“Leksioni amerikan” dhe prioritetet e politikës

Adrian Civici / Panorama

Të lexosh, të jesh i interesuar apo të shkruash për fushatën elektorale në SHBA mund të duket më tepër si …veprim që ka lidhje me kuriozitetin apo interesin intelektual e kulturor se sa me diçka që prek direkt jetën dhe problematikën tonë të përditshme. Një vend tek faqja e lajmeve “nga bota” mund të ishte interesant për këtë lloj informacioni, sidomos tani që është akoma “fushatë” dhe zgjedhjet janë tre muaj larg. Ekonomia, politika dhe shoqëria jonë janë shumë të distancuar me realitetin amerikan dhe kopjimi i tij mekanik nuk përbën ndonjë zgjidhje magjike, megjithëse në raste të veçanta, si p.sh., mënyrën e organizimit të fushatave elektorale apo ndërtimi i marrëdhënieve publike të liderëve tanë politikë ne ankorohemi tek eksperienca amerikane. Ajo që duket më interesante në këto zgjedhje presidenciale dhe mund të shërbejë si refleksion apo model për politikën dhe shoqërinë shqiptare është konturimi dhe përqendrimi i fushatës në disa “probleme çelës”, në disa “çështje themelore” të momentit dhe perspektivës afatmesme, zgjidhja e të cilave prek direkt çdo amerikan duke e parë atë në mënyrë polivalente si qytetar, familjar, biznesmen, konsumator, kredimarrës etj.

Si po zgjidhen një apo dy subjekte themelore dominuese në një fushatë elektorale kaq komplekse dhe aq më tepër në një vend që bën “politikë botërore”? Kandidatët për Shtëpinë e Bardhë po tentojnë me të gjitha mënyrat “tu flasin direkt amerikanëve” dhe jo të flasin në mënyrë të përgjithshme për Amerikën. Po dëshmohet një koncept e praktikë e rëndësishme se politika duhet të jetë shumë e fokusuar dhe konkrete në analizat, premtimet dhe programet e saj. Problemi themelor që “diskuton politika” nuk përcaktohet nga subjektiviteti i liderëve apo stafeve të tyre, por nga “pritjet e opinionit publik, shqetësimeve dhe prioriteteve të tij”. Çdo gjë vendoset mbas përpunimit të sondazheve në shkallë të gjerë me të gjithë grupmoshat, sekset dhe shtresat e popullsisë. Të premtosh se do rregullosh apo përmirësosh gjithçka konsiderohet e barabartë me “të mos bësh asgjë… të mos angazhohesh seriozisht për asgjë serioze”.
Debati elektoral në SHBA po hyn në periudhën e tij më të “nxehtë” e më “të prekshëm” për amerikanët. Analizat për “biografinë” e kandidatëve për president e zv/president, luftës në Irak, të drejtave të njeriut në Kinë, konflikti në Gjeorgji, etj., po ja lënë pothuajse gjithë fushën e betejës “ekonomisë dhe energjisë”. Gazeta New York Times shkruante se tashmë po fillon “beteja e vërtetë, ajo e ekonomisë”, betejë që do përcaktojë dhe fatin e “luftës”. Sondazhet kanë treguar se subjekti më i ndjeshëm nga opinioni publik në SHBA, aktualisht është “politika ekonomike e qeverisë”, aq më tepër që sipas FMN “SHBA po kalojnë tronditjen më të madhe financiare që prej krizës së madhe të viteve 1929-1932″. New York Times, duke komentuar sondazhet e fundit të gushtit konkludon se “një në dy amerikanë është akoma i pavendosur për votën e tij… dhe se kjo kategori zgjedhësish do vendosi tërësisht në varësi të programeve ekonomike që do t’u serviren”.

