mishi. Por erotizmi nuk lakohet vetëm në rasën femërore. Në këtë libër gratë janë të gjalla, ndërsa burrat të bukur, gratë janë ujë ndërsa burrat janë tokë, gratë janë krahë e bëhen të pakapshme, burrat kanë gjymtyrë e hedhin rrënjë. Por në dashuri, gratë e burrat e këtij libri kthehen në engjëj, engjëj me gjini, por edhe me shpirt. Shpirtra njerëzorë!
Copëra pasqyrash?
S’u fshihesh dot. Ky libër nuk është “Ishulli”, por është një libër me ishuj. Ishuj të vegjël frike, dije, odash, historie arti, anatomie, psikanalize, psikopediatrie, sociologjie konfliktesh, gjeografie për qejf, përrallash me xhinde e joshje parajsore. Si copëra pasqyrash prej ku sheh skutat e fshehura të shpirtit e të trupit. Përçartje anatomie, makabriteti i të cilës nuk të shtyn tutje por, përkundrazi, të thith si në një film tridimensional me fantazi të çliruar. Skena darviniane të denja për një muze të historisë së natyrës në version artistik. Fuqia e  përshkrimit është kaq e thellë saqë nuk i shpëton dot përjetimit të drejtpërdrejtë të aromës së detit, kur është peizazh apo të shijes makabre të gjakut, kur është një kompozim dramatik.
Ai tha...
Dëshira e papërballueshme e autorit për të mos shitur kot as edhe një fjali i ngjesh hapësirat midis ngjarjeve me ide, citate, thënie, përkufizime si të ishte një profet i gjithëditur dhe plak i mençur, që nuk i duhet vënë fjala në dyshim. Nuk thashë se kjo e fundit është e vërtetë, por mënyra si ato thuhen zë vend dhe nuk të vjen fare t’i kundërshtosh postulatet, të denja në të vërtetë vetëm për shekullin XXI e që tingëllojnë si një fantashkencë ekzotike në sfondin kohor të shekullit 14.
Po citoj vetëm një përkufizim intrigues të dashurisë dhe të frikshëm të familjes: “(Parajsës)…pa dashurinë e Evës dhe Adamit i mungonte diçka që nuk gjendej në natyrë, nuk rrotullohej në qiell, nuk fshihej në tokë, nuk ecte mbi bar, nuk fluturonte në erë, nuk hahej dhe nuk pihej. Kërkuan kudo, por nuk e panë asgjëkundi deri ditën që e gjetën brenda trupave të tyre. Dashurinë zoti ua kishte ndaluar.”
Por, “zoti është dinak dhe meqë nuk mund ta frenojë dashurinë e fut në familje dhe aty e vdes.”
Otello + Desedemona + Contarini + Jago... = Blushi?
Tek romani “Ishulli...” e “akuzuan” Blushin se personazhet e tij flisnin si Blushi. Madje u duk sikur kjo ishte e meta e librit. Blushi nuk e mohon që personazhet e tij shprehen të gjithë si vetë krijuesi i tyre. Tek «Otello», sfidues, ai e ruan ngjashmërinë oratorike me personazhet e tij, duke e kthyer këtë në një bukuri estetike. Kur këta flasin të mahnisin me gojëtarinë e tyre, a thua se personazhet - fëmijë kanë lindur nga akademia dhe jo nga barku i nënës… duket se autori nuk e frenon dot e as e modifikon dot ligjërimin sapo goja e një personazhi hapet, qoftë fëmijë a i rritur, qoftë Jago apo Desdemonë… Sado e pagjasueshme të duket kjo, nëse gjithmonë personazhet e tij do të jenë kështu edhe në vazhdim, mund të themi se letërsia e Blushit do të pjellë gjeni të vegjël…
Nga ana tjetër, si përkthyese, befasohesha në fillim që ata flisnin që përtej kufijve të njëjtën gjuhë, pa pasur nevojë për “terxhumenë”. Por kallëpi i ligjëratës së zhdrejtë dhe i dialogjeve pa shenja formale dialogimi, në të cilin i ka futur autori të folurat e tyre, ma hoqën qysh herët dilemën duke lexuar thëniet e narratorit si dhe ato të personazheve, njëra pas tjetrës, si rruazat e tespies, duke zgjedhur kështu rrjedhjen e lirë, pa hope gjuhësore e as shenja pikësimi. Është pa dyshim një zgjidhje e vështirë artistikisht. Por kush thotë se Blushi s’e ka arritur? Edhe kjo është një nga arsyet që leximi i Otellos të përpin në tespien e vet 335 faqe të gjatë.
Vetë Otello sillet si hero i romanit, por jo protagonist i ngjarjeve. Ai vendoset në qendër të veprës ndërsa i pëson ngjarjet, ai nuk është romani por preteksti i tij. Kthehet në një fill që lidh ngjarjet e karakteret, si një gjetje simbolike për të treguar fatin e njeriut që si i tillë s’ka as kohë e as hapësirë. Kjo e bën këtë roman universal duke i siguruar gjithëkohësinë e leximit.
Jago, mbetet personifikim i jashtëzakonshëm i vetë mitit, ku fantazia e autorit i afrohet po aq frikshëm thelbit, sa dhe në imagjinatën e erotizuar. Por në versionin e Blushit ka një lloj revanshi ndaj mitit, sepse eksperimentet e tij njerëzore duken më mizore për vetë Jagon sesa për “insektet” e tij (të motrat dhe të vluarit e tyre).
Gjithsesi, nuk kam asnjë tundim të zë e të bëj krahasime me personazhet homonimë të Shekspirit. Otello, Desdemona e company të Blushit, janë shumë mirë aty ku janë, në Vlorë a në Venedik, nën firmën e shkrimtarit tonë, pa pasur nevojë të hyjnë në asnjë paralelizëm.
Me një frymë, por...
E rëndësishme është që romani arrin të na mbajë frymën deri në fund. Nga të dy linjat e tij, ajo historike dhe ajo njerëzore, lexuesin e zë ankthi si do të mbarojë e dyta. Të parën e ka mësuar nga tekstet e historisë në shkollë dhe nuk ka gjasa që autori ta transformojë atë për të bërë letërsi me një Shqipëri “venedikase” të supozuar.
Ndryshe nga gjithë trajtimi romanesk origjinal i linjave njerëzore që befasojnë pa fund gjatë leximit, duke iu larguar fabulës shekspiriane, fundi më çuditi duke mos më befasuar, por duke më lënë disi të pangopur. Mesa duket Ben Blushi e ka bërë vetë alibinë kur e mbaron romanin e tij me fjalinë: “dashuria vdes e pangopur”.

