“Si po regjistrojmë tre milion shqiptarë”

Intervistë për MAPO-n me Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti. Si e shikon ai avancimin e projektit për modernizimin e GJ.C.; afatet e projektit dhe kur shqiptarët do kenë mundësi të jenë në një database elektronik adresash…

Ben Andoni

Eshtë një nga projektet më parësorë të qeverisjes së sotme dhe nëse gjatë qeverisjes së Z. Berisha, do përfundojë me sukses, kjo do të përbëjë një nga arritjet më të mëdha. Është realisht brenda parametrave, projekti i modernizimit të Gjëndjes Civile (Gj.C.)?
“Ky është një nga projektet më të rëndësishme dhe më prioritarë të qeverisë shqiptare, pikërisht për faktin se në përfundim të tij, ne do të kemi një regjistër dhe një inventar të qytetarëve shqiptarë, një regjistër civil të vlefshëm në bazë të dhënave të konsoliduara, të sigurta, të pastra dhe pa dublime, e cila do të shërbejë si suport në të ardhmen për shumë shërbime. Ne, këtë projekt, e kemi ndarë në tre aspekte. Aspekti i parë ka pasur si bazë krijimin e një database. Kjo do të thotë që e kemi filluar nga nëntori i vitit të shkuar dhe me një punë shumë intensive, në të gjitha zyrat e gjendjes civile, të dhënat që ndodheshin në librat e vjetër të GJ.C. të vitit 1974, tani ndodhen në Sistemin elektronik. Ky proces ka përfunduar dhe jemi në fazën e pastrimit dhe çertifikimit së të dhënave nga punonjësit e GJ.C. të zyrave. Kjo do të thotë që baza e të dhënave të hedhur në kompjuter po krahasohet dhe njëherë për herë të fundit me librat e GJ.C. për të parë nëse të dhënat janë hedhur në regjistrin e ri elektronik dhe nëse janë hedhur mirë. Ky proces do përfundojë brenda këtij muaji (korrik 2008)dhe unë kam deklaruar para pak ditësh se jemi në masën 95%, por tash duhet të jemi dhe më shumë sepse… gjatë këtyre ditëve nga mesi ose deri në fund të muajit- do të kemi të hedhur në database të gjithë emrat e qytetarëve shqiptarë, të regjistruar në librat dhe zyrat e Gj.C. Pjesa e dytë ka të bëjë me lidhjen në rrjet të 356 zyrave të Gj.C. me drejtorinë e përgjithshme të Gj.C. Ka një ndryshim koncepti në këtë moment, se nëse regjistri i mëparshëm ka qenë një regjistër i copëtuar, në kuptimin ku çdo zyrë kishte të vetën dhe nuk kishte lidhje me regjistrin e zyrave të tjera, tashmë ne jemi në një fazë elektronike dhe unike të dhënave, që do të përbëjnë regjistrin kombëtar të gjendjes civile (Gj.C.) së të dhënave. Inputet, për këtë regjistër, do kenë bazë nga zyrat e gjendjes civile lokale, që do të thotë se aty do raportohen ngjarjet e banorëve, martesat, vdekjet, lindjet, transferimet e banesës ose vendqëndrimit të tyre. Të gjitha këto ngjarje do të raportohen në zyrën e GJ.C. dhe pastaj do komunikohen në kohë reale online me Zyrë qendrore, që të bëhen pjesë e regjistrit të madh të Gj.C. Kjo është pjesa revolucionare e këtij sistemi. Ky proces është tash në fazën e përfundimit. Është zhvilluar edhe procedura konkurruese. Është shpallur fituesi dhe tash jemi në momentin që do të lidhim kontratën. Ndërsa, faza e tretë dhe shumë e rëndësishme e projektit është softi, sepse të dhënat kanë nevojë që të përpunohen dhe nuk duhet vetëm të mblidhen por edhe të përpunohen”.