Të dy aspirantët për president, Barack Obama dhe John McCain duken të qartë, të strukturuar dhe transparentë në pozicionet dhe propozimet e tyre përballë kësaj ndjeshmërie maksimale të opinionit të tyre publik. Dueli i tyre zhvillohet qartazi ndërmjet “të majtës dhe të djathtës”, ndërmjet preferencës për një “shtet më prezent në ekonomi dhe një shteti më të vogël”, ndërmjet “një tregu financiar krejtësisht të lirë” dhe një “tregu financiar të rregulluar e kontrolluar”, ndërmjet “preferencës për energjinë bërthamore” apo “energjinë e gjelbër” etj. “Unë jam një republikan konservator” përsërit vazhdimisht McCain, ndërkohë që Obama replikon duke thënë se “demokratët privilegjojnë politikat më sociale e rishpërndarëse”, duke u vendosur kështu në podiumin “e majtë” të zgjidhjeve politike.

Pyetja kryesore që shtrohet aktualisht në SHBA është “se si të reduktohet papunësia dhe të sigurohet rritja e dëshiruar ekonomike në një vend ku tregu i pasurive të patundshme është tronditur thellësisht, ku dollari ndodhet në vlerat më të ulëta historike, ku fuqia blerëse vazhdon të humbë fuqinë e saj? McCain, në pozicionin e tij të djathtë, duke ndjekur gjurmët e Bush-it, mbron politikat në favor të një shkalle të ulët fiskaliteti në tërësi në ekonominë dhe financat amerikane duke favorizuar rritjen e fuqisë blerëse të familjeve amerikane, shtimin e kapaciteteve investuese të biznesit, rritjen e nivelit të konsumit në shkallë kombëtare. Fjala çelës e tij po bëhet “tax cuts”, reduktime fiskale. Në mënyrë që të luftojë një deficit publik prej 490 miliard dollarësh, McCain angazhohet se do të “lehtësojë trenin e funksionimit të shtetit”, ç’ka nënkupton uljen e shpenzimeve publike në përgjithësi dhe atyre të mbështetjes shëndetësore e të papunësisë në përgjithësi. McCain i referohet gjithnjë e më shumë kërkimit të efektivitetit ekonomik e financiar tek vlerat e kapitalizmit anglo-sakson, tek liria absolute e tregut dhe individit, tek Shteti minimal por maksimalisht efikas, tek nxitja e konsumit që shërben si lokomotivë për prodhimin dhe punësimin.

Nga ana e tij, Obama, propozon një version të kundërt zgjidhje: 200 miliardë dollarë për të mbështetur ringritjen ekonomike, pa llogaritur këtu rreth 65 miliard dollarë që do të jepen çdo vit për sigurimin shëndetësor të amerikanëve të pa siguruar. Kandidati demokrat synon eliminimin e lehtësirave fiskale për kategorinë e familjeve që sigurojnë mbi 250.000 usd/vit si dhe shtimin e taksave për fitimet në bursë. Obama angazhohet të zvogëlojë taksat për shtresat e varfra të popullsisë duke e përqendruar gjithë kujdesin e tij “tek klasa e mesme”, që deri tani ka qenë tema e preferuar e rivales së tij brenda kampit demokrat. Mbështetje e veçantë premtohet edhe për personat e moshës së tretë, handikapatët dhe të sëmurët kronikë, grupe të cilat do të përjashtohen nga shumë taksa. Obama duket se preferon më shumë një model më intervencionist të shtetit në ekonomi, një prezencë më të madhe të politikave rishpërndarëse, një kujdes më të madh për konsolidimin dhe zgjerimin e klasës së mesme, etj.