9 Komente

Blendi Salaj - 6 Shk 2010 - 3:08am

Sugar coated to the effing abbys!

novruzi - 6 Shk 2010 - 8:14am

romani tjeter i benit, do te beje fjale per drejtshkrimin e shqipes ne vitin 1000...   e presim me mahni. beni eshte cudiberes ne kete lloj letersie. 

kush tjeter do te guxonte te shkruante te tilla historira...

pergezime  mirela

spiritus - 6 Shk 2010 - 9:46pm

Impresionet e nje lexuesje . Dhe sa shume sheqeroset muhabeti kur simpatia perfshin edhe autorin.

Ka dhe nje kondicionim hapsinor rrumbullakosja e gjerave: te gjithe, botues, autore, lexues, kritike jetojne ne nje hapsire ku perplasen fizikisht cdo dite. Frekuentues te te njejtave lokale, pjesmarres te njejte ne evente, ku te gjithe i njohin te gjithe.

Guxo te kritikosh pa doreza ne kete mjedis.

e-dinamo - 7 Shk 2010 - 12:36am

spiritus, as mos merr mundimin ta justifikosh Mirelen. Ajo ne fakt nuk duhet ta kishte marre mundimin te shkruante keto kartolina te merzitshme publike. Nese nuk kritikon dot pa doreza, me mire te heshtesh sesa ta besh krediblitetin tend kurban per te perkedhelur Benin. C'e mire i sjell kjo benit si autor? Asnje per be. Benit i duhet nje kritik qe t'i thote ca te verteta. 

turi - 7 Shk 2010 - 6:53am

Beni ka ditur vete, qe i vogel te plotesoje ne menyre perfekte, harten memece ne lenden e gjeografise.

Ka qene absolut dhe shembull ,

shpeshhere ne moshe madhore njerzit reflektojne dukurite e femijerise

dhe ngelen engjej.

jérusalem - 8 Shk 2010 - 12:19am

Big Grin

Iris - 8 Shk 2010 - 12:24am

Pff, thashe se e kishe pasur shok klase! Smile

cba - 8 Shk 2010 - 10:34am

Kur doli libri i pare i Blushit junior ne qarkullim, me kujtohet qe kam pare ceremonine e organizuar ne nje salle te madhe (nuk e di ku), ku ishin bledhur te gjithe politikanet; kishte podiume ku mbaheshin fjalime; duartrokitje, etj, etj,. Jo sikur te prezantohej nje veper letrare, por sikur te prezantohej Raporti i Keshillit te ministrave apo dicka e tille. 

Te organizosh nje mizanskene te tille ku nuk kishte asgje artistike, do te thote qe te kesh shjije derri. Prandaj, nuk e i kam lexuar librat e Blushit. Dhe si zorr qe ti lexoj.

mati i ri - 8 Mar 2010 - 5:14pm

 

