“Club Med”: Presim përgjigjen e “pronave”

Genc Kondi
Gazeta Shqiptare

Jemi në pritje të marrjes së përgjigjes pozitive nga ana e Agjencisë së Kthimit të Pronave, e cila duhet të konfirmojë se nuk ka pengesë për partnerin tonë shqiptar, grupin “Atlantik”, që të konsiderohet zyrtarisht si pronar i tokave të Kakomesë, në Sarandë”. Ka deklaruar dje kështu, në një intervistë ekskluzive, dhënë agjencisë mediatike të turizmit on-line në Itali “Guida Viaggi”, Giorgio Palmucci, drejtor i përgjithshëm i kompanisë franceze “Club Med” për Italinë dhe vendet e Lindjes. Sipas tij, projekti shqiptar tashmë është i përfunduar dhe, sapo të disponohet leja nga shteti i këtij vendi, menjëherë do të fillojnë punimet për ndërtimin e fshatit turistik në këtë zonë të detit Jon. Sipas këtij drejtuesi të lartë të kompanisë lider të turzmit në kontinent, përurimi i këtij fshati turistik pritet të realizohet nga viti 2009, pra, pas dy vjet punimësh.
Ministri
Më 7 qershor të këtij viti, një zyrtar qeveritar i vendi tonë kishte paralajmëruar një hap të tillë. Odiseja lidhur me ndërtimin e një fshati turistik në Kakome të Sarandës duket se ka përfunduar. Ka njoftuar një gjë të tillë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, në një intervistë për
Gazetën Shqiptare”. Sipas tij, brenda qershorit fillon puna nga ana e operatorit të madh turistik europian “Club Mediterranee” për ndërtimin e një fshati turistik modern. Ky vendim është marrë nga ana e qeverisë Berisha, duke qenë se u vërtetua që pretendimet e banorëve të këtij fshati mbi pronësinë mbi trojet, ku do të ndërtohej objekti turistik, nuk qendrojnë. Në periudhën kur koalicioni i forcave të djathta politike ishte në opozitë, këto kishin kundërshtuar me forcë vendimin e qeverisë Nano për dhënien e të drejtës për të ndërtuar një fshat turistik në këtë zonë, duke e konsideruar një gjë të tillë shkelje të të drejtave të banorëve mbi pronën. Por, titullari i dikasterit të Turizmit Pango ka theksuar se, nga verifikimet e bëra, rezultoi se, me vendim të gjykatave që në kohën e mbretit Zog, është përcaktuar se banorët e kësaj zone nuk kanë asnjë të drejtë pronësie mbi trojet në fjalë.
Banorët
Ka kundërshtuar menjëherë, një ditë më pas, deklaratën, e bërë nga ministri i Turizmit Ylli Pango, se gjatë këtij muaji fillojnë punimet për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome të Sarandës, kryetari i Komunës së Lukovës, Vladimir Kumi. Në një kontakt telefonik me “Gazetën Shqiptare”, ai ka deklaruar se deklarata e ministrit përbën një shantazh të pashembullt ndaj Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për ta detyruar atë që të lëshojë dokumëntat për vërtetimin se në Kakome nuk ka prona të paraardhësve të banorëve të sotëm. Një gjë e tillë, sipas tij, do ta lejonte kompaninë franceze “Club Mediterranee” dhe kontraktorin e saj shqiptar, “Riviera”, që të fillonin punimet e ndërtimit të një fshati turistik në këtë zonë.
Sipas Kumit, një deklaratë e tillë përbën një bllof pa baza, duke qenë se nuk ka një vendim lidhur me pronësinë në territorin e plazhit të Kakomesë nga ana e Agjencisë. Territori, mbi të cilin parashikohet të ngrihet fshati turistik, sipas tij, është kthyer në pjesën më të madhe në pronësi të banorëve të fshatit Nivicë në përputhje me normat e ligjitt numër 7501 shumë vjet më parë, ku përfshihen 20 hektarë ara dhe ullishta. E diskutueshme mbetet vetëm pronësia mbi pyllin e Prodanit, por një territor i tillë është disa qindra metra larg detit dhe shumë larg asaj pjese të bregdetit që mendohet të shfrytëzohet për ndërtimin e fshatit turistik.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. nivicjot thotë:

    22 June 2007 @ 5:31 pm

    filluan prape keta te dritan celes llapanis llapanis se dicka do te ngelet eeeeeeeeeee e merni vesh se ato prona i kemi qe nga koha e turqise si do vini aty pa pelqimin e pronareve . me hasmeri do ndertojne aty keta ????? ha ha sa kam qesh

  2. detijon thotë:

    22 June 2007 @ 5:41 pm

    “Territori, mbi të cilin parashikohet të ngrihet fshati turistik, sipas tij, është kthyer në pjesën më të madhe në pronësi të banorëve të fshatit Nivicë në përputhje me normat e ligjitt numër 7501 shumë vjet më parë, ku përfshihen 20 hektarë ara dhe ullishta.”

    Perfundimisht, iu eshte kthyer prona pronareve apo jo? Kete nuk kuptoj nga ky shkrimi.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com