Hyrja në fuqi e ligjit për uljen e pragut vjetor të xhiros së biznesit të vogël nga 8 në 5 milionë lekë në vit, ka bërë që mbi 5 mijë biznese në të gjithëve vendin të mbyllin aktivitetin. Pasojat negative për ekonominë dhe të ardhurat e buxhetit, janë paralajmëruar që në fillim të muajit dhjetor 2009. Shumë subjekte private nisën procedurat për mbylljen ose ndryshimin e licencës që vitin e kaluar, ndërkohë që kishin paralajmëruar edhe autoritetet tatimore për këto veprime.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve flasin për rreth 5 mijë subjekte private të vogla, të cilat kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit. Numri mund të jetë më i madh po t’i referohemi situatës kritike që po kalon ekonomia. Administrata tatimore ka ngritur grupe pune të posaçme për të përballuar procesin e kalimit të bizneseve në sistemin e ri tatimor. Ligji i miratuar nga qeveria ka hyrë në fuqi që më 1 janar dhe afati për regjistrim shkon deri më 15 janar 2010. Nga data 1 janar, tatimet kanë nisur regjistrimin e bizneseve me xhiro mbi 5 milionë lekë, duke i futur në procedurën e pagesës së 20 për qind TVSH. Për të pasur një menaxhim sa më pozitiv, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, u ka shpërndarë degëve nëpër rrethe udhëzimin mbi procedurën që duhet ndjekur.

Metodat e bizneseve

Për t’iu shmangur detyrimeve të reja administrative me TVSH-ë, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve të vogla kanë preferuar të mbyllin aktivitetin, duke kërkuar çregjistrim në QKR-ë dhe Tatime. Mbyllja e aktivitetit dhe hapja një biznesi të ri që ndryshon nga i vjetri vetëm nga emri, i çliron subjektet nga detyrimi për të paguar TVSH-në.

Edhe pse konsiderohet një taksë që nuk e rëndon direkt biznesin, shkalla tatimore 20 për qind shikohet nga subjektet e vegjël si barrë e rëndë që çon në faliment. Kalimi në TVSH-ë rrit disa detyrime administrative, si bilanci, numri i punonjësve apo ekonomisti, por jo taksat direkte, pasi ato do të vijojnë të jenë të njëjtat. Administrata tatimore parashikon se ligji i ri i TVSH-së prek rreth 13 mijë biznese të vogla, me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë. Këto biznese si dhe të tjerat me xhiro deri në 8 milionë lekë do të vijojnë të jenë subjekte të vogla nën administrimin e njësive vendore. Ulja e pragut bëhet thjesht për zgjerimin e skemës së TVSH-së.

Megjithatë një problem i madh vazhdon të mbetet bilanci dhe llogaritja e të ardhurave, pasi subjektet e njësive vendore kanë punuar me sistemin e bashkive dhe tani që kalojnë me TVSH u duhet të futen në të tjera procedura, të panjohura për to. Çregjistrimi i 4 mijë subjekteve mund të konsiderohet një proces normal i stadit të biznesit, por në rastin konkret ekspertë të ndryshëm e shikojnë si mjet për t’iu shmangur ligjit të ri.

Procedurat e reja

Bizneset që tejkalojnë ose parashikohet të tejkalojë 5 milionë lekë për këtë vit kalendarik janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda 15 ditëve. Deklarimi i parë për TVSH-në për tatimpaguesit e regjistruar në janar 2010 do të jetë më 1-14 shkurt 2010. Edhe pse ndryshon status, biznesi që kalon me TVSH-ë do të vazhdojë të mbajë të njëjtin numër identifikimi të personit të tatueshëm (NIPT). Kjo kategori tatimpaguesish do të vazhdojë të jetë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël, taksës vendore pranë bashkive apo komunave dhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe TAP-in, detyrimi ndaj të cilit për deklarim do të vazhdojë të jetë çdo tre muaj.

1 Komente

Ligji i ri, m'duket shum shabllon dhe aspak elastik.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).