Analiza krahasuese e kësaj përvoje amerikane të çon natyrshëm në evidentimin e disa elementeve pozitive të “leksionit amerikan” që mund të merret si shembull edhe nga politika shqiptare. Së pari, politika nuk flet në përgjithësi dhe për gjithçka, por i drejtohet një shtrese të popullsisë apo kategorie biznesi që përbën bazën dhe fokusin e saj. Politika shqiptare në një fushatë apo program elektoral kërkon t’i kënaqë të gjithë me premtimet e saj duke e humbur sensin e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të grupeve të ndryshme sociale e profesionale. Së dyti, prioritetet përgjithësisht i vendosin liderët apo stafet e tyre pa u mbështetur asnjëherë në sondazhe masive e të besueshme mbi nevojat dhe shqetësimet e opinionit publik. Eksperienca e këtyre 17 viteve tranzicion plus shembullin e KOP-it nuk kanë nevojë për shumë koment. Përvoja e PS në kuadrin e dialogut me Shqipërinë ndoshta është një hap pozitiv në këtë drejtim por që akoma nuk është konturuar në formë publike. Së treti, programet elektorale trajtojnë gjithçka pa pasur në thelb asnjë prioritet të artikuluar qartë në funksion të zhvillimeve aktuale e afatmesme. P.sh., do të ishte me shumë interes për të gjithë, nëse në këtë fushatë partitë të vinin si objektiva të tyre themelore vetëm 2 ose tre të tillë për një mandat 4 vjeçar: “Do zgjidhet përfundimisht çështja e pronave dhe legalizimeve”, “do zgjidhet përfundimisht furnizimi me ujë të pijshëm”, “do rritet më x % fuqia blerëse e shqiptarëve”, “do dali tërësisht nga kolapsi sistemi shëndetësor”, “do mbështetet dhe modernizohet sektorin bujqësor dhe agroushqimor duke investuar x milion euro”, “do eliminohet varfërinë tërësisht” etj.

Në këtë këndvështrim, lë shteg për shumë interpretime p.sh., rasti i PS që deklaron se ka një program elektoral prej 500 faqesh. Mbetet për t’u parë nëse ka 2 ose 3 prioritete bazë dhe cilat shtresa, profesione e biznese do të jenë përfituesit e vërtetë.  Së katërti, koherenca në modelin e zhvillimit të synuar. Është e pamundur edhe të rrisësh, investimet shpenzimet dhe mbështetjen publike edhe të ulësh vazhdimisht taksat; edhe të kërkosh mbështetje të madhe sociale për grupet në nevojë, pensionistët, ushtarakët, shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën, etj., dhe njëkohësisht të bësh politika lehtësuese fiskale për biznesin, ulësh taksat etj. Politika jonë premton gjithçka që i duket e mirë pa analizuar sistemet apo llojet e kapitalizmit që zbatohen aktualisht në vendet që ne marrim si shembull. Në këtë këndvështrim na mungon tërësisht koherenca.

Ne flasim shumë për ekonominë e tregut pa e shtruar asnjëherë në thelb se cilin lloj të kapitalizmit duhet të synojmë të ndërtojmë si më të përshtatshëm për Shqipërinë. Kjo bëhet imperative kur edhe vetë brenda Evropës ka të paktën 4 të tillë që ndryshojnë në thelb nga njëri-tjetri. Kapitalizmi anglo-sakson në Angli, kapitalizmi shtetëror në Francë, kapitalizmi social-demokrat në Gjermani e vendet skandinave, kapitalizmi latino-mesdhetar në Itali, Spanjë e Greqi, pa folur për një lloj të veçantë kapitalizmi që po përvijohet në vendet e Evropës Qendrore e Lindore, të cilave iu ngjajmë në shumë aspekte thelbësore në trajektoren tonë të tranzicionit.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente

  1. Qafir Arnaut thotë:

    8 September 2008 @ 5:21 pm

    Nuku ka asnje leksion sistemi elektoral amerikan per Shqiperine. Se pari per nga gjatesia e fushates elektorale (2 vjet e kusur) dhe per nga siperfaqja e popullsia (300 milione banore me 3 milione) nuk mund te nxirren paralele. Sistemi amerikan i pershtates situates ne amerike.

    Mbi te gjitha Amerika i shitet popullit jo si shtet por si ide, pra ne kundershtim me shqiperine qe i shitet popllit si ‘tave kosi’ per ate qe ka luge ne brez

  2. Qafir Arnaut thotë:

    8 September 2008 @ 5:24 pm

    Se dyti (and more importantly) Muchi e ka bo analizen gabim, keshtu qe leksioni eshte i pa vlere

  3. spiritus thotë:

    8 September 2008 @ 5:42 pm

    E ka shkruar Adrian Civici, jo Muci.

  4. Qafir Arnaut thotë:

    8 September 2008 @ 6:56 pm

    Uh paske te drejte. nderkohe une kisha nderment kete

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com