Mjerimi i Letërsisë me Otellon e Blushit18/02/2010 22:40:00 Faik IslamiFont size: Decrease font Enlarge fontimage Faik Islami...më duhet të shpreh edhe nja dy konsiderata lidhur me sa shtjellon autori në roman...Faik Islami-shkrimtarDitë më parë Ministria e Kulturës, nëpërmjet një ceremonie festive, bëri të njohur fituesit e konkursit për veprat më të mira letrare të vitit që sapo u mbyll. E sikurse dhe u bëmë me dije, në gjininë e romanit, ia dhuroi vendin e parë Ben Blushit, me romanin e tij të ri “Otello, arapi i Vlorës”. Ia vlente për ta parë e studjuar me shumë vëmendje romanin e Ben Blushit. Sepse kemi shumë pak vepra artistike nga shkrimtarët e mëdhenj e të afirmuar e jo më kur na jepet mundësia të kemi vepra të shkrimtarëve të rinj. Më është dukur mjaft interesante dhe më ka nxitur ta studioj Blushin që në “Ishull…”, nga që për vlerat ideoartistike të romanit të tij të parë, më së shumti ka folur botuesi dhe jo shkrimtarë të afirmuar, kopetentë. Në këtë të dytin, me një guxim të lavdërushëm, po botuesi, është munduar të na bindë se ai që do ketë rastin ta lexojë këtë romanin e ri të Benit, do të bindet sikurse është bindur botuesi, se “një meteor i ri” ra më së fundi në letërsinë dhe kulturën tonë. Një roman i ri me shumë vlera, do të zëri vënd në raftet e bibliotekave tona, përfshirë dhe ato familjare. Ministria, ia kaloi botuesit në superlativat e tij, sepse e shpërbleu tashmë veprën e re të shkrimtarit Blushi, duke i dhuruar çmimin e parë. Shteti, me struktura te caktuar prej tij, diti të përzgjedhë e të vlerësojë arritjet e më të mirëve, në favor të letërsisë e të artit, me paanshmërinë vendimmarrëse, gjatë gjykimit, për vlerësimin e veprave më të mira të një viti lodhje e mundim, në fushën e letërsisë e të krijimit, më së fundi u shpreh. Ja dha gjithë bujari çmimin një shkrimtari “opozitar”. Kjo nxiti njerëzit si dhe mua për ta lexuar atë roman. Prisja gjithë durim që tek krijuesi Blushi të gëlonin idetë sociale, socialiste, fryma mohuese ndaj fenomeneve negative që përjeton shtresa, të cilës i është përkushtuar. Mendova se do të kishim të bënim me një vepër me karakter të thellë shoqëror, me ide politike aktuale të hapura, jashtë spjegimeve jo fort të qarta e të sakta, eklektike, duke na dhënë një sintezë të ideve vizionare për shekullin e ri. Kështu të mund të ishte vërtetë dhe autori të shihej si përfaqësuesi i një brezi intelektualësh dhe akoma më shumë, krijuesish vizionarë, me forca dhe energji të reja, kryesisht bazuar në koncepte e forma të reja krijuese, më të qarta, më të përparuara, për të arritur drejt një kulture mirëfilltazi të re, të lirë dhe të qëndrushme. Sepse e kemi më të nevojshme se kurrë, që në kushtet e krijuara, për krejt kombin, na duhet një konceptim i ri, për një kulturë, e cila t’u përgjigjet dhe të përfaqësojë si realitetet ashtu dhe sfidat e kohës dhe problematikat jo të vogla, në kushtet e reja të zhvillimit. Por edhe për të përballuar xhelozitë dhe intrigat në formën e stërholluar, që dukshëm shfaqen si një agresion politiko - kulturor mbi themelet e kulturës gjithëshqiptare dhe fizionominë kombëtare. Nuk kanë qënë e as janë të rastit pickimet e xungurrisjet në mitet, në traditat dhe në krejt kulturën tonë, që nga epoka para Skënderbeut, e gjer tek epoka e Kadaresë. Do ma donte shpirti, që Blushi me krijimet e tij, të ishte vërtetë një militant, përfaqësues në çarjen e brazdave të para në këto drejtime. Më duhet ta them qysh në krye të herës se ai është një krijues, por sa unë arrita të nxjerr, Blushi me këtë roman nuk është kurrsesi një i tillë. Jo vetëm sa futesh, por sidomos kur del në fund të leximit të këtij romani, gjithkujt besoj si mua, do t`i duhet të përjetojë rastin e gëlltitjes së një cipe dëbore, përcjellë rrufeshëm në fund të stomakut. Madje ka rrezik se ashtu sikurse më ndodhi mua, mund t`i rrënjoset bindja se…as edhe një mësues i thjeshtë letërsie nuk do t`i jepte notën kaluese cilitdo antar të Komisioni të Vlerësimit të MASH-it, që i dha çmimin e parë romanit të Blushit. Vlerësimet e botuesit të kujtojnë ata