Gallup: Shqipëria, më e korruptuara në rajon

 Shqipëria, më e korruptuara në rajon

Shqipëria është më e korruptuara në rajon, madje me një diferencë të theksuar nga vendet e tjera. Përfundimin e frikshëm e jep një sondazh i organizatës prestigjioze Gallup, i quajtur Ballkan Monitor dhe që synon të japë një panoramë të asaj se çfarë mendojnë banorët e Ballkanit Perëndimor, rajonit më të nxehtë dhe më të prapambetur në Evropë. Synimet e këtyre vendeve e shtyjnë Gallup që të organizojë rregullisht një sondazh në këto vende. I sivjetmi është organizuar vetëm përpara një muaji me popullsinë e rritur (15 vjeç e sipër) në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për çdo vend janë bërë të paktën 1000 intervista ballë për ballë gjatë shtatorit dhe tetorit 2008, secila prej tyre ka zgjatur të paktën një orë. Kufiri i gabimit është tre për qind.

“Me përjashtim të Shqipërisë, jo më shumë se një në dhjetë persona të intervistuar në Ballkan raportojnë dhënie ryshfeti për një zyrtar të qeverisë gjatë vitit. Në Shqipëri, të dhënat flasin për 32 për qind”, - kështu thuhet në përfundimet e sondazhit të Gallup. Shqipëria udhëheq kështu bindshëm në këtë fushë, e në vendin e dytë është Serbia, me dhjetë për qind që pranojnë se kanë dhënë ryshfet.

Në pjesën e përmbledhjes për Shqipërinë theksohet fakti që shqiptarët duan të largohen nga vendi. “Shqiptarët besojnë se vendi i tyre do të jetë i mirëpritur në BE si një shtet i ri anëtar. Bashkimi Evropian, në fakt duket se ka një impakt shumë të madh; shumica e shqiptarëve besojnë në institucionet e BE dhe 83 për qind mendojnë se anëtarësimi në BE do të jetë në të mirë të Shqipërisë. Ryshfeti për zyrtarët e qeverisë dhe punonjësit civilë raportohet si më i larti në rajon me dy të tretat e të pyeturve që pranojnë se kanë paguar një ryshfet gjatë një viti. Vetëm 29 për qind besojnë se qeveria po bën gjithçka mundet për të luftuar krimin e organizuar. Mbi një e treta e shqiptarëve thonë se ata duan të largohen nga vendi”, - thuhet në sondazhin e Gallup.

Për sa i përket qeverisë, vetëm 27 për qind mendojnë se qeveria po punon mirë. “Kosova (53 për qind), dhe Mali i Zi (55 për qind), janë të vetmet territore ku shumica e të pyeturve flet pozitivisht për performancën e qeverisë. Në krahasim me këtë, pakënaqësia është më e përhapur në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku 67 për qind japin një vlerësim negativ”, - thuhet në raport.

Dy vendet që fituan pavarësinë së fundi, Kosova dhe Mali i Zi, janë të vetmet vende ku shumica e të pyeturve (62 për qind dhe 59 për qind respektivisht), janë optimistë për të ardhmen e vendit. Pesimizmi është i shumëpërhapur në Kroaci (ku 64 për qind mendojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar) dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë (61 për qind).

Me përjashtim të Kroacisë dhe Kosovës, më shumë se gjysma e njerëzve të rajonit janë të pakënaqur me standardet e jetesës. Rreth dy të tretat e të intervistuarve në Serbi (62 për qind), dhe Maqedoni (64 për qind), nuk janë të kënaqur me standardet e jetesës.

Çudia ndodh me shqiptarët. Nëse të gjitha vendet e rajonit besojnë më shumë te Kisha dhe institucionet fetare, në Shqipëri dhe Kosovë besimi më i madh është te NATO dhe institucionet e BE. “Njerëzit e rajonit nuk kanë shumë besim në trupat politike të vendeve të tyre. Në fakt, institucionet politike kombëtare marrin një vlerësim të nivelit të mesëm për sa i përket besimit; Kisha dhe të tjera organizata fetare janë në krye në shumicën e vendeve. Kosova dhe Shqipëria janë përjashtime; atje, në vend të organizatave fetare, NATO është më e besueshmja”, - arrin në përfundim sondazhi.

