Heronjtë e Berishës në vitin e fundit të mandatit

Dje, në dy gazeta ditore më tërhoqi vëmendjen një njoftim i shkurtër pa shumë referenca zyrtare, sipas të cilit Rezart Taçi njoftonte se kishte bërë më në fund pagesën prej 128 milionë eurosh dhe ishte pronar i ARMO-s, tashmë me emrin ARMO. Njoftimi i dytë, që është dhe lajm i ditës, është se qeveria është vënë në mbrojtje të një biznesmeni të quajtur Dritan Çela, kontraktor për ndërtimin e fshatit turistik të Kakomesë, aq shumë të kundërshtuar që nga viti 2005.

Rasti i parë duket shumë flagrant. Deri më sot kryeministri, Sali Berisha, e ka fshehur faktin që ARMO-n ia ka shitur Rezart Taçit. Në dokumentin e paraqitur në tender, ky tip spekulanti ose, po t’i referohemi Berishës, “kontrabandisti më i madh i naftës”, nuk ka pas qenë blerësi i ARMO-s. Gazeta “TemA” këmbënguli që në fillim se konsorciumi me emër amerikan ishte fals dhe se pas tij fshihej ai që Berisha e quante kontrabandist nafte në kohë të socialistëve. Dje, ai doli hapur dhe pranoi se ishte blerësi i ARMO-s dhe se kishte bërë derdhjen e parave në llogarinë e shtetit. Nuk jam shumë i sigurt për këtë të fundit, por po e marr të mirëqenë. Ajo që është skandaloze në këtë rast, është gënjeshtra publike e kryeministrit dhe rehabilitimi prej tij i një prej emrave, të cilin dy javë para zgjedhjeve e ka akuzuar si trafikant të madh të naftës dhe prodhues i evazionit fiskal në Shqipëri duke shmangur akcizën. E vërteta është se, përmes lidhjeve që ai krijoi me familjen Berisha, duke punuar me vajzën e tij dhe më pas duke qenë “bamirës” përmes gruas së tij te fondacioni i zonjës Berisha, Rezart Taçi u “pastrua” nga kontrabandist dhe u bë biznesmen serioz. Ai arriti të gënjejë gjithë shqiptarët, duke thënë se ia shiti ARMO-n një kompanie amerikane, ndërsa në dy gazeta ditore dje, del qartë se blerës real i ARMO-s është Rezart Taçi. Sali Berisha tashmë duhet të tërheqë së paku vlerësimin negativ që ka bërë për këtë biznesmen dy javë para se të vinte në pushtet, që ne të mos dyshojmë se ky biznesmen e ka blerë shtrenjtë pastërtinë e tij te familja në pushtet.

Rasti i dytë është po aq emblematik. Në të njëjtin emision televiziv që ka folur për Rezart Taçin, Berisha ka përmendur që pronarë të fshatit Kakome janë banorët e kësaj zone, por fshati turistik që po ndërtohet është pronë e Fatos Nanos. Argumenti që kishte Berisha ishte se, vetëm nëse qëndron kryeministri pas firmës që ndërton fshatin, mund t’iu marrë tokën fshatarëve me arrogancë, pa i pyetur. Askush, sipas Berishës, nuk mund ta bënte këtë, nëse nuk do të ishte kryeministri. E besuam dhe ne, dhe shqiptarët këtë deklaratë. Në vitin 2008, Berisha po çon prapë fadromat të ndërtojë atë fshat turistik. Fshatarët sërish po i zënë rrugën. Mediat pranë Berishës tashmë po mbrojnë biznesmenin Dritan Çela dhe jo pronarët. Logjika më e thjeshtë që bazohet tek ajo ç’ka thënë Berisha, të çon në përfundimin se pas ndërtuesve të fshatit turistik tashmë qëndron Berisha, pasi vetëm një kryeministër mund të guxojë t’iu marrë tokën të tjerëve. Nëse nuk është kështu, atëherë Berisha duhet të dalë publikisht dhe të tërheqë atë vlerësim që ka bërë për pronësinë e Fatos Nanos në këtë fshat. Ndryshe, të gjithë kemi të drejtë të besojmë se përmes mekanizmave që vuri nën kontroll për ndërtimet në bregdetin shqiptar në Jug, ai ose familja e tij qëndron pas ndërtimit të fshatit turistik të Kakomesë. Për t’u bindur për këtë mjafton të ndjekim logjikën e deklaratës së tij në qershor të vitit 2005, dhe mënyrën se si argumentonte pjesën e Fatos Nanos në këtë projekt.