që prodhonin shporta, kur ziheshin duke lavdëruar seicili shportën e vet… për vetitë ujëmbajtëse. E duke lënë mënjanë sa janë thënë lavdërime, se si dhe nga u nis komisioni që i dha çmimin e parë kësaj vepre, le të sjellim në vëmendjen e lexuesave disa fakte që na shtyjnë në këto përfundime. Në konstatime që mund të bindin cilindo se romani jo vetëm që nuk është parë e gjykuar drejt, por edhe se me këto lloj metodash analitike, me mungesën e theksuar të vlerësimit kritik, por ndoshta nën preferenca interesash politke të ditës, të veprave letrare, i sjellim dëm të madh kulturës sonë në përgjithësi.       Në vargun e gjatë të shkrimeve dhe botimeve të këtyre gati njëzet viteve, kanë rënë në dorë të lexuesave vepra të cilat më së shumti kanë qënë jo aq krijime të mirëfillta letrare se sa shfrime mllefesh, sajesa kujtimesh e krijimesh nga imagjinatat, më së shumti pa ide, por bazuar në polemika politike, me personazhe që harrohen sapo kalon në faqen tjetër, pa koncepte të spikatura letrare me vlera, shpesh edhe antikombtare e mbi të tëra, nuk është parë, vlerësuar e zbatuar ajo që letërsia dhe arti e kanë të domosdoshme: kritika profesionale rreth tyre. Në romanin e tij “Otello, arapi i Vlorës”, autori nuk nxjerr asgjëkundi se nga cilat qëllime, nga cilat pozita ideoestetike është nisur në shtjellimin e këtij romani me temë nga vepra e letërsisë botrore. Duke e parë me këtë sy, qysh në fillim vërehet se aty ndeshen tema pa temë, me subjekt të krijuar, të stisur dhe me burim historik të ngatërruar në ide, karaktere, terma dhe data. Lexuesi nuk merre vesh fare se përse u lodh shkrimatri Blushi, ky intelektual i ri, që ngul dhiqelin aq larg në histori, çfarë e ka nxitur, pse gjer mu në mesjetë, kur ka jo pak arsye, tema e obligime për të sotmen, për shtresa që thotë se përfaqëson, për plot gjëra që do ta justifikonin si lodhjen dhe ndonjë mangësi. Mundet që dhe që andej të nisej, por të na evokonte ide që u përshtaten dhe synojnë të nxjerrin rënien nga e sotmja. Cili ishte qëllimi që djersiti aq shumë në ato “gërmime” ku vlerëuesit e romanit mundohen të na bindin se me këtë vepër autori, solli ar safi, për të na arkallaisur problematikën e jetës së sotme, të letërsisë e artit të sotëm me më të bukurat e kohëve të shkuara, të largëta. “Ka krijuar e sjellë një etyd, për dashurinëm” na thonë vlerësuesit. Mirëpo duke lexuar romanin aty vetëm dashuri nuk na zënë sytë. Ca më shumë bëhet i pakëndshëm, më së shumti dyshues, sepse na habit, për të mos thënë e shushat lexuesin, kur rreket të huazojë e trajtojë ngjarje e personazhe prej një teme të madhe të letërsisë botërore. Dhe e gjen rrugën e përdorimit, nëpërmjet gjuhës së një gazetarie të veshur me eklektizma dhe llafollogji sofiste, që do të skuqej edhe vetë Protagora, po të këndonte dhe po ta dëgjonte sa thotë Blushi në këtë roman. Otellua i Blushit, krejt ndryshe prej atij të Shekspirit… na “kishte ardhur nga shkretëtira, për t`i shpëtuar vdekjes dhe kishte nxjerrë nga vdekja një grua që nuk e njihte (faqe 15). Kur dihet që Otellua i Shekspirit, (pa arapin e Benit) në mesazhin e gjeniut Shekspir, personifikon njeriun e dashur fryma e të cilit përshkohet prej luftës kundër dallimit racial, zhgënjimin e tij prej shoqërisë së kohës dhe normave të saj hipokrite. Otellua i Blushit as nuk i afrohet atij edhe pse me të njëtën ngjyrë lëkure. Otellua i Benit, me majë të thoit, gervish lëkurën e nënës së vdekur të një Albano Contarinit, pakëz shqiptar e shumë italian, që na e mbajtëkej në dhomë kofomën e mëmës, të lyer me dhjamë. Tragjedia e Otellos nuk është aq tragjedi e xhelozisë, ca më pak të një xhelozie erotike, se sa tragjedi e burrërisë, e burrave me karaktere tepër të forta… E kur shohim vlerësimin e romanit të Blushit, si një vepër që e meritoka të ngrihet në nivelet sipërore të letërsisë bashkëkohëse, krahasuar me sa na shohin sytë në roman, shushatemi. Sepse kur na thonë: ”por gjetja më origjinale dhe intriga më e pabesushme e autorit janë personazhet që gjallojnë në libër, të cilat i ka marrë nga Shekspiri…” na lind vetevetiu