“Alb-Shkenca” dhe shkenca botërore
“Alb-Shkenca” dhe shkenca botërore
Më 15 dhe 16 gusht, në Prishtinë, do të mbahet takimi i dytë i Institutit Alb-Shkenca, që do të jetë përpjekje për tubimin e elitës intelektuale- shkencore mbarëshqiptare në një vend. Me këtë rast do të mbahen tetë konferenca paralele shkencore nga fushat kryesore të dijes. Është kjo sfidë e madhe jo vetëm për pjesëmarrësit dhe organizatorët, por edhe për institucionet dhe mbarë shkencën shqiptare…
‘Logoja e Alb-shkencës’
Nebi Caka
Sivjet mbushen 60 vjet nga zbulimi i transistorit, për të cilin pothuajse nuk ka njeri që nuk ka dëgjuar, e i cili i dha hov zhvillimit të elektronikës, e më vonë dhe degës më të avancuar të saj – mikroelektronikës, pa të cilën nuk mund të paramendohet zhvillimi i sotëm i teknikës dhe teknologjisë. Sivjet bëhen 60 vjet edhe nga zbulimi i holografisë e hologramit. Sot, në botën e zhvilluar, ka gjithnjë e më pak njerëz që nuk kanë dëgjuar për hologramin.
Zbulimi i parë u bë në SHBA, e i dyti në Britani të Madhe, dhe që të dytë në fillim nuk u pritën me bujë. Zbulimi i transistorit u pat afishuar (shpallur) në faqen e fundit të një gazete, e zbulimi i holografisë një kohë të gjatë nuk zgjoi ndonjë interesim të veçantë. Shkencëtarët që zbuluan transistorin (John Bardeen e Walter Brattain dhe William Schockley) morën ndërkohë (më 1956) çmimin Nobel për këtë zbulim, ndërsa zbuluesit të holografisë, shkencëtarit britanik, me origjinë hungareze, Denis Gabor, iu desh të presë gati një çerek shekulli (vitin 1971) që të marrë çmimin Nobel për zbulimin e bërë më 1947, sepse për zbatimin e holografisë nevojitej drita koherente, e këtë mund ta jepte vetëm gjeneratori i dritës koherente, i njohur si ‘laser’, i zbuluar më 1960 nga amerikani Maiman. Me gjithë rëndësinë që kanë, sot madje edhe studentët e fizikës dhe ata të inxhinierisë elektrike e kanë vështirë ta mbajnë në mend se kush e ka zbuluar transistorin, holografinë apo dhe laserin.
Sot, kur për fenomenin “brain drain” dhe “brain gain” jo vetëm që nuk kemi qasje të qëndrueshme institucionale, por as terma gjuhësorë të qëndrueshëm – i hasim si “largim/ ikje/rrjedhje/derdhje/migrim/emigrim/hemoragji i/e trurit”, përkatësisht si “kthim/ rikthim/fitim/përftim/përfitim/thithje i/e trurit” – përpjekja për tubimin e elitës intelektuale-shkencore mbarëshqiptare në një vend, në Prishtinë, në Takimin e dytë të Institutit Alb-Shkenca, më 15 dhe 16 gusht të këtij viti, dhe organizimi me këtë rast i tetë konferencave shkencore paralele nga fushat kryesore të shkencës, është sfidë e madhe jo vetëm për pjesëmarrësit në të dhe për organizatorët e këtij ‘evenimenti’, të pashoq deri më tash në botën shqiptare, po dhe më gjerë, por edhe për institucionet nga të cilat, ‘sipas përkufizimit të fushëveprimtarisë së tyre’, do të pritej një përkrahje, jo vetëm deklarative dhe moralngritëse.
Forum jo vetëm virtual
Forumi Alb-Shkenca tubon mbi 1000 studiues, pedagogë e studentë pasuniversitarë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia që veprojnë në atdheun e tyre ose që kryejnë veprimtarinë e tyre shkencore në vende të ndryshme të botës, si dhe disa qindra dashamirës të dijes e shkencës.
Një vit pas Takimit të parë në Tiranë – një takim fizik i një numri anëtarësh të këtij forumi deri më atëherë vetëm virtual – dhe pesë vjet pas nismës së ndërmarrë nga profesor Niko Qafoku (SHBA), për krijimin e një instituti të studiuesve mbarëshqiptarë, ai po bëhet realitet me regjistrimin paralel të Institutit në Tiranë dhe në Prishtinë, e shpresojmë së shpejti edhe në Shkup (Tetovë).
Sipas Statutit të tij, Instituti Alb-Shkenca është një organizatë shkencore, e pavarur, dhe jofitimprurëse. Qëllimet e Institutit janë:
1. Të mbështesë zhvillimin dhe forcimin e shkencës shqiptare duke bashkëpunuar dhe bashkërenduar aktivitetin e saj me institucione të tjera që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë fushë.
2. Të mbështesë zhvillimin dhe përmirësimin e sistemit të edukimit universitar dhe pasuniversitar në bashkëpunim e bashkëveprim me institucionet përkatëse të arsimit të lartë.
3. Të ofrojë konsulencë shkencore dhe bashkëpunim për organizma shtetërorë apo privatë sipas marrëveshjeve përkatëse të lidhura me këta të fundit.
4. Të nxisë dhe të lehtësojë bashkëpunimin ndërmjet studiuesve shqiptarë kudo që ndodhen nëpërmjet krijimit apo lehtësimit të komunikimit në forma të ndryshme.
5. Të organizojë trajnime me tematika të ndryshme të karakterit shkencor apo kualifikues.
6. Të ndihmojë në krijimin e një mjedisi bashkëpunimi me institucione të ngjashme të vendeve të rajonit tonë për të kontribuar në zhvillimin e shkencës si dhe për krijimin e një fryme dialogu dhe mirëkuptimi mes shoqërive përkatëse, nëpërmjet debatit, takimeve bilaterale apo multilaterale, dhe organizimit të aktiviteteve shkencore të përbashkëta.
