“Pakoja e Ahtisaarit” në gjuhën e simboleve

Nebi Caka

E shumëpritura “Pako e Ahtisaarit” (“Propozimi gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për statusin e Kosovës”), më në fund, më 2 shkurt, arriti edhe në Prishtinë. Në Prishtinë, asaj i dëshiruan mirëseardhje posterat e afishuar në bilbordat (panotë reklamuese) në udhëkryqet kryesore të qytetit, të vendosur qysh më 30 janar. Në një fond të zi shkruante me shkronja të kuqe (këto mbase ngjyrat e flamurit kombëtar shqiptar) 12:45 e nën të (me germa të bardha, kjo mbase një nga ngjyrat e flamurit të ardhshëm të Kosovës): “Kosova mirëpret të ardhmen”. Një poster-mesazh në dukje të parë simpatik, për të cilin u harxhua një pjesë nga 90.000 eurot e USAID-it dedikuar për fushatën e njoftimit të popullatës me të ardhmen që e priste pas ardhjes së “Pakos së Ahtisaarit”, barte një simbolikë që hutoi shumëkënd, e për më tepër edhe vetë sjellësin e “Pakos”, kryenegociatorin për statusin e Kosovës, ish-kryetarin finlandez, 70-vjeçarin Martti Ahtisaari.

Autorët e posterit-mesazh mëtonin që në mënyrë simbolike t’i tregonin kosovarëve se i ka ardhur fundi rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të miratuar para tetë vjetëve, më 10 qershor 1999, e cila e kishte vënë Kosovën nën protektoratin e OKB-së dhe e kishte ndarë “de facto” atë nga Serbia, dhe se pritej së shpejti miratimi i një rezolute të re për Kosovën, e cila do ta shkëpuste përfundimisht edhe “de jure” Kosovën nga Serbia. Si “pasuese” e rezolutës 1244 mendohej se ajo do të duhej të barte numrin 1245. Harrohej, ndërkaq, se rezoluta me këtë numër tashmë ishte miratuar në Këshillin e Sigurimit, një ditë pas rezolutës për Kosovën dhe nuk kishte të bënte fare me Kosovën, por me Sierra Leonen, dhe se në KS ndërkohë ishin miratuar edhe nja 500 rezoluta të tjera, dhe pikërisht atë ditë kur viheshin posterat, më 30 janar 2007, ishte miratuar rezoluta 1741 – për gjendjen ndërmjet Etiopisë dhe Eritresë. Nga ana tjetër edhe zgjedhja e simbolikës me orë nuk ishte edhe aq e qëlluar, përveç, ndoshta për amerikanët, të cilët numrin 1245 e lexojnë si “dymbëdhjetë(qind) e katërdhjetë e pesë” në vend si “njëmijë e dyqind e katërdhjetë e pesë”.

Ora simbolike e ditës së kiametit

Edhe popullin e hutonte ora digjitale e vendosur në 12:45. Vërtet disa e lidhnin me rezolutën 1244 të KS të OKB-së, por kishte edhe nga ata që kërkonin në të simbolikën e “orës së fundit të botës”.

Për ata që nuk e dinë, “Ora e fundit të botës” (angl. Doomsday Clock) është një orë simbolike e “kontrolluar” që nga viti 1947 nga Bordi i Drejtorëve të “Buletinit të Shkencëtarëve Atomikë” të Universitetit të Çikagos. Në të, ora dymbëdhjetë, pra kur përputhen akrepat, paraqet mesnatën - dhe kjo simbolizon fundin (mbarimin) e botës apo “kiametin”. Sa më afër orës 12 është akrepi i madh, aq më afër fundit të vet është bota dhe njerëzimi.

Sa më afër mesnatës (orës 12:00) i zhvendosin akrepat e kësaj ore shkencëtarët atomikë amerikanë, aq më shumë, sipas vlerësimit të tyre, bota i afrohet “kataklizmës bërthamore”. Kur është krijuar nga stafi i revistës më 1947, akrepat e saj fillimisht kanë qenë të vendosur (fiksuar) në 12 pa 7 minuta dhe prej asaj kohe ata janë zhvendosur 17 herë.