Shqiptarët janë më dashamirësit e anëtarësimit në BE. “Kosova dhe Shqipëria e shohin BE veçanërisht pozitivisht; qytetarët në Kroaci dhe Bosnjë Hercegovinë - veçanërisht në etnitë serbe - janë më negativë. Në Shqipëri, 83 për qind e të intervistuarve besojnë se anëtarësimi në BE i vendit të tyre është një gjë e mirë. Kosovarët, megjithatë, i besojnë më shumë NATO-s sesa institucioneve të BE. Dy vendet kandidate zyrtare për në BE, Kroacia dhe Maqedonia, janë të vetmet vende ku shumica ndjehet e mirinformuar për BE”, - thuhet në sondazh.

Në sondazh thuhet se përgjithësisht vendet e rajonit mendojnë se pavarësia e Kosovës do cenojë stabilitetin. Me përjashtim të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, shumica relative e të pyeturve besojnë se pavarësia e Kosovës do të ketë impakt negativ në stabilitetin e rajonit. Gjashtë në dhjetë (61 për qind e rezidentëve serbë thonë se pavarësia e Kosovës nuk do pranohet kurrë; një e katërta mendon se kjo do jetë e mundur brenda dhjetë vitesh.

Shumica e qartë e rajonit mendon se e ardhmja do të jetë paqësore. Rreth një në katër serbë dhe maqedonas mendojnë megjithatë se mund të ketë një tjetër luftë në rajon.

Interesant është fakti se pak a shumë gjysma e të pyeturve në Serbi mendojnë se Radovan Karaxhiç është i pafajshëm për krime lufte (47 për qind), nga ana tjetër 45 për qind besojnë se arrestimi i tij është në të mirën e të ardhmes së Serbisë.

 

 

Përfundimet kryesore të sondazhit

 

Dy vendet që fituan pavarësinë së fundi, Kosova dhe Mali i Zi, janë të vetmet vende ku shumica e të pyeturve (62 për qind dhe 59 për qind respektivisht), janë optimistë për të ardhmen e vendit. Pesimizmi është i shumëpërhapur në Kroaci (ku 64 për qind mendojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar), dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë (61 për qind).

 

Me përjashtim të Kroacisë dhe Kosovës, më shumë se gjysma e njerëzve të rajonit janë të pakënaqur me standardet e jetesës. Rreth dy të tretat e të intervistuarve në Serbi (62 për qind), dhe Maqedoni (64 për qind), nuk janë të kënaqur me standardet e jetesës.

 

Kosova dhe Shqipëria e shohin BE veçanërisht pozitivisht; qytetarët në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë - veçanërisht në etnitë serbe - janë më negativë. Në Shqipëri, 83 për qind e të intervistuarve besojnë se anëtarësimi në BE i vendit të tyre është një gjë e mirë. Kosovarët, megjithatë, i besojnë më shumë NATO-s sesa institucioneve të BE.

 

Dy vendet kandidate zyrtare për në BE, Kroacia dhe Maqedonia, janë të vetmet vende ku shumica ndjehet e mirinformuar për BE.

 

Kosova (53 për qind), dhe Mali i Zi (55 për qind), janë të vetmet territore ku shumica e të pyeturve flet pozitivisht për performancën e qeverisë. Në krahasim me këtë, pakënaqësia është më e përhapur në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku 67 për qind japin një vlerësim negativ.

 

Njerëzit e rajonit nuk kanë shumë besim në trupat politike të vendeve të tyre. Në fakt, institucionet politike kombëtare marrin një vlerësim të nivelit të mesëm për sa i përket besimit; Kisha dhe të tjera organizata fetare janë në krye në shumicën e vendeve.

 

Kosova dhe Shqipëria janë përjashtime; atje, në vend të organizatave fetare, NATO është më e besueshmja.

 

Me përjashtim të Shqipërisë, jo më shumë se një në dhjetë persona të intervistuar në Ballkan raportojnë dhënie ryshfeti për një zyrtar të qeverisë gjatë vitit. Në Shqipëri, të dhënat flasin për 32 për qind.

 

Maqedonia ishte i vetmi vend ku ata që pranojnë se qeveria po bën mjaftueshëm për të luftuar krimin e organizuar i kalojnë ata që mendojnë të kundërtën (49 për qind kundrejt 35 për qind).