Unë nuk dua t’i hyj deri në çfarë mase dokumentet e pronarëve të Kakomesë janë të sakta nga fshatarët dhe nga hipotekat. Për të verifikuar se diçka nuk është e rregullt në këtë histori mjaftojnë dy qëndrimet e ndryshme të Berishës më 2005 dhe 2008. Ai duhet të saktësojë publikisht se çfarë qëndrimi ka sot.

Thyerja e Berishës para korrupsionit dhe fakti që në vitin e fundit të mandatit të tij, heronjtë e tij moralë janë personazhet e mega-korrupsionit të vitit 2005, tregon se betejën mes Berishës dhe mafies e fitoi mafia dhe sot Sali Berisha është një ushtar i bindur i tyre ose “kapter”, siç ka qejf të thotë.

4 Komente

gene - 24 Nën 2008 - 9:52am

1 - mos e teproni ju te temes me kete punen e familjes se nuk i beni mire askujt

2 - Kontrabandist nafte the????????!!!!!!!!! Kjo dmth qe jane kolege ne fund te fundit (kete e ka thene berisha me gojen e vet)!

Andi Nurcellari - 26 Nën 2008 - 4:05am

Ajo toke eshte pjese e fshatit, Nivica eshte nje nga fshatrat me te populluar ne Shqiperi. Banoret e Nivices kane dokumenta nga hipoteka qe ne kohen me para Zogut, dhe Enveri nuk ja mori kete toke fshatit. Cfare eshte me e veshtire per tu kapercyer eshte braktisja e medias ne kete ceshtje kombetare. Shume patriote jane ankuar nga e gjithe bota. Vetem nje gje doja te shprehja Ne qoftese sikur dhe nje banor i Nivices plagoset ose vritet ose terrorizohet ne ate vend pergjate kesaj kohe cdo gje do marre fund per firmen qe do te beje pune aty dhe per qeveritaret qe kane pasur gisht ne kete mbleksje te mafias dhe shtetit. Ne me te vertete jemi emigrante por ama kemi akoma lidhje me atdheun.

Idris - 26 Nën 2008 - 4:58am

Fjale te urta Ardi.... Askush nuk flet me fakte vetem me "peshtyma" qe nga Berisha e para tij Nano . Dhe Meros i lumte me kete kend shikimi e ballafaqimi , por pak si vone , se kur te tjeret e kishin semundjen Berri-Berri si objekt studimi deri ku arrin Mashtrimi dhe Hipokrizia ne nje Kryeqeveritar si Berisha....Merua i frynte xurnase se melodise "poshte nga cairet" . Megjithate vone s'eshte kurre. Kjo menyre ballafaqimi ja nxjerr petket lakrorit, por ata jane regjur me keto akuza dhe su bejne me pershtypje. Boll te jene siper Kalit....freret e yzengjite i vene  e perdorin vete . Le qe kane dhe qahallare me uniforme POLICi qe nene o nene mos renc ne "penen" e tyre ... Smile

Andi Nurcellari - 27 Nën 2008 - 5:10am

Une si nje njeri me dy kombesi do bej punen time. Jo vetem qe i kam shruar firmes Franceze qe do te "manage" fshatin turistik por edhe ambasades Americane ne Shqiperi per te mbrojtur tokat e mia ne Shqiperi si "citizen". Gjithashtu kam bere ankesa zyrtare ne mediat boterore. Kjo qe po ndodh ne ate vend eshte nje veprim banal qe tregon me te vertete cilesine e pushtetit qe populli Shqipetar ka zgjedhur. Shume premtime jane dhene nga qeveria demokratike qe nuk jane mbajtur, jo vetem per Kakomene por dhe per shume te tjera subjekte. Do te doja te shihja nje ngritje te popullit nga te gjithe anet e Shqiperise dhe te ngujojne me fshataret e Nivices. Vetem populli e ka ate force per te ndryshuar ate gjendje.

Identifikohu ose regjistrohu për të dërguar komente