pyetja:këtu apo mos gjetkë?..”Të njëtat role-vlerëson botuesi në paskapakun e romanit - por të vendosura në kohë një qind vjet më parë se tragjediani i njohur të kishte lindur…Otello, Dezdemona, Emilia, Jago e Kasi, janë figura të njohura të letërsisë botërore, por që në këtë roman, veprojnë jo vetëm në Venedik, por më shumë në Vlorë, në bashkëpunim me shumë figura interesante vlonjate, të krijuara nga autori, si mjeku i famshëm Stefan Gjika, trimi lab Andrea, turku pushtues Hamiti etj…”! Vëmë duart prapa koke! Këto që na thonë, janë brenda këtij romani që këndojmë ne apo në ndonjë tjetër? Mirë që nuk u ka shpëtuar të na thonë edhe se…”gjynah që nuk rrojti Shekspiri, të këndonte romanin e Blushti, se do ta kishte hedhur të tijin! Do t`i kërkonim të falur botuesit në se ka vënë autorësinë në paskapak, në përpilimin e vlerësimit në fjalë, prej vetë autorit. Si në rastin e Otellos ashtu edhe të Desdemonës apo të cilitdo prej personazheve të trajtuara, autori i ka katandisur si mos më keq, gjithë ato vlera, atë mëshirim artistik të të vërtetave universale të psikologjisë njerëzore, me përmbajtjen më të thellë humane, që u dha Sheksipir personazheve, por që kur i ranë në dorë Blushit i përçudnoi. “…Otello kishte mësuar të kontrollonte ethet e shpirtit të tij. Ai bëri sikur nuk i shifte shënjat e dashurisë, që Kasi dhe Desdemona linin nëpër shtëpi. Natyrisht që etja për të mësuar se sa larg kishin shkuar trupat e tyre, disa herë e nxiti të përgjonte pas derës apo të fuste  sytë nëpër bravat e thella duke parë se si dashuria (ku xhanëm ishte dashuria, me se lëvizte, me trupa apo me shpirt e zëmër?, Shënimi im) zhvishej, djersitej, kafshonte dhe pastaj flinte nën dehjen e avujve që krijonte, kullonte dhe pastaj flinte (si mundet që dhe ta zinte gjumi xhanëm! sh.im) nën dehjen e avujve që krijonte…”. Megjithatë, sa herë gjente shenjat e harruara të Kasit dhe Desdemonës, i pastronte. (fakiri…! sh.im).” …”Otello u kthye në një fshesë të dashurisë tyre. Duke ndjekur gjurmët ai mësoi gjithçka, që një njeri mund të mësojë nga lidhja e një burri dhe një gruaje, por Otello nuk donte që shenjat e tyre të shkujdesura të binin në sy… Kishte pranuar të jetonte me tradhtinë, por nuk donte që të tjerët ta dinin se Kasi (ai burrë i martuar) me Desdemonën …”!-bënin atë që bënin dhe ai, kodoshi ia u fshinte me lecak! (faqe 306). Një personazh i ftiqisur kështu, i rënë në këtë derexhe dhe ku pa në …Vlorën e mesjetës, të bën ta marrësh romanin dhe ta hedhësh! Sepse me një studim të plotë të figurës qëndrore të romanit, figurës qëndrore të tragjedisë, zbërthyer njëkohësisht si në rrafshin psikologjik edhe atë social - historik, nevoitet të nxirren vlerat ideoartistike. Kjo e ndihmon lexuesin që të kuptojë se autori, me idetë e tij na tregon diçka reale dhe na mundëson të bëjmë vetë konkluzionet.  Plot shkrimtarë të mëdhenj, sepse kanë qënë realistë, në kohë të ndryshme, kanë dhënë vepra të mëdha, edhe pse si pika referimi për veprat e tyre kanë shërbyer krijimet e dramaturgëve të mëdhenj, ose vepra të së tjerëve. Se edhe vete Shekspiri, subjektin per Otellon e mori nga Hekatomiti (nje mije prralla) te novelistit Italian Xhiraldi Çinito(Giraldi Cinthio) Nga perralla pa ndonjë peshë leterare e Çinitos krijoi një kryevepër artistike nga më të mëdhatë që pa bota. Po kështu edhe Ibseni. Me dramën e tij “Zonja Ingra e Ostrotit”, e përafërt me dy dramat e Sheksipirit “Jul Cezari” dhe “Makbethi”, jo vetëm si kohë e përbashkët, kur zhvilloheshin ngjarjet, por edhe nga figurat, po ashtu edhe nga problematika e shoqërisë mesjetare. Ibseni, si mjeshtër i madh që ishte, jo që nuk kopjoi keqas personazhet e Shekspirit, pa le më t’i deformonte, por e bëri lexuesin, që duke ecur në brendinë e ndërlikuar të ngjarjeve që shtjelloi, sqaronte mjeshtërisht rrethanat historike të ngjarjeve që zhvilloheshin në Norvegji, duke i mëshuar idesë së kryengritjes të popullit norvegjez kundër pushtuesave danezë. Ai i dha popullit të vet dhe mbarë botës një dramë të përshkuar tërësisht prej frymës së thellë patriotike, ndërtuar mbi situata heroike. Një gjë të tillë e provoi dhe Kadareja te “Hamleti, ky princ i vështirë”, por ku e ku me guximin e Blushit me “Otellon…”. Cilat konkluzione na mundëson ky shkrimtar me këtë katandisje të herojve të huazuar nga kryevepra botërore? Tentoi t’i bëjë shqiptarë heronjtë e tij apo të përgjasonte problematikën e Shqipërisë të mesjetës me atë të Venedikut. Mbase, por nuk ia arriti. Kështu Beni jo vetëm që nuk ecën vetë mirë dot më tutje, por na pret këmbët që të hedhim edhe një çap më tej në veprën e tij, ne lexuesave.     