 

Tre të katërtat e të intervistuarve në Kosovë mendojnë se do të kishin më shumë mundësi jashtë vendit.

 

Pak a shumë dy të tretat e shqiptarëve (69 për qind), dhe kosovarëve (66 për qind), thonë se njerëzit që kanë shkuar për të jetuar në një vend tjetër, janë një ndihmë e madhe për vendin.

 

Pak a shumë njëzet për qind e të pyeturve në çdo vend thonë se do të shpërnguleshin në një tjetër vend - i vetmi përjashtim është Kroacia, ku vetëm shtatë për qind do të lëviznin përkohësisht ose përfundimisht.

 

Mali i Zi dhe Kroacia ishin të vetmet shtete ku shumica e njerëzve besonin se vendi i tyre ofronte mjaftueshëm mundësi.

 

Me përjashtim të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, shumica relative e të pyeturve besojnë se pavarësia e Kosovës do të ketë impakt negativ në stabilitetin e rajonit.

 

Gjashtë në dhjetë (61 për qind e rezidentëve serbë), thonë se pavarësia e Kosovës nuk do pranohet kurrë; një e katërta mendon se kjo do jetë e mundur brenda dhjetë vitesh.

 

Shumica e qartë e rajonit mendon se e ardhmja do të jetë paqësore. Rreth një në katër serbë dhe maqedonas mendojnë megjithatë se mund të ketë një tjetër luftë në rajon.

 

Pak a shumë gjysma e të pyeturve në Serbi mendojnë se Radovan Karaxhiç është i pafajshëm për krime lufte (47 për qind), nga ana tjetër 45 për qind besojnë se arrestimi i tij është në të mirën e të ardhmes së Serbisë.

 

Me përjashtim të Shqipërisë dhe Kosovës, një e treta ose më pak e njerëzve të çdo vendi mendojnë se Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Jugosllavi, ICTY, është e paanshme.

 

 

Shqipëria, mbështetës të BE, të lumtur nëse largohen nga vendi

 

Shqiptarët besojnë se vendi i tyre do të jetë i mirëpritur në BE si një shtet i ri anëtar. Bashkimi Evropian në fakt duket se ka një impakt shumë të madh; shumica e shqiptarëve besojnë në institucionet e BE dhe 83 për qind mendojnë se anëtarësimi në BE do të jetë në të mirë të Shqipërisë. Ryshfeti për zyrtarët e qeverisë dhe punonjësit civilë raportohet si më i larti në rajon me dy të tretat e të pyeturve që pranojnë se kanë paguar një ryshfet gjatë një viti. Vetëm 29 për qind besojnë se qeveria po bën gjithçka mundet për të luftuar krimin e organizuar. Shqiptarët duket se janë më të përhapurit nga të tjerët në rajon me mbi dy të pestat e pyeturve që pranojnë se kanë një anëtar të familjes që punon ose studion jashtë.

Mbi një e treta e shqiptarëve thonë se ata duan të largohen nga vendi.

 

 

Rama: Shqipëria është e ndarë dhe nga Ballkani për korrupsion

 

