…sepse UNMIK-u dhe qeveria po qelben…
Deri para 17 shkurtit problemi kryesor ka qenë Kosova brenda Serbisë. Pas 17 shkurtit problem kryesor është shteti i Serbisë brenda Kosovës. Autonomia e Kosovën nën Serbi është zëvendësuar me autonominë e Serbisë në Kosovë. UNMIK-u gjatë gjithë kohës prej qershorit 1999 ka toleruar praninë shtetërore, institucionale, administrative, arsimore, mjekësore të shtetit serb, për qëllime pa dyshim armiqësore, kundër sovranitetit, integritetit territorial të vendit tonë dhe lirisë politike të popullit të Kosovës. Ndarjet territoriale dhe etnike që Serbia i ka shkaktuar në Kosovë tash po dëshiron t’i pajisë edhe me legjitimitet paralel politik nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të saj lokale e parlamentare të 11 majit këtu në atdheun tonë.
Gjermania, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca si dhe disa shtete tjera, të cilat na mbështesin, kanë dalur me qëndrimet e tyre zyrtare shtetërore kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Kurse, disa zyrtarë të BE-së po ua mbajnë anën këtyre zgjedhjeve. Në vend që politikanët tanë të pozicionohen pikërisht me këto vende dashamirëse, ata e kanë zgjedhur pozicionin e ndejtjes duarkryq para këtij veprimi armiqësor të Serbisë kundër sovranitetit të Kosovës. Fatmir Sejdiu ka përvetësuar arsyetimin e Komisionerit për Zgjerim të BE-së, Olli Rehn pro mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë, në vend që të jetë nën të njëjtin arsyetim me Ministrin e Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmayer kundër këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Në fakt, politika e Kosovës do të duhej të pozicionohej kundër këtij akti para se për të të fillonin të flisnin të tjerët. Por ajo qëllimisht ka marrë këtë pozicion, ngaqë e tëra që e obligon një qëndrim i tillë rehatie është të bërit sehir përballë fakteve të reja të përditshme që Serbia po i krijon në tokën e Kosovës. Sepse kemi të bëjmë me një qeveri interesat e të cilës nuk janë ato të popullit të Kosovës, me një qeveri servile, e cila nuk e përfaqëson popullin ndaj UNMIK-ut, por UNMIK-un ndaj dhe kundër popullit. Në vend që politikanët e Serbisë, të cilët po vijnë këtu për t’i shpallur luftë të hapur pavarësisë së Kosovës, të mos lejohen të hyjnë në atdheun tonë, Hashim Thaçi po i fyen qytetarët duke thënë që vizitat ilegale të këtyre politikanëve armiqësor janë veprimtari për njohjen e pavarësisë së Kosovës.Nëse në Kosovë nuk do të kishte demonstratë kundër zgjedhjeve të Serbisë para 11 majit, atëherë bota do ta kuptonte si pajtim ose dobësi të shqiptarëve dhe me shumë lehtësi do të hapej shtegu i kantonizimit të Kosovës (ngjashëm si në Bosnje). Të mos harrojmë se Bosnja u kantonizua tri vjet pasi që u shpall e u njoh si shtet i pavarur.
UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë mundësi teknike të mjaftueshme dhe kompetenca sa të duash për ta pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Por ata nuk e kanë gjënë kryesore për ta bërë këtë gjë: vullnetin politik. Sepse vullneti i tyre nuk është edhe vullneti i popullit. Sepse vullneti i popullit është për bashkimin e Kosovës, jo për ndarjen e saj; për zhvillim e mirëqenie, jo për varfëri e mjerim; për sovranitet e integritet territorial të Kosovës, jo për zgjedhje të Serbisë. UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës kanë mundur t’i ndërmarrin së paku 4 hapa:
- SHPK-ja duhet ta ndalojë dhe pengojë ardhjen e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, veprimtaria e të cilëve konsiderohet armiqësore dhe me qëllim të shkeljes dhe rrënimit të sovranitetit të Kosovës dhe instrumentalizimin e pakicës serbe për qëllime të tilla
- SHPK-ja duhet të arrestojë çfarëdo personi që vjen nga Serbia dhe i cili gjendet në territorin e Kosovës me qëllim të organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, qoftë ai nga strukturat organizative zgjedhore, qoftë nga komisioni i zgjedhjeve të Serbisë
- Objektet publike përbrenda Kosovës duhet të kontrollohen nga SHPK-ja, që ato të mos shndërrohen nga Serbia në pika vendvotimi për zgjedhjet e saj
- Çdo material logjistik, politik, propagandistik zgjedhor në funksion të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duhet konfiskuar nga SHPK-ja
Por, as UNMIK-u e as qeveria nuk ndërmorën gjë. Për të gjitha arsyet e përmendura më lart, këto dy instanca të pushtetit politik në Kosovë janë shndërruar në një konteiner masiv që vetëm bërllok di të prodhojë. Ky bërllok po e mbyt Kosovën përditë. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! në demonstratën e nesërme ka vendosur që këtë bërllok ta grumbullojë e ta hedh pikërisht ku e ka vendin: në konteiner.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Foto: Urim Krasniqi


10 Maj 2008 @ 7:44 am
Nje Komb qe nuk ben kryengritje eshte nje komb qe do zhduket nga faqja e dheut. Shqipot duhet ta marrin vet ne dore te ardhmen dhe ribashkimin e trojeve Shqiptare! Njeher ribashkimin me Kosova Shqiperi pastaj Ilirida e Maqedonise Shqiperi. Cameria vjen vete tek i zoti pastaj!
10 Maj 2008 @ 4:18 pm
Si nuk u dit me gjet kurre rehati n’at vend………..Pa pa pa pa
10 Maj 2008 @ 4:26 pm
NUk ka qetesi moj Zana se ne shqiptaret kena haru shprehjen si i thone andej nga anet tuaja SHkodra
“Me fitu duhen 99 kopilliqe dhe nje trimni” ( pak a shume nuk me kujtohet tamam)
Na bajme vetem 100 trimnina
Na i ka lane me goje rahmet pase Enveri “Liria vjen vetem nepermjet grykes se pushkes”
10 Maj 2008 @ 11:51 pm
dallohet qarte nje levizje e mirefillte dhe parimore. Krahasojeni Vetevendosjen me levizjen otpor-iste G99.
te pakten rraca jone qenka ne qendje te nxjerre njerez parimore.
11 Maj 2008 @ 1:05 pm
vetevendosje e ka mir qe po bon demostrata sepse e ka per te mir te popullit
11 Maj 2008 @ 9:43 pm
vetvendosja e ka mire edhe hallall i qofte albin kurtit, se ai nuk mashtrohet me para e karige, mercedes po qka po bone poppuli
11 Maj 2008 @ 9:55 pm
Keta e meritojne vertet mbeshtetjen!
13 Maj 2008 @ 2:35 am
Nga fjalimi i Glaukut
13 Maj 2008 @ 9:00 pm
Ditet kalojne kurse Levizja Vetevendosje vetem shkon duke u perforcuar.
E vetmja levizje qe i’a vlen te perkrahet ne trojet e shqipes; te gjitha tjerat jane levizje materialiste - lypin prej popullit. Levizja nuk kerkon asjge nga populli (p.sh. para, tituj etj…); jane t’sinqert dhe kane principe.