Me durim e shtyjmë dhe arrijmë tek pjesa kur, Komita Muzakës, vejushës së Balshës (nuk na thotë se cili nga Balshët, i ati, apo njëri prej dy të bijve, por ne e marrim me mendje se për cilin e ka fjalën), i lind shqetësimi, për martesën e të bijës Ruginës. (Me siguri autori evokon për Rexhina Balshën, mbretëreshën e Kaninës). Se sipas autorit…” ajo vajzë ishte rritur për t’u martuar”. (Pse vajzat e tjera në Vlorë e në botë mos janë rritur ndryshe vallë?) Sipas filozofisë së autorit…”në luftë (me turqit që sulmuan radhazi trojet shqiptare në vitet 1380, 85, 86, 89, 417 e në vijimet) vajzat nuk kanë asnjë detyrë tjetër. Ato duhet të martohen që burrat të shkojnë të qetë në luftë, me shpresën që nëse kthehen, do të kenë një grua që i pret…” (kur Desdemona e tij edhe pse e kishte nëpër këmbë Otellon, nuk e kishte të vështirë të rrinte me këmbë përpjetë me Kasin, mos ato të tjerat, ecur në llogjikën e Benit, do rrinin duke pritur ata që mund të mos vinin? Dhe “Komita kishte bërë gjithçka kishte mundur, për t`i gjetur Vlorës burra, por pa u martuar. (Edhe burra edhe pa u martuar…vetëm këtu e shikojmë!) Këtë detyrë lufte, që dikur e kishte kryer vetë, tani ia kishte kaluar të bijës. Ndryshe nga vajzat e varfëra që u jepen burrave për t’i ushqyer, vajzat e princave duhet të martohen, (vini re perdorimet e kohëve të foljeve!) për të siguruar pronat familjes, qyetet e tyre, pasurinë dhe emrin…”, (faqe 258). Dhe pasi na lebetit me filozofinë e tij, jashtë kontekstit historik (pasi ai duhet të ketë mësuar diçka prej studimeve brilante të gjyshit të tij se.. Golem Araniti i Golemit të Labërisë, feudal edhe i krahinës e Vlorës, njërën prej bijave të tij, ja pati dhënë një Dukagjini, por kurrsesi për motivet që thotë Blushi) …Komita ja dha të bijën një Mrkëzha Kasimir Zharkoviçi, i cili me bukurinë e tij pataksi krejt Vlorën…” qysh se turqit patën ardhur në këto troje përpara njëqind vjetësh…”!    Të habit diskordanca historike e autorit i cili nuk paska haberin se turqit osmanë i shkelën trojet shqiptare, për herë të parë në vitet 1380, të ndërsyer prej despotit serb të Janinës, Thoma Preluboviçi dhe jo si ja këput kot së koti autori, njëqind vjet përpara.   Zharkoviçin vlonjatët e thirrën Kasi… ”sepse (sipas autorit) shqiptarët, ndryshe nga serbët, nuk i thonë emrat më shumë bashkëtingëllore që duken si meshkuj, pa i çiftëzuar me zanore femrash. Kur pas disa muajsh Kasi erdhi në Vlorë, qyeteti doli në rrugë për të shijuar bukurinë e tij”, (ndodh kjo lajthitje e autorit se ai nuk e di që Gjergj Balsha ishte ndër më të bukurit meshkuj që kishte parë Arbëria.). “I hipur mbi një kal të bardhë ai dukej si një diell që ka (e tanishmja…!) shaluar një re… Koka i qeshte nga lumturia( se ku e ka parë autori, që dhe koka qesh, askusah nuk e merr dot me mndje) dhe sytë e ëkaltër kullonin një ëmbëlsi të ngrohtë, me të cilën Vlora, e uritur për burra, (që kur e paska ditur Blushi se Labëria, bregu i burrave të bukur e levendë, Vlora e djemve e burrave të bregut, paskej mbetur tharë për burra?)