Kryetari i PS, Edi Rama, komentoi dje raportin e fundit të Ballkan Monitor, në të cilin jepen shifra alarmante për korrupsionin në Shqipëri. Kreu i PS akuzoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për korrupsion, duke theksuar se për shkak të korrupsionit në rritje, Shqipëria është e ndarë jo vetëm nga Evropa, por edhe nga Ballkani. Rama përmblodhi raportet negative që kanë mbërritur nga ndërkombëtarët vitin e fundit për qeverinë shqiptare, duke veçuar raportin e FMN, progres-raportin e KE për Shqipërinë dhe së fundi raportin Ballkan Monitor, ku jepen shifra alarmante të korrupsionit në Shqipëri. “Sali Berisha përpiqet ta mbulojë malin e mëkateve të qeverisjes së tij me një mjegull rrenash, faktesh të deformuara, shifrash të sajuara, inaugurimesh e spotesh banale që i paguan me lekët e shqiptarëve, ndërkohë që vetëm në 4 muajt e fundit, janë shprehur shumë qartë për gjendjen e rëndë të korrupsionit 3 burime prestigjioze ndërkombëtare. Në gusht, FMN në raportin e saj tha që, në krahasim me vitin 2005, korrupsioni në Shqipëri është dyfishuar. Në fillim të nëntorit Bashkimi Evropian në Raportin e Progresit theksoi se korrupsioni në Shqipëri është një problem veçanërisht serioz dhe një fenomen i kudondodhur. Dhe së fundi, raporti i Ballkan Monitor nënvizon se Shqipëria është jo vetëm vendi më i korruptuar në rajon, po me diferencë të jashtëzakonshme nga të gjitha vendet e tjera. S’ka asnjë dyshim se kryeministri do të vazhdojë të gënjejë, qeveria e tij do të vazhdojë të abuzojë, keqqeverisja e vendit do të vazhdojë t'u shkaktojë vuajtje e dëme shqiptarëve, por falë vetëdijesimit të gjithmonë e më shumë qytetarëve e qytetareve të këtij vendi kjo agoni nuk do të zgjasë më shumë se muajt që i kanë mbetur Sali Berishës në pushtet”, - tha Rama. Sipas raportit të Ballkan Monitor vetëm 29% e shqiptarëve besojnë se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Duke komentuar raportin Rama tha dje se raporti në fjalë e përcakton Shqipërinë si një rast të veçantë negativ në kapitullin për qeverisjen e korrupsionin, duke theksuar se vendi ynë përbën një përjashtim në rajon për nivelin e lartë të korrupsionit. Duke e krahasuar me vendet e tjera fqinje, Shqipëria ka nivelin më të lartë të korrupsionit, në 32% përkundrejt 5 deri në 10% të këtij niveli në vendet fqinje, si Maqedoni, Mal i Zi, Kosovë, Serbi, Kroaci.

 

 

PD: Rama është përgjegjës për korrupsionin

 

Partia Demokratike në qeverisje reagoi dje në lidhje me sondazhin e Gallup duke deklaruar se fajtor për korrupsionin është kryetari i PS, Edi Rama. Zëdhënësi i PD, Gerti Bogdani, tha se Rama është kampion i korrupsionit. “Mr. 15%, kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës, doli në konferencë shtypi për të mohuar rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, të cilat i kanë vlerësuar të gjithë raportet e ndërkombëtarëve. Lidhur me këto shpifje dhe trillime të z. Rama, detyrohemi t'i kujtojmë se kampion dhe shtyllë e korrupsionit në Shqipëri është personalisht z. Rama.

Pasi ryshfetet për lejet e ndërtimit, apo tenderimet që i bën nga 3, 4 herë një objekti, z. Rama e bëjnë të njohur në botën e korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por në Ballkan dhe në botë, si Mr. 15%. Sepse, është 15% që i paguajnë ndërtuesit atij, që bëri që z. Rama të bllokojë për vite të tëra planin rregullues dhe ta çojë Tiranën në një katastrofe urbane. Është 15% që nuk vilet dot për trojet e shkollave dhe kopshteve, që bën z. Rama të bëjë Tiranën qytetin me numrin më të lartë të nxënësve në klasë, në botë. Është 15% që z. Rama nuk merr dot për trojet për banesa sociale, që bën që z. Rama të lërë pa strehë me mijëra familje sot në Tiranë. Është korrupsioni dhe ryshfeti në transportin e qytetit që bën që Tirana të ketë transportin më kaotik në Evropë. Është ryshfeti i z. Rama për pastrimin e qytetit që bën që Tirana të jetë një nga qytetet më të papastra. Z. Rama mund të shpifë dhe trillojë, mund të përpiqet të lahet edhe në ujërat e Lanës për t’u pastruar, por nofkën popullore Mr. 15% nuk mund ta heqë dot”, - thuhet në deklaratën zyrtare të PD.

3 Komente

t_red - 25 Nën 2008 - 6:31pm

Shqiperia me e korruptuara ne rajon? Jo ore?! Ke folur me kryeministrin tone ti shoku Gallup, qe na e bere peshqesh vete ate para 3 vjetesh e gjysem me sondazhet e tua?

bedrije - 25 Nën 2008 - 6:34pm

Me duket se ishte Gani BOBI qe ja hangsha zemren Tongue , qe e qiti Salen direkt te fitum, jo Gallupi Tongue

mushku - 25 Nën 2008 - 7:31pm

S'ta ka fajin armiku i jashtem per ate kumbullen e tharte ne krye...

Identifikohu ose regjistrohu për të dërguar komente