Për Takimin (konferencat) e 15-16 gushtit të Institutit Alb-Shkenca në Prishtinë tashmë janë paraqitur mbi 100 ligjërata e kumtesa nga shkencëtarë shqiptarë (po edhe në bashkautorësi me shkencëtarë joshqiptarë) nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Gjermania, Zvicra, Belgjika, Izraeli, Austria, SHBA-ja, Italia etj. Do të jenë, pra, këto konferenca ndërkombëtare të studiuesve shqiptarë. Gjuha e konferencës do të jetë shqipja, por do të ketë edhe kumtesa në anglisht, po nga studiues shqiptarë. Meqë afati i paraqitjes së punimeve është shtyrë deri më 30 prill, pritet të ketë ende paraqitje kumtesash e ligjëratash. Punimet do të recensohen nga dy recensentë të pavarur të fushave përkatëse.
Larmi temash dhe interesimesh
Është rasti të tregojmë se në 60-vjetorin e zbulimit të transistorit e të holografisë ka shqiptarë që jo vetëm i kuptojnë se ç’janë këto, por edhe të atillë që nëpër institucione ndërkombëtare me renome merren me studimin e strukturave mikroelektronike e madje edhe me nanoteknologji apo me hulumtime holografike e laserike.
Ja disa nga temat e mundshme në këto konferenca:
- Gjendja e studimeve albanologjike dhe perspektiva e tyre në Shqipëri (Kosovë e Maqedoni, po dhe në vende të tjera, si në Gjermani, SHBA etj.) etj.
- Kardiokirurgjia moderne dhe gjendja në trevat tona. Aspekte të reformës së sistemit shëndetësor në Shqipëri e të përmirësimit të cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor etj.
- Monitorimi i rrezatimeve jonizuese. Gjendja aktuale dhe zhvillimi perspektiv i metodave laboratorike të biologjisë molekulare në institucionet shëndetësore. Roli i laserit dhe dritës koherente në zhvillimin e shkencave dhe teknologjive moderne. Nga gjenomi deri te proteomi – Analiza e ekspresionit të gjeneve. Përdorimi i rrjetave neuronike në parashikimin e fushës gjeomagnetike etj.
- Çelësat kriptografikë. Invertorët e fuqisë me MOSFET-a. Uebshërbimet. Sistemet moderne të komunikimit. Mësimi elektronik. Menaxhimi i biznesit elektronik etj.
- Aspekte shoqërore të gruas shqiptare në Kosovën e pasluftës. Marrëdhëniet ndërmjet mjekëve Shqiptarë dhe pacientëve nga Kosova pas luftës së 1999-tës shikuar nga këndvështrimi antropologjik. Shqipëria dhe Bashkimi Europian etj.
- Teknikat izotopike në përcaktimin e disponibilitetit të elementeve ushqyese për bimët: rasti i fosforit dhe zinkut. Ngarkesa elektrike e sipërfaqes së koloideve dhe roli i saj në adsorbimin e specieve kimike. Pyjet e dushqeve në Kosovë dhe mundësitë për një qeverisje të qëndrueshme dhe multifunksionale të tyre. Problematika e akumulimit të nitrateve në bimët perimore dhe rreziku për konsumatorin. Përdorimi i metodës së elektro-ultra- filtrimit në përcaktimin e sasive të azotit që duhen përdorur në bimën e misrit etj.
- Integrimi ekonomik i gruas së papunë, një parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit. Probleme dhe sfida të prodhimit vendas në Shqipëri. Determinantat e emigracionit dhe remitancave në rastin e Kosovës dhe efektet e tyre ekonomike. Institucionet e nevojshme për një tranzicion të suksesshëm. Shqipëria, Kosova dhe organizmat ndërkombëtarë, BE, Banka Botërore, FMN. Emigrimi potencial në Shqipëri etj.
- Pritet të prezantohen edhe një numër i kënaqshëm temash nga Drejtësia.
Punimet e Konferencave do të përmblidhen në një botim të veçantë të revistës shkencore “ANASh Approaching Science – Analet e Alb-Shkencës” të Institut Alb-Shkenca, nr. 3 i së cilës është në përgatitje për publikim elektronik, e dy numrat e parë janë zhbartur (shkarkuar) nga faqja e Alb-Shkencës gati 2000 herë.
Është rasti të shohim se sa kanë arritur të zbuten pasojat e rënda që kanë lënë vitet e tranzicionit (kapërcyellit) në Shqipëri, të aparteidit në Kosovë dhe të ecejakeve në Maqedoni. Është rasti të shohim se sa ka qenë i arsyeshëm në Shqipëri vendimi i Ministrisë së Arsimit i vitit 1993 mbi kalimin automatik nga “kandidat i shkencave” në “doktor” dhe pastaj në “profesor i asociuar” dhe “profesor”. Është rasti të shohim se a ka pasur alternativë mësimi në “shtëpi shkolla” në Kosovë dhe cilat janë pasojat e tij.
- Botuar fillimisht në shtojcën “KOHA për kulturë”, Nr. 349, f. 45, të së përditshmes “KOHA Ditore”, Nr. 3524, Prishtinë, më 7 prill 2007.
11 April 2007 @ 6:38 am
As edhe nje llaf ketu..
Nisme shume e mire..Shpresoj qe te pasohet me aplikime industriale ne vend..
12 April 2007 @ 1:07 pm
Vërtet ngjarje e madhe! Mesiguri do të preznetoj në konferencat që do të mbahen. Kur diku punohet, suksesi është i garantuar!