… u ngop duke lëpirë buzët, për një kohë të gjatë…” (faqe 259). Është e tëpërt të themi se Blushi jo se nuk e njeh Vlorën, humorin, ironinë vlonjate, sedrën dhe kapriçon vlonjate, por ai nuk njeh krenarinë e burrave të saj, bukurinë e burrave e të krejt Bregut, krej Labërisë. E ku ka bërë ndonjëherë Vlora njeri për mbi ta, që i paskej ardhur radha Zharkoviçit tënd more Beni! E kjo jo vetëm gjatë Mesjetës, por gjer në ditët e sotme. Ndaj edhe filozofon, i dashuruar me vetvehten, kur dy tre radhë më poshtë na thotë se…” burrat e bukur kanë aftësinë për të frymëzuar turmat’’! (Pse, cili nuk e di në këtë faqe dheu, që të shëmtuarit, gogolët, historia e zhvillimeve të shoqërisë njerëzore i ka quajtur o jo të bukur, ose gogolë. Por të parët nuk e bëjnë dot historinë pa të dytët. Por tamsm në këtë rast na duhet t`i vëmë në dukje autorit dhe atyre që e kanë redaktuar se në krejt romanin bie në sy një masakër mbi përdorimin gramatikor të kohës së foljeve, brenda kontekstit të frazës. Gjë që nuk është në hisen e Benit.       Shkrimtari Blushi arrin “kulmin” e krijimit të tij”, kur vë në shtrat Ruginën me Kasin….Sipas traditës labe dhëndërri, kur e përcjellin për në në dhomën e nuses, o do t’i jepnin një shqelm në prapanicë (në rastin në fjalë, pse ishte sërb, mundet dy a tre njëherësh) o do kërcisnin ndonjë fishek pushke). Blushi nga që nuk i di këto ja se si na thotë: ”Kur pas një jave Kasi dhe Rugina fjetën bashkë, gjithë qyteti (Vlora medemek) e priti ngjarjen në rrugë. Burrat qeshnin me shpoti, gratë që e kishin kaluar atë përvojë të përgjakshme (e jo a derbardhë se nuk është lemeri ajo punë perëndie!) shtynin orët me ankth, ndërsa fëmijët i mbyllnin nëpër shtëpia sepse çështjet e nderit, (nuk është çështje nderi kur fle me gruan tënde, ca më shumë kur është ... përherë të parë, more z.Blushi, por kur gremise.. me të tjetrit. Ke kaq kohë me Benin vlonjat dhe nuk e ke pyetur!) ndryshe ato të luftës, ishin ende të ndaluara për ta. Megjithatë fëmijët e dinin se çfarë priste qyteti dhe kur çarçafët me njolla gjaku të vajzërisë së Ruginës, u varën si flamur mbi bedena, heshtja u kthye në gëzim…”! (faqe 261). Këtë lloj llafollogjie bajate e marrë për art, ku gratë janë ato të vetmet që kanë përvojën e natës së parë të martesës, kurse…. burrat vlonjatë prisnin se… ç’do të kërciste, një serb i bukur, brenda bedenave të kalasë së mbretëreshës së Kaninës dhe ku çarçafët e gjakosur nga pellgu i gjakut virgjëror të Ruginës, (tamam sikur aty të ishte therur një dem i ushqyer … mesarakëve të Armenit,) vareshin faqeve të shtëpive vlonjate… për harenë e jetuar! (Vetëm Blushi në e martë vesh këtë haberisje në mënyrën çalla ma ka çalla!) Pa le më kur…. fëmijët e mbyllur haureve dinin ca më shumë se vet baballarët e tyre, gjë që heshtjen e ktheu në gëzim popullor…! ”Vlora lëshoi një frymëmarrje të gjatë që pasi u end si dallgë mbi qytet… përfundoi…mu në fund të detit. Kësaj letërsie more i dashur Beni i thonë: Mu te guri që bon xixa, ose “dridhe mi çuno dridhe, shaminë e Desdemonës oooo! Dhe nja dy apo tre faqore rakie pranë, mirë do bënin! Por nuk mbaroi këtu historia e të bukurit Kasi….Ai si u zgjua nga gjumi pa Komitën me një tas mjaltë dhe lugën në dorë. Kurse Rugina i tha së ëmës ”m’u duk se dinte më tepër se ç’duhet…(ky trapi…mbase deshi t`i thoshte)”. Dhe vijon ajo apo e ëma, autori nuk na e bën të ditur, por na thotë se …”Duhet të jetë fërkuar më shumë zuska para se ta merrnim… (faqe 261) (të bukur femër labe paska gdhendur Blushi!).     Për djeni të tij, Rexhina Balsha, mbretëresha e Kaninës, sapo turqit shkelën Vlorën iku dhe u strehua në kështjellën e Gjonboçarëve. Aty, pasi mbushi dy karavë (anije druri me vela- sh.im) me dhe`labërie u hodh në Korfuz, nga që nuk pati mundësi të hidhej në Itali. Aty ndërroi jetë duke u varrosur… në dhe` të saj. Duke kënduar xhevaire si këto, nëpër faqet e romanit të Blushit, mu kujtua një histori e përjetuar në kohën kur punoja si gazetar në Agjencinë Telegrafike. Një patrioti im më erdhi dhe më solli një tufë me strofa poezi baritore, nga të cilat njëra më bëri të rrënqethesha. Se fillonte …”O Enver dashi me bype (bype në Labëri i thonë këmborës së madhe, varur në qafë të përçorit) /I hipe kalit dhe… ike..! I shkreti ishte burrë i mirë e patriot, por nxitur prej të shkruarave të shumta të kohës, kush e kush të fliste e të shkruante për Enver Hoxhën, ishte përpjekur e kishte krijuar ato që më solli, me shpresë që unë t’ia botoja. Dhe ajo më duhej! Enverin jo vetëm që e kthente në dash, por i varte dhe një këmborë në qafë. (Nuk pati mundësi të më thoshte se cili pikërisht do kishte guximin ta kapte Enverin, për t’i varur bypen, sikurse bën Blushi me heronjtë e veprës së tij). E ashtu të ormisur për … e hipte përsipër një kali, për t’i dhënë revanin të ikte… s’di për diku. Ku e merrte me mendje i shkreti krijues popullor se ku mund t’i afrohej kush atij burri, pa le më t’i varje në qafë dhe kumborën e dashit! Tundej kollaj vendit Enver Hoxha! Kurse krijimi i Blushti të tund vërtetë!    