Softi nga do merret…ose kush do e përgatisë?
“Qeveria shqiptare zgjodhi që të kishte një eksperiencë të suksesshme evropiane. Për këtë arsye ne kemi bërë një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme austriake (M.B.). Ajo ka në përdorim një soft për regjistrin austriak, i cili në tre vitet e fundit është konsideruar si zgjidhja më e mirë evropiane. Pikërisht, ky soft, do t’i jepet falas M.B. të Shqipërisë. Por kuptohet se ky soft nuk mund të funksionojë në vendin tonë menjëherë për shkak të ndryshimeve që paraqesin dy sistemet. Për këtë arsye është bërë një marrëveshje me M.B. austriake ku një specialist i tyre do të përshtatë këtë soft me specifikën shqiptare. Kjo punë ka filluar që nga 1 korriku dhe ekspertët tanë zhvilluan bisedat e para teknike në Vjenë për zgjidhjen e planit. Besojmë se vetëm për katër muaj, deri në fund të tetorit sipas kalendarit të paraqitur nga pala austriake, ne do të kemi një soft përpunimi të garantuar, të sigurt, si është softi i përpunimit austriak. Ne kemi bërë një zgjidhje absolutisht të mirë dhe u kemi dhënë shqiptarëve zgjidhjen më të mirë të mundshme, që mendojmë…”.

Sistemi i adresave, ndërkohë në vend ka shumë problem. Kjo lidhet dhe me identifikimin e shumë shqiptarëve që banojnë në zonë informale. Si mund të funksionojë projekti, në një rast të tillë?
“Sistemi i adresave, sigurisht, që është një pjesë e punës sonë. Në projektin e madh të Modernizimit të Shërbimit të Gj.C., sistemi i adresave është një komponent i rëndësishëm dhe për këtë sistem adresash, ne jemi duke punuar. Janë bërë ndryshime në Ligjin e adresave. Është miratuar një vendim i Këshillit të Ministrave që përcakton standardet e tabelave, numërtimet e godinave, të rrugëve, të shesheve, të bulevardeve etj. Janë hedhur disa hapa në përmirësimin e legjislacionit dhe tash jemi duke shkuar paralel. Jemi në momentin, kur procesi i sistemit të adresave ka filluar dhe nuk po presim të fillojmë. Ky sistem ka një specifikë, sepse kërkon dhe angazhimin maksimal të strukturave të pushtetit vendor sepse numërtimi i banesave dhe rrugëve e bën pushteti vendor”.

Ka në këtë rast një memorandum mirëkuptimi me pushtetin vendor për këtë qëllim?
“Nuk ka nevojë për memorandum mirëkuptimi, sepse është një përcaktim ligjor. Kjo do të thotë që ligji përcakton se pushteti lokal vendos për numërtimin dhe për emërtimin, ndërsa ne kemi vendosur rregullat sesi do jenë tabelat. Nga ky bashkëpunim, ne do kemi mundësi të krijojmë regjistrin kombëtar të adresave vetëm në momentin kur të kemi regjistrat lokalë të adresave. Dhe, çdo njësi e qeverisjes vendore, është e detyruar të krijojë regjistrin e vet të adresave, në bazë të dhënave elektronike dhe pastaj mbi bazën elektronike të bashkimit, një proces në vazhdimësi,-ne do të krijojmë Regjistrin Kombëtar të adresave. Kështu, do kemi atë që ne e quajmë procesin e popullimit, ku pasi të kemi emërtuar të gjithë rrugët, sheshet dhe rrugicat dhe pasi të kemi emërtuar të gjitha godinat, do të bëjmë një proces popullimi ku të verifikohen në vend se kush banojnë respektivisht nëpër banesa. Në këtë moment, ne do të bëjmë lidhjen reale të individit me territorin dhe lidhjen reale të regjistrit të banesave dhe të atij të individit.
Regjistri kombëtar i adresave do të jetë i lidhur me regjistrin kombëtar të shtetasve shqiptarë. Ky proces është në vazhdim. Ne kemi pasur bashkëpunim relativisht të mirë me pushtetin vendor. Ka pasur raste vonese natyrisht- nga ana e pushtetit vendor me gjithë thirrjet e vazhdueshme nga ne. Por, së fundi, shihet se ka një lëvizje. Përfitoj nga rasti që t’i bëj ftesë, njësive të qeverisjes vendore që të nxitojnë në këtë proces…që u jep në radhë të parë qytetarëve dhe votuesve të tyre një sistem adresash të vlefshëm, kurse në radhë të dytë një sistem kombëtar adresash, që do të shërbejë për të tjera”.