Sipas kësaj ore, bota ka qenë më së afërmi katastrofës bërthamore apo fundit të saj, pas provave të njëpasnjëshme amerikane dhe ruse të bombës hidrogjenike më 1953. Atëherë akrepat e saj kanë treguar 12 pa 2 minuta. Botës i është kërcënuar rreziku më së paku më 1991, kur ora ka treguar 12 pa 17 minuta, - kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik kanë nënshkruar marrëveshjen për zvogëlimin e arsenalit bërthamor dhe kanë paralajmëruar një epokë të re me aksionin e përbashkët në Luftën e parë të Gjirit (Persik) kundër Iranit.

Më 17 janar 2007 akrepat e kësaj ore janë zhvendosur nga 12 pa 7, ku kanë qëndruar që pesë vjet, në 12 pa 5, pra dy minuta më afër “fundit (mbarimit) të botës” apo “kiametit”, për shkak të rritjes së numrit të shteteve që tashmë kanë armatim bërthamor ose që janë në fazën e krijimit të tij dhe të rrezikut që armatimi i tillë të bjerë në duar të terroristëve, e gjithashtu edhe për shkak të rrezikut nga shkrirja globale.

Besoj se “ora e Kosovës” nuk do të ndikojë në rizhvendosjen e akrepave të “orës së fundit të botës”, madje as edhe për ndonjë sekondë.

Kalimi i Rubikonit, ose kalimi i Ibrit

Pakoja e Ahtisarit, tashmë e shndërruar edhe vetë në simbol, në Kosovë komentohej e analizohej ende pa ardhur, pa parë çfarë ka brenda. E kur “pakoja” mbërriti, atëherë, siç patën premtuar, denjuan që për të të flasin edhe anëtarët e pesëshes kosovare të Grupit Negociator, dhe pikërisht në emisionin e kontaktit “Rubikon” në Kohavision (KTV). Emisioni i përjavshëm “Rubikon”, me autor Adriatik Kelmendi, është një emision intervistash, i cili, siç thuhet në uebfaqen e Kohavisionit “synon që në studion e Kohavisionit të sjellë personalitete që bartin proceset kryesore në jetën politike e shoqërore në Kosovë e rajon, si dhe personat që kanë për të treguar përvoja personale interesante; ai ka për qëllim që nëpërmjet pyetjeve direkte dhe substanciale të nxjerrë sa më shumë nga pikëvështrimi i mysafirëve mbi procese, si dhe karriera e tyre në përgjithësi.”

E, për “pakon e Ahtisaarit” kush do të mund të fliste më me kompetencë se anëtarët e Ekipit Negociator. Bashkëbiseduesit, të pesë anëtarët e Ekipit Negociator, iu përgjigjën shumë pyetjeve, madje dhe “gjysmëprovokuese” (se kështu e kërkonte natyra e emisionit) dhe treguan se e meritojnë cilësimin “Ekip i Unitetit”, ngase vërtetë ishin unikë rreth vlerësimit të “Pakos së Ahtisaarit”. Përshtypja ishte se dinë më shumë se sa që tregojnë dhe se kanë arsye të jenë optimistë. Madje edhe u aludua në “kalimin e Rubikonit”, gjë që shkonte me emrin e emisionit.

Për ata që nuk e dinë, Rubikoni ka qenë (nuk ekziston më) një lumë i vogël në kohën antike në veri të Italisë së sotme, i cili e ka ndarë Italinë Qendrore (Italinë e vërtetë) në jug të tij nga provinca romake Galia Cisalpine në veri të tij. Një ligj i vjetër romak ia ndalonte çdo gjenerali (romak) që ta kalonte Lumin e Rubikonit dhe të hynte në Italinë Qendrore me ushtri të rregullt. Në vitin 49 p.e.r. Jul Cezari e kaloi (kapërceu) me legjionet e tij këtë lumë dhe marshoi drejt Romës, duke thyer kështu ligjin që mbronte Republikën Romake nga kërcënimet e brendshme dhe duke bërë që lufta (qytetare) të jetë e pashmangshme. Thuhet se më ketë rast ai kishte thënë fjalinë e njohur “Alea iacta est“ (“zari u hodh” apo “zaret u hodhën”), që do të thotë se kishte marrë hapin vendimtar prej të cilit nuk kishte kthim.

Sot me thënien “kalimi i Rubikonit” nënkuptohet, pra, kalimi përtej një pike nga e cila nuk ka kthim, ndërmarrja e një hapi të rrezikshëm, vendimtar dhe të pakthyeshëm.