Blushi guxon e katandis Otellon e tij në një përçudnim tipik, tek sa i vë në qafë një trastë të turkut Hamit, shoqëruar me një kërkesë dhurate për Komitën. Dhe ai si teveqel që nuk dinte, nuk u bë as kurioz për të parë ç’kishte brenda trastës, për ta mësuar si ai që “E di Kola ç`ka në torbë”, e merr dhe ia shpie Komitës kokën e burrit të saj Andreas, që asaj…” i dogji kur e hapi si një kaktus i pagjumë…”. (Lere për krahasime!). Në fund, më duhet të shpreh edhe nja dy konsiderata lidhur me sa shtjellon autori në roman.Nëpërmjet atyre mund të kuptojë lexuesi botëkuptimin vertikal të autorit, shprehur si këtu edhe në rastin e romanit ku Blushi… jeton në ishull. E gjithë krijimtaria e tij është një shtrëmbërim i të vërtetave historike, për të mos thënë është një padije e hatashme nga të lajmëruarat njerëzve prej mesazherëve të hrijuesit. Mund të bindet gjithëkush se Ben Blushi nuk ka lexuar pa le më studjuar as Biblën as Kuranin. Ama të mos ia hamë hakun ka një guxim të çartur, për t’i thënë “burrërisht” edhe gjërat që nuk ua ka idenë. Me siguri e ka fjalën për turqit, por thotë me gojën e Albano Contarinit …”ata përtej”, mundet dhe për shqiptarët. Por në të dy rastet me ato që thotë ia këput kot sepse të vertetat nuk janë sikurse i përshkruan ai. “Mbi të gjitha, ndryshe nga ata, ne kemi organizim. Kjo do të thotë se ne (vendasit e Albanos -sh.im) dimë të bashkohemi (dihet, por do të duhej Garibaldi dhe shqiptari Antonio Kripsi - sh.im) për të arritur një qëllim dhe kështu kemi krijuar ushtrinë, kishën, gjyqin, senatin, bibliotekën, hipotekën, qytetet dhe portet. Ata nuk i kanë sepse jetojnë pa organizim. Kur zihen ata vrasin njeri tjetrin, ndërsa ne kur zihemi shkojmë në gjyq. Ne kemi shtet, ata kanë fise dhe ky është ndryshimi më i madh që kemi…”. Nëse këto u drejtohen turqve ahere autori nuk e ditka se shteti i sulltanëve ishte shteti më i organizuar ushtarakisht i kohës që e bëri përëndimin të jetonte nën tmerr për shekuj me radhë. Në se e ka për shqiptarët, ai duhet ta dijë se këtu kishte shtet, kur të tjerët bënin jetë primitive. Në univeristetin e këtejm patën mësuar perandorë romakë, që lanë gjurmë në histori. Dyndjet osmane ndërpren rrugën e zhvillimit të lirë e perëndimor të shqiptarëve, por asnjëherë dëshirën e tyre për liri dhe pavarsi. Idetë e Blushit shkojnë edhe më tej, duke na qartësuar se ai ka ide bindje ksenofobe, për besimin që nuk është në bindjen e vet.’…”Prandaj ne jemi më të fortë sepse Zoti në të cilin ne besojmë është më i ditur se Zoti i tyre që, siç ju thashë është i egër dhe nuk është aqë i zgjuar sa Zoti ynë….!(faqe 25). (Ky i ri që ka mësuar diçka nga dialektika dhe historia e saj, do ta kishte marrë vesh se ai që do të vijë gjashtëqind vjet pas Blushit(si Muhamedi pas Jezusit) do të dijë të pakëtn gjashtëqind herë më shumë se vet Blushi. Pastaj, tashmë gjithkush e di, veç Blushit, se nuk ka, nuk ka veçse një Zot. Ndaj gjithë ata që besojnë tek një Zot mbeten vëllezër ..në besim. Në faqen pas këtyre xhevahireve, ka plot thagma të tjera, për të cilat një intelektual që di të bëjë dallimin mes Zoti dhe mesazherëve, veç në pastë ligësinë, që ta nxisi të përfshihet në hullitë që vetëm të këqia sjellin dhe asgjë të mirë. Por duke parë se të gjitha sa ofron intelektuali e krijuesi Blushi, nuk janë ide por sllogane, motamo me ato që dëgjojmë nëpër foltoret e shumta, ku Blushi del për të përsëritur vetveten edhe ia falim. I japim dhe një çmim inkurajues, për të bërë edhe më shumë. Ani pse letërsisë i bëjmë dëmin më të madh. E mjerojmë. 
Identifikohu ose regjistrohu për të dërguar komente