Ka një handikap që lidhet me problemin e emigrantëve, që kanë ndryshuar identitetin tyre. Si do të veprohet tash me ta?
“Ne natyrisht që kemi dokumentet që zotërojmë…që do të thotë se kemi ato që janë hedhur në elektronikë, pra emrat ashtu si i kemi gjetur në blloqet e GJ.C. Për ndryshimin e emrave dhe mbiemrave ka një procedurë ligjore sesi ndryshohen dhe nëse ka raste të tilla do të zbatojmë ligjin dhe do të përshtatim të paktën regjistrimin me procedurat që kanë lidhje me qytetarët. Por, theksoj se aty ku ka një emër dhe mbiemër të përcaktuar, i cili ka si bazë regjistrin shqiptar, ai është identiteti i tij për shtetin shqiptar”.

Partitë e Opozitës janë duke menduar për përfshirjen e emigrantëve në votime. Në rastet kur ata janë të indeksuar me identitete të tjera, si do të veprohet?
“Nëse kanë identitete të tjera, jashtë vendit, natyrisht që nuk mund ti transkriptojmë këto në regjistrin kombëtar të shtetasve shqiptarë, pa kryer procedurat ligjore që përcakton ligji. Ky i fundit lejon që të ndryshojë emri dhe mbiemri pas një procedure të caktuar. Kjo nuk është asgjë e çuditshme. Duhet të zbatohet procedura dhe në fund mbahen ndryshimet në regjistër..Askush, apriori nuk mund të vijë dhe të thotë se kam qenë X tash jam Y dhe dua të votoj me identitetin e X”.

Si është vullneti politik…
“Vullneti politik është në nivelet më të larta të mundshme dhe ka një komunikim të përditshëm natyrisht me Ministrin e Brendshëm, por edhe me një interes maksimal edhe të kryeministrit dhe të kabinetit të tij. Ne kemi ndjerë një mbështetje të madhe, e cila ka bërë që të realizohet kjo si një nga prioritetet më të vazhdueshme të qeverisë shqiptare”.

E përballon Stafi juaj këtë proces?
“Stafi është plotësuar dhe kemi miratuar dhe një shtesë që do vihet në punë kur do jetë fluksi më i madh i punës…”.

MAPO

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. xhibi thotë:

    13 July 2008 @ 10:36 pm

    Nuk e lexova une me vemendje, apo nuk permendet fare ne artikull se kush eshte personi qe po intervistohet? :D

    Suksese me regjistrin dhe e mbarofshin sa me shpejt. Per identitetet e ndryshuara te emigranteve, atyre te Greqise, gjendja eshte lemsh. Me rastin e regjistrit elektronik mire do ishte qe te kishin rafinuar dhe ligjin per kete gje dhe ta kishin bere me te lehte per tiu rikthyer njerzit identitetit te tyre fillestar (real) dhe me te veshtire per tu grekezuar njerzit. Jo se e ka fajin qeveria ne menyre direkte per kete, po ka dhe ajo pergjegjsine e vet, se qeverite e te dyve partive kane qene shume apatike ndaj gjendjes se emigranteve shqiptare ne Greqi. Bile as nuk e kane ngritur zerin per rrumpallen e vazhdueshme qe ka karakterizuar emigrantet shqiptare ne Greqi.

    Dhe per punen e adresave do jete e veshtire, se tek ne ndertimet behen pa kriter dhe rruget “evolojne” gjithmone, sidomos ne periferite e Tiranes.