Sa i përket Kosovës, mendoj se Rubikoni, realisht, tashmë është kaluar më 1999, me bombardimin e Serbisë nga trupat e NATO-s. Një “kalim i Rubikonit” në ditët e sotme mbase do të paraqiste “kalimi i Ibrit” në Mitrovicë.

Algoritmi i gabuar

Simbolikën e “kalimit të Rubikonit” në emisionin “Rubikon” paksa e ngatërronte “kubi i Rubikut”, i cili kohë pas kohe shfaqej në ekranin e televizionit gjatë emisionit.

Për ata që nuk e dinë, “kubi i Rubikut” është një kub me 26 kubthe, të cilat mund të rregullohen, duke i rrotulluar rreth kubthit qendror, ashtu që sipërfaqet e kubit të kenë ngjyra të ndryshme, rëndom: kuq, blu (kaltër), gjelbër, verdhë, vjollcë dhe bardhë. Emrin e ka marrë sipas shpikësit të tij, profesorit të arkitekturës Erne Rubik nga Budapesti i Hungarisë, i cili e kishte konstruktuar, më 1975, për t’ua zhvilluar përfytyrimet hapësinore studentëve të vet.

Të rregullosh “kubin e Rubikut”, d.m.th. ta sjellësh në gjendjen e tij fillestare, është një punë e ndërlikuar, e koklavitur, jo vetëm për shkak të numrit të madh të pozicioneve të ndryshme që mund të marrin kubthet, mbi 43 trilionë (43 me 18 zero), por edhe për shkak të faktit se për të kryer një zhvendosje të radhës të kubtheve duhet të prishet struktura tashmë e rregulluar. Për rregullimin e tij pa ndonjë sistem (rend) të caktuar nuk mjafton një jetë njeriu, por ata që e dinë algoritmin e rregullimit të tij mund ta rregullojnë atë për më pak se një minutë.

Ngatërrimi i Rubikonit me Rubikun, përkatësisht i “zarit” (kub i vogël, zakonisht prej kocke/ashti, prej druri etj. në faqet e të cilit janë shënuar nga një deri në gjashtë pika, që përdoret në lojëra të ndryshme) me “kubin e Rubikut”, ndoshta edhe nuk paraqet ndonjë lajthitje të madhe, po të mos shfaqej në ekran kohë pas kohe edhe një “kub i Rubikut” me kubthe të keqvendosura, gjë që e bën të pamundshëm rregullimin e plotë të tij. Në gjuhën e simboleve, e duke pasur parasysh temën e emisionit, kjo do të mund të kishte konotacione të padëshiruara. Do të thoshte dikush, siç thotë populli: “Kalit të falur nuk i këqyren dhëmbët”. Unë, megjithatë, mendoj se askush asgjë nuk po na falë, ndaj duhet këqyrë mirë çfarë ka në “Pakon e Ahtisaarit”.

- Botuar fillimisht në shtojcën “KOHA për kulturë”, Nr. 342, f. 35, të së përditshmes “KOHA Ditore”, Nr. 3468, Prishtinë, më 10 shkurt 2007.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. alban thotë:

    18 February 2007 @ 9:19 pm

    Une jam ne alban rexhepi jetoje ne komunen e ferizaj pakoja e ahtisarit eshte shume e mire per kosovaret sepse i jep rruge kosoves te behet shtet i pavarur dhe sovran.Por pakoja e ahtisarit ika disa te mira dhe disa te keqija, te mirat jane se jeket sovraniteti i serbeve mbi kosoven dhe i lejohet te antersohet ne antarsimet nderkombetare.Kurse te keqijat jane sepse monumetet kulturore nuk jan mirefille mire ne pakojen e ahtisarit manastiri i deqanit nuk eshte deshe te jepeve serbeve, por eshte deshe tu jepeve besimtareve katolike te shqiptare.Simbolet kombetare nuk duhet te bisedohen me minoritet sepse ata jan veq minoritete vetem shqitaret kosovare duhen me vendose per simbolet kombetare.Punonin me kujdes te madhe se shakvut kurre nuk i besohet dhe punoni per populle dhe punsoni te rinjet tane.Shpresoje te lexoni kete leter mireupafshim.

  2. Qafir Arnaut thotë:

    15 February 2008 @ 12:28 pm

    manastiri i deqanit nuk eshte deshe te jepeve serbeve, por eshte deshe tu jepeve besimtareve katolike te shqiptare.

    shpjegohu me qarte te lutem

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com