  2. Pjer Thomas thotë:

    14 July 2008 @ 7:37 pm

    Personi i intervistuar, nga fjalet qe thote, duket qe qenka nje burokrat i thekur, nje person i mbyllur neper zyra, nje njeri qe nuk e njeh popullin e vet, nje (do ta quaja dallkauk, por s’po e quaj se nuk eshte faji i tij ne kete rast qe eshte transformuar ne budalla nga jeta me nomeklaturen burokratike shqiptare) njeri qe nuk e di se sa keq kane punuar punonjesit e gjendjes civile, jo vetem ne kohen e Kapitalizmit por dhe ne kohen e Socializmit (diçka me pak ne kete kohe). Ky njeri apo burokrat para se ti hedhi apo memorizoje ne kompiuter emrat dhe mbiemrat e njerzeve, duhet te verifikoje gabimet e gjendjeve civile te bera me vite , gabime qe ua kane sjelle ne maje te hundes qytetarve. Ky nomeklaturist (mezi po permbahem pa e share) apo marionete e qarqeve/klaneve te dyshimta shqiptare, do qe populli shqiptar te filloje perseri verdallosjet per te korrigjuar germat apo datat qe u hahen, shtohen, ndryshohen, nga punonjesit e gjendjes civile.
    Si nuk doli nje njeri a force politike e sakte dhe e ndershme, ta mbroje kete popull te sfilitur nga keta muter, nga keta palaço.

  3. xhibi thotë:

    14 July 2008 @ 7:41 pm

    Gjithe keto fjale negative per nje njeri te cilin ti nuk e di per ke behet fjale? :D

  4. Pjer Thomas thotë:

    14 July 2008 @ 7:42 pm

    Ketu po fus komentin tim te temes tjeter, qe flet per kartat biometrike;
    Kam pershtypjen se ky proçes edhe nese fillon me 2009, ka per te vazhduar gjate dhe vazhdimisht si ketu ne perendim, se jo vetem qe ato riperteriten mbas 5 apo 10 vjetesh (si ta caktoje qeveria, dhe kam pershtypjen se mund te caktohet 10 vjeteshi per shkak te çmimit te larte) por dhe shume qytetare jane jashte dhe kane probleme me ndonje germe apo dhe date, gabime keto te krijuara nga burokracia e gjendjeve civile , dhe qe njerzit duan ti korrigjojne. Nese Edmond do qe ta rregulloje emrin e tij nga Edmonda ne Edmond, apo Berta ne Berti, apo Hason ne Hasan, kjo kerkon deshmine e çertifikates se regjistrit themeltar, megjithse dhe keto kane gabime, kerkon qe qytetari te bredhi sa andej-kendej, pra kerkon kohe dhe prezencen e njerzeve. Sepse po u shkruajt ne karten biometrike, nuk mund te ndryshohet me , veç me gjyq, prandaj dhe kendej ne perendim kur merr karten e identitetit (qe eshte dixhitale) te kerkojne çertifikaten origjinale dhe te pyesin se a ka ndonje nevoje apo ankese per ndryshim, para se te niset puna/dokumentat tek punonjesit e kartave dixhitale apo biometrike siç i quakan ne Shqiperi.
    Ky proces eshte i gjate dhe nuk behet kurre me aksion, veç me kujdes, keshtuqe dhe per 2009, votimet do behen me çertifikata, fatkeqesisht.

  5. xhibi thotë:

    14 July 2008 @ 7:57 pm

    Tani qe fute nje koment tjeter justifikohet? :P
    Mua thjesht me beri pershtypje tendenca e jote per te share nje njeri aq shume dhe me gjera aq specifike, edhe kur nuk e di per ke njeri behet fjale. :D

  6. losttext thotë:

    14 July 2008 @ 7:57 pm

    Gjithe keto fjale negative per nje njeri te cilin ti nuk e di per ke behet fjale?

    Intervistë për MAPO-n me Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti.

  7. xhibi thotë:

    14 July 2008 @ 7:58 pm

    Losstext, tani e ka shtuar Peshku ate pjesen, se nuk ishte aty kur komentova une.

  8. losttext thotë:

    14 July 2008 @ 7:59 pm

    iight… :D

  9. Dori thotë:

    15 July 2008 @ 2:18 am

    “Janë bërë ndryshime në Ligjin e adresave. Është miratuar një vendim i Këshillit të Ministrave që përcakton standardet e tabelave, numërtimet e godinave, të rrugëve, të shesheve, të bulevardeve etj.”

    Pse ky na paska qenë problemi?? Nejse, të shpresoj që tërë ato “do të”-të